E premte, 26.04.2024, 06:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Poezi në formë baladash

E marte, 07.07.2009, 08:05 PM


Ejup Ceraja

Poezi në formë baladash

BALADA PËR MIC SOKOLIN

Ishte lëshuar ushtri e madhe
Si bletët në koshere,
Drejt trojeve arbërore
Sërishmi asaj here…

Në çdo cep të atdheut
Në shkurre e rakita,
Me shpejtësi rrufeje
Armikut i zihej prita…

Ruhej me xhelozi
Toka pëllëmbë për pëllëmbë,
Luftohej burrërisht
Kudo dhëmb për dhëmb.

Nga të gjitha anët
Granatohej me topa,
Për atë mizëri
Prapë heshtte Evropa.

Kështu pandërprerë
Vringëllonin topi e shpata,
Luftohej për çlirim
Me errësirën e netëve të gjata.

Kur e pa Mic Sokoli
Sa shumë civilë po mbytën,
Me gjoksin e vet - trimi
Topit armik ia kishte zënë tytën.

Kësisoj u veprua prore
Mbi topa e raketa,
U zihej tyta atyre
Dhe flijohej edhe jeta.

Se:
"Topin Mic Sokoli,
Topin Selam Labi,
Tankun Vojo Kushi
Hop për gryke e kapi".

Nëntor - 2004

BALADA PËR ISË BOLETININ
Në 91-vjetorin e rënies

Mbi tokat arbërore
Po shkundulloheshin retë,
Nga të katër anët
Pamëshirshëm binin rrufetë.

Si kudo në trojet shqiptare,
Ashtu edhe në Boletin,
Kulla i digjej flakë
Fshati mbuluar në tym.

Si prijës i kryengritjeve shqiptare
Me kërkesa e qëllime të qarta
E joshnin në Stamboll
Me postet më të larta.

Po me sa i braktis shqiponja
Alpet tona, bjeshkë e male,
Aq do ta braktiste ai
Çështjen madhore shqiptare.

Ashtu si e zbërthen njeriu
Enigmën ne një rebus,
Ashtu ai e zbërtheu enigmën
E ardhjes së konsullit rus.

Urdhëroi nëpërmes tellallit
Pa u hamendur aspak,
Askush nga shqiptarët
Të mos i bëjë konak.

Sikur ëmbëlsia
E kokrrës së fikut,
U bënë udhërrëfyese porositë e tij
Në Kuvendin e Madh të Junikut.

Me krah të shqiponjës,
Që është zotëruese e lartësisë,
Shkoi drejt Vlorës heroike
Në Shpalljen e Pavarësisë.

Se nuk ishte vetëm një gjeneral,
Po edhe një diplomat ashtu si i ka hije,
E mbrojti çështjen shqiptare në Londër
Me Ismail Qemail Vlorën, kryetar qeverie.

Janar 2000

BALADA PËR AT IRAKLI PYLLIN
(Një jetë e tërë në shërbim të kombit,
të gjuhës së tij dhe të atdheut)

At Irakli Pylli
Edhe sot e kësaj dite,
Mbetet kalorësi i paepur
I gjuhës së bukur shqipe.

Kur pushteti e kleri
Gjuhën tonë e mallkonin,
Ai me shpirt ndër dhëmbë
Ia përgatiste fronin.

Për ta poshtëruar armiqtë
E shëtisnin nynd me thes në kokë,
Me përbuzje skajshmërisht
Ia hidhnin Abetaren në tokë.

Për t’ia thyer dinjitetin
Ashtu si e kishin zakon,
Ia varën në qafë
Edhe një këmbonë…

Të gjitha ato përulje,
Që iu bënë botërisht,
I përballoi paluhatshëm
Duke qëndruar burrërisht.

E urdhëronin paturpësisht
Që të shkelte në abetare përmbi,
Po ai përkulej me nderim e merrte
Duke e puthur i përlotur e vinte në gji.

Dy herë e nderoi Vlorën
Si pragun e shtëpisë,
Njëherë në luftën e saj
Pastaj në Shpalljen e Pavarësisë

Qe pjesëmarrës i LNÇ-së
Deri në çastin e fundit,
E përfundoi jetën me nder
Në kampin... e Zemunit.

Për të gjitha këto virtyte
Që i shkuan përdore,
E meriton – mendoj unë
Së paku një përmendore.

18 nëntor 2005

BALADA PËR ÇAMËRINË

Ishte dhe është
Në Epir përmbi,
Një tokë e begat
Me emrin Çamëri.

Jetonin dikur në te
Me mijëra atdhetarë,
Të gjithë të një gjaku
Me emër shqiptarë.

Kishte dikur Çamëria
Trima të mëdhenj-burra,
Dhe kudo në ato troje
Lulëzonte kultura.

Siç bënte emër
Për trimëri Vranina,
Ashtu bënte emër
Për kulturë Janina.

Në te ishte hapur
Gjimnazi "Zosimeja",
Në të cilin mësoheshin
Edhe lëndë të reja.

Në shkrimet e tyre
Biografët thonë:
- Aty kishte mësuar
Bilbili i gjuhës sonë.

Në kulla të Janinës
Rrethuar me bedena,
E kishte selinë e vet
Ali Pashë Tepelena.

Kishte dikur Çamëria
Vende me begati si dukati,
Ashtu siç ishte Arta
Dhe i bukuri Filati.

Bukuritë e Prevezës
Si lulet e serës,
Ua kalonin kurdoherë
Bulimeve të pranverës.

Sa patën nevojë grekët
Në koka suljote u betuan,
Si e morën pakëz forcën
Nga Çamëria i dëbuan.

E kishte mbuluar tymi e flaka
Çamërinë etnike,
Siç e mbuloi më vonë
Kosova tonë heroike…

Vajtonin pareshtur
Fëmijë, nuse e nëna,
Kudo Çamërinë martire
E kishte mbuluar gjëma.

E liga e madhe,
Që u rrinte përmbi,
I bëri ata refugjatë
Në Mëmën Shqipëri…

Tetor – 2003

BALADA PËR TOKËN KUFITARE
(Sipas romanit "Për Mëmëdhenë" të Th. Kacorit)

U mblodh Komisioni në Korçë
Për tokën e lashtë kufitare,
Donin t'ia lenin Greqisë
Edhe atë pak tokë shqiptare.

Sevkoviqi ishte rus
Vilej ishte anglez,
Tuvi ishte gjerman
E Gudimi francez.

Shumica ishin pro grek
Kishin rënë si në lak,
Përveç Kastoldit italian
E Bilinskit austriak.

I çuan në shtëpi shqiptarësh,
Që shtireshin grekomanë,
Për ta bindur komisionin
Se të gjithë grekë janë.

- Këta qenkan grekë -
Tha Vilej anglez,
Atë ia vërtetoi
Edhe Gudimi francez.

- Po, po - thanë të tjerët
Ulur pranë "takëmi",
Të prirë nga Tuvi
Kryetar komisioni.

- Jo! - u tha Bilinski
Ju s'kini qenë në Shqipëri,
Andaj nuk keni fare faj
Se s'i dini këto dredhi!

- Do ta shihni ju
Nga prova e parë,
Këta s'janë grekë,
Por janë shqiptarë.

I çoi pranë një shkolle
Me fëmijë në lulisht',
Fëmijët i përshëndetën
Me mirëmëngjesi greqisht.

-Pritni pak,- tha Bilinski,
Do të bindeni ju vetë,
Se janë fëmijë shqiptarë
Nuk janë fëmijë grekë!…

Ua hodhi një grusht para metali
Të gjithëve në një cip,
E harruan greqishten
E filluan grindjen shqip.

- Këta me fjalë shqipe
Shprehin çdo dëshirë,
E kanë gjuhë të nënës
E shprehën më lirë.

I çonte nëpër lagje
Me më shumë korçarë,
U dëgjua një foshnje
Larg diku duke qarë.

-Mos edhe kjo foshnje -
Tha Tuvi pa cip,
Po e bëka sipas teje
Edhe vajin shqip?…

- S'do të shkojë shumë gjatë
Vetë keni për ta parë -
Sado që qan si çdo foshnje
Prapë është fëmijë shqiptarë.

Pranë shtëpisë së foshnjës
Sikur të kishte rënë hëna,
I dëgjuan fare qartë shqip
Këto këngë nina-nëna:

"Nani, nani djalënë
Se na e zgjoi mëhallënë!
O ri ri, o ri ri,
Djali jonë si flori!"

"Nani, nani djalënë
Djalënë të mbarënë!
O ri ri, o ri ri,
Djali jonë si flori!"

Bilinski u tha:

- Ne e kemi një proverb
Që në jetë popullit i priu:
"Nga rrobat e jashtme -
Kurrë nuk njihet njeriu!"

24 korrik 2003


Dy poezi balada me temë legjendare


BALADA PËR 7-VAJZAT KRUTANE
(Sipas një gojëdhëne popullore)

Kishte ardhur mizëri e një ushtrie
Së cilës nuk i shihej skaji -
Asaj lukunie i kishte prirë
Vetë Tursun Pashai.

E kishin rrethuar keq Krujën
Me zjarr e me hekur,
Ku shkelte këmbë osmanliu
Mbeste tokë e djegur.

Kryekomandant Skënderbeu
E kishte dhënë një urdhër të prerë:
"- Fëmijë, gra, pleq e plaka
Të mbyllën në Kështjellë!

- Dhe, në te brenda të mbesin
1500 ushtarë në bedena,
Që ta mbrojnë popullatën
Dhe kështjellën nga brenda.

- Këtij garnizoni, tha,
T'i prijë Komandant Vrana Konti,
Që është një luftëtar trim
E që është shumë i zoti!"

Sipas urdhrit të kryetrimit
Në kështjellë ishte kryer mesha,
Po jashtë saj kishin mbetur
Shtatë vajza trimëresha.

Ato kishin shkuar thellë
Në brendi të tokës arbërore,
Duke mbledhur lulet e para
Të ditëve pranverore…

Ishin kthyer me nxitim
Që të mos i zinte nata,
Po kudo rreth kështjelle
I kishte pritur turpi a shpata.

Ashtu drejt kështjelle
Ishin bërë sikur erë -
S'kishin kaluar rrugë të gjatë
Kur kishin hasur në jeniçerë.

- Ja – kishin thënë harbutët,
Shqiponjat Arbëresha,
Do t'i shtimë në dorë
Këto pëllumbesha…

Ishin munduar t'i mashtronin
Me lajka e me dredhi -
Që t'i shtinin në dorë
Pa ndonjë vështirësi.

Po shqiponjat arbërore
E kishin kuptuar mirë hilen,
Andaj halldupëve të Anadollit
Kishin vendosur t'ua lënë kilën…

- Mirë, - u kishin thënë ato -
Po na deshët miras,
Ne ju prijmë përpara
Ju ejani bukur pas…

- Po na u afruat
Duke e shpejtuar hapin,
Ne do të bëjmë përpara
E do ta marrim vrapin.

Jeniçerët tinëzar
Si bisha të uritur,
E kishin shkelur fjalën e dhënë
Përpjetë duke u ngjitur.

Ishin vërsulur me tërbim
Si bishat te preja -
Po s’i kishin zënë dot
Me sa zihet rrufeja?…

Kishin arritur te Mali i Gropës
Të shtatat dora-dorës,
Një halldup jeniçer
Ia kishte kapur flokët Luleborës.

- Tash të kam në dorë
Gjeraqinë arnaut(k)ë,
Ke kujdes si sjellësh
Bëhu pak më e butë!

- Ne edhe të tjerat
Do t'i shtimë në dorë,
Do të kënaqemi me ju
Pa vënë as kurorë…

- Jo! – i kishin thënë jeniçer.
Gabim e ke bërë llogarinë:
"- Së pari - thonë nga ne -
Duhet pyetur hanxhinë."

- Ç'kujton ti more bushtë?
Se ne bëhemi përrallë!
- Kurrë s'dorëzohemi
Sa të jemi gjallë!…

- Ne e mbrojmë nderin
E krenarinë e atdheut,
Por edhe fytyrën arbërore
Të të Madhit Skënderbeut.

- Ne jemi të ëmbla
Mu sikur sheqerka,
Po duhet ta dini mirë
Se nuk jemi jeniçerka.

- Edhe jeta e juaj,
O xhelat këtë herë -
Do të përfundojë atje
Poshtë në këtë humnerë!

- Sepse ne njëqind herë vdesim
Kështu dorë për dore -
Po njëherë s'e koritim
Farën tonë arbërore!…

Dhe, derisa jeniçeri
Ishte jargitur edhe njëherë,
Me fjollën e flokëve në dorë
Kishte fluturuar në humnerë.

Por edhe vajzat krutane
S'e kishin thyer besën e unitetin,
Ishin bërë erë drejt humnerës
Për ta ruajtur virgjëritetin.

Dhe, ashtu të hedhura
Në humnerë dorë për dore,
E kishin kënduar me zë të lartë
Këtë këngë mortore:

"Shumëfish ne e flijojmë jetën
E njëherë s'e koritim vetën.
Kot e keni more qyqarë
S'i koritim ne fis e farë.

E mbrojmë nderin e atdheut
Jemi mbesat e Skënderbeut.
Ne sot po e preferojmë humnerën,
Për ne vëllezërit do të hakmerren!"

4-5 gusht 2003

BALADA PËR BESËN E DHËNË
(Konstandinit dhe Doruntinës)

Konstandinit e ëma
Te varri i kishte thënë:
"Ku është besa, loke
Që mua ma pate dhënë?"

- Ah, mort katile
Që çdo gjë e tretë!
- Si m'i more djemtë
E më le të shkretë?!

- Ta kishe lënë Konstandinin
Sa për ta mbajtur besën!
- Edhe mua kërcures
S'ma kishe shuar shpresën.

- Po Konstandini i vogël
Tash tretet brenda në dhe,
Edhe fjala e dhënë
E besa bashkë me te.

- Unë sa për djem
Nuk e kam aq hallin,
Se atyre nëna
Ua jep hallallin.

- Po ç't'i bëhet besës
Që peng i ka mbetur?
Së bashku me te
Thellë në dhe tretur.

Sapo e ëma
U kthye në shtëpi,
Thellë nga Universi
Erdhi shpirti i ti'.

Dhe, pa një, pa dy
U bë si erë mali,
Për ta sjellë Dorutinën
Hipur përmbi kali…

Doruntina më se tri vite
Tretej larg atje në vetmi,
E priste Konstandinin
Që ta sillte në gjini.

I kalonte motër shkreta
Ditët e hidhura si pelini,
Derisa hipur mbi kali
Ia behu Konstandini.

Sapo u përqafuan
E i ndërruan dy-tri fjalë:
- Për këtë vonesë t'madhe, tha.
Të lutem motër më falë!…

- Se mbi tokë të Arbrit
U shkundulluan retë,
Nga të katër anët
Rreptë binin rrufetë.

- Sapo pushoi furtuna
E u qetësua pak era,
E shfrytëzova rastin
E ja ku të erdha…

- Përgatitu shpejt, motër
Në rrugë na priftë e mbara,
Sa do të gëzohet nëna
Kur të dalë përpara!…

- Ngadalë - i tha vëlla
Se s'vonohemi, nuk.
Eja të pushosh brenda
E ta hash pakëz buk'.

- Jo, - i tha lum motra.
Rehatoje mirë e mirë djalin,
Se sa më shpejt më duhet
Prapa që ta kthej kalin…

- Nuk jam unët njëherë
Ja ku e kam tarqukun e bukës.
Do të hamë së bashku
Kur të uritemi rrugës.

Doruntina nga gëzimi
U bë e shpejtë si era e malit,
Pas shpinës së Konstandinit
Hipi mbi vithe të kalit.

U nisën bashkërisht
Në rrugën më të gjatë,
Krejt udhëtimin e bërën
Vetëm vonë nëpër natë.

Sa iu afruan shtëpisë
Vrapin në vend e ndalin:
- Shko - i tha motër te nëna
Se unë po e kthej kalin!

- Mos u vono - vëlla,
Po kthehu menjëhere!
- Pa ty s'do të hyj brenda
Po do të presë pranë dere.

- Jo - i tha lum motra,
Duke e shikuar në sy.
- Hyr sa më shpejt brenda
Të çmallet nëna me ty!…

- Hyr me nxitim brenda
Ti e dashura motër!
Që të sjellësh lumturi
E ngrohtësi në votër…

Iu afrua derës së shtëpisë
Me afsh e me ngashërim:
"A të trokas - mendoi
A ta pres vëllain tim!"

Trokiti hamendshëm
Vetëm për një trohë:
"Kush mund të jetë, tha nëna
Që po troket në këtë kohë?!"

- Kush është në derë? - tha
Pa u bërë merak shumë.
- Hape derën nënë e dashur
Se këndej jam unë!…

- Po kush je ti moj
Ty të gjettë e mira?!
Që po troket në këtë kohë
Në këto net të vështira…

- Po hape më derën,
Ori nënë, loke!…
Jam unë Doruntina
Vajza e jote!…

- Po çfarë Doruntine?
Mori çka po thua!…
S'është në nderin tënd
Të tallësh me mua!…

- Nuk po tallem me ty,
Oj nënë, ç'po flet!…
- Hape pa frikë derën
Jam Doruntina vet'…

- Po më ke erdhe, bijë?
Që ma përtërive gëzimin.
- Uh, nënë ç'po thua!?…
Erdha me Konstandinin.

- Mos fol kështu, bijë!
S’po e vëren si jam tretur,
Konstandini i nënës
Që tri vjet ka vdekur…

- Pasha sytë e ballit, nënë
Me te kam ardhur këtu pari!
Të dytët bashkërisht
Hipur mbi një kali.

- Jo - i tha nëna
E dashura ime bij!
S'ke ardhur me Konstandinin
Po ke ardhur me Besën e tij!…

Prill-maj 2005


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora