E shtune, 27.04.2024, 05:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Një historik i familjes Hoxha...

E merkure, 03.06.2009, 08:27 PM


NJË HISTORIK I FAMILJES HOXHA, TË FISIT BYTYÇ, TË SHQIPONJËS (ISH-JABLLANICËS) SË DUSHKAJËS, KOMUNA E GJAKOVËS

Shkruan Prof. SKËNDER R. HOXHA (DEMALIAJ)

     Personazhi kryesor i historikut të kësaj familjeje duhet të merret Ukë (Isuf) Demaliaj (Hoxha ,i fisit Bytyç, i cili në deceniet e fundit të shekullit të IXX kishte ardhur në Kosovë, në këtë krah tjetër të trojeve shqiptare.
     Për të prezentuar të dhëna të kësaj natyre, do t’iu referohemi rrëfimeve të babait të autorit, Ramizit (1924), i cili, edhe tash kur po shkruajmë, është në jetë.
   
1. Kush ishte Ukë Isufi?

     Ishte nga Bregpaci, rrethinë e Bajram Currit, i fisit Bytyç. Për shkak të ngatërresave dhe të disa vrasjeve që kishin ndodhur në mes të prindërve e kushërinjve të Ukës (gjyshit tim) dhe të ndonjë familjeje tjetër (?), atje në Malësi, në një anë, e në anë tjetër vdekja e natyrshme e të atit, Isufit, vdekja e të vetmit vëlla, Hamzës, i cili ishte plagosur në kryengritjen kundër Ali Pashë Maxharrit në Gjakovë, e nga ato plagë, duke mos pasur mundësi shërimi, vdes në Shqipëri, ku edhe më tej skamnohet kjo familje dhe mbeten shumë keq, ku për rrjedhojë kishte pasuar edhe lëshuarjen e vendlindjes… Uka, tashmë, kishte nënën, Bejaze dhe dy motra: Shahën dhe Zadën. Duket se kishte mbetur i hasmuar dhe në varfëri. Dajët e tij, të fisit Krasniqe, jetonin në katundin Trjakë të Lugut të Baranit, rrethinë e Pejës, në Kosovë.
   
2. Ardhja e Ukës (gjyshit) në Kosovë

    Në rrethanat që ishin krijuar në këtë familje, daja i Ukës, vëllai i nënës Bejaze, Niman Jaha, shkon në Malësi të tropojës dhe i merr: motrën, nipin dhe mbesat e i çon në shtëpi të vet në Turjakë që të përkujdesej për ta. Në atë kohë Uka kishte diku rreth 23 (24) vjeç. Pas ardhjes së Ukës, me nënën dhe motrat në Turjakë, në Malësi, përkatësisht në vendlindjen e tij në Bregpac i mbetën kushërinjtë: Smajl Halili, Rexhep Halili dhe Zeqir Halili, vëllezër, me familjet e tyre.
     Pas një kohe, siç ruhet në kujtesë, daja Niman, meqë kishte mësuar në Medrese për punë feje, e emërojnë të shkojë hoxhë në Xhaminë e Cërmjanit të Dushkajës, komuna e Gjakovës (atëherë ka pasur administrime të tjera – vërejtja jonë). Emërimi i tij për hoxhë në xhaminë e Cërmjanit lidhej edhe me punë fisi, sepse hoxhajt e Cërmjanit janë të fisit Krasniqe, ndaj ky shkonte imam te shokët e fisit.
     Daja, Niman Jaha, kur do të shkojë për në Cërmjan, merr me vete dy nipat: Ukën, djalin e motrës, që e kishte sjell nga Bytyçi dhe Malën, djalin e vëllait. Nisen me një qerre të drunjtë, të qeve (kieve), ku thuhet se tërë ditën kishin pas rugëtuar të shkojnë deri në Jabllanicë (tash Shqiponjë), ku edhe kishin pasë bërë konat në familjen e Ademhasanve, familje kjo e njohur për bujari. Të nesërmen, i përcjellin deri në mëhallën e hereçve në Kralan, prej nga i drejtojnë për në Cërmjan, për ku ishin nisur. Kur shkojnë në Cërmjan, aty ku duhej të shërbejë daja Niman si hoxhë, vendosen në një shtëpizë të vjetër të Xhamisë. Kështu kishte filluar jeta e tyre në Cërmjan. Uka i shërbente dajës (hoxhës), mbledhte të ardhurat e xhamisë në imamat dhe bënte punë të tjera, sipas nevojës. Duke qenë i vyeshëm dhe i saktë, Ukën e bëjnë edhe zot shtëpie…  Sipas rrethanave që u krijuan (në jetën e re në Cërmjan), e sidomos faktorët: Uka e kishte dajë hoxhën, shërbente në mirëmbajtjen e Xhamisë dhe se kishte mësuar edhe vetë ngapak për punë feje etj.,Uka e mori mbiemrin Hoxha, pra Ukë Hoxha, mbiemër që edhe sot e mban kjo familje.
     Ukën e martoi daja, mulla Niman Jaha. E martoi me Gjykë Brahimen e Brahim Asmanit. Prindërit e Gjykës ishin nga një fshat i Kosovës Lindore, por kur bëhet përndjekja e dhunshme, nga serbët, ku ishte bërë spastrimi etnik i rreth 700 vendbanimeve të banuara me shqiptarë, gjatë viteve 1877 – 1878, kjo familje ishte strehuar në fshatin Meqe të Dushkajës, afër Cërmjanit, rrethinë e Gjakovës. Gjatë asaj përndjekjeje, thuhet se 14 anëtarë të kësaj familjeje kishin mbetur rrugës, duke mos mundur t’i përballojnë vështirësitë, borën e madhe dhe acarin e atij dimri famëkeq. Nuk dihet saktësisht se kur u lind Gjyka (e cila martohet me Ukën), por thuhet se kur ishte martuar me Ukën, ishte 14 vjeçe.
     Uka me Gjykën lanë pas vetes pesë fëmijë, dy djem e tri vajza, sepse një vajzë, fëmija i parë (Xhemilja), iu kishte vdekur. Vlen të theksohet se të gjithë fëmijët iu kishin lindur gjatë kohës kur kanë jetuar në Cërmjan. Fëmijët e tyre janë:
     1.Ramizi (1924), është gjallë dhe ka 3 djem e 1 vajzë: Skënderin (1949 – autor i këtij shkrimi), Cymën (1951), Sadriun (1953) dhe Enverin (1956) – të gjithë të martuar dhe kanë fëmijë;
     2. Xhemilja (1927), e martuar me Halil (Mehmet) Ademajn nga familja e përkolve të Jabllanicës së Dushkajës. Xhemilja është gjallë dhe ka 4 vajza e 1 djalë, të gjithë të martuar dhe kanë fëmijë;
     3. Zejnija (1930), e martuar në Buqan të Lugut të Baranit, me Sali Azem Gashin. Zejnija është gjallë dhe ka 4 djem, të gjithë të martuar dhe kanë fëmijë;
     4. Gjylshahi (1933), e martuar me Bajram (Adem) Ramajn, i familjes së përkolve të Jabllanivës. Gjylshahi është gjallë dhe ka dy djem, janë të martuar dhe kanë fëmijë. (Xhemiles, Zejnisë dhe Gjylshahit, të cilat janë halla të autorit të këtij shkrimi, burrat iu kanë ndërruar jetë natyrshëm. Pra, jetojnë me fëmijët e tyre);
     5. Rrustemi (1940), ka vdekur më 31 tetor 2004, në moshën 64 vjeçare. Rrustemi vdiq në Gjakovë, ku kishte shkuar të jetojë shumë vjet më parë. La pas vetes 5 djem: Naimin, Ukën, Zhujën, Mentorin dhe Arbenin.Të gjithë janë të martuar. Katër të mëdhenjtë kanë fëmijë, ndërsa i vogli është martuar tash së voni. Të gjithë jetojnë në Gjakovë.
     Të kthehemi sërish tek Ramizi, djali i madh i Ukës. Ramizi ishte martuar më 1944, kur jetonin në Cërmjan, me Ajshe (Avdyl) Ramajn (1928), e familjes së Përkolve, të fisit Thaç, të Jabllanicës. Fati kishte dashur që Ajshja (nëna e autorit të këtij shkrimi) të mbetet pa babë dhe pa të vetmin vëlla, i cili kishte ndërruar jetë diku në moshën 26 – 27 vjeçare (?). Ajshës, nga prindërit i kishte mbetur nëna dhe dy motra. Kishte axhën me fëmijët e tij dhe kushërinjtë. Pas disa kohe që kishin jetuar edhe në Gjakovë, në ndonjë shtëpi me qira, dhe pas edhe disa lidhjeve miqësore që bëhen në mes të familjes së Përkolve me atë të Ukë Hoxhës, këta të fundit, në vitin 1948, shkojnë të jetojnë në trashëgiminë e Ajshës, ku do të përkujdeseshin edhe për nënën e Ajshes, Hajrijen. Shkuarja e tyre në Jabllanicë, thuhet se ishte bërë pas insistimit të miqve (Përkolve). Një vit pas ardhjes në Jabllanicë, Ramizit e Ajshes iu lind fëmija i parë, Skënderi (autori i këtij shkrimi), e pastaj edhe fëmijët e tjërë që i përmendëm më sipër. Këtu, në Jabllanicë, në vitin 1950 apo 1951 vdes Uka, (nuk janë mbajtur shënime të sakta), thonë në moshën rreth 90 vjeçare (?).Kjo familje, edhe sot e kësaj dite, jeton në këto troje, në Shqiponjë (ish-Jabllanicë), me degëzimet e pjesëshme (të mëvonshme) të saj në Pejë e Gjakovë.

     Të vazhdojmë edhe me disa të dhëna për fëmijët e Ramizit, meqë është fëmija më i madh i Ukës nga Breg Paci:
1. Skënderi (1949), i martuar me Emine (Hysen) Berishën (1953) nga katundi Kliçinë e Lugut të Leshanit, komuna e Pejës. Kanë 6 fëmijë: Margeritën (1974), Afërditën (1976), Lenditën (1978), Memlin (1980), Meritën (1985) dhe Visarin (1990). Skënderi me familje jeton në Pejë dhe në Shqiponjë (ish-Jabllanicë).
2. Cyma (1951), e martuar në Kliçinë të komunës së Pejës me Shpend (Qerim) Berishën. Ka fëmijët: Samirin, Arjetën, Astritin, Luljetën, Petritin dhe Dritën.
3. Sadriu (1953), i martuar me Mirushe (Ukë) Shtanaj nga Radoniqi i Dushkajës. Kanë fëmijët: Avniun, Teutën, Agronin, Arbëreshën, Adnanin dhe Artonin. Jetojnë në Shqiponjë e në Gjakovë.
4. Enveri (1956), i martuar me Bukurie (Zeqir) Lajçin nga Strellci i Ulët i komunës së Pejës, të ardhur këtu nga Drelajt e Rugovës. Kanë fëmijët: Violetën, Valdetin, Filloretën, Valonin, feratin, Vlorën dhe Ajshen. Jetojnë në Shqiponjë (ish – Jabllanicë) të komunës së Gjakovës.   
                       
PS: Në ndonjë shkrim të radhës do të bëjmë fjalë për degëzime të tjera të familjeve të fisit Bytyç nëpër vise të tjera shqiptare (autori).



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora