E marte, 21.09.2021, 12:59 PM (GMT+1)

Mendime

Lavdrim Lita: Banketi i enveristëve në gjirin e kotecit politik të Edvinit

E hene, 01.06.2009, 06:25 PM


Banketi i enveristëve në gjirin e kotecit politik të Edvinit

Një mënyrë tjetër e gabuar

Nga Lavdrim Lita

Nuk doja të shkruaja mbi hapjen e fushatës së PS-në Tiranë sepse mu duk paksa deliruese nga përmbajtja, por kontrasti i banketit ku fliste kryetari pa talent Edi Rama mu duk shumë i madh për t’ua lënë në dorë berberëve të pushtetit mediatik. Paçka se nuk doja t’u përgjigjesha atyre që trumbetojnë si borizanë simbolikën idiote të këtij gjesti aspak sinjifikativ, përkundrazi. Është sikur bijtë politikanë të Gebëlsit apo Hitlerit të flirtojnë politikisht në rajonin e Aushvicit ose në Mathauzen. Për të mos thënë shkurt se ishte një mënyrë tjetër e gabuar për të ritheksuar edhe njëherë se dhjetori i '90-ës është një ëndërr ende e papërmbushur, dhe se e majta shqiptare, me një lidership të ri si Rama, i biri i Kristaqit, Gjinushi, Milo, Ruçi (&co), rrëzuan edhe gurin e fundit, që kundërshtari politik i tyre, PD-ja, e themeluar në këtë vend, e mban ende në jetëshkrimin e saj politik. Nuk munda të duroj më tej sepse ky bari i keq po fillon të mbijë mbi kujtesën e martirëve të demokracisë shqiptare.

Së pari: Hapja e fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste në sheshin e studentëve tregoi edhe njëherë tjetër pafytyrësinë groteske që mund të ketë etja për pushtet e disa relikteve të diktaturës komuniste. Kulmi i përbuzjes së demokracisë shqiptare vjen nga ai zotëria që do të sjellë politikën e re me xhelatët që donin t’i prisnin këmbët po asaj demokracie shqiptare. Kjo ishte e papritur, por jo e jashtëzakonshme në një vend si Shqipëria, ku harrohet më lehtë sesa mendohet, apo reflektohet mbi komunizmin. Gjeste të tilla të pamenduara janë thjesht injektime kolere në kujtesën tonë.

Së dyti: Duhet të kemi kujdes moral të ashpër për këtë puç historik që u bëri Partia Socialiste historisë së studentëve të dhjetorit duke përfaqësuar idealet e saj. Nuk është hera e parë që individë gjenetikisht të modifikuar tentojnë të thyejnë barrierën që u ka ngritur demokracia këtyre fenomeneve revizioniste. Revizionizmi i vlerave dhe përzierja e tyre në një tenxhere alumini është një ushqim i keq për shpirtin e vërtetë demokratik. Është shumë i qartë angazhimi i një shamani politik, madje jo shumë i ri, i cili kërkon të na mashtrojë thekshëm me iluzionizma groteske iniciativën e shartimit të një trungu vlerash demokratike me një degë vlerash të dobëta komuniste. Këtë kërkoi të bënte kryetari i PS-së Edvin Rama kur në banketin e tij na parashtroi në atë shesh një figurë të helmatisur nga regjimi i shkuar. Figura në fjalë as më shumë e a më pak se ish-ministri i

brendshëm i diktaturës komuniste: Gramoz Ruçi.

Së treti: gjykoj se me këtë shfaqje groteske kemi shkelur tabanin e harresës. Sepse ose neve na ka humbur memoria e të shkuarës ose Edvin Rama dëshiron që të na humbë memoria përfundimisht. Dhe memoria humb kur t’i vendosë në shesh demokracie pranë vetes një zotëri që ka qenë një kryetari i sigurimsave. Emri i tij është po ai: Gramoz Ruçi. Turpi nuk ka ku të shkojë më larg. Buka të ngel në fyt.

Së katërti: ky paradoksi i politikës së re po shfaqet më veshjen e vet më reale dhe më të vjetër, i cili nuk ka sesi të mos personifikohet nga figura shtinjake e Gramoz Ruçit në folenë e demokracisë shqiptare. Ish-ministri i sigurimit që ka marrë medalje pune për arrestim e zbutjen e kurrizit të demonstruesve dhjetoristë është emblema e një përsosje të së keqes mbi të mirë.

Nuk i takon Edi Ramë-s ai shesh më shumë sesa i takon Gramoz Ruçit të ri. Ish-ministri i asaj ministrie famëkeqe e njeh mirë, në çdo cep, në çdo anë, në çdo formë atë shesh sepse aty ka bërë më shkopinj gome përshesh shumë kocka, inde, kryqe njerëzish.

Nuk i takon Edi Ramë-s të përdhunojë demokracinë adoleshente shqiptare vetëm e vetëm për shou politik. Po deshi të tregoi forcën e tij le të konkurrojë në mejdan, e të mos fshihet mbas fustanellave bashkiake të çimentifikuara nga Mihal Deliorgji. Ose mister Gërdeci.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora