E premte, 26.04.2024, 01:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Terziu: Një Roman me shijen e Oscar Wilde

E shtune, 02.05.2009, 03:14 PM


NJË ROMAN ME SHIJEN E OSCAR WILDE

(Mbi romanin “Emma Jazzi” dhe krijimtarinë e shkrimtares Puntorie Muça-Ziba)

Nga Fatmir Terziu

Kurë s’më ka ndodhur deri më sot të lexoj një prozë të tillë, që të më shijojë me oreksin e Oscar Wilde. E them këtë me bindje. E them nga kontrasti që më kanë krijuar ‘shenjat’ e një rruge të gjatë leximi dhe shënimesh akademike. Edhe tek mjaft akademikë të lexuar, dhe këto me qindra përpos një rruge gati tetë vjeçare në vazhdim të edukimit tim në Britani, po aq edhe tek mjaft krijues në fusha të ndryshme, që kam lexuar e studiuar nga afër, ndoshta jo aq shumë sa janë në fakt, [kjo më së shumti në gjininë femërore], nuk do të gjendej një kënd ku të pikëtakohej e veçanta dalluese e Oscar. Dhe kjo e zgjedhur përpos arsyes me romanin “Emma Jazzi” të shkrimtares Puntorie Muça-Ziba. Një lidhje që në rrëfim. Një veçori që në detaj. Që në fabulë! Oscar shprehet tek “Lady Windermere’s Fan”, pikërisht me këtë fabulë që romani i shkrimtares shqiptare dikton një arsye në lidhjen me kanunin në familjen shqiptare. Thënia e Oscar Wilde dëshmon qartë: “aksionet janë tragjeditë e para në jetë, fjalët janë të dytat”. Dhe kështu ndodh të jenë ato ndërrmarje negative që mbrusen nën diktatin ‘burrëror’, kur lexohen në roman. Kështu janë ato aksione që elementi mashkullor i magnetizon në interes të tij, duke i dhënë shkas autores që nga ky mjedis të depërtojë në filozofi të ngjashme e të përdorë fjalën si element përshkrues të kësaj tragjedie.
Kritikja Kujtime Kica në parathënien e këtij romani sqaron: “Romani “Emma Jazzi” i shkrimtares Puntorie Muça-Ziba, trajton një temë aktuale, atë të dhunës ndaj gruas. Arti është dritë që ndriçon errësirën. Në këtë rast ky roman hedh dritë në një pikë të errët të shoqërisë sonë, madje një shtjellë drite për të ndriçuar jetën e femrës së torturuar.
Libri është shkruar me një mjeshtri artistike.
Në fillim, sapo e merr në dorë, të ngjan në një roman të ndërlikuar, me pjesë të gjata e të trishtuara, fragmentare, të ngarkuara, plot tension, shkurt, një libër shumë i dhimbshëm për t’u lexuar dhe mahnitës për të mos e lënë mënjanë. Duke lexuar pastaj, ndjen pulsin e shqetësimeve të autores që mëton të shprehë në mënyrë sa më artistike volumin e botës dhe jetës në të, bëmat dhe gjëmat e burgjeve që krijon njeriu për njeriun. Në qendër, si lajtmotiv i romanit është vënë një familje, institucion shumë i respektuar ndër shqiptarë, por ku nuk respektohen traditat fisnike shqiptare. Përmes jetës dhe bëmave të personazhit kryesor, Emma Jazzi, mpleksen ngjarje interesante dhe tronditëse. Aq tronditëse sa ta përshkojnë kurmin drithërime. E, në të njëjtën kohë, autorja mban një spektër ndriçues në dorë për të ndriçuar shtigjet e avenirit, kah duhet ecur.” Duke u rikthyer tek Oscar Wilde gjen edhe emlemën lidhëse në këtë detaj, jo thjesht për nga tema, fabula apo trajtimi, por nga stili, kapja e momenteve dhe filozofia e fjalës që përcillet tek lexuesi. Dhe shkrimtarja e di mirë atë që Oscar shton tek “Kritiku si artist” (“The critic as Artist”) se “burri është padyshim vetvetja kur ai hyn me bisedimet e tij si person. Jepini një maskë atij, dhe ai do t'ju tregojë të vërtetën, se kush është.” Kjo thënie e Oscar Wilde vlen si një çelës magjik për të hapur tërë fabulën që gatuhet tek qeliza e familjes. “Qeliza e familjes në roman përbëhet edhe nga një personazh tjetër, të cilin autorja e cilëson me AI. AI është personazhi negativ i romanit, është burri, bashkëshorti i Emma Jazzit. Ai pin alkool, luan bixhoz, nuk furnizon shtëpinë, nuk i përkëdhel fëmijët, ushtron dhunë ndaj gruas, ndaj fëmijëve, është gjithmonë me rrebe dhe flet gjera të kota, fjalë të ndyta… Me një fjalë është njeri koti, njeri pa skrupull, paranoik, njeri që s’ka asnjë synim, por as edhe një element pozitiv që të trajtojë çështje shoqërore e sociale, probleme jetike njerëzore.” (Kica po aty). Dhe me këto fjali kuptohet më qartë se “Morali është thjesht ajo që ne miratojmë me qëndrimin ndaj njerëzve të tjerë, të cilët ne personalisht i kemi zët.” (Wilde: akti i dytë tek “Një burrë ideal”).
Duke vazhduar me moralin e cituar nga Oscar gjejmë edhe thelbin e tij në mjeshtrinë e autores. Kice e zbulon qartë: “Autorja lë të hapur e të lirë lexuesin që të gjykojë vetë se si duhet vepruar në rastet kur ushtrohet dhunë permanente ndaj një personi të caktuar, në këtë rast ndaj gruas.” Kështu shkrimtarja shqiptare e fuqizuar nga kuptimi jetik dhe aq aktual i kësaj tragjedie lë lexuesit që vetë të japin gjykim ose zgjidhje sipas momenteve qe gjejnë në roman, pra ashtu si edhe kritikja e gjen në fjalët e saj, “se si mund të veprojnë në qoftë se gjenden në pozitën e protagonistes, në këtë rast viktimës së shtypjes.” Vetë personazhi i romanit, Emma Jazzi është nën presionin e vazhdueshëm të dhunës, nën presionin e të keqes, të ligës dhe sakrifikon duke duruar. Ajo duron atë që s’duron dot njeri. Prej Kices dhe leximit tw romanit kuptojmë gjithashtu se “Arti është në funksion të njeriut dhe ai duhet të luftojë dukuritë negative. Shtypja e gjithanshme e gruas në familje dhe jashtë saj, nuk është e panjohur e as e vetme.”
Kur marrim në analizë, apo shkruajmë thjesht për një krijimtari më së shumti ne marrim një paralele, ose edhe një shtysë përpos tematikës me shumë lidhje. Një e tillë në këtë rast që lidhet me kanunin është e shkruara e At Shtjefën Gjeçovit, por që në fakt ka një distancë në lidhje me komunikimin e asaj që parashtron autorja për lexuesin. Duke u rekur pas temës gjejmë romanin e Kadaresë “Prilli i Thyer”, apo më tej edhe romanin e shkrimtares shqiptare, Flutura Açka, në lidhje me këtë temë. Natyrshëm është një temë, kjo tema e Kanunit, që ka mbërthyer aq shumë syrresh sa që edhe gjithë lëmitë e mediave e kanë sigluar dhe fokusuar atë. Kështu ndodh edhe me mjaft studime akademike, apo edhe me kërkime në lidhje me këtë fenomen, që disi mbetet arsye në ekzistencën e tij. Përpos gjithë këtyre lidhjeve në temë, arsye dhe paraqitje vjen edhe diferenca e përshkruar nga pena e shkrimtares në fjalë. Në penën e saj janë shumë dualitete jetike që fuqizohen nën ombrellën artistike të plantimit të binomeve grua-burrë, mashkull-femër, ku në thelb, dhe në realitetin e njohur historik në këtë binom, gjithnjë mashkulli ka qenë në favor. Strukturat familjare, normat kanunore, kanë qenë gjithnjë në anën e mashkullit. Por në roman shihet arsyeja ndryshe, arseja që nyjëzohet nën filozofinë e Oscar Ëilde dhe që shihet qartë tek qëndresa femërore që kërkon alternativë të daljes nga kjo mbetje shekullore në një mentalitet ende të dyzuar. Jo më kot shkrimtarja e ka lënë pa emër këtë element mashkullor, këtë personazh ‘burrë’ në roman. Aty ai thirret në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të cilin as nuk e njeh dhe as nuk e ka lexuar. Por, aty ku është në favor të tij, e citon, e përdor, më mirë të themi e keqpërdor atë. Është ai element mashkullor që harron qënien e tij njeri, harron marrëdhëniet burrë-grua, po aq është edhe shpërfillës dialektik i lidhjeve burrë-grua-fëmijë. Është shkurt ai burrë i pikturuar bukur nga shkrimtarja: “Sa i shëmtuar që ishte! Fytyra e tij prej burri, me dy sy ngjyrë gështenjë të dalë jashtë si dy kumbulla, me qimet e vetullave të rrëzuara mbi kapak, me një mjekër qose, me dhëmbët çatallë të rralluar, e me një bark të fryrë si lodër, çdo ditë merrte nga pak pamje kafshe që herë më dukej si fytyrë derri e demi bashkë, e herë si fytyrë ariu. Ai u shtang kur shikoi enën në të cilën kisha radhitur thikat që i lava para se të shtrihem. Qëndroi një copë herë në vend, si i ngujuar dhe mi nguli sytë aq egërsisht, sa që kujtova se do alivanosem nga frika. - Do të më there…”. Dhe pikërisht kjo e fundit “Do të më there…” është një arsye më shumë për të kuptuar rrjedhën e prishjes së raporteve të lartcituara.
Në kontrast me këtë figurë, që penelatat e autores e sjellin aq afër dhe larg midis preambulës filozofike, kohë dhe hapësirë, vjen edhe kryepersonazhi femëror i romanit. Një kumt njerëzor ngjizet me tërë elegancën e fjalës. Dhe ky kryepersonazh është vetë Emma Jazzi. Kica na vjen në ndihmë “Emma Jazzi, është grua e mençur, e ditur, merret me art, me këngë, por përse ajo nuk mund ta kthen në anën e vet kanunin? Po t’i referohemi Kanunit, ai ka edhe anët e mira. Por, kryepersonazhi në roman, të keqen nuk e konstaton vetëm në momentin që e jeton, por më herët. Ajo i fajëson të gjithë ata që e kanë detyruar të martohet me personin që jeton. Ajo i urren, madje disa herë i fanitet në ëndërr sikur tenton t’i vrasë me radhë burrat që janë alkoolikë kronikë. Protagonistja nuk do askënd, disa herë shfaqet krejt apatike, pa ndjenja. Kësisoj mendon ajo, se u bën ballë shovinistëve gjinorë.” (Kica po aty). Por kjo nuk mjafton që të shihet protagonistja si një vepër që riskon me magjinë e artit. Emma, vetësiglohet nën fuqinë plotësuese të mbiemrit të saj që vjen nga mbiemri i saj objekt-art-lidhëz ‘Xhaz’. Siglohet edhe në traditë, filozofinë popullore dhe realitetin e trashëguar, ku fuqia e fjalës së gatuar me mjeshtëri kontraston dallimet. Dallimet që vijnë në kandarin jo-ballancues historik të kanunëzimit të binomit femër-mashkull. Dhe, kjo shihet edhe në vetë sjelljen e nënës së babës, gjyshes, (autorja e quan nënë) apo në sjelljen e shumë gjysheve apo nënave që meshkujve u japin përshesh me kos, e femrave përshesh me dhallë.
Kështu ashtu siç edhe Kica e zbulon, Romani “Emma Jazzi” përshkohet me frymë sociale e shoqërore. Elementet psikologjike, metafizike e filozofike, që ndjehen në këtë libër, mbajnë vulën origjinale të autores. Ata janë lidhje specifike që dëshmojnë lidhjen me temperamentin artistik të Oscar Wilde, por edhe janë një art më vete për të thënë me plot gojën se Puntorie Muça-Ziba, është kurruesja logjike e një fenomeni tejskllavërues në emër të së shkuarës, në emër të jo-arsyes, apo më saktë të fundosjes së vlerave njerëzore. Shkrimtarja në rrugën e saj të gjatë, krahas një poezie tejet bashkëkohore, ka gatuar ndjenjën e jetës me përkushtimin për të tërën, duke lënë një model për ecjen para dhe shpëtimin e së ardhmes. Ajo vjen në një kohë të duhur dhe është modeli që duhet ndjekur.
Bashkohem me mendimin e Kices se me “Me bukurinë e stilit, autenticitetin e dialogjeve, ajo na ka dhënë një roman të arrirë, që ia vlen të botohet dhe shpresojmë se do të ketë jehonë të gjerë në opinion.” Por, jo vetëm në opinion, ajo duhet kapur me detaj deri në një studim gjithëanësh. Romani i ka vlerat, ne duhet t’i përcjellim ato më tej.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora