E diele, 07.03.2021, 08:23 AM (GMT)

Kulturë

Ismail Kadare: Nuk jam nacionalist, janë vetëm 200 faqe me politikë në veprat e mia

E diele, 28.06.2009, 05:20 PM


Nga Eni Vasili

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka folur për çmimin e fundit "Prici i Arturias" dhe marrëdhëniet e tij me letërsinë. Në një intervistë në emisionin "Studio e Hapur" në "Alsat" me gazetaren Eni Vasili, Kadare ka shpjeguar se letërsia e bën atë të ndihet i pavdekshëm.Kryefjala e ditës është çmimi prestigjioz letrar "Princi i Asturias". Në konkurrim morën pjesë 31 kandidatë nga 27 vende të botës, ndërsa në pesëshen e përzgjedhur në fund keni qenë përballë holandezit Noteboom, britanikut McEwan, italianit Tabuchi dhe Milan Kunderes. Eshtë gjykuar tërësia e veprës. Ndodhi që ju dhe Kundera u nisët nga Franca, por ju përfaqësonit Shqipërinë ndërsa Kundera Francën. Si ndodh në këto raste, njëlloj si me lojtarët e futbollit?

Është pak më ndryshe. Unë kaloj gjysmën e kohës në Francë, Kundera diçka më tepër, besoj. Ka një ndryshim, ai quhet shkrimtar francez tani dhe përfaqëson Francën. Ai ka disa vjet që ka ndërruar gjuhën, pasi shkruan në frëngjisht dhe jo në çekisht. Natyrisht ai është shkrimtar me origjinë çeke, një pjesë e veprës së tij është shkruar në atë gjuhë. I përket Çekosllovakisë se atje ka lindur, por formalisht është shkrimtar francez. Kështu që ka përfaqësuar Francën. Unë nuk jam shkrimtar francez. Unë kam nënshtetësi të dyfishtë, por jam shkrimtar shqiptar dhe kam shkruar gjithmonë në gjuhën shqipe.

A përbën marrja e këtyre çmimeve një lloj kredie që ju afron gjithmonë e më tepër me çmimin NOBEL?

Mendoj se nuk ka të bëjë drejtpërdrejt. Mundet t'i kesh këto çmime dhe të të ndihmojnë, mund dhe të mos i kesh dhe ta marrësh çmimin NOBEL. Sigurisht një pjesë e madhe e shkrimtarëve që kanë marrë këtë çmim kanë pasur çmimin "Princi i Asturias", sepse siç thashë është një çmim tradicional, me kohë më të gjatë, por ky nuk është një kushtëzim.

Një shkrimtar i dimensionit tuaj ka përherë një marrëdhënie të ndërlikuar me vendin e tij, e cila shfaqet ndryshe në periudha të ndryshme. Cila është marrëdhënia juaj me Shqipërinë dhe shqiptarët? A ka ndryshuar me kalimin e kohës dhe në çfarë sensi? A mund të quheni ju një shkrimtar politik, një shkrimtar i angazhuar?

Ajo që thatë ju është shumë e drejtë, që marrëdhëniet e një krijuesi përgjithësisht janë të ndërlikuara nuk mund të jenë veçse të tilla me vendin e vet, e ka vetë natyra e artit. Arti krijohet për një kohë të gjatë, kështu është edhe ndryshimi i madh i artit nga veprimtaritë e tjera shoqërore, politike, të cilat janë të lidhura me popullsitë që jetojnë aktualisht në këtë vend. Ne themi populli shqiptar, populli francez, me fjalën popull ka njëfarë paqartësie, kuptojmë si të thuash anën më të mirë të një vendi, pa dashur përfshin dhe pjesën që ka jetuar më përpara, por nuk hyn e ardhmja. Pra, ne themi popullin shqiptar. po le ta përcaktojmë se cili është populli shqiptar, është ky popull që jeton tani, kjo është në radhë të parë. Do bëhen zgjedhjet do kenë punë me këtë popull, po ka një popull tjetër që ka jetuar përpara dhe që do të vijë, që ai s'ka punë me këtë popullsi, ka shumë pak, ka punë indirekte si të thuash. Shkrimtari, arti, artisti, filozofi kanë punë me popullin tjetër, atë të madhin, që kanë shkuar një pjesë dhe që do të vijë, kështu që vetvetiu vepra e tyre do të krijojë keqkuptime, o me njërin brez ose me tjetrin, s'ka se si të mos krijojë. Nganjëherë do ta duan më shumë, nganjëherë më pak, nganjëherë do të bëjnë sikur s'e duan dhe e duan, nganjëherë do të bezdisen prej tij, na ngatërron punë thonë, ose do vijë ndonjë tjetër e do të thotë jo ky është ai që duhet të jetë tamam. Kështu që vetvetiu një vepër e krijuar dhe çdo vepër krijohet për një kohë të gjatë relativisht, flasim për letërsinë e mirëfilltë, atë që ju e quajtët letërsi e madhe, unë po e quaj letërsi normale, ajo që jeton, ai seleksionohet se shumica e letërsisë botërore shkon dëm si gjethet kur bien në vjeshtë, shumica e librave ecin zhvillojnë, japin energjinë e tyre aq sa mundin pastaj harrohen, vdesin dhe në emër të kësaj, nga ky seleksionim ngelet madhështia e letërsisë. Letërsia gjithmonë ngelet pjesa më e mirë e saj, maja e saj ashtu siç duhet të ngelet. Kjo letërsi do të ketë marrëdhënie patjetër shumë të ndërlikuara me popullin e vet, ndoshta me gjithë popujt disa herë.

A jeni ndjerë ju ndonjëherë i pakuptuar nga populli juaj?

Çdo shkrimtar, po.

Për shembull një vepër konkrete?

Po ka vepra që nuk kanë qenë të kuptuara dhe shkrimtari nuk ka pse të shqetësohet shumë, ose të fillojë të hajë inat, kështu është kjo gjë.

Kur nuk ju kanë kuptuar, jam kurioze?

Për shembull unë kam botuar në '65 një roman të shkurtër që quhet "Përbindëshi" e botova në një revistë. Sigurisht u kritikua vepra, sepse ishte e parakohshme, po dhe një pjesë e lexuesve thanë ç'ishin këto gjëra, nuk jemi mësuar me këto, nuk i dimë, dhe nuk mund të acarohet shkrimtari, me ta, të thotë po, mesa duket ishte një vepër që nuk ishte për atë kohë.

Marrëdhënia juaj me shqiptarët paraqitet kaq e fuqishme sa në disa raste në shtypin e botës ju kanë quajtur nacionalist. A jeni i tillë?

Kjo është e vërtetë, kështu më kanë quajtur disa herë, po unë nuk jam nacionalist. Akuza është krejtësisht e padrejtë dhe nuk e them këtë se më vjen turp nga kjo fjalë, punë e madhe le të më quajnë. Unë e kuptoj pse më quajnë kështu, e para akuza ndoshta ka filtruar nga këtu, nga Shqipëria, ose është një akuzë pse është e padrejtë e quaj unë, e bërë nga një mendësi e gabuar në themel, nga një mjegull që sot është e shpërndarë kudo, ku ngatërrohen konceptet, atdhe, patriotizëm, nacionalizëm, shovinizëm është një zonë ku këto nuk ndahen në mënyrë shumë të qartë, me të cilat bëhen spekulime të pafundme, dhe me të cilat ka keqpërdorim shumë të madh disa herë. Në emër të kombëtarizimit ose patriotizmit janë bërë krime, kjo është e vërtetë, po kjo s'do të thotë se popujt e kanë lehtë të heqin dorë prej tyre, s'ka pse të kemi merak se duhet të heqim dorë se të shpëtojmë nga e keqja, s'ka asgjë të keqe. Nuk mund të duhet planeti i gjithë, në mënyrë të plotë siç mendojnë disa teoricienë nga ata kozmopolitët, patologjikë si të thuash, jemi qytetarë të botës, nuk është e vërtetë, është hipokrizi. Natyra njerëzore është e tillë që dhe dashurinë dhe gjithçka tjetër, dhe përkushtimin, kërkojnë një hapësirë të përcaktuar. Kështu është ndërtuar natyra njerëzore, historia njerëzore. Thonë disa herë do hyjmë në Bashkimin Evropian do të harrohen këto, jemi të gjithë bashkë, nuk është e vërtetë. Evropa ka një parullë që është shumë e saktë dhe e bukur, është unitet në larmi, është parullë themelore, quhet atdheu Evropa e Kombeve, nuk quhet Evropa e njerëzve të lirë. Askush në botë, në Evropë nuk po bëhet gati të heqë dorë nga atdheu i vet, kombi i vet. Në Francë, Ministria e Arsimit quhet Ministria e Edukimit Kombëtar dhe nuk kanë frikë ta përdorin fjalën komb, se te ne po të thuash komb duket si e prapambetur, thotë tjetri ky mos është nga ata e një kohe të ikur. Nuk është e vërtetë. Kjo është pse thashë mendësi kolonialiste, sepse popujt kryesorë në Evropë, shtetet kryesore tradicionale dinë ta ruajnë fare mirë vlerat e tyre kombëtare, kanë institucione qindra vjeçare i kanë përpunuar në shekuj, kanë punuar programe shkollore me shekuj, nuk i kërcënon këta asgjë dhe shpesh njerëz të këtyre i shikojnë me një farë skepticizmi që nuk e thonë hapur. Popujt që kanë hyrë më vonë në familje, në jetën evropiane, ose që bëhen gati të hyjnë, akoma më keq, si të thuash unë po bëhem pak i ashpër këtu si të thuash, dhe thonë u bënë dhe këta njëlloj si ne, me atdhe, ne kemi jetuar me to, po ne jemi ndryshe, i dimë këto gjëra e meritojmë këtë gjë tani, dhe u bënë këta të jenë njëlloj si ne. Dhe kështu acarohen disa herë kur popujt që sipas kësaj mendjeje, janë të vonuar më të rinj, që kanë nevojë ende të pasurohen dhe pastaj të mendojmë për këto gjëra luksoze, janë gati të bëjnë vërejtje për këtë gjë. Më kujtohet ka shumë vite, ka qëlluar ka ardhur një mysafir te lidhja e shkrimtarëve, shkrimtar italian, zakonisht vinin shkrimtarë tepër të majtë, jo vetëm italianë dhe sigurisht u pëlqente të vinin në Shqipëri, në vendet e tyre ishin të panjohur dhe i pëlqente të merrnin një ton prej mësuesi. Në fakt në vendin e tyre mund ishin berberë, kishte shumë berberë për çudi midis tyre dhe këtu fryheshin meqenëse janë në Shqipëri mund të japin mësime. Më kujtohet njëherë në sheshin "Skenderbej", duke qenë dy tre shkrimtarë shqiptarë që i shoqëronin, thanë po si shumë statuja të Skënderbeut keni? Kjo është, se s'duhet të përdor fjalë të rënda, po është poshtërsi ta thotë një evropian. Evropa është e mbushur me mijëra statuja heronjsh mesjetar. Ka kudo, në çdo rrugë, në çdo shesh, dhe këtij shkrimtari iu duk shumë, një statujë kishte Shqipëria, një në Krujë, një në Tiranë. Ama bustet e Stalinit e Leninit, nja dhjetëra buste të Enver Hoxhës kishte parë, nja dhjetëra buste të tjera, nuk i bënin përshtypje. Dhe mendja të Skënderbeu, sepse ai i kujtonte një vlerë të vërtetë kombëtare shqiptare dhe evropiane dhe me sa duket i acaronte. Xhelozi absolute. Tirana njëlloj si Roma ka një shtatore të Skënderbeut dhe është vërtetë anormale që Roma e ka pas përpara, e ka pas që në '40 shtatoren e Skënderbeut në sheshin që quhet "Albania" dhe ne na u duk tepër që e vumë te sheshi "Skënderbej". Këtu është ajo që njerëzit tanë duan të bëhen modernë, të imitojnë të huajt dhe nuk kuptojnë që vihen në një pozitë servile, të përulur, nuk kuptojnë se ai lavdërim që mund t'iu bëjë tjetri si modern është një përçmim një tallje.

Po flisnim për politikën?

Herë pas here kur duhet nuk ka asgjë të keqe të hyjë edhe politika. Unë kam shkruar në veprat e mia, nuk e di sa faqe ka politika, 200, mund të jenë më tepër, nuk e di. Nuk ka ndonjë vend të madh siç mund të mendohet. Ngaqë unë kam jetuar në epokën komuniste ne shkrimtarët e asaj kohe quhemi sikur jemi të përzier me politikën. Po ta shikosh, po të filloj me veprat e mia, si libri im i parë "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" nuk ka ndonjë gjë politike, është më tepër një motiv i kërkimit të një vdekjeje pas një lufte të madhe, "Kronikë në Gur" ka tek-tuk paragrafë që të kujtojnë ato dramëza të luftës civile, romani "Kështjella" folëm për këtë. Më vonë vepra të tjera "Pallati i Ëndrrave". Është një roman që ka politikë sigurisht grindja shqiptaro-sovjetike "Dimri i Vetmisë së Madhe". Dhe ai ka një pjesë të vogël, por ngaqë është qendrore si ngjarje, është e rëndësishme, identifikohet ky roman.

Një pjesë e krijimtarisë suaj e përbën poezia, por ju nuk flisni pothuaj kurrë për të. Pse?

Kjo është pyetja më delikate që më keni bërë. Kur më kanë bërë këtë pyetje kam thënë gjysmën e se vërtetës, e cila është një e vërtetë gjithashtu, por nuk kam dashur të futem në një të vërtetë më të thellë.

Do ma thoni të gjithë të vërtetën, edhe gjysmën tjetër?

Po do t'jua them edhe tjetrën. Gjysma e së vërtetës është se unë e kam quajtur poezinë shqipe dhe poezinë e vendeve socialiste në përgjithësi, si përgjegjëse për një frymë optimiste agresive, prishje të artit. Nuk është faji i poetëve, por është vetë natyra e poezisë e tillë që shërben nëpër festa, i drejtohet publikut. Shkrimtarë nën presionin e padurueshëm nga të gjitha anët, për arsye nga më të ndryshmet kanë bërë vjersha sepse librat nuk botoheshin nëse nuk kishin vjersha për partinë etj., etj. Dhe poezia e mbartte tërë këtë barrë, këtë taksë morale që paguanin shkrimtarët shqiptarë, bullgarë rusë, çekë, hungarezë, ndaj dhe më ishte krijuar një mungesë respekti për poezinë. Nuk duroja dot kur ne shkrimtarët shqiptarë në takimet me delegacionet, në mbledhje mburreshim me poezinë në mënyrë të pahijshme. Vinte ta zëmë shkrimtari francez ose irlandez dhe ne i thoshim që kemi tirazh 20 mijë kopje në poezi dhe ata lindnin mendjen se në Perëndim nuk ka kund 20 mijë kopje, nuk ka kund në botë. Ne mburreshim me një gjë kot, nuk ishte mburrje ishte e kundërta, ishte turp. Ne mburreshim se poezitë i botonim në gazetat e mëdha, të përditshme. Kjo më krijoi një aversion për poezinë të them të drejtën, një kujtim i hidhur, i keq. Dhe nuk doja ta çmoja aq sa u bë zakon të çmohej poezia e guximshme, avangardë. Kishte sigurisht letërsia shqipe poezi të mira edhe në atë kohë, por ka prodhuar me shumë kursim, me shumë vështirësi. Kjo është gjysma e së vërtetës.
Gjysma tjetër kur je shkrimtar i njohur do kesh edhe disa disfavore të mëdha, do ta paguash disa herë njohjen dhe çdo shkrimtar i njohur është i ndërgjegjshëm për këtë. Do të kesh një acarim të verbër prej shumë kolegëve të tu, herë pas herë. Unë nuk e quaj këtë një gjë për të vënë duart në kokë në një farë mënyrë është e natyrshme. Në botën artistike letrare intelektuale filozofike ka një konkurrencë të pashmangshme, dhe dashur padashur viheshe në një gjendje fajtori. Në kuptimin që je shumë i njohur, flasin shumë për ty, botojnë shumë për ty, të lavdërojnë shumë. Nuk po them që nuk më pëlqejnë lavdërimet, nuk po e them se e di që nuk do të më besoni, por ata që më njohin më mirë e dinë që unë nuk shkoj kurrë në forumet ku flitet për mua. Jo se më duhet të jap ndonjë ide me status të veçantë, ju them sinqerisht, nuk më pëlqen të dëgjoj emrin tim pesëqind herë të lakuar nga një referues apo nga një tjetër. Dhe ka vite që unë nuk shkoj asgjëkund dhe nuk shoh as emisionet ku flitet për mua. Si duket kjo trysni, kjo ndjenjë faji që ke ndaj kolegëve të bën të ndjehesh sikur ti je fajtori, që ai nuk është bërë shkrimtar i njohur. Sigurisht nuk je ti fajtori, por nuk mund ta bësh as atë me faj që mendon se je ti. Kështu unë instiktivisht në fillim nuk e kam kuptuar që jam tërhequr nga poezia, sepse nuk doja të më përmendnin në poezi. Unë shkruaja, botoja, kam botuar. Një pjesë e veprës sime me vlerë është poezia. Lexuesit e pëlqejnë, nga librat që shiten më shumë prapë vazhdojnë të jenë përmbledhjet poetike të viteve të fundit. Por unë sinqerisht jam tërhequr dhe jo vetëm nuk dua të m'i lavdërojnë, por mundësisht nuk flas as vetë. Kam dëshirë të rri mënjanë, pikërisht për këtë hiqem mënjanë nga një pjesë e letërsisë, rrini të qetë unë nuk përzihem. Thonë po merr Kadareja, na e mori edhe këtë çmim, i babëzitur më quajnë, se u duket sikur i marr unë, sikur unë mezi pres të marr një çmim dhe asnjëri nuk do të më besojë në jetë, vetëm ata që e dinë. Njerëzve që kam pasur miq, që më kanë thënë se mund të të japim një çmim, u kam kërkuar që të mos ma japin mua. Nuk është mirë u kam thënë, nuk kam ndonjë kënaqësi dhe dukej sikur po i fyeja, por le të kenë edhe të tjerët çmime. Nuk e beson njeri këtë, por është e vërtetë.

Ju jeni shprehur se nuk e keni frikë vdekjen. Lidhet kjo me faktin se besoni se vepra juaj do t'i mbijetojë vdekjes suaj, a gjykoni se ajo mund të jetë e përjetshme?

Në jetë ka njerëz që kanë ankth nga vdekja ose që nuk e kanë frikë fare dhe kjo nuk ka të bëjë me krijimtarinë. Me sa duket tek krijuesi bashkohet edhe ideja tjetër që është më i qetë shpirtërisht si njeriu që i ka mbyllur shumë llogari me jetën. Është më i qetë që shkon nga kjo botë duke e kryer atë që ka dashur të bëjë dhe njeriu tjetër që nuk e ka kryer, janë me miliona, shkon me pengje të mëdha të natyrave më të ndryshme. Me sa duket tek shkrimtari meqë letërsia është jetëgjatë, është natyrale kjo ndjenjë. Ata kanë një raport me vdekjen të relativizuar, të zbehur. Kanë bindjen donkishoteske që do jetojnë shumë vite, unë jam një nga ata, donkishoteske ose jo, e kam këtë besim që vepra do jetojë një kohë, nuk e di sa.


(Vota: 9 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora