E shtune, 27.04.2024, 04:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: “Lufta e Vlorës” Llakatund

E marte, 23.06.2009, 06:32 PM


Në Ndërmarrjen Bujqësore Shtetërore

“Lufta e Vlorës” Llakatund

Nga Ditari i Luan Çipit

Në fundin e muajit Korrik te vitit  1975, sapo kisha festuar 41 vjetorin e lindjes, më thërresin në Komitetin e Partisë së rrethit Vlorë, ku më pret sekretari për ekonominë, agronomi nga Tragjasi i Vlorës, Veli Kaleshi. Ai më uli me dorë në karike, para tavolinës së vetë dhe pasi u përshëndetëm, më tha:

                  - Ti, shoku Luan, ke dalë vullnetar, për të shkuar në ndihmë të fshatit!

                  - Jo, çne në fshat. Unë kam thënë nuk e njoh fare fshatin dhe, po qe se është nevoja, mund të shkoj për të punuar direkt në prodhim, në qytet.

                   -Duhet të shkosh në fshat, se është vendimi i Sekretariatit. Kemi nevoje për të forcuar drejtimin ekonomik të Ndërmarrjes Bujqësore Llakatund. Do të të shpiem atje ty dhe shokun Vasillaq Ndini. Ti, në Plan dhe atë në Financë.

                   - Po qe se ju e kini vendosur, mos thoni që unë kam dalë vullnetar. Për të shkuar e të zbatoj urdhrin jam i detyruar ekonomikisht, se kam tre fëmijë në ngarkim. Pastaj Llakatundi, ja ku është, brenda kufirit. Babai im, për të ushqyer fëmijët, 60 vjet më parë, është detyruar të shkoj në Amerikë. Po, meqë më thërritët do t’u them edhe për një problem. Ndofta e dini, unë jam pedagog i jashtëm në Filjalin e Fakultetit Ekonomik

                   - Këtë e dimë, prandaj nuk të detyrojmë të shpërngulesh familjarisht. Ti do kthehesh çdo mbrëmje në qytet dhe, kur të kesh mësim, do vish edhe më shpejt.

                   Edhe ky shteg u mbyll. Kostumin e kishin qepur ustallarë

 

                   Më 1 Gusht 1975, bashkë me shokun tim të vjetër, Vasillaq Ndinin, shoqëruar nga kryeinstruktori i K.P. Rrethit, shoku Bardhi Bega, nisemi për Llakatund. Unë në Llakatund, kisha qenë vetëm 30 vjet më parë, kur, babai im bënte atje punë argati angari, siç ish porosia e Partisë Komuniste, për ish kapitalistet e shpronësuar.  Atëherë ndenja atje vetëm disa orë deri sa, mbaroi dita e punës, ndërsa këtë radhë do të rija, gati 6 vjet, deri në fund të pranverës së vitit 1981. Në Llakatund shkuam, me autobusin e linjës, nga rruga e Çezmës së Thatë- Drashovicë -Risili dhe hymë drejt e në Zyrën e Partisë, ku na priste e mbledhur administrata e Fermës. Në krye qëndronte sekretari i Komitetit të Partisë i Ndërmarrjes, Mersin Tozaj, një burrë energjik e dashamirës dhe krah tij Ejup Mita, drejtori, një specialist me shumë përvojë agroteknike e shkencore. Bardhi Bega na lexoi motivacionin e përgatitur, ku na çmonin si kapacitete që do shpëtonim ekonominë dhe financën e shkatërruar të kësaj ndërmarrje shtetërore të rëndësishme. Vasillaqi dhe unë, që kishim bërë “çudira” në detyrat e mëparshme, vinim: ai në detyrën e Kryetarit të Degës së Financës dhe unë në atë të Planit dhe Furnizim Shpërndarjes.

            Vasillaqi, duke përdorur si argument karakteristikën shumë pozitive që dëgjoi, shkoj u ankua. Duke përfituar nga një vend vakant, kërkoj dhe u emërua nën drejtor.

                  U vendosa në Zyrën e Planit, në një godinë njëkatëshe me 6 zyra, ku punonte administrata e Drejtorisë së Fermës. Zyra jonë ishte e madhe. Atje gjeta Bastri Sofin nga Kuçi i Vlorës, ish shefin e planit të shkarkuar, nuk e mora vesh pse. Në të vërtetë ai ishte një ekonomist i aftë dhe me përvojë. Ndofta kishte krijuar mosmarveshje, sepse ishte një natyrë krenare, që kish mendimin e vet dhe zor të nënshtrohej, duke e përfaqësuar denjësisht fshatin e tij, me burra trima, krenar e “gjoks gropë”. Po aty punonte dhe Agaçe Bregu e Vladimir Petani, dy djem të shkëlqyer vendas, që unë i njihja, se i kisha studentë në Filialin e Vlorës. Më von erdhi dhe Piro Dodbiba, ish Ministër i Bujqësisë dhe ish Kandidat i Byrosë Politike, tashmë i shkarkuar dhe i akuzuar, për idetë ekstremiste dhe veprimtari revizioniste.

                Ndërmarrja kishte, në strukturën e vet organizativo-administrativo-territoriale 3 sektorë prodhues me kombinim agraro blegtoral: Sektori i Qendrës, që shtrihej në fushën e Llakatundit dhe kodrat e Mekatit, deri në Beshisht, Sektori i Lubonjës me fushën  në derdhjen fundore të lumit Shashicë dhe kodrat e Lubonjës, Picarit deri ne Armen dhe Sektori i Selenicës me buzë lumin Vjosë, në veri të Armenit dhe fushën e  kodrat e Selenicës. Blegtoria ishte e vendosur në të tre sektorët me lopë, dera, pula dhe të imta. Kishte rreth 3 mijë ha. toke buke nën ujë dhe 1 mijë njësi gjedhi dhe 3 mijë punëtorë. Një sektor i veçantë ndihmës formonte Mekanika Bujqësore dhe një tjetër Sektori i Ndërtimit. Në të pesë Sektorët kishte administratë të posaçme tekniko- prodhuese. Ekonomistët dhe normistët e sektorëve vareshin prej nesh. Ne  merrnim njoftime operative dhe statistikore të përditshme dhe periodike, organizonim seminar të përmuajshëm kualifikues dhe e kishim nën kontroll të përhershëm gjithë veprimtarinë ekonomike, duke përfshirë  planifikimin, normat dhe pagat, evidencën dhe statistikën, organizimin e punës dhe emulacionin, investimet dhe ndërtimet, transportin dhe deri furnizim shpërndarjen. Drejtori ynë i talentuar Ejup Mita na kishte lënë kompetenca dhe ne kryenim veprimtari e kishim iniciativë të plot. Vetëm pas një vrojtimi të vëmendshëm 2 mujor, kur erdhi të punonte te ne, ish Ministri Piro Dodbiba, e morri vesh se ku ishte dhe e çmoi rolin e madh të Degës  së Planit.

 

 

 

Gjatë qëndrimit në këtë detyrë një vend të posaçëm zunë studimet tekniko-ekonomike, me të cilat u ngarkua secili nga ne. Kështu:

      -     Së bashku me Piro Dodbibën u krye studimi për ecurinë disa vjeçare dhe perspektivën e zhvillimit të ekonomisë.

               -Së bashku me agronomin Reuf Muhameti përfundoi studimi disa vjeçar: ”Dobia e ngritjes së vreshtave në tel “.

                -Studimi vetjak për perfeksionimin e normimit të punës

                -Studimi për perfeksionimin e punës, drejtimit dhe organizimit.

                - Studimi për përsosjen e sistemit të pagave dhe shpërblimeve.

                 Edhe gjatë kësaj periudhe vazhdova të jepja mësim në Filialin Ekonomik në Vlorë, të gjykoja  si Arbitër në Arbitrazhin Ekonomik të Rrethit, të marr pjesë në mbledhjet  dhe studimet e Institutit Ekonomik, pranë Akademisë së Shkencave, si bashkëpunëtor shkencor i jashtëm.

                    - Me shkresën nr 26 date 21.9.76 të Komisionit te Planit te Shtetit caktohem ne Grupin e hartimit të Metodologjisë së Planifikimit dhe për 15 ditë, së bashku me Niko Gjyzarin, Harilla Papajorgjin, Aristotel Panon, Koço Skënderin, Genc Shkodranin, Sabah Hilmin, etj, grumbullohemi, në kushte komode dhe punojmë, pa ndërprerje në Kampin e Punëtorëve Durrës, deri sa e përfundojmë komplet materialin.

                       - Në Janar të vitit 1978 caktohem dhe marr pjesë në Këshillin Shkencor të Komisionit të Planit të Shtetit, duke diskutuar, në disa takime dhe jap mendime të pranueshme e bëj vërejtje e sugjerime të karakterit praktik e aplikativ të pëlqyera.

                     - Nga data 12- 27 Shkurt 1987 aktivizohem në studimin “Mbi përmirësimin e punës me norma” të ndërmarrjeve bujqësore. Studimi u organizua nga Ministra e Bujqësisë, sipas modelit te “N.B.”29 Nendori” Lushnje. Konkluzionet, propozimet dhe raporti u formuluan nga 3 veta, ku unë pata barë kryesore.

                       -Në muajin Mars 1978, me një grup pune, caktuar nga Drejtoria e Ndërmarrjeve Bujqësore të Ministrisë së Bujqësisë Tiranë, shkuam për kontroll e ndihmë në N.B.”Gjergj Dimitrovi” Tiranë dhe më pas në Ndërmarrjen Bujqësore Lezhë. Në këto qendra të rëndësishme të bujqësisë shqiptare ne këmbenim përvojën pozitive dhe, me dashamirësi konstatonim dhe diktonim korrigjimet për mangësitë dhe shkeljet në organizim, drejtim e legjislacion, duke rekomanduar forma më të mira dhe më të përparuara pune.

                    -Në muajin Shtator 1978 të thërritur personalisht nga Ministrja e Bujqësisë Themie Thomaj dhe, pas kësaj, me një grup pune specialistësh të sistemit të bujqësisë, punuam 10 ditë rresht në Ndërmarrjen Bujqësore “29 Nendori” Lushnje, më e madhja në vend, për zbulimin e shkaqeve, relativisht të ulëta, në treguesit e saj ekonomiko- financiare, krahasuar me N.B. Maliq, që ishte shumë rezultateve. Raporti me konkluzionet dhe mendime tona iu paraqit Byrosë Politike të KQ.PPSh, ku u morr vendimi për ndarjen e kësaj ndërmarrje të stërmadhe në dy pjesë, më organike, që formuan secila nga një ndërmarrje  bujqësore të madhe.

                    - Po në Shtator të vitit 1978, për 6 ditë, aktivizohem nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, në një ekip kontrolli e ndihme në Kooperativën Bujqësore Bolenë- Kallarat, nën  drejtimin e veteranit Metlli Jaupi. Këtu hasa kudo njerëz të mirë e mikpritës, luftëtarë të përjetshëm e trima të prapë, të coptuar egërsisht nga jatagani e plumbat. Një lapidar, që çante qiellin, në nderim të qindra të rënëve për liri, lartësohej në qendër të fshatit  Bolenë, rrëze malit Çipin, Ata mbarështonin me mjaft kënaqësi e profesionalizëm blegtori të imtë, duke përballuar një jetë tejet të vështirë dhe megjithëse në varfëri e skamje të plotë, ishin me zemër të madhe bujarie. Jam befasuar!

                    -Në muajin Nëntor 1979, në seminarin 7 ditor, me specialistë të bujqësisë në rrethin e Vlorës, referoj temën:” Disa probleme të përqendrimit, specializimit dhe kooperimit në ekonomitë bujqësore të rrethit të Vlorës.

                   -Në të njëjtën kohë, së bashku me agronomin Reuf Muhameti, tani K\Agronom i Ndërmarrjes Bujqësore Llakatund, bëjmë konkluzionet e një studimi 4 vjeçar “Mbi kultivimin e domateve të varura në tel”, me efekt ekonomik vjetor 700 mijë lekë. Studimi u botua ne Revistën Kombëtare “Perime Patate” Shkurt 1980.

                   - Në muajin Prill 1980, i caktuar nga Instituti i Studimeve Ekonomike, diskutoj në Sesionin Shkencor për Problemet e Përsosjes se Organizimit dhe Drejtimit të Ekonomisë, qe u bë në Tiranë, me pjesmarrjen e drejtuesve kryesor të Partisë dhe të Shtetit me 16 dhe 17 Maj. Diskutimi, që përfshinte, sipas tematikes së rekomanduar, tri probleme të përsosjes së organizimit të punës në ndërmarrjet bujqësore, u prit mirë dhe u botua në revistën “Ekonomia Popullore”, Maj 1980.

                   - Në muajin Maj-Qershor 1980, për rreth 50 ditë, punoj në Ministrinë e Bujqësisë me një grup të posaçëm pune, drejtuar nga Andon Thimio, për përsosjen e treguesve të punës. Materialin, që e përgatitëm u miratua pa asnjë vërejtje dhe u kthye në program të detyruar normativ, për të gjitha ndërmarrjet bujqësore.

                    -Në muajin qershor 1980 thërritem në Komitetin Ekzekutiv te K.P,Rrethit Vlorë, në mbledhjen e Kryesisë, ku na njoftuan, se bashkë me 17 specialistë e shkencëtar të rrethit, formonim Këshillin Shkencor të rrethit të Vlorës. Nga ky Këshill Shkencor u botuan disa broshura me studime dhe u organizuan disa sesione, me botime të posaçme, ku morra pjesë me punimet, që u botuan në Buletinet përkatëse dhe me bashkëpunime me specialistë dhe ekonomistë të rrethit, për kumtesa e referate të karakterit ekonomik.

                    Ndërkohë, angazhuar nga gazeta lokale “Zëri i Vlorës” vazhdojë të shkruajë regullisht lajme dhe botoj studime, që kanë lidhje me problemet e mprehta të ekonomisë së rrethit. Aq të shpeshta ishin këto shkrime, sa, baxhanaku im, Qani Kamberi, edhe për ta nxitur, i tha një ditë djalit të tij, jo aktiv, që kish mbaruar për gazetari: “More, po, se marr vesh: Luani është gazetar, apo ti”.

                   Pavarësisht angazhimeve të tjera, puna kryesore kryhej në vendin tim bazë të punës dhe të jetës së përditshme, në Llakatund.

                   Është për t’u kujtuar jeta e mirë e përbashkët dhe solidariteti i plot me kolegët e mi. Kjo, për fat, më ka shoqëruar, thuajse kudo, por në Fermën e Llakatundit  ishte për t’u theksuar. Ndofta kjo ndodhte sepse këtu vështirësitë e jetës dhe të punës ishin më të mëdha, apo, ndofta nga që ishin bashkuar rastësisht njerëz të mirë, apo, ndofta nga që drejtori i talentuar, Ejup Mita, ndillte më shumë unitet e urtësi, ose, ndofta nga të gjitha këto bashkë. Sidoqoftë, ne ishim kudo të bashkuar, e mbështetnim dhe e ndihmonim njeri tjetrin, pa shenja sedre të sëmurë e pa shfaqje xhelozie. Kjo ndihej midis nesh, por evidentohej edhe ndër kolegët, jashtë kolektivit tonë.  

              Ishte shumë e ngrohtë dhe miqësore pritja që u bënim kolegëve, eprorëve, kontrollorëve, gazetarëve apo vizitorëve të çdo lloj, që vinin për punë, apo për çfarëdo arsyeje te ne. Ata, së fundi, priteshin me dashamirësi në Mensën tonë, ku gostiteshin më së miri, të shërbyer nga gastrologu Sejdi Bubeqi, i denjë për lokalet më të mira turistike. Pagesa e shpenzimeve kryhej bashkërisht prej nesh, me korrektesë, duke i refuzuar me insistim, përpjekjet për pagesë nga miqtë.

                Ishin të shumtë shokët dhe miqtë që gjeta e sidomos ata që bëra në Llakatund. Drejtori Ejup Mita, ishte për mua një zbulim i rallë, për aftësitë tekniko- administrative, që dispononte, të pa para deri atëherë te asnjë tjetër. Për të unë kam folur dhe kam shkruar, disa herë; po kështu për nëndrejtorin e pa lodhur Vasillaq Ndini, si dhe për burrin e zgjuar, ekonomistin dhe luftëtarin veteran, Piro Dodbiba. Nuk mund të harrohen dhe shumë të tjerë, si inxhinieri i talentuar politeknik  Feri Dishnica, që me  projektimet dhe ndërtimet e tij të guximshme si: ura e varur mbi Shashicë, stallat e gjedhit dhe të pulave, hangarët, serat, ujësjellësit dhe  ndërtimet  e tjera, na ngriti kokën  lart të gjithëve; agronomët Llambro Billa,  Reuf Muhameti, Llano Llanaj, Zigur Sulo, Xhevdet Suli, Selam Malaj, Sazan Kaleshi, Pajtim Xhelo, Petrit Bimo,  Agim Gaçe, Kujtim Gaçe; zooveterinerët Petref Lameborshi, Niazi Tahiri, Llambro Berberi, Shpëtim Sulçe, Dhimitraq Loli, ekonomistët dhe financierët Bastri Sofia, Agaçe Bregu, Vladimir Petani, Kiço Lera (Çoban), Zylfie Sulçe, Enver Zeneli, Limoz Rexhiti, Qemal Haxhiraj, inxhinierët  Fatmir Shkupi e Andria Qirjo; shoferët e pa lodhur  Ali Suli, Osman Rapushi, Servet Beqiri, Selam Tepelena, Kujtim Grabjani, Nuri Beqo dhe dhjetëra specialistë  e mekanizatorë të aftë.

            Për mua Llakatundi ishte një shkollë e madhe e një lloi të veçantë. Unë as që e njihja bujqësinë, veçse fare pak teorikisht, nga librat dhe njohuritë e marra në Universitet në lëndët “Ekonomia e Bujqësisë”, “Organizimi dhe planifikimi i Fitoteknisë dhe Zooteknisë” dhe nga njohuritë për “Statistikën Bujqësore”, të cilat, duhet thënë, i kisha studiuar me kujdes, por, bujqësinë  e vërtetë dhe jetën në një ndërmarrje të madhe bujqësore, unë e mësova në ugaret e Llakatundit, të 5 fshatrave që e formonin ndërmarrjen, me njerëzit e mrekullueshëm e të paharruar, që gjeta atje dhe që nuk do ti harrojë kurrë.

              Dhe, kur shihja ndryshimet rrënjësore dhe përmirësimet e shpejta në rezultatet ekonomiko financiare të ndërmarrjes në ato gati 6 vjet që unë punova atje, e ndjenja sinqerisht, se largimi, edhe pse vija më afër familjes, ishte  pa ndonjë entuziazëm, bile i dhimbshëm.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora