E premte, 19.04.2024, 01:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristo Frashëri: Ledi Shamku dhe “Formula e Pagëzimit”

E hene, 27.04.2009, 06:21 PM


Kristo Frashëri
Kristo Frashëri

Ledi Shamku dhe “Formula e Pagëzimit”

Nga Kristo Frashëri

Nuk ka gjë më të lehtë për një intelektual apo pseudointelektual se sa të zbulojë dokumente të zbuluara dhe të ndriçojë fenomene të ndriçuara. Kjo sentencë e lashtë na u kujtua, kur lexuam shkrimin e zonjës Ledi Shamku “Formula e Pagëzimit. Prej shekujsh e keqinterpretuar”, botuar në “Milosao”, suplement i “Gazetës Shqiptare”, më 19 prill 2009. Po marrim vesh se po ky studim po botohet në revistën “Ylli i Dritës”, nr. 1, 2009, faqe 100-126, me titull “Konstitucionet e Pal Ejllit të Kuvendit të Matit të vjetit 1462”. Deri sot, këtë zonjë ne e kemi njohur nëpërmjet retorikave të saj partiake. Dimë që është punonjëse në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe se punon në Departamentin e Historisë së Gjuhës Shqipe të atij instituti. Por, deri sot e kemi njohur më fort nëpërmjet hyrjeve a parathënieve që shkruan për disa ribotime veprash, si “Fjalori i gjuhës shqipe” i vitit 1954 etj.

Në mënyrë të papritur pamë se kjo zonjë e nderuar qenka kujtuar për fushën e saj të punës, domethënë historinë e gjuhës shqipe. Por, për habinë tonë, po shohim se ajo paska zbuluar një shtrembërim tronditës të “paraardhësve” të saj, ndër të cilët përmend prof. Eqrem Çabejin. Sipas saj, të gjithë e paskan trajtuar në mënyrë të gabuar letrën qarkore të kryepeshkopit shqiptar të shekullit XV, Pal Engjëlli, në të cilën bën pjesë dhe “Formula e Pagëzimit”. Sipas saj, gabimi i parë qëndron te faqja e kodeksit, të cilën Nikolla Jorga e paska “manipuluar”, mbasi ka bashkuar gjysmën e fundit të faqes së mëparshme (faqe 3 verso) me gjysmën e parë të faqes vazhduese (faqe 4 recto). Kushdo që e sheh këtë bashkim mekanik e kupton se Nikolla Jorga, zbuluesi i dokumentit, është nisur nga nevoja për të mos riprodhuar të dy faqet e kodeksit, të cilat kanë edhe lëndë tjetër, por për të bashkuar paragrafin që flet për “Formulën e Pagëzimit” në një faqe të vetme. Ja, ky është zbulimi i parë “tronditës” i autores Ledi Shamku. Por, guximi i madh i zonjës së nderuar arrin, besoj kulmin, kur ajo kujton se këtë kodeks tani ajo e ka shtënë në dorë. Nuk ka dyshim se, kur një studiues ose studiuese merr përsipër të trajtojë një temë, ai ose ajo duhet më parë të hulumtojë paraardhësit e tij ose të saj që janë marrë me atë temë, përndryshe ai ose ajo zbulon gjëra që janë të zbuluara dhe si rrjedhim puna i vete huq. Në fushën e punës shkencore është kërkesë e domosdoshme që çdo studiues ose studiuese ta rifillojë hulumtimin, jo nga Adami dhe Eva, por nga ajo pikë ku të tjerët para tij kanë arritur, ndryshe nuk ka përparim në shkencë. Në shkencë të zbulosh gjëra të zbuluara është të rrahësh ujë në havan.

Për fat të keq, me shkrimin e saj mbi “Formulën e Pagëzimit”, ajo ose nuk e di (që është e pafalshme), ose bën sikur nuk e di (që është dyfish e pafalshme) se kodeksin e Pal Engjëllit nuk ka patur nevojë ta zbulojë Ledi Shamku më 2009. Fotokopja e kodeksit të Pal Engjëllit që ndodhet në Bibliotekën Laurentiana të Firences, ndodhet në duart e historianëve shqiptarë që në vitin 1967, në tri kopje: njëra në Arkivin Qendror të Shtetit, tjetra në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe e treta në fondet e autorit të këtyre radhëve. Për këtë kodeks janë dhënë hollësira shumë vite më parë (Shih: Kristo Frashëri “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2002, faqe 397-401). Në këtë vëllim, së bashku me fotokopjen e kopertinës dhe me faqen ku ndodhet “Formula e Pagëzimit”, ashtu siç e kishte bashkuar N. Jorga, janë dhënë dhe shpjegime të hollësishme mbi përmbajtjen e kodeksit. Zonja Shamku thotë se e ka kaluar nëpër duar përmbajtjen e kodeksit, por ne dyshojmë se nuk thotë të vërtetën, mbasi përsërit pak a shumë po ato njoftime që janë thënë për kodeksin në vëllimin e përmendur të botuar nga Akademia e Shkencave. Ne po përsëritim atë që kemi shkruar në vitin 2002 rreth përmbajtjes së kodeksit:

“Kodeksi i Pal Engjëllit prej 37 fletësh pergamene (74 faqe), deri sot është i pabotuar, me përjashtim të fletës 4, në të cilën ndodhet dokumenti i parë i shkrimit shqip (Formula e Pagëzimit), botuar nga zbuluesi i tij, historiani rumun N. Jorga. Ai ruhet në dorëshkrim në Bibliotekën Laurentiana të Firences Reg. 1167 (N. Jorga, Notes et extraites pour servir à l’histoire des Croisades au XV-e siècle, vol. IV, (1453-1476), Bucurest, 1915, faqe 194-197). Në kodeks janë regjistruar (kopjuar) 13 dokumente historike - krisobula perandorake, bula papale, dekrete venedikase, akte kancelareske, qarkore kishtare - nga të cilat dy kanë për autor Pal Engjëllin, dy të tjerat kanë lidhje me Durrësin dhe Drishtin, pra dy qytete jo të huaja për Pal Engjëllin - i pari selia e kryepeshkopatës së tij, i dyti vendlindja e tij, kurse dy të fundit nuk kuptohet përse janë përfshirë në këtë kodeks, mbasi nuk kanë lidhje fare me të. Të gjitha aktet, përfshirë edhe krisobulat perandorake bizantine, janë latinisht. Përmbajtja e tyre është: 1) Vendimet, urdhëresat dhe rregulloret e shpallura nga Pal Engjëlli më 8 nëntor 1462 (faqe 2/r - 9/r), i cili përmban edhe “Formulën e Pagëzimit”, dokumentin më të hershëm të shkrimit shqip; 2) Çështje të liturgjisë kishtare nga Pal Engjëlli (faqe 9/v - 11/r); 3) Nga libri i arkivit të qytetit të Durrësit (faqe 11/r - 13/v); 4) Bula papale e Piut II, Romë, 4 nëntor 1463 drejtuar kardinalit (?) të Durrësit, Pal Engjëllit (faqe. 14/r - 20/r); 5) Krisobula e perandorit bizantin Mihal për venomet e qytetit të Drishtit, lëshuar më 25 prill 1292 (faqe 20/v -22/r); 6) Marrëveshja e Venedikut me bashkësinë e Drishtit më 9 maj 1443 (faqe 22/v - 25/r); 7) Marrëveshja e Anton Venierit, dogji i Venedikut, me Gjergj Thopinë, për çështjen e qytetit të Durrësit, më 18 gusht 1392 (faqe 25/r - 27/v); 8) Gjenealogjia e Engjëll Komnenëve të Drishtit, datuar më 21 nëntor 1460 (faqe 27/r - 32/r); 9) Dekreti i bailit të Durrësit për Pal Engjëllin, më 3 qershor 1461 (faqe 32/r - 33/r); 10) Letër e Pasquale Maripetro-s, dogji i Venedikut, drejtuar Pal Engjëllit, më 9 qershor 1461 (faqe 33/r - 33/v); 11) Letër e Gabriel Trevizanit, dogji i Venedikut, drejtuar Pal Engjëllit më 25 korrik 1465 (faqe 33/v - 34/v); 12) Provizioni i Këshillit të Të Dhjetëve të Venedikut për Lekë Spanin, zot i Dukagjinit, më datë 27 qershor 1484 (faqe 34/v - 35/v); 13) Krisobula e perandorit bizantin Isak Engjëlli drejtuar Papë Çelestinit, më 14 mars 1194 (faqe 36/r - 37/r). Kodeksi është kopjuar nga një dorë e vetme me shkrim të bukur. Duhet të jetë kopjuar në fillim të shekullit XVI, mbasi në fund të aktit të parafundit (akti nr. 12) është shënuar data 14 qershor 1503. Autori zotëron kodeksin në fotokopje.”

Kodeksin e Pal Engjëllit prej gjithsej 74 faqesh ka marrë përsipër ta përkthejë nga latinishtja në shqip punonjësi i ri shkencor Fatjon Balliu, i laureuar në Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe njohës i latinishtes. Ndërkohë, ai e ka përkthyer pjesën e Kodeksit ku ndodhet “Formula e Pagëzimit”, shkruar nga Pal Engjëlli, e titulluar “Constitutiones, Ordinationes et Statuta” (Vendimet, urdhëresat dhe statutet), e cila zë fletët 2/r deri 9/r, pra gjithsej 15 faqe. Për ata që janë të interesuar të dinë përmbajtjen e saktë të letër-qarkores së Pal Engjëllit, nënshkruar në Mat më 8 nëntor 1462, ku ndodhet dhe Sakramenti i Pagëzimit apo Formula e Pagëzimit në gjuhën shqipe, përfshirë edhe ata që nuk janë në gjendje ta kuptojnë përkthimin e përmbledhur të zonjës Ledi Shamku - le ta lexojnë letër-qarkoren të përkthyer shqip nga Fatjon Balliu, e cila është botuar në vëllimin “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV. Burime dokumentare shqiptare (Në origjinal dhe në përkthim shqip)”, përgatitur nga Kristo Frashëri, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2005, faqe 122-143. Nëse ndonjë lexues ka ngut, le të presë botimin e veçantë të letër-qarkores së Pal Engjëllit, pajisur me një studim shkencor mbi autorin dhe mbi Kodeksin, e cila do të dalë së shpejti në qarkullim.

Si kontribut për të ndriçuar historinë e Formulës së Pagëzimit, zonja Ledi Shamku boton dhe disa fragmente nga letër-qarkorja e Pal Engjëllit, në përkthimin shqip. Si përkthimin e fragmenteve të letër-qarkores, ashtu dhe shkrimin e saj, ajo nuk e ka hartuar në gjuhën letrare shqipe. Pra, është shkëputur nga gjuha standarde që përdor sot, me përjashtime të rralla, administrata shtetërore shqiptare, shkolla shqipe, shtypi dhe letërsia shqiptare, madje edhe institucionet fetare, përfshirë dhe Kishën Katolike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo në diasporë nëpër botë. Ajo e ka shkruar në dialektin verior. Madje, ajo nuk e ka përkthyer as në shqipen e At Fishtës apo të Ndre Mjedës, apo të Luigj Gurakuqit, të cilët kanë patur prirje për ta afruar shkodranishten (e cila nuk përfaqëson ajo vetë mbarë gegërishten), me të folmen e toskërishtes, por të Patër Mëshkallës, ku në disa raste ka nevojë, që për t’u kuptuar, të përkthehet shqip.

Në bazë të lirisë që gëzojnë sot qytetarët e Republikës së Shqipërisë për të përdorur në shkrimin shqip çdo lloj dialekti, pavarësisht se ai çon në përçarje, në kundërshtim me procesin historik të unitetit kombëtar - zonja Ledi Shamku, e diplomuar në fushën e Gjuhësisë e të Letërsisë Shqipe, ka të drejtë të përdorë dhe gjuhën e Buzukut. Por, duam t’i kujtojmë zonjës së nderuar që të ketë parasysh se po të shfrytëzojmë në emër të demokracisë të drejtën për të përdorur gjithkush dialektin e vendlindjes së tij ose të saj, me fjalë të tjera, nëse ne duhet të shfrytëzojmë demokracinë për të shkruar njëri shkodranisht e tjetri çamërisht, njëri dibranisht e tjetri korçarisht, njëri në dialektin gjakovar e njëri në dialektin e Tironës, lum kombi që na ka, se kështu do të fitojmë të drejtën t’i biem me kazmë kokës sonë, unitetit tonë, përparimit tonë!

Prirja, për ne e shëmtuar e lokalizmit, e ka pushtuar zonjën Shamku aq thellë, sa ajo kryepeshkopin katolik të Durrësit dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Skënderbeut, nuk e quan Pal Engjëlli, por Pal Ejëlli. Si duket, ajo kujton se familja e Engjëllorëve të Drishtit në shekullin XV, së cilës i përkiste dhe Pali, quhej siç quhen në ditët tona në Parrucë të Shkodrës “Ejll”. Sipas nesh, ajo do të kishte të drejtë ta quante Palin me mbiemrin Ejlli, nëse do na sillte dëshmi se kjo trajtë përdorej dhe në shekullin XV, në kohën e Skënderbeut. Ne e kemi kritikuar, për shembull, Fan Nolin, i cili biografinë e Skënderbeut, të quajtur italisht Demetrio Franco, e ka përdorur në shqip Dhimitër Frëngu. Këtë nismë të Nolit e quajtëm të padrejtë, kur Selami Pulaha vërtetoi se emri ose mbiemri Francus ose Franciscus në latinisht, në Shkodrën e shekullit XV përdorej në trajtën Frangu. Por, historiania e gjuhës shqipe, zonja Shamku, nuk i shkon as anës këtij problemi. Për të, duket se kuti që mat normat gjuhësore është lagjja Parrucë e ditëve tona. Si duket, historiania e gjuhës shqipe nuk e ditka se të paktën te “Meshari” i Gjon Buzukut, engjëlli, me të cilin ka lidhje mbiemri i kryepeshkopit të Durrësit, nuk quhej ejëll, por engjëll (në tekst: “Përpara faqesë engjëjet u ty të këndonj - Meshari, Psalm 137, 2). Po ashtu, Frang Bardhi më 1638 nuk thotë ejëll, por engjëll. Edhe Pjetër Bogdani shkruan “engjëllë”. Edhe Gjon Kazazi në shekullin XVIII shkruan “Engjëlli”. Megjithatë, ne nuk kemi të drejtë ta qortojmë zonjën, por askush nuk na ndalon që ta këshillojmë.

Veç të tjerave, pretendimi i saj se ajo po e njeh publikun shqiptar me përmbajtjen e letër-qarkores së Pal Engjëllit është fund e krye i pasaktë. Është një lloj pretendimi për të treguar se ajo po bën një zbulim. Në fakt, letër-qarkorja e Pal Engjëllit, lëshuar më 8 nëntor 1462, nga Kisha e Trinisë së Shenjtë, të cilën ajo me qëllim që ta kuptojnë më mirë shqiptarët e quan “Trinidad”, është botuar në origjinalin latinisht dhe në përkthimin shqip, siç thamë, disa vite më parë.

Për sa u përket çikërrimave me të cilat merret zonja Shamku dhe të cilave u jep një rëndësi kardinale, nuk po u përgjigjemi. Shohim me keqardhje se ka një nivel të cekët kulturor në fushën e profesionit të saj.

Po e mbyllim me një lajm që lexuam kohët e fundit në shtypin e përditshëm se po të fitojë në zgjedhjet e ardhshme Partia Socialiste, zonja Shamku ka mundësi të bëhet ministre e Arsimit dhe e Shkencës. Nëse ky parashikim do të realizohet, vaj medet për shkencat tona shoqërore dhe për arsimin tonë kombëtar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora