E premte, 26.04.2024, 04:38 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Oscar Wilde, Profeti i Teprimit

E diele, 26.08.2007, 10:35 PM


Ky zotëri elegant, i dashuruar pas paradokseve, argëtohej duke skandalizuar shoqërinë e kohës së tij. Deri aty sa konsiderohej si “hero i së keqes”. Edhe sot, madje, liria e tij ekstreme dhe përçmimi ndaj mendimit të shumicës është një shembull gjenial i refuzimit të çdo lloj konformizmi e fanatizmi.
“Ai ishte një ndër forcat më të fuqishme të së keqes që u përplas në Europë në 300 vitet e fundit. Askush tjetër nuk ia shiti shpirtin djallit më shumë se ai”. Adolf Hitler? Jo. Ky është Oscar Wilde, sipas fjalëve të ish-të dashurit të tij, lordit Alfred Douglas, ose i dashuri Bosie. Fjalë që janë thënë edhe njëzet vjet pas proçesit gjyqësor për homoseksualizëm që e çoi shkrimtarin drejt shkatërrimit, duke i hapur dyert e burgut në Reading. Fjalë të hidhura që shfaqen në “The Wilde Myth”, një sulm i fundit i narçisit plak e fanatik ndaj mësuesit të tij, një vëllim që ka mbetur i pabotuar. Bocat e tij arritën shifra rekord më 19 tetor të vitit 2002 gjatë ankandit për kujtimet e Wilde, që siguroi mbi 850 mijë stërlina dhe që kishte si objekt kryesor një kapitull të shkruar me dorë të “Portretit të Dorian Greit”, që u shit për 72 mijë stërlina.
E marrtë djalli Oscar Wilde! Edhe 150 vjet pas lindjes së tij, në Dublin më 6 tetor 1854, ky zotëri elegant irlandez i dashuruar pas paradokeseve e që argëtohej duke skandalizuar shoqërinë viktoriane gjithë vese të fshehta e virtyte publike, vazhdon të na flasë për veten, si për të na bindur me çdo kusht për batutën e thënë para Andre Gide: «Gjenialitetin tim e kam përdorur në jetë, në veprat e mia kam vendosur vetëm talentin dhe kjo është tragjedia e madhe e jetës sime”. Në këtë tragjedi, ku përfshihen farsa dhe melodrama, vazhdon të lulëzojë miti.

Ikona moderne
Ndërsa 150 vjetori i lindjes së tij festohet jo vetëm në Britaninë e Madhe dhe Irlandë mes shfaqjeve muzikore si e dështuara “Oscar Wilde” e Mike Read dhe biografive interesante “E pazbuluara e Oscar Wilde” e Joseph Pearce, në Luksemuburg është hapur edhe një pub që mban emrin e tij e ku përvjetori i lindjes është festuar me muzikë “live” e poezi. Nuk mund të mos mendosh se esteti eksentrik i salloneve të fundshekullit është me të vërtetë një ikonë jashtëzakonisht moderne. Ashtu si eleganca dhe talenti provokues mediatik, i parakohshëm për kohën kur jetoi, Wilde ka qenë një mësues i ekstravagancës. A nuk është ai që në veprën “Një grua pa rëndësi” pohon se moderimi është një gjë fatale dhe se asgjë nuk është më e suksesshme sesa teprimi dhe ekstravaganca? Është një frazë që mund ta përdorte shumë mirë edhe Sid Vicious i Sex Pistols. Për disa Wilde është vërtet vëllai i madh i punk-ut e rock-ut, paralajmëron ekstravagancën e veshjes dhe seksit, teprimet e alkoolit dhe drogës, duke i transformuar në mondanitet shik tendencat e gjeneratës romantike që i parapriu kohës së tij. Edhe para Gabriele D'Annunzio, Wilde mishëron një lloj elite për masat apo estetizmi të kuptueshëm për zonjat. Jo rastësisht ai drejtoi edhe një gazetë femërore “Lady's World”, e cila u pagëzua që në fillim prej tij në një mënyrë më demokratike “Woman’s World”. Por për të kuptuar këtë estet, që votohet nga publiku pasi i habit të gjithë me “kravata e metafora”, thotë Jorge Luis Borges, duhet të bindesh për faktin themelor të dokumentuar se Wilde, gati gjithnjë, “ka të drejtë”.

Tragjedia
Nën sipërfaqen e bisedës provokuese, pas shkëndijës dhe zjarrit që ndezin batutat e fabrikuara në mekanizmat perfektë të komedive të tij, Wilde ishte ai që s’do ta pranonte kurrë se ishte; një moralist. Ose më mirë një intelektual i revoltuar ndaj konvecioneve etike të kohës së tij. Ishte një aktor i madh me një shije teatrale për tragjedinë, mbi të gjitha atë të vetën. Në fakt arriti të recitojë në skenën e Anglisë viktoriane tragjedinë e tij, duke përfunduar në burg për një skandal erotik të lidhur me atë lloj dashurie që nuk guzon të thotë emrin e saj, sipas përkufizimit të tij. Në vitin 1884 shkrimtari u martua me Constance Lloyd, një brune irlandeze me të cilën pati dy fëmijë Cyril dhe Vivian. Constance ishte një grua e ndershme, por shumë konformiste për Oscar-in, që rrethohet nga miqësira të çuditshme. Pas dy vitesh njihet me të riun Robert Ross, që u mburr gjithnjë më pas për afrimin e Wilde me kënaqësitë homoseksuale dhe mbeti deri në fund miku i tij. Ndërkohë mbërrin edhe suksesi për të. Mes fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve e ’90, Wilde shkruan veprat më të mira që nga përrallat e “Princit të lumtur” (1888) deri te proverbat e “Qëllimeve” (1891) dhe komeditë e shkëlqyera “Rëndësia e të qenit i rëndësishëm (1895) dhe “Salomè” e shkruar në frëngjisht në vitin 1893 dhe e publikuar një vit më pas në version anglisht të lord Alfred Douglas, i dashuri Bosie, me ilustrimet e mrekullueshme të Aubrey Beardsley.
Viktimë e paradoksit të tij, sipas të cilit “jeta imiton artin”, Wilde njohu Bosie-n në vitin 1891, vit i suksesit të tij me “Portreti i Dorian Greit”, roman superdekandent që bazohet në një pakt faustian për rininë e përjetshme në këmbim të shpirtit. Protagonistët e tij, Basil dhe Dorian, duket se paraqesin Oscar dhe Bosie. Lidhja e tyre shumë provokuese e rrënoi shkrimtarin. Procesi gjyqësor për shpifje i Wilde kundër babait të Bosie, markezi i Queensberry, kthehet kundër tij deri sa shkrimtari dënohet me dy vjet burg. Wilde del plotësisht i rraskapitur. I braktisur nga shoqëria që e kishte bërë më parë një mit, ai vdes i vetëm në një hotel parizien më 30 nëntor të vitit 1900, në moshën 46 vjeçare. Kohët e fundit ai shkruante me pseudonimin Sebastien Melmoth, si protagonisti i romanit gotik “Melmoth the Wanderer” i Charles R. Maturin. Si të ishte vërtet “heroi i keq”, siç do ta përshkruante miku i tij Bosie, shumë vjet më pas.

“Pushtimi” elegant i Londrës së ngurtë
Kur i riu Oscar Fingal O' Flahertie Wills Wilde, 1,90 i gjatë e me trup të mbushur, mbërriti në Oxford, u paraqit fillimisht si një zotëri elegant i padisiplinuar. Ai nisi të frekuentonte dy mjeshtrat e estetizmit, John Ruskin dhe Walter Pater, rivalë mes tyre. Pikërisht në këtë kohë nisi të bënte ushtrimet e para të stilit. Në vjeshtën e vitit 1879, Wilde u nis për të “pushtuar” Londrën me një poemë mediokre dhe një doracak paradoksesh të magjishme. Falë natyrës jashtëzakonisht tërheqëse dhe ideve të cuditshme u bë shumë shpejt personazh atje. Aq sa pas tre vitesh, i ftuar në Anmerikë për një cikël konferencash, në doganën e Nju Jorkut i lejoi vetes edhe batutën e famshme: “Nuk kam asgjë për të deklaruar veç gjenialitetit tim”.

Natyra rebele, “dhuratë” e familjes
Gjeniu Wilde nuk kishte marrë pak nga familja e tij thuajse e jashtëzakonshme. Natyra rebele dhe gjestet teatrore ishte dhuratë e së ëmës, Jane Francesca Algee, që mburrej shpesh me prejardhjen e saj italiane. Me emrin italian Speranza ajo kishte shkruar kur ishte e re disa shkrime patriotike në favor të pavarësisë irlandeze. Tërheqjen nga veset Oscar e kishte trashëguar nga i ati William, okulist i mbretëreshës Viktoria dhe një feminist i madh i asaj kohe. Pikërisht për nder të një pacienti të të atit, mbretit të Suedisë, Wilde mori edhe emrin e tij të pagëzimit.

Oscar Wilde

“Ai që s’di të mësojë, jep mend” - Aforizma

1-Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.

2-Të gjithë ata që s’janë të zotë të mësojnë, japin mend.

3-Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.

4-Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Eshtë e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.

5-Sot njohim çmimin e cdo gjëje, por jo vlerën e tyre.

6-Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.

7-Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.

8-E vetmja mënyrë sjelljeje më një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.

9-Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.

10-Sot të rinjtë kujtojnë se paratë janë gjithçka, kur plaken janë të sigurtë për këtë.

11-Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithcka përveç gjenialitetit.

12-Vetëm modernizmi vjetërohet.

13-Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.

14- Grate jane te krijuara vetem per dashuri

15-Mos u besoni ndjenjave te grave para se te martohen

16- Burrat e njohin shume shpejt jeten, grate shume vone

17- Ne themel te marteses qendron keqkuptimi reciprok

18- Grate adhurojne kur bien ne dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka

19- Grate kane nje instikt te cuditshem: enderrojne gjithçka veç asaj qe duhet



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora