E shtune, 27.04.2024, 12:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Ejup Ceraja

E hene, 15.06.2009, 06:44 PM


Ejup CERAJA

AUTODIDAKTI MENDJENDRITUR
(Bacë Hamit Skënderit - me rastin e Akademisë përkujtimore)

Edhe pse ishte autodidakt
Dhe kishte pakëz shkollë,
Ishte një atdhetar i devotshëm
Me mendje shumë të hollë.

Ai bashkëkombësve
Ua kishte dhënë betimin,
Se do t'i donte njësoj
Shkollën dhe mësimin.

Që kudo ndër shqiptarë
Ta shpërndante diturinë,
Për t'u sjellë libra shqip
E kishte shkrirë pasurinë.

Për t'ua mësuar gjuhën
Bashkëkombësve ren’,
E kishte shitur të vetmen lopë,
E pesëmbëdhjetë krerë dhen'.

Kur ishte rrezik të kalohej kufiri
Edhe me një copë letër në xhep,
Ai sillte libra nga Shqipëria
Për bashkëkombësit e vet…

Dhe, kur jeta ishte
Në terezi e në zgrip,
Ai u bë pishtar i flaktë
I mësimit shqip.

- Ne shqiptarët - thoshte
Jemi si dy molla në degë,
Jugun e quajnë Toskë
Ndërsa Veriun Gegë.

Ai dinte përmendësh vjersha
Të poetëve të traditës sonë,
Ua recitonte në ndeja
Këtë strofë, shpeshherë, thonë:

"Kjoftë mallkue kush qet ngatrime
Nder kta vllazen shoq me shoq;
Kush e dan me fjal'e shkrime
Ça natyra vetë perpoq".*)

*) Ndre Mjedja “Gjuha shqype”
Vërejtje:
“Një jetë kushtuar arsimit dhe librit shqip. Kushtuar jetës dhe veprës së atdhetarit dhe veprimtarit të devotshëm për përhapjen e librit shqip”. – thuhet në ftesën për Akademinë përkujtimore kushtuar atdhetarit dhe veprimtarit Hamit Skëderi (1896-1978)”.
Mitrovicë, më 6 dhjetor 2003

BUBULLIMË ISHTE EMRI I TIJ

Portreti krijues i poetit Jakup Ceraja
nëpërmes titujve të veprave të tij.

Çdo gjë që e ka arritur në jetë
Është me vlerë sublime,
Këtë e dëshmon libri i parë
I titulluar “Përkushtime”.

Për t’i arritur të gjitha këto
Që të nderohet oxhaku,
Përpos punës së palodhshme
Lypsej “Djersa dhe gjaku”.

Që të lulëzojë atdheu
Pa ndërprerje përherë,
Pareshtur kërkohet:
“Pranvera të bëhet verë”.

Të gjitha këto së bashku
I bënte për atdhe pa kompensim,
Ishin aq të afërta me jetën si
“Ngjarje që nuk duan shpjegim”

Çdo vepër madhore
Qëndron e nuk zhduket,
Ajo që synohet të arrihet
“As humbet, as duket”.

Krijimtaritë e tij poetike
Kishin si floriri vlera,
Ai tok me to prore
“Udhëtonte me erëra”.

Atë që poeti me dekada
Kudo e kishte mbjellë,
Përfundimi për te ishte
“Një fund me diell”.

Edhe fëmijëve poeti
Një porosi ua thotë,
Për asgjë të mos çuditen
Se “Çka s’ka në botë”.

Të gjithë ata që në jetë
E bëjnë ndonjë gabim,
“Guri në qafë” është vërejtje
Patjetër për përmirësim.

Ngjarjet e një pas njëshme
Që i kalonin përmes zemrës,
Poeti i shpreh mjaft qartë
Te “Gjeografia e dhembjes”.

Se femrat shqiptare
Duhet t’i përcjellë dija e drita,
Me përkushtim i ka dhënë
Nëpërmes romanit “Lida”.

Në vitet e nëntëdhjeta
Kudo në zgrip ishte jeta,
Rrëfejnë me dhembje
Poezitë te “Emjeta”.

Se të gjithë ishim vënë
Përpara rrezikut e sprovës,
Pasqyrohen artistikisht bukur
Në librin “Ngjyrat e Kosovës”.

Të gjitha ato katrahura
Që ndodhnin edhe në mes të ditës,
Poeti në emër të popullit, thoshte:
“Kosova i shkruan letër Amerikës”.

Se s’ishte e lehtë jeta
Në këtë dhe në atë anë,
Poeti shprehet përmes librit:
“Dimër në Tiranë”.

Asgjë në këtë jetë
Nuk arrihet pa sakrifica,
Poeti i përshkruan me drithërime
Te poema e dhembjes “Drenica”.

Por, një ditë patjetër
Do të vijnë rrezet e dritës,
Këto e të tjera poeti i jep
Përmes “Baladës së pritjes”.

Kosova fatkeqësisht
I kishte ditët e tymit,
Poeti i jep kronologjikisht
Përmes “Ditarit të rrethimit”.

Se kudo kushtrimi
Në Kosovë gufte,
Tregojnë poezitë
Në “Baladë lufte”.

Këto dhe të tjera
Që ishin si në deti vala,
Poeti i ka dhënë bindshëm
Përmes poemës “Ucë Mala”.

Se në këto trojet tona
Gjithnjë vlerësohej nderi i burrit,
Shkrimtari i tregon pa mëdyshje
Në romanin “Vrasja e konsullit”.

Të gjitha ato peripeci
Nga koka te thembra,
I shpreh me shqetësim
Libri “Kur dhemb zemra”.

Mars 2006

Për fëmijë

Sugarja
(Humoriste)

Edhe pse Ejona
Është vajzë sugare,
Punën e mësimin
I zë si hajgare.

Kur zgjohet në mëngjes
Vetëm sytë i fërkon,
Nga përtacia e madhe
Fare nuk i pastron.

Nënën një minutë
Rehat nuk e len,
As rrobat e trupit
Për veti s’i gjen.

Një ditë e ëma
Asaj ashpër i foli:
- Je bërë bija ime
Dembelesh Stambolli.

Për këshilla Ejonës
Iu drejtua edhe halla,
Po në një vesh i hynte
Në tjetrin i dilte fjala.

Të gjithë të shtëpisë
Ranë në hall të madh,
S’dinin më tutje
Çfarë duhej ndërmarrë.

Një mbrëmje gjyshi
Duke menduar më veti,
Për kënaqësinë e tij
Recetë të mirë gjeti.

“Nesër – tha më vete,
Pa e vënë në gjellë lugën,
Sipas punës së kryer
Do t’ua ndaj bukën.

Kush ka punuar
Pa hile e përtesë,
Do t’ia jepi
Edhe një copë shtesë.

Ndërsa Ejonës
Që e prefero dembelinë,
S’do ta marrë asnjë copë
Që ta shuaj urinë”.

Prova gjyshit
Për atë ditë,
Ia dha suksesin
Që e kishte pritë.

Kështu ditën vijuese
Ejona sapo zgjohej,
Vrapoi në banjë
Që mirë të pastrohej.

I pastronte mirë sytë,
I pastronte mirë faqet,
Edhe zemra e nënës
Filloi që t’i kënaqet.

Dalëngadalë huqet
Po i largonte,
Për mësim e punë
Zemra i gufonte.

Dhjetor 2005


NËNA ME TRE DJEM PETRITA

Thonë se dikur moti
Në kohë të Ilirisë,
Një nënë rriste tre djem
Tri shtylla të shtëpisë.

Ata shkonin mirë
Të tretë në mes veti,
Nga bekimi i nënës
U shtohej shëndeti.

Punët e tyre shkëlqenin
Si natën drita e hënës,
Asgjë nuk punonin
Pa pëlqimin e nënës.

"Nesër - u tha nëna
Duhet të shkoni te mali,
Që të bartni dru për dimër
Të tretë me këtë kali…"

"Ani - i thanë tretë,
Duke e ngritur në duar,
Porositë tua për ne, nënë
Janë një ligj i pashkruar".

Të nesërmen u nisën herët
Sapo ia dha mirë agsholi,
Nëna shend e verë - thonë
Deri përtej dere i përcolli…

Ashtu arritën së bashku
Ku duhej ta prisnin malin,
U ndalën të pushonin pak
Dhe e ngatën të kullos kalin.

Vëllain e vogël e porositën
Që të kujdesej për kali,
Kurse vetë hyrën bashkë
T'i nxjerrin drutë nga mali.

Kur dolën nga mali
U ulën të pushojnë pak,
S'e panë askund vëllain
Dhe u bënë shumë merak.1)

E harruan krejt kalin
U vunë në hall për vëllanë,
E thirrën sa e thirrën
Por atë kund s'e panë.

Kur ashtu si papandehur
Sytë u shkuan te lumi,
E panë vëllain në dushk
Që e kishte zënë gjumi.

"Po ku je, or vëlla?!…
I tha ai më i riu,
Nga brenga për ty
Në vend gjaku na ngriu".

"Më paska zënë gjumi
Sapo këtu jam shtrirë,
Fare s'ju kam dëgjuar
Kur më pakët thirr".

"Po kali ku qenka
Që askund s'po shihet,
Ndoshta në bari të madh
Diku sikur fshihet".

"Mos u bëj merak fare
Ata e qetësuan djalin,
Së shpejti bashkërisht
Do ta gjejmë edhe kalin"

U nisën për në shtëpi
Nënës që t'i tregojnë,
T'i merrnin këshillat
Ku kalin ta kërkojnë.

Kur arritën në shtëpi
Nëna i priti me të butë:
"Po kalin ku e keni?…
Ku i keni edhe drutë?…"

Ata i treguan nënës
Sytë për pa i mbyll,
Se ç'u kishte ndodhur
Larg atje në pyll…

Sapo me rend i lanë duart
Darkë mirë e mirë ngrënën,
Kush ua kishte marrë kalin
E biseduan shtruar me nënën.

I madhi i tha nënës:

- Ai që e ka marrë kalin
Vetëm për pa shokë
Është i vogël me trup
E peshon pak okë.

I dyti shtoi mendueshëm:

- Nëse është i vogël
E peshon pak okë,
Leshin e ka të kuq
Në fytyrë e kokë.

I treti e përfundoi mendimin:

- Nëse është i vogël
Si vëllezërit thanë,
Patjetër do ta bartë
Edhe emrin Uran!

"Mos u merakosni, bijtë e mi
Se me këtë urti që ju e keni,
Nuk do të shkojë kohë e gjatë
Patjetër ju kalin do ta gjeni!"

Dhe nuk vonoi aq shumë
Thonë kështu me të vërtetë,
Thëniet e nënës së devotshme
U bënë këndshëm realitet.
____________
1) merak = këtu me kuptim ishte i shqetësuar.

(1996)


THIRRENI NEVOJËN

1.
Thuhet se një babë dikur
Kishte dy djem si drita,
Shkonin mirë mes vete
Rriteshin si dy petrita.

"Bijtë e mi! - u kishte thënë baba
Nesër ju do të shkoni në mulli,
Duhet të jeni të përgatitur mirë
Për ndonjë të papritur a vështirësi".

"Nëse keni ndonjë pengesë rrugës
Për ç'gjë si babë e kam drojën,1)
Për çfarëdo që do t'ju ndodhi
Thirrne në ndihmë NEVOJËN".

2.
Ishin nisur të nesërmen herët
Pa ndonjë pengesë,
Edhe porosinë e babait
E mbanin mirë në kujtesë.

Sapo e kishin bluar drithin
Ishin nisur si hera herës,
Po nga pesha e rëndë
Ishte prishur rrota e qerres.

S'dinin si të vepronin
Ngelën si lepuri në llugë,
Do t'i zinte ashtu nata
Do të mbeteshin në rrugë.

Vëllai i vogël ishte mërzitur
Sa nuk ia kishte nisur vajit,
Shpejt i kishte ardhur në kujtesë
Porosia e mbrëmshme e babait.

"E gjeta! - kishte thënë ai
I gëzuar duke e hapur gojën,
Ta thërrasim në ndihmë
Menjëherë atë NEVOJËN".

"Po mirë t'u kujtua,
O i dashuri im vëlla,
Qe sa kohë presim kot
E në mend s'na ka ra!"

E thërrisnin nevojën
Të dytët si në refren:
"Diçka u bë me te, thoshin
Që u vonua e nuk po vjen!"

Prapë e thërrisnin bashkë
Se vendi nuk iu zinte,
Koha po u kalonte kot
Ajo s'u vinte se s'u vinte.

"A di ç'të bëjmë, vëlla
Kot ne të mos shikojmë,
T'i mundohemi disi vetë
Ndoshta e rregullojmë?"

"Mirë, kishte thënë vëllai i vogël
Dhe sa s'ia kishte krisur vajit,
E ne kur të shkojmë në shtëpi
Për këtë t'i tregojmë babait…"

3.
"- A mund erdhët, bijtë e mi?
Që babai ju ka sikur pëllumba.
- A patët ndonjë vështirësi,
Si ju ka shkuar sot puna?"

"- Patëm një prishje, babë
Nevojën e thirrëm menjëherë,
Por ajo kishte qenë e zënë
E te ne nuk erdh se nuk erdh!"

"- Kur e pamë babë i dashur
Që nevoja s' do të na vinte,
E rregulluam vetë si mundëm
Që nata të mos na zinte…"

Babai i kishte përqafuar të bijtë,
Duke u thënë: "- Ju lumtë goja.
Ndreqja që ju e keni kryer vetë
Ka qenë ajo N E V O J A…"

(1986)


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora