E shtune, 27.02.2021, 07:02 AM (GMT)

Kulturë

Ejup Ceraja: Letër për së largu

E merkure, 01.07.2009, 05:20 PM


Ejup Ceraja

LETËR PREJ SË LARGU

(Fragment nga romani "Dritë dhe shpresë")

Kishte më se dhjetë vjet që kur Sizana ishte nisur në rrugën e gjatë, të mundimshme dhe tepër të dhimbshme, në rrugën e kurbetit. Ajo gjithherë me mish e me shpirt me tërë qenien e saj ishte lidhur me fije të pashkëputura me vendlindjen e me atdheun. Gjithnjë me trup ishte në Gjermaninë e largët, po me mendje, me zemër e me shpirt ishte në atdheun e saj të dashur, që e lindi dhe e rriti e që e bëri këmbë e dorë. Atë lidhshmëri me vendlindjen dhe me atdheun ajo e ruante nëpërmes aktiviteteve të shumta e të larmishme, që i zhvillonin nëpër klubet e bashkatdhetarëve anë e kënd Gjermanisë. Më në fund Sizana vendosi t'ia dërgojë një letër sa njohëse, aq edhe përshëndetëse shoqes së saj më të dashur në vendlindje, edhe pse nuk ishin të një moshe. Po dallimi në moshë prej afro dhjetë vjetësh, nuk ishte bërë kurrë pengesë që ato të lidhen shpirtërisht mes veti me shumë fije të pashkëputshme shpirtërore. Sizana letrën e vet për shoqen e shpirtit, siç e quante ajo, Flononën e fillonte kështu:

"E dashura Flononë!

Po të shkruaj për herë të parë nga Gjermania e largët, pas më se dhjetë vjetësh të ndarjes sonë. Jo se të kam harruar. Jo se s'të kam dashur dhe se s'të dua. Jo se  s'kam pasur çka të të shkruaj e çka të të tregoj… Por se s'kam dashur ta rëndojë shpirtin e zemrën tënde të njomë me vuajtjet e shoqes sate, besoj të shpirtit. Edhe pse s'kemi qenë të një moshe kemi qenë shoqet, ç'po them edhe unë, kemi qenë motrat më të ngushta e më intime mes vete. Pra mosha kurrë s'ka qenë pengesë që të jemi përherë bashkë. Që të jemi përherë afër njëra-tjetrës. Që ta ndihmonim përherë njëra-tjetrën. Që të bisedonim përherë për synimet tona fisnike në jetë, të cilën e kishim përpara, e për të cilin kishim shumë ëndrra të bukura. Po, ja që jeta i paska ligjet e veta. Nuk po rrjedhka përherë sipas dëshirave të individëve, sado të mira e fisnike qofshin ato. Edhe pse njeriu nëpër jetë po u munduaka të gjejë të çara e shtigje nëpër vitet kohë të saj, për t'ia ndërruar rrjedhën sipas dëshirës e synimit të vet, ajo prapëseprapë qenka këmbëngulëse në rrjedhën e saj. Ti e dashura Flononë tash je në atë moshën time, kur unë me vëllain e dytë u nisëm për kurbet. T'i, pra, tash je plot vrull e energji të pashtershme. Syno që ato energji t'i shfrytëzosh për të mirën e përbashkët të vendlindjes dhe të atdheut tonë të bukur. Unë besoj se ti mëson me atë vrullin e përparshëm. Edhe gjumin mos e bën gjumë, duke synuar që t’i thellosh e që t’i zgjerosh sa më shumë dituritë nga të gjitha lëmit e jetës. Se pa dituri të thella e gjithëpërfshirëse nuk ka ecje përpara krah për krah me popujt tjerë të përparuar. Përmbaju asaj thënies së Naimit tonë të madh se vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë...  Nuk  do të jetë e largët dita kur do të më përqafosh njëherë e përgjithmonë në atdheun tim që t'i gëzohemi lirisë e përparimit të tij. Unë do të vij në atdhe si specialiste e…, për ta ndihmuar e përparuar atdheun edhe në këtë fushë të jetës. Kur unë atëherë u nisa në këtë rrugë të mallkuar dhe të bekuar për një herë, s'kisha fare ide se ku do të shkonim, si do të na prisnin, ku do të vendoseshim dhe si do ta kalonim. Të thash në këtë rrugë të mallkuar se ishte detyrimi ai që na shpuri në këtë rrugë të gjatë të jetës. Që na degdisi në të katër anët e botës. Ndërsa të thash të bekuar se ne këtu si atëherë, si edhe tash hasëm në një mikpritje fisnike të këtyre njerëzve fisnik. Të cilët nuk na  lanë mangët  asgjë. Na i përmbushën të gjitha nevojat elementare për një jetë njerëzore e normale…

Tash do të të shkruaj për peripecitë tona të atëhershme, të asaj rruge të gjatë e të mundimshme. Ne, nëse të kujtohet, pasi edhe ti ishe në përcjelljen tonë, atëherë, u nisëm në drejtim të Maqedonisë. Kaluam nëpër cepin e anës perëndimore të Bullgarisë dhe të Rumanisë, duke i rënë pastaj mes për mes Hungarisë dhe dolëm po ashtu në cepin perëndimor të ish Çekosllovakisë përbri kufirit çeko-gjerman. Dhe ja peripecitë tona me ata ciceronët tanë të një gjuhe e të një gjaku, që e morën përsipër "kalimin" tanë të kufirit çeko-gjerman:   

Po afrohej muzgu i natës së tretë nga nisja drejt tokës gjermane…, kur ne u vendosëm disi në atë vend të panjohshëm. Gjëja e parë që synoja të bëja në ato momente ishte gjetja e postës për një telefonatë, edhe të shkurtër, për në shtëpi. E merrja më mend  merakosjen e prindërve, në një anë dhe mallëngjimin tonë për ta, në anën tjetër. Na u bëke, së bashku me vëllain se nuk ishim parë me prindër me vite e vite të tëra. Edhe pse s'kishin kaluar më shumë se tri ditë e net që ishim ndarë nga ata. E gjeta me mund postën së bashku me vëllain tim, Besfortin. E bleva kartelën. E formulova numrin e shtëpisë. Me padurim dhe me drithërime shpirtërore e prisja zërin nga ana tjetër e receptorit. Një gulçim ma kishte zënë frymën sa mezi ngopesha oksigjen të tokës së huaj. Po, fatbardhësisht, pa u dëgjua zëri në anën tjetër, e mora vetën dhe u forcova. Bëra kastile që të mos më dridhej zëri se do t'i bëja merak prindërit edhe ashtu të merakosur e të vuajtur për ne.

 - Urdhëroni?!… - u dëgjua zëri i nënës nga ana tjetër, të cilin e njoha menjëherë, duke u dridhur si të kishte dalë me vrap krye një kodre.

- Alo, nënë! - Jam unë, Sizana. - i thashë.

Nëna, sigurisht nuk e dëgjoi mirë zërin tim. Apo nuk u besoi veshëve të vet, këtë s'e di. Po ajo  më pyeti  me një zë tepër dridhës:

- Kush the je, kush?…

- Po unë jam, Sizana, oj nënë!… Si s'po ma njeh zërin?…

- Sizanë, bijë - ti qenke, a?!…

- Po nënë, unë jam…

- Po Besforti si është?… - Ku është ai?…

- Mirë është, nënë, mirë. Këtu është pranë meje dhe po ta dëgjon zërin.

- Po nga po paraqiteni?…

- Nga Çekosllovakia, nënë. Kemi arrirë shëndosh e mirë. - Po babai si është, nënë?…

- Mirë është, bijë, mirë… - Ama edhe Besfortin pak.

- Qe nënë, merre - po mos e zgjatni shumë se është në të mbaruar kartela.

- Alo, nënë!…

- Besfort, bir!…

- Alo, nënë - a po më dëgjon?…

- Po bir, po të dëgjoj mirë… - iu lëshua zëri nënës. - A jeni mirë, bir?…- e  pyeti.

- Po nënë, mjaft mirë jemi… - Po babai ku është?…

- Ja këtu pranë meje. Po e dëgjon bisedën me një gëzim të pa përshkruar.

- Ama pak babin se janë kah na mbarohen minutat. - i tha Besforti.

- Alo, Besfort, bir! - Si jeni dhe si e kaluat rrugës?...- Mirë jemi, babë, dhe mirë kemi kaluar…

Tyt, tyt, tyt u dëgjua  zëri nga ana tjetër e telefonit.

- U ndërpre!… - më tha Besforti.

.           .          .

Pas dy netëve që fjetëm në Çekosllovaki, hasëm në ofertuesin e parë që do të kujdesej për të na ndihmuar në kalimin e kufirit. Ai u paraqit si njeri zemërmirë dhe i kujdesshëm. Na e kërkoi një shumë më të madhe parash se sa që kishim mësuar se kushtonte orientimi drejt kufirit gjerman dhe kalimit të tij pa ndonjë vështirësi. Një herë na i kërkoi parat që t'ia jepnim para se të niseshim drejt kufirit me arsyetimin se i duheshin për lehtësim të kalimit të tij. Po ne, duke u mbështetur në këshillat e babait, që na i kishte dhënë para se të niseshim nga Kosova, i thamë troç: "Të hollat do t'i marrësh pasi të na dorëzosh në vendin e duhur". Ne e kishin më vete edhe një djalosh të moshës sonë, të cilën e kishim ndihmuar në kalimin e çdo kufiri pa pasaportë, duke e fshehur nën ulëset tona dhe duke rrezikuar edhe vetën. Ai djaloshi s'na ndahej edhe në Çekosllovaki, duke na thënë:

- Edhe njëqind herë po të më jepet rasti për kalim të kufirit, unë pa ju s'do ta bëj as edhe një hap në drejtim të Gjermanisë. Nuk do t'ju ndahem derisa edhe ju ta kaloni kufirin e të vendoseni në një vend të sigurt. - na thoshte ai djaloshi atëherë.

U nisëm asaj mbrëmjeje sapo ra muzgu i parë drejt kufirit gjermano-çekosllovak të prirë nga ai orientuesi ciceron. Udhëtuam me orë të tëra pas tij, që i dinte shtigjet e kalimit të kufirit fshehurazi. Vërtet e kishim kaluar kufirin dhe kishim hyrë bukur thellë në tokën gjermane. Ne atëherë ecnim si në kolonë nëpër tokën e huaj plot myshk në atë errësirë të brishtë.

Mua, si më të moshuarën nga të dy djemtë, më kapluan mendime rrëqethëse. E merrja me mend se ai diçka për keq "bluante" në kokën e tij. Po çka se?… "Si u nisëm pas këtij njeriu?!…" - thash më vete. Më erdhi në mendje porosia e babait: "Ruajuni po patët mundësi  pa u bërë se kur të bëhet më mos çani kokën për të…" Kjo më dha forcë e shtytje… E dëgjuam një si zhurmë e si zë njerëzish. Nuk ishin në gjendje ta dallonim se ç'ishte. Vetëm ai prijësi i ynë e kishte nuhatur dhe e kishte kuptuar mirë se ç'ishin ata zëra dhe ajo zhurmë se ishte ushtruar me ta sa e sa herë…

- Rrini këtu e mos lëvizni as mos bëzani se unë po dalë të hetoj se për çfarë është fjala. - na tha ai dhe u tretë si tretet kripa në ujë.

"- Na iku dikah i paudhi. - thash unë më vete. Na la vetëm në këtë  pyll të panjohur e në këtë errësirë nate. Si t'ia bëjmë?…" Ndërsa djemve u mundova që t'u jepi zemër, duke u thënë se do t'ia dalim anësh edhe kësaj. Ne jemi tre. Fatbardhësisht gjermanishten e njoh  mirë dhe mund të merremi vesh pa ndonjë vështirësi, po na ra nevoja të përballemi me… Ta thërrisnim as nuk guxonin, as nuk ia dinin emrin. Se, kur e pyetëm për emër, në fillim, na tha se emrin tim do ta mësoni kur t'ju dorëzojë në vendin e caktuar dhe kur të m'i jepni të hollat e shërbimit. Bëmë edhe ca rrugë ashtu të tretë dorë për dore të lodhur e të rraskapitur, pa ditur fare se në ç'drejtim po shkonim. U ndalëm e mbajtëm vesh. Dëgjuam zhurmë automjetesh, po në ç'drejtim na vinte ajo zhurmë automjetesh s'ishin në gjendje ende ta përcaktonim. - Nuk jemi edhe aq larg ndonjë autostrade. - u thashë, duke i shtrënguar për dore me besim të shtuar se më në fund do ta kuptonim, së paku, se ku gjendeshim,. Dolëm ashtu nëpër atë terr në një si bregore. Dhe, për kënaqësinë tonë, nëse fare mund të flitet për ndonjë farë kënaqësie në aso rastesh, i pamë dritat e panumërta të automjeteve, që rrëshqisnin si bollat mbi bari të tharë traseve të autostradës në të dy kahet pa u ndalur. "Shpëtuam, më në fund!…" - u thashë, duke i rimbushur mushkëritë me ajër të freskët të asaj pasmesnate. U ulëm të çlodheshim pakëz. Më s'na mundonte  frika se ku ndodheshin. E dinim se pas pak atë do ta kuptonim, pa marrë parasysh rrjedhën e ngjarjeve se si do të zhvilloheshin më tutje.

- Do të biem në autostradë e do t'u dorëzohemi policëve në cilindo shtet qofshim. - u thashë pasi pushuam pakëz dhe e morëm vetën një çik. Na grinte edhe uria, po nuk donim t'ia dinim. Edhe ata pak bukë që e kishin më vete  na rrëmbeu nata në atë pyll të dendur, të rrëpirët e herë-herë përplot me shkurre…

E kuptuam se ku ishim. Kishim hyrë ca kilometra brenda tokës gjermane, po ai "ciceroni" na kishte shëtitur përreth kufirit që, në rast nevoje të ikte më lehtë, ashtu si edhe ia bëri.

Mëngjesi na gdhiu aty nga ishim nisur muzgun e mbrëmshëm… Fatbardhësisht tentimi i dytë doli me sukses…

 Për peripecitë tjera të motrës sate për dhjetë vitet e kaluara këtu në Gjermani, do të shkruaj njëherë tjetër gjerësisht.

Po ta dërgoj edhe vjershën time të fundit "Malli për atdhe", përmes së cilës kam shpalosur ndjenjat e mia, ndoshta e ke lexuar në revistën “Zog mëngjesi”.

MALLI PËR ATDHE

Sa je në vendlindje

Në të dashurin atdhe,

E shijon bukurinë e tij,

Por mall për te nuk ke.

Që ta shijosh ëmbëlsinë e tij,

Si mjaltë në hoje,

Largohu pak nga ai

E mallin për te provoje.

Unë erdha mërgimtare

Këndej në Gjermani,

Ah sa më mungon atdheu

Dhe ngrohtësia e ti'!…

Kështu gjithnjë mërgimtarët

I gërryen përbrenda malli për ty,

Me njolla mallëngjimi në zemër

E me lumenj lotësh në sy.

Të gjithë neve mërgimtarëve,

Që nga ti na ka larguar halli,

Bartim gurë mulliri n' zemër

Dhe në shpirt male malli.

Kur të na shihni ne,

Në klube rreth flamuri,

E kemi nga malli

Që na djeg si digjet druri…

 

Me dashuri të thellë - motra jote,

Sizana


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora