E premte, 26.04.2024, 01:31 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

''Eprorët nuk na jepshin hollsina mbi çeshtjen"

E marte, 07.04.2009, 06:32 PM


Qazim Ahmet Onuzi
Nga Petrit Palushi

Shënimet të kohës, të një postkomandanti, Qazim Ahmet Onuzit, për ngjarjet e 7 prillit të vitit 1939.

Në Durrës: "Në ora 2 mbasmesnate, u ndigjue qi deti ushtonte tmerrisht pse vijshin flotat italiane, ku vinte tue zmadhue ushtima e detit edhe prej së largu dukeshin dritat e flotave sikur yjt e qiellit, të cilat ishin ma se 25 flota ku dukeshin grykat e topave të tmerrueshëm."

Shënimet e mëposhtme që dalin në dritë mbas 80 vjetësh, japin kryesisht veprimet luftuese në Durrës në 7 prill të '39-s, dhe janë marrë nga "Shënime mbi jetëshkrim" të Qazim Ahmet Onuzit, prej katundit Nangë (Komuna Bicaj, rrethi Kukës).
Fletorja përmban 40 faqe me shënime, ndërsa në këtë artikull, ekskluzivisht për "Shekulli", po botojmë vetëm pjesën që ka të bëjë me ditët e para të prillit të '39-s.
Qazim Ahmet Onuzi u lind në vitin 1907 dhe vdiq më 7 shkurt 1957.

Para se të vinte 7 prilli i '39-s, kishte shërbyer në Gjandarmari në vende si Tropojë, Shkodër, Koplik, Kukës, Dibër, Durrës, Berat, Skrapar, Tepelenë, Korçë, Pogradec dhe Bilisht.

Informacioni që jepet këtu është i çuditshëm, plot sinqeritet dhe shihet nga këndi i një njeriu që mundohet të dëshmojë realisht se ç'ndodhi prej fillimit të datës 2 prill, por përqëndrohet më tepër te data 7 prill e '39-s. Të duket se është parapërgatitja për një luftë, por me një organizim të çrregullt.

Sipas dëshmisë, "Dhe mbas akshamit, të tri kompanitë që ishna 350 shpirtë si dhe ato të Qarkut (të) Durrësit na shpërndanë nëpër pozicione, dmth., viseve për Qëndresë. Atëherë, vetvetiu u kuptue se konflikti qenka me Italinë, kurse eprorët akoma nuk na jepshin hollsina mbi çështjen".

Është një rrëfim i një post-komandanti të dëshpëruar (krejt ndryshe nga ç'jemi mësuar të shkruhet përgjithësisht për atë ngjarje) të cilin, bashkë me kolegët e tij, eprorët e vendosin në fushën e betejës, por që në mëngjesin e 7 prillit kur "filloi lufta egërsisht", ai sheh një togkomandant që braktis frontin me dy skuadra, duke lënë shumë gjëra në mëshirë të fatit...

Më pas, postkomandanti Qazim Ahmet Onuzi, edhe pse i plagosur, lihet në vetmi... Por nuk harron të shënojë se ia doli që, para se të shtrohet në spital, atë pak armatim që i kish mbetur, ta dorëzojë në Komandën e P, të Gjindarmarisë në Tiranë.

Asnjëherë në vitet e pasluftës nuk u pa kontributi i këtij njeriu që kishte shërbyer në Gjandarmëri për 14 vjet rresht, që kishte marrë pjesë gjithashtu në rezistencën e 7 prillit të '39-s, që familja e tij kishte ndihmuar luftën partizane (madje edhe djali i tij doli partizan), por për hir të punës së tij si ushtarak në kohën e Zogut, pasardhësit e tij u privuan nga e drejta e shkollimit të lartë.

Shënimet e Qazim Ahmet Onuzit
(f. 26-32)

... Në Bilisht, më datën 2 Prill 1939, na u njoftue prej eprorëve tonë për rregullimin e veshmbathjes, pse gjoja do të shkojmë në Tiranë me festue ditlindjen e trashigimtarit të Zogut, "Skënder", mirëpo ndonse edhe eprorët a do të kishin dijeni apo jo mbi çeshtjen që kërcnohesh.

Kurse, mbas dy ditësh u informuem indirekt se nuk ish për lindjen e Princit, por edhe sepse nuk kishim dijeni, e kshtu më 5 Prill në mesditë, vetë i tetmbëdhjeti, me shpejtësi të jashtëzakonshme në dy automobila na nisën për Korçë, ku u bashkuem me fuqinë e gjithë Qarkut të Korçës; në ora 9 të natës allafrânga u mbushën 10 automobila me gjindarmë dhe na nisën në drejtim të Elbasanit, e në të dalë drita mbrritëm (në) Elbasan ku ish bashkue edhe fuqija e atij Qarku e mbasi na ndanë në kompani, na nisën në 20 automobila në drejtim për Durrës, ku mbrritëm në ora nji mbasdite.

E tue ndejtë në nji shesh pranë ku ishin ma parë shkollat e gjindarmëris, në kohë mbrâmje fluturuen në atmosferë përmbi nesh dy skuadra aeroplanësh, por shkakun e tyne se përse nuk na dhanë dijeni eprorët tonë. Dhe mbas akshamit, të të tri kompanitë që ishna 350 shpirtë si dhe ato të Qarkut (të) Durrësit na shpërndanë nëpër pozicione, dmth., viseve për Qëndresë.

Atëherë, vetvetiu u kuptue se konflikti qenka me Italinë, kurse eprorët akoma nuk na jepshin hollsina mbi çeshtjen. Unë isha në kompaninë e tretë dhe togë e tretë dhe se me skuadrën e dytë me zanë vend pranë Agiptit (Depos benzinës) rreth detit ku isha vetë i njimbëdhjetti, si dhe skuadra e parë rreth qytetit dhe e treta te Ura e Dajlanit; dhe kshtu po bëjmë vëzhgimet e hapsinës detit, kurse në ora 2 mbasmesnate, u ndigjue qi deti ushtonte tmerrisht pse vijshin flotat italiane, ku vinte tue zmadhue ushtima e detit edhe prej së largu në hapsinën e detit dukeshin dritat e flotave sikur yjt e qiellit, të cilat ishin ma se 25 flota ku dukeshin grykat e topave të tmerrueshëm.

Në agim të dritës ora 5 e 30 allafrânga të datës 7 prill 1939, filloi lufta egërsisht, mirpo nji toger ushtrije, i cili ish togkomandant, pra sa filloi lufta, iku me dy skuadrat, të parën e të tretën, tue na u largue me kta edhe disa gjindarmë të skuadrës t'ime, ku unë, simbas urdhnit që mvesh ushtarakun, mbajta vendin e caktuem pranë Agiptit (Depos benzinës) vetë i gjashti aty ku isha urdhnue.

Si vazhduem për qëndresën mâ se dy orë, kur po merret Durrsi u bombardue prej flotave italiane tmerrisht, aq u errësue dhe u mbulue djelli nga tymi i gjyleve.

Në ket kohë fatkeqësisht më plasi nji predhë (gjyle) topi afër tue na flakrue katër-pesë metra n'ajër e tue u plagosë lehtë në dy kambët e dorën e djathtë si edhe piklim ftyrës e tronditja gjithë gjymtyrës trupore, qi aty kam mbetë i tronditun ma tepër se 15 minuta, si edhe plumbat e mitralozit vijshin si breshën po nuk pashë damtim prej ktyne vetëm katër plumba më ranë në kapotë që kisha veshun dhe nji m'i ra pushkës afër rezës bajonetës tue m'i prishë pak drunin.

Mbasi u përmenda ku kisha mbetë, pashë shokët qi më ishin largue, u ngrita, mora pushkën dhe u nisa barkas rrethit rrugës dhe i zuna shokët tek Posta e Dajlanit, aty pak sa me pushue ju mbështetëm Postës e menjiherë na i ranë Postës me top dhe e shkatrroi krejt.

Qi aty m'u plagos pak edhe nji gjindarm tue i ra nji copë gjyle në kambën e djathtë; edhe kshtu posa u përhap tymi i gjyles qi shkatrroi Postën, menjiherë vrapuem dhe ju mbështetëm ballit të Urës Dajlanit dhe tue na pa qi ishim mbas ksaj na i ranë 6 herë me top urës tue i këputë nji kambë çimentoje.

Edhe ktu si u përhap tymi me shum mundim kemi kalue urën e hymë majtas fushës tue ndjekë viset e buta qi të moskërcasin gjylet, dhe me qëllim të mos na bombardojshin aeoroplanët qi na kishin mbulue përsipër ma se dyqind si edhe plumbat vijshin si breshni.

Shokët kaluen Rrashbullin, unë u ndalova në ecje pse zunë me m'u ftohë plagët si dhe më kapi etja. Kshtu, tue u përpjekë me ecë nga pak më panë dhe shtinë edhe katër herë me top, unë rashë barkas afër nji lugjate (knete) e tri gjyle më kaluen mi krye, e katërta plasi në afërsi përpara edhe më mbuloi gati krejt me dhè tue ma shtypë gjithë trupin.

Si dola te Posta e Rrashbullit aty gjeta nji gjindarm qi m'priste, bashkë me kët hymë në Postë e pimë ujë, e kur duelëm në derë desh na zuni Posta nër tâ, sepse e shkatrruen me top nga deti.

Shkuem deri në nji farë vendi djathtas, pranë rrugës në fushë janë do baraka ushtarake e disa ushtarë hipshin në nji automobil, por me kto edhe na deri në Rreth-Komandën e Shijakut. Aty gjetëm Rreth-komandantin me dy gjindarmë.

Mora bukë edhe 158 fishekë mbasi më ishin mbarue në vijë të luftës, prej 200 copë më kishin mbetë vetëm 36 e bashkë me rreth-komandantin dhe gjindarmët u nisëm në të djathtë të Shijakut e hymë në mal në nji ullishtë se gjoja (të) vijshim nga Tirana.

Mirpo mbasi ndejtëm aty ma se dy orë unë u ligshtova tepër edhe ata u larguen e më lanë vetëm. Edhe unë mbas pak kohe u nisa zhagas dhe rashë në rrugën e madhe, aty mbeta krejt, s'mund eca, por ma vonë erdhi maqina e spitalit ushtarak të Tiranës për të marrë të plagosunit. Më gjetën në rrugë dhe më vunë në maqinë, më dërguen në Tiranë, e dorzova armatimin në Komandën e P. Gjindarmarisë, dhe më shtruen në spital, ora 3 mbasdite, të datës 7 prill, dhe me 20 prill dola nga spitali...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora