E shtune, 27.04.2024, 08:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Kurbeti dhe kurbetit

E hene, 22.06.2009, 07:09 PM


Tregim

Vangjush Ziko

KURBETI DHE KURBETËT
                   
Viktoria hapi fjalorin, shfletoi enciklopedinë, që kanë marrë me vete fëmija. Kërkon kuptimin e fjalës emigrim. Kudo që kërkoi,vërtitej rreth së njëjtës gjë,largimi i njerëzve nga vendi i tyre në një vend tjetër për të punuar dhe për të jetuar. Emigrim. Mërgim. Kurbet. Këtë fjalë të fundit ajo e pëlqeu sepse i kujton kurbetët dhe kurbatkat,që në libra dhe gazeta i quajnë ciganë apo romë.
Kurbetët...
Kur kujton këta,i dalin përpara sysh ca çadëre të ngritura buzë lumit të qytetit të saj,që rrjedh mespërmes fushës.Prindërit i thoshin se ata ishin kurbetët.Ata i ngrenë çadrat buzë ujit,ku rriten shelgjishtet e dendura.Me degët e holla të këtyre,me purtekat ata thurin kanistra edhe shporta.Kur kishte shkuar andej një herë tjetër,çadëret e tyre nuk qenë më.As kurbetët.Kështu e kanë ata,i kishte thënë i ati,lëvizin nga njëri vend në tjetrin.Mbledhin çadëret dhe nisen për udhë.
Viktoria po çuditet me veten e saj.Ç'i erdhë ndër mend këto kujtime këtu në Kanada!Ajo po kërkon kuptimin e fjalës emigrim.Ç'i mbinë në mendje kurbetët!
Qeshi me vete.
Mos u bënë dhe fëmijët tanë si kurbetët!?Mblodhë valicat dhe u nisën për të kërkuar një vend ku të gjenin punë.O Zot,më fal që po i ul kështu fëmijët!Ata ishin me shkollë,me zanat,me kamje,me shtëpi,jo me çadëre dhe...
Viktoria ndjen një shqetësim në gjoks.Një dridhje të brendshme.Sikur i shkoi korrent në trup.U ngrit.Lau fytyrën.Vuri xhezven në zjarr dhe bëri një kafe.Kafeja sikur e mblodhi.Librat i kishte harruar më një anë.Kurbetët nuk i harronte dot.
I ati i pat thënë se kurbetët nuk kishin varre.I varrosnin të vdekurit buzë lumit dhe iknin më tutje,pa vënë as ndonjë gur apo shenjë tjetër përsipër.
Ajo u drodh nga këto kujtime.Qoftë larg!Këtu ka varreza dhe për kurbetllinjtë.Edhe televizori tregon ca vende të bukura plot gjelbërim dhe lule,me kryqe dhe me gurë të skalitur.Me demek,mos u merakosni se parajsën e kini të siguruar.
M'u bëfshi kurban,m'u bëfshi!-foli me zë të lartë dhe e mblodhi veten.Sa budallaqe që bëhej!Fëmijët këtu kanë shtëpi,kanë punë.Atë e mbajnë në pëllëmbë të dorës.Kurbetët dhe kurbatkat,ata qofshin!Mbesa vete në shkollë.Vishet për bukuri.Frigoriferi është plot.Uji dhe drita nuk rreshtin.Makina në dera...
Por përsëri kurbetët nuk i hiqen nga mendja.Fundja edhe ata nuk e kishin keq.Kërkonin të rronin.Për bukën e gojës dhe për jetën e fëmijëve endeshin.E mira nuk të vjen duke ndenjur.
Kurbeti është rruga për të jetuar më mirë njeriu.Po mos punove dhe po mos brodhe,nuk mbushen shportat dhe frioriferët.E përmblodhi,më në fund,gjykimin e saj përfundimtar për këtë fjalë.Këtë nuk ia thoshin librat.Ia thoshte jeta.
Shyqyr,o Zot,që ka edhe kurbet se ç'do të bënte njeriu i shkretë në këtë botë me halle shumë!
U kujtua që kishte përmbysur filxhanin e kafesë.E mori me kujdes dhe e pa.Tërë anët e filxhanit ishin të pikturuara me lulka dhe me figura lloje-lloje.Ajo nuk i lexonte dot.E vuri më një anë në dollap.Sot pasdite do t'i vinte Nushi.Ajo di t'i lexojë mirë filxhanët.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora