E premte, 26.04.2024, 07:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Kultura shpirtërore e Dushkajës

E merkure, 24.06.2009, 07:06 PM


Tyrbja e Becit
Tyrbja e Becit

NGA KULTURA SHPIRTËRORE E DUSHKAJËS

Shkruan Prof. Skënder R. HOXHA

Në territorin e krahinës etnogjeografike Dushkajë ekzistojnë disa objekte të moçme të kulturës shpirtërore e fetare, në të cilat popullata ka besuar dhe vazhdon të besojë e t’i respektojë edhe sot. Ato janë: varre (Vorri i Mirë, Vorri i Baballakit, Vorri i Muhaxharit...), tyrbe, kisha, xhamia, që datojnë që nga lashtësia e këndej. Në këtë shkrim do të jepim të dhëna (të mbledha në terren) për Tyrben e Becit, e cila gëzon një adhurim e respekt, jo vetëm nga banorët e Becit e të Dushkajës, por edhe shumë më gjerë, pa dallim të përkatësisë konfesionale.

Cili është territori i krahinës Dushkajë
     
     Pjesa qendrore e Rrafshit të Dukagjinit kufizohet me Drinin e Bardhë, me Bistricën, me Deçanin dhe me Erenikun. Në të veçohet, së pari, Dushkaja me lugina të gjera.1) Dushkaja është një regjion etnogjeografik kodrinor-malor ndërmjet Lugut të Baranit, përkatësisht Lumbardhës (Bistricës) së Deçanit në veri, Drinit të Bardhë në lindje, fshatrave të krahinës së Rekës në krahun perëndimor, të disa fshatrave dhe fushave të Gjakovës në jugperëndim, në jug e juglindje ka anën e majtë të rrjedhës së poshtme të lumit Erenik, deri ku derdhet në Drinin e Bardhë.2)
     Fshati Bec gjendet në pjesën qendrore të Rrafshit të Dukagjinit e pikërisht në regjionin etnogjeografik të quajtur  D u s h k a j ë. Kemi shkruar edhe më parë se Dushkaja karakterizohet me numër të madh kodrash, sukash, fushëgropash dhe luginash të gjera e të mbuluara me pyje të vogla e të mëdha me  d u s h k, për çka ky rajon herët e vonë u quajt Dushkajë.
    Gjatë hulumtimeve tona të deritashme, e sidomos pas bisedimeve e konsultimeve me pleq të kësaj treve, kemi ardhur te formulimi se në regjionin Dushkajë, përfshihen 26 katunde nga të cilat: Jabllanica, Llugaxhia, Zhabeli, Bardhaniqi, Gërgoci, Kralani (Radoniqi, Rakoci – u përmbytën nga Hidrosistemi “Radoniq”), Palabardhi, Zhdrella, Janoshi, Sapoti, Beci, Rashkoci, Cërmjani, Rakovina, Meqja, Vraniqi, Doblibarja, Bërdesana dhe Marmulli që për qendër administrative, arsimore e kulturore kanë Gjakovën, kurse: Mazniku, Dashinoci, Ratishi i Epër, Ratishi i Poshtëm dhe Vranoci i Vogël – Deçanin. Për përkufizimin e Dushkajës edhe më herët kishte pasur mendime, të cilat janë të përafërta me formulimin tonë.  
     
Katundi Bec i Dushkajës
(shtrirja, përkufizimi dhe emri)
     
     Njëri ndër katundet më të mëdha të Dushkajës është edhe Beci, i cili shtrihet nja pesë kilometra larg Gjakovës, në krahun verilindor të saj. Gjakovën e ka edhe si qendër administrative, arsimore e kulturore. Ky vendbanim shtrihet në një fushëgropë përmes së cilës bie një lumë i vogël që e quajnë Përroni.3) Kodrat përreth katundit Bec ishin të mveshura me pyje, mirëpo me zhvillimet që bëheshin dikur në bujqësinë e kësaj ane, pjesa më e madhe e tyre janë çelur dhe shndërruar në tokë pune, e që kryesisht qenë bërë vreshta.
     Katundi Bec përkufizohet me katundet: Sapot – në perëndim, Zhdrellë dhe Rashkoc – në veriperëndim dhe veri, Cërmjan – verilindje, Meqe – lindje, Doblibare e Vraniq – juglindje dhe me Lugun e Bunarit – në jug dhe jugperëndim.
     Ky katund, sipas traditës, ndahet në dy pjesë: Beci i Epër dhe Beci i Poshtëm. Ndërkaq, banorët e këtushëm, kryesisht janë të fisit Berishë, me përjashtim të një familjeje të fisit Thaç, një familje e fisit Krasniqe dhe Morint e ardhur më vonë. Popullata shqiptare janë të dy konfesioneve: disa të besimit islam e disa të besimit katolik. Respekti ndërfetar në këtë katund është shembull për të mirë.

1. – Tyrbja e Becit

Varret si dëshmi e moçme

     Ndër dëshmitë për vjetërsinë e fshatit Bec të Dushkajës duhet të merren edhe varrezat e moçme që janë në të dy anët e rrugës që i bie përmes katundit, në drejtimin jug -perëndim, ku gjenden varreza të moçme, për të cilat vetë fshatarët nuk dinë se të cilës kohë janë, por, për disa prej tyre, thonë se janë të kohës ilire (?). “Duke filluar nga krahu i poshtëm i vendbanimit, përkatësisht nga krahu juglindor, janë varrezat: Vorret te Vorri i Mirë, varret që mbajnë emrin Te Ulica e Dervishbajrushve, Vorret Te Ulica e Madhe, Vorret në Dinopojë, Vorret Te Lisat e Manhalilve etj. Vetëm në Ulicën e Madhe kanë qenë me qindra varreza, tash të zhdukura, të cilat kërkojnë të studiohen. Këto varre mund të kenë qenë pasojë e ndonjë lufte të vjetër me bizantinët, mbase në mbrojtje të trojeve të tyre? E mu në atë kohë ka jetuar dhe vepruar Seid  Oll – llah baba (dedja) që në popull është quajtur Sahit Dedja. Me këtë rrethanë, në njëfarë mënyre, mund të lidhet edhe vjetërsia e katundit Bec, i cili në atë kohë ka qenë i populluar.
    
Kush ishte Seid Oll-llah baba (dedja)?

     “Ky emër s’ka të bëjë me emrin e tij, por është titull fetar i linjës së tarikatit (dervishhonve) që do të thotë: Njeri i dashur dhe i respektuar nga Zoti.
     Datimi i ardhjes dhe i paraqitjes së këtij njeriu të shenjtë (evlias) në këto treva është diku para 650 vjetëve, ose më mirë të themi rreth vitit 1357, do të thotë në kohën kur në këto treva sundonin mbretëritë sllavo-bizantine dhe paraqitja e ardhjes së Perandorisë Osmane.
     Në atë periudhë besimin në Zot e sillnin dervishët e mençur, të durueshëm, të drejtë dhe shumë prej tyre kishin aftësi të bënin mrekulli. Mirëpo, vëtë titulli Seid do të thotë shejh mbi të gjithë shehlerët.”
       
Mrekullitë

     Në traditë të Becit ruhet kujtimi se “Kishte ardhur si i quajtur njeri i mrrimë, shërbente për shërues të shumë sëmundjeve psiqike dhe bënte ilaçe të ndryshme për sëmundje të tjera , si në njerëz, kafshë etj Në emër të mrekullive, njerëzit i besonin me gjithë qenien e tyre. Në atë kohë bënte shortimin e pemëve, ku edhe sot gjenden gjurmët dhe shenjat e punës së vyeshme të NJERIUT TË MIRË, që ashtu e quanin.
     Një mrekulli që është bartur brez pas brezi: Kishin ardhë dy njerëz me një të sëmurë, kur Seid Baba ishte duke punuar në arë. Shkuan njerëzit ta kërkonin. Panë një njeri që mbante një shkop duke ju grahë kive në parmendë. Shkopi i ashtuquajtur osten, kishte dy gjilpëra, njëra e drejtuar kah kiet, kurse tjetra kah dora e njeriut, d.m.th. aq sa e shtyn të ngacmojë kiet, aq ngulej gjilpëra tjetër në dorën e tij. Kur e panë, ata menduan që kanë të bëjnë me njeri të çmendur dhe e pyetën se ku e ka shtëpinë Seid Dedja. Punëtori ngriti “hava”, pra duke i shkëputur nga toka, kiet me parmendë dhe ua tregoi shtëpinë. Ata u çuditën nga kjo që bëri ai e shkuan kah shtëpia që ua tregoi dhe kur arritën, të njëjtin person që e takuan duke punuar me kie, e gjetën në shtëpi. Seid Baba e vizitoi të sëmurin i cili vuante nga një sëmundje, gati e pashërueshme, dhe pasi i dha pak ujë, ndodhi mrekullia: i sëmuri u ngrit dhe u shëndosh.
     Ka mrekulli të shumta, sidomos në shërimin e njerëzve, ku nuk janë të lejueshme as të tregohen. Ka shumë prej tyre që njerëzit i kanë në memorje dhe në zemër, ka shumë që edhe i kanë përjetu…
     Në kohën e vonë, ku njerëzve të sotshëm ju kujtohet shumë mirë, është “Tifani i Arif Sylës” . Ja se për çka është fjala: Në një kohë, në Kosovë ndërtoheshin kullat, të cilat, zakonisht, ndërtoheshin ngjitur me shtëpi të robve. Kullat i ndërtonin mjeshtrit e njohur – dibranët. Një fshatar i Becit, Arif Syla, goditët me dibranët që t’ia ndërtojnë kullën me material të tyre. Mirëpo, para se të bëjnë marrëveshjen e punës, pasi ishte një shumë e madhe e të hollave, dibranët kishin kërkuar dëshmitarë (shahit) që do të garantonin për pagesë. I zoti i shtëpisë iu thotë: - A po e pranoni shahit Tyrben e Sahit Babës? Ata, duke dëgjuar popullin e këtushëm të të dy besimeve, myslimane e katolike, që kishin respekt të veçantë për Tyrben, dibranët e pranojnë. Pas një vit pune e kishin ndërtuar kullën dhe, sipas godës, vjen koha të paguhen paratë. Këta, dibranët, kërkojnë shumën e të hollave, po ky, becjani, nuk i ka. Presin një javë, dhjetë ditë…, e fshatari mërzitet me dibranët dhe i qet nga shtëpia dhe iu thotë: - Shkoni se ju paguan dorzani! Kështu, të dëshpëruar, dalin nga shtëpia dhe shkojnë te Tyrbja. Në atë kohë, tyrbetar ishte axha Emin, i yni. Ai i pyeti për rastin, ata i treguan, gjë që e mori me keqardhje… Dibranët shkuan, por, dorzani e bën të veten… Ende pa dalë në Kodër, ishin ndalur të pushojnë dhe nga larg shikonin kullën ku kishin punuar një vit.
     Në kullë, në ato momente, ishte një vajzë duke punuar në vek, e cila, papritmas, kishte dëgjuar një zë duke thirrë. Ajo del jashtë, por nuk sheh njeri në oborr… Papritmas u dëgjua një ushtimë e madhe dhe kulla me shtëpi u rrënuan rrafsh me tokë, ndërsa vajza shpëtoi. Për këtë, prej atëherë, edhe sot njerëzit e përdorin shprehjen – Tifani i Arif Sylës.

Besimi në Tyrbe dhe pajtimi i konflikteve

     “Është interesant të përmendet se shumë konflikte, mosmarrëveshje, ndodhi etj. në mes të njerëzve, të cilat shpesh kanë çuar edhe te përfundime tragjike.Edhe sipas Kanunit të Lekës, sipas pleqve të urtë etj.,  vulosja e pafajësisë së palës së ngarkuar shpesh merrte fund me betim para derës së Tyrbes, këtu në Bec. Këtu merrte fund konflikti, gjegjësisht, shuheshin mosmarrëveshjet. Ky respekt që ishte në të kaluaren, vazhdon të jetë edhe sot.
     Shpesh ka ndodh që fajtori, ka ardhë deri te dera e Tyrbes për të “ba benë”, por njerëzit, të dyshuarin, e kanë kursy nga beja, duke ja falë gjakun, veç pse ka ardhë të bëjë benë, e lëre më për punë të tjera që lidhen me jetën e njerëzve.
     Dëshmojnë njerëzit se nëse fajtori ka ba be të rrejshme, brenda 24 orëve e ka pësuar me pasoja të rënda. Për këtë, njerëzit e të gjitha besimeve, nuk kanë ba be nëse kanë qenë fajtor, sepse sipas traditës, që nga ilirët, se “Me be, lahet gjaku”, pra si një formë e ndarjes së drejtësisë në mënyrë të efektshme e të shpejtë.”
     Pra, Tyrbja, shpeshherë ka bërë edhe punën e gjykatores, ka ndarë drejtësinë dhe ka ndaluar gjkakderdhjet e hasmëritë, të cilat tek ne kanë ndodhur për një zënkë, apo për një shtyerje mexhe, e deri të ato më të rënda. Pra, Tyrbja ka bërë punë të madhe humanitare, e pse jo edhe kombëtare.        

Miti për Tyrben e Becit...

     Jo vetëm becjanët por edhe banorë të shumë fshatrave dhe të anëve të tjera besonjë shumë në Tyrben e Becit. Edhe sot e kësaj dite njerëzit betohen: “Pasha Tyrben e Becit…”, “Koftë e gzume Tyrbja e Becit…” etj. “Bajram Syla gjithmonë kur e bënte benë më të madhe, përbehej: “Pasha Tyrben e Becit”. (Kallëzim i Halit Shabanit, ekonomist, nga katundi Bec). Ndërkaq, për adhurimin dhe besimin ndaj Tyrbes së Becit, Brahim Qeli kujton se: “… Mixha Halit thojke se kurrë kush nuk ka kalue as në kerr as në kali, përskëj Tyrbes, pa zhdrypë, po a dashtë me zhdrypë, mei marrë kualt përdore e masi ta kalojnë Tyrben me hypë në kerr apo në kali, edhe qashtu a kanë…” Duke besuar kështu, brez pas brezi, në rrethanën se, siç thuhet gjithandej, është hajrat i fortë, është krijuar e ruajtur edhe miti për të.
     Kur isha në vizitë pune në Bec, më 19.XII.2006, gruaja e dervish Ismetit, plaka Fetnete Deva – Murtezai (1924), ruan në kujtesë legjendën: “Thonë se Ramisuft e Becit ju kishin pas thanë mjeshtërve dibranë, n’atë kohë, me jau maru kullën. Mjeshtërit ju kishin pas thanë – na jau marojmë kullën po ju s’na i jepni paret. Këta ju thonë – ani, kân pi doni dorzan si na jau epim paret… Dibrantë ju thonë se na tjetër dorzan nuk dojmë veç babën Sahit, për Sahit Dedën, d.m.th. për vorr t’tij në Tyrbe. .. Dibran’t e marojnë shpinë, e poj lypin paret. Kta ju thojnë: - Hajt, burrë, shka u bâ kaq shpejt… Ai, dibrani, i kish pas thânë: - Qyre, se unë e kam dorzanin, e shkoj te dorzani (për te Vorri). … Dibrani shkon te Tyrbja e i thot’: Baba Sahit, ti e din se shka bân se nuk po mi jepin paret…   Thonë: se në ato momente, n’ kull t’Ramisufve, ni çikë e tyne ish kanë tuj ba vek. Asaj i vjen si ni zâ, si dikush po thrret te dera edhe del. Kur del, nuk e sheh kërkan. Dhe, sa dul çika, meniherë âsht shëmë kulla e âsht bâ rrafsh me tokë… Sod e atë ditë ajo familje nuk ka përparu. Janë shpërnda dhe nuk â metë kullë ma në atë vend…”   
    “Arif Syla ish kânë i zoti i shpisë kur dibran’t ja marunë kullën trikatëshe n’Bec. Për punë të pagesës dorzan e kishin pas ba Tyrben e Becit. Ky paret nuk jau lau, po kur vjen mas do kohe me ja lypë, Arifi i thot’: - shko te dorzani! Kur u kthye ky dibrani, kish pas thanë: - E more dorzan, ti e din shka bân!, edhe n’at moment thojshin si ish kan’ shkatrru kulla e bâ rrafsh me tokë, ku edhe sot përmendet si: Tufani i Arif Syl’s…” (Kujtim i Hasan (Ali) Bajrushit (1934) nga Beci, dhënë autorit më 18.I.2007, në Bec.)  


(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora