E shtune, 27.04.2024, 03:51 AM (GMT+1)

Mendime

Ahmet Selmani: Kosova, midis Naserëve egjiptianë dhe Naserëve shqiptarë

E diele, 31.05.2009, 05:22 PM


KOSOVA, MIDIS NASERËVE EGJIPTIANË DHE NASERËVE SHQIPTARË

Shkruan Ahmet Selmani

Para disa ditësh, gjatë vizitës së tij të fundit në Egjipt, kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, në takimin me homologun e tij egjiptian, Hosni Mubarak, ka biseduar edhe për çështjen e Kosovës. Me këtë rast, si zakonisht, të dy kanë dhënë edhe deklarata publike, të cilat janë përcjellë me shpejtësi. Kështu, siç mund të pritej, kryetari egjiptian H. Mubarak edhe njëherë e ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij lidhur me çështjen e Kosovës. Pra, pa kurrfarë ngurrimi e diplomacie ai ka thënë prerazi: “Egjipti kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”. Me këtë, pa mëdyshje është radhitur në anën e Serbisë, mbase si shteti më besnik për të, duke i dhënë garanca të plota se nuk do ta tradhtojë asnjëherë në politikën e saj.
Natyrisht që ky vendim, sa kokëfortë aq edhe naiv i Egjiptit, është shumë iritues për shqiptarët. Po t’i analizojmë disa gjëra pak më hollë, del qartë se ky shtet me ndikim të madh në botën arabe, po bën një shërbim shumë të keq, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetveten, ngaqë po shkel mbi interesat tradicionale, historike, politike, ekonomike, fetare, kulturore etj.
Së pari, realisht Egjiptin dhe Serbinë nuk i lidh asgjë qenësore e substanciale, përveç interesave ekonomike që mund të kenë ndërmjet tyre, ashtu siç kanë edhe të gjitha shtetet e tjera. Mirëpo zelli i B. Tadiqit për t’u mburrur me të ashtuquajturën Lëvizje e Vendeve të Painkuadruara, të cilën dikur e patën themeluar ish kryetari i Egjiptit, Gamal Abdel Naser, dhe ish kryetari i ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, pra duke u shtirur si trashëgimtar i saj, si paqedashës etj., është një demagogji dhe djallëzi shumë e përsosur. Me sa duket, Serbia edhe njëherë këtij vendi po ia shpërlan kryet me akull, siç thuhet, sepse ia del që ta bindë në “të drejtën” e saj për Kosovën dhe shqiptarët, ashtu siç ka vepruar tradicionalisht në të kaluarën.
Së dyti, po të bëjmë një retrospektivë të afërt, do të shohim se gjatë viteve të sundimit të Gamal Abdel Naserit, sa herë që nisej J. B. Tito për vizitë në Egjipt, shërbimi sekret serb, nëpërmjet ambasadës jugosllave në Kajro, e bënte ndikimin e vet tek autoritetet egjiptiane, duke ua mbushur mendjen atyre se elementi shqiptar ishte shumë i rrezikshëm. Madje, shkonte aq larg sa i thoshte prijësit egjiptian se shqiptarët kishin përgatitur atentat për vrasjen e mikut të tij, J. B. Titos. Dhe, si rezultat i kësaj, pikërisht G. A. Naseri jepte urdhër që të burgoseshin ose të ndiqeshin të gjithë shqiptarët anekënd Egjiptit. Ky satanizim barbar vazhdoi një kohë të gjatë, kuptohet gjersa në krye të këtij shteti qëndroi i ashtuquajturi simboli i painkuadrimit, G. A. Naseri. Por, shqiptarët e mjeruar, duke qenë krejtësisht të painformuar për këtë djallëzi të kurdisur, në shenjë simpatie për prijësin egjiptian, qindra e mijëra fëmijë të tyre i pagëzoni me emrin Naser, duke mbirë ata si kërpudhat pas shiut. Paradoksi më i madh është se në atë periudhë vështirë se ka patur aq shumë Nasera vetë Egjipti sa kishin shqiptarët. Kjo çudi paradoksale dhe e dhimbshme, për fat të keq vazhdon edhe sot. Në të vërtetë, krahas emrit Naser, sot ka plot shqiptarë që fëmijët i pagëzojnë Mubarak, pra pikërisht me emrin e atij që thotë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Ju lumtë për këtë marrëzi që bëjnë! Këta po e nderojnë idolin e tyre, e ai sërish po e shpërblen Serbinë!
Së treti, ndryshe nga lidhjet me Serbinë që janë krejt të natyrës formale, duhet thënë se Egjiptin e Kosovën, dhe në përgjithësi shqiptarët, i lidhin shumë gjëra të natyrshme dhe organike. Përveç atyre të sferës ekonomike, mbi të gjitha, janë edhe ato historike, fetare, kulturore etj. Hosni Mubarak harron se shtetin që e udhëheq ai, si shtet modern, e ka themeluar pikërisht një shqiptar, pra Muhamedali Pasha. Dinastia e tij ka qenë një kohë të gjatë në krye të Egjiptit, deri te mbreti Faruk, të cilin e rrëzoi Gamal Abel Naseri. Duke e harruar këtë fakt, H. Mubarak ua kthen shpinën shqiptarëve, bëhet mosmirënjohës i skajshëm. Po ashtu harron se 70 për qind e shqiptarëve janë të besimit islam, se lidhjet e tyre kulturore e tradicionale mund të zhvillohen në mënyrë të shkëlqyer, gjë që nuk mund të ndodhë asnjëherë me Serbinë. Por, për çudi, prapë më e afërt i duket Serbia sesa Kosova. Si të shpjegohet kjo, përveçse si punë djalli!
Së katërti, Egjipti harron se pikërisht shteti amë i shqiptarëve, Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike. Atëherë, me ç’të drejtë H. Mubaraku vihet në anën e Serbisë kur, sipas rregullores së kësaj konference, ai është i obliguar t’i mbrojë, në radhë të pare, interesat e vendeve anëtare të kësaj organizate? Sigurisht edhe kjo është një pabesi dhe dyfytyrësi e pacipë e Egjiptit, sepse heq dorë nga një popull që i përket të njëjtit besim dhe mbron një popull tjetër, që është krejt me besim të kundërt. Gjithsesi, pas këtij qëndrimi iracional të Egjiptit, është e udhës që edhe Shqipëria ta rishqyrtojë anëtarësinë e vet në këtë konferencë. Thjesht, të marrë qëndrim të qartë për interesat kombëtare dhe jo të figurojë si kukull e mjerë.
Së pesti, edhe përkundër lidhjeve të vazhdueshme me Egjiptin, sidomos me ata qindra e mijëra studentë shqiptarë që kanë mbaruar nëpër universitetet egjiptiane, ky shtet vazhdon të jetë mospërfillës ndaj tyre. Prandaj, shtrohet pyetja, cili është ndikimi i tyre në botën arabe? Si duket, ky ndikim po na del zero, për të mos thënë edhe nën zero. Të gjorët këta shqiptarë, harrojnë se përveç besimit të tyre ndaj Zotit, kanë edhe obligimin ndaj kombit, gjuhës dhe shtetit. Por, me sa duket, ata s’kanë çarë kokën kurrë për kauzën e tyre, por vetëm për marrjen e diplomave nëpër universitetet e Egjiptit. Prandaj, njoftimi i publikuar këto ditë se kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi, paska biseduar me ambasadorin e Egjiptit në Shkup dhe paska lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duket tepër qesharake dhe tingëllon si një demagogji patriotike. Më së miri këtë e hedh poshtë deklarata e H. Mubarakut: Egjipti kurrë s’do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ja pra, si duken lidhjet tona me Egjiptin. Shqiptarët e bënë atë shtet dikur, por ai nuk do të ndiej për Kosovën. Prandaj, ju shqiptarë, kudo që jeni, urdhëroni edhe më tej e pagëzoni fëmijët me emrat e Naserit dhe të Mubarakut! S’ka gjë pse e shpërblejnë Serbinë që i vrau, i masakroi e i dhunoi shqiptarët, që nga fëmijët e gratë, e deri te pleqtë dhe të vdekurit!



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora