E premte, 26.04.2024, 08:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Intervistë me Ali D. Jasiqin kritik dhe tregimtar i shquar

E marte, 31.03.2009, 07:46 PM


Ali D. Jasiqi
Ali D. Jasiqi
Intervistë me Ali D. Jasiqin kritik dhe tregimtar i shquar

NUK GUXOJMË T’I HARROJMË MERITAT E GJENERATAVE TË KALUARA

Intervistoi Bilall MALIQI

Ali D.Jasiqi kritik dhe tregimtar i shquar i letrave shqipe, autor i nëntë librave të ndryshme si kritike po ashtu edhe me tregime la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë tonë dhe bënë pjesë në Plejadën e kritikëve të mirfilltë në të gjitha trojet shqiptare.
Shkaku për ta zhvilluar këtë bisedë ishte i llojllojshëm duke filluar nga interesimi ynë për zanafillën e tij krijuese veçanërisht për shkrimet kritike të përmbledhura në botime të tija, koha e fundit e botimeve pa kriter të librave, mendimi i tij për këtë fenomen që rrezikon letërsinë e mirfilltë etj.Interesimi ynë për të biseduar me kritikun letrar u zgjerua edhe në dimensione tjera e që z. Jasiqi me kënaqësi iu përgjigj intervistës sonë...

Z. Jasiqi për lexuesit e revistën”Perspektiva” na tregoni, në pika të shkurtra, jetën tuaj krijuese?

-Kam  lind në Jasiq të Junikut më 1937. Shkollën fillore e kam  filluar  në Junik,ku i kam krye shtatë klasë dhe për shkak të numrit të vogël të nxënësve në klasën e tetë ( kemi mbetur vetëm tete) e kam vazhduar e në Deçan. Shkollën Normale e fillova në Gjakovë dhe kreva  në Prishtinë. Në Prishtinë e kam krye edhe Fakultetin filologjik - gjuhë e letërsi shqipe. Kam punuar gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kryeredaktor i revistë për kulturë, art e letërsi “Fjala”, drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG “Rilindja” dhe kryeredaktori i revistës letrare “Jeta e re”. Kam qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me shkrime letrare fillova të merrem si nxënës. Në fillim kam shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botova në “Zani i rinis” më 1957. Kam përgatit për botim përmbledhjen e tregimeve “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera“ të Mitrush Kutelit, botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës më 1967, tregimet “Talush Efendia” të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), botuan nga “Rilindja” në vitin 1973,përmbledhjen e poezive për fëmijë “Lulet e para” të Fahredin Gunges dhe Bedri Hyses,kam përgatit disa numra tematik të revistës letrare “Jeta e re”, qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtor etj. Kam bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. Kam botuar këta libra:“Josip V. Rela “ - “Jeta e re” Prishtinë 1968,“Pesha e fjalës” - “Rilindja”, Prishtinë 1971,“Shfletime” - “Flaka e vëllazërimit”, Shkup 1972.“Shenjë në lis” - “Rilindja” - Prishtinë 1974 dhe “Naim Frashëri” - Tiranë 1980,“Premtime dhe realizime” - “Rilindja” Prishtinë 1976,“Qazim Tolaj - simbol i drejtësisë pedante” Prishtinë 2002,“Pesëdhjetë shkrime për poezinë” - “Vatra” - Prishtinë 2007,“Tridhjetë e një shkrime për prozën, studimet e të tjera” - “Vatra” Prishtinë 2007,“Krejt më dukej ëndërr”, “Vatra” Prishtinë 2007. Më janë emituar një dramë televizive (“Shtenja në ajër”) dhe tri radiodrama.

Vjershën e parë e keni botuar më 1957 në revistën “Zani i rinisë”. Na thoni si ishte bashkëpunimi i juaj me botuesit e saja kohe?

- Vetë fakti se vjersha e dërguar përmes postes u botua dëshmon për kujdesin e redaksisë që t’i afrojë krijuesit e rinj që të bashkëpunojnë me revistën. Dhe kjo ka bërë që të afirmohen shumë penda të reja,të cilët i bënin hapat e parë në shkrimet letrare e që më vonë u bën shkrimtarë të afirmuar dhe të dalluar në letrar shqipe. Është kjo një meritë e njerëzve që punuan me përkushtim për zhvillimin e kulturës shqipe në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti.

Tërhiqni një diagonale për poezinë përpara dhe sot?

-Mendojë se zhvillimi i poezisë si dhe letërsisë në përgjithësi ka ec rrugës së poezisë botërore, duke i ruajtur specifikat e veçanta të trungut dhe truallit në të cilin është zhvilluar. U mur vesh se poezia e sotme ka shënuar ngritje cilësore, qoftë kur ëeshtë fjala për mënyrën e shprehjes apo edhe të tematikës që trajton.

Na thoni diçka për kriteret  e botimeve të librave gjatë viteve të 70 dhe sot, a janë kriteret e njëjta?

Kam përshtypjen se kriteret e botimit të veprave letrare, qofshin në poezi prozë,dramë apo edhe në kritikën e studimin letrar kanë qenë shumë objektive dhe të matura. Dorëshkrimi ka kaluar nëpër disa duar derisa ka arrirë në duar të lexuesit. Një vlerësim objektiv e kanë dhenë recensentët, të cilët i kanë peshuar vlerat artistike. Nga përvoja ime si recensentë i shumë dorëshkrime me përgjegjëse më të madh mund të pohoj se recensentët e kanë vlerësuar kryesisht  vlerat artistike  ( me duket se nuk qëndron pohimi se recensentet   kanë qenë do komisar që e kanë vlerësuar anën ideologjike të dorëshkrimit. Mund të ketë pas edhe ndonjë që e ka shikuar këtë aspekt, por vetëm si diç të dorës se dytë). Ata,siç thash, i kanë vlerësuar vlerat letrare e artistike të dorëshkrimeve të ofruara për botim.

Ju përpos që keni shkruar  dhe botuar poezi e prozë një vëmendje të posaçme ia keni kushtuar kritikës letrare dhe studimit të letërsisë, na thoni diç më tepër për këtë raport?

- Si çdo i ri edhe unë i kam bërë hapat e parë në poezi,duke shkruar e botuar poezi ( nja dyzetë sosh), të cilat kanë mbetur të shpërndara në shtypin e kohës. Paralelisht me këto kam shkruar edhe tregime. Në një konkurs të gazetës “Rilindja” qe shpërblye vetëm tregimi i Ramadan Rexhepit “Male e kishte emnin”, kurse tregim im “Ai ishte nxënës i tij “ qe ble me një shumë të madhe të hollash, çka do të thotë se ishte radhitë si tregimi i dytë. Ky tregim pastaj u botua në përmbledhjen time të tregimeve “Shenja në lis”. Por më vonë vëmendja ime u përqendrua në kritikën letrare dhe studimin, të cilat u bënë preokupim kryesor,ani pse herë pas herë shkruaj edhe proza, kryesisht tregime. Kjo ndodhi rastësisht, pasi kisha shkruar dy apo tri recensione për librat e botuara redaktori i atëhershëm i kulturës me nxiti që të shkruaja edhe të tjerë. Madje redaktori i revistës se ilustruar “Zani i rinisë”,tani i ndjeri Ali Sutaj, me pati angazhuar ta mbaja rubrikën e rregullte të kritikës letrare në këtë revistë të ilustruar, dhe kështu kjo lëmi u bë preokupimi im kryesor, gjë që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite.

Në rolin e kritikut letrar ma thoni sa është objektive kritika sot dhe cili është roli i saj?

- Kam përshtypjen se kritika e sotme letrare, në pjesën më të madh të saj është shndërruarën kritikë që shkruhet më shumë për veprat e miqve dhe të shokëve dhe lavdërohen ato pa marrë parasysh se a kanë apo nuk kanë vlera artistike. Kjo e dëmton më të madhe letërsinë dhe nuk i bën nderë as autorëve për të cilat epen vlerësime të larta, sepse e mashtrojnë autorin dhe lexuesin. E roli i kritikës nuk është vetëm të lavdëroj por t’i hetojë dje theksojë edhe dobësitë e veprës letrare.

Kohëve të fundit po botohen libra të shumtë, a mendoni se ndër shtëpitë botuese  është futur komercializmi, dhe sa i dëmton vlerat e mirëfillta letrare kjo dukuri?

- Keni plotësisht të drejtë. Shtëpitë tona botuese pas luftës janë shndërruar në botues komercial, pra botojnë libra pa kurrfarë kriteresh. Me një fjalë sot libër boton ai që ka para, të cilat ua jep redaktorëve të botuesve dhe ata të thuash pa kurrfarë mundi e nxjerrin librin nga shtypi. Një dukuri e tillë e dëmton më të madh letërsinë e mirëfilltë, e dëmton krijimtarinë letrare në një anë dhe e irriton lexuesin në anën tjetër. Këtu duhet kërkuar mungesën e interesimit të lexueseve për libra, mungesën e kureshtjes për lexim, që është në nivelin më të ultë të mundshëm.

Me cilët krijues letrar të Kosovës Lindor njiheni dhe si është bashkëpunimi juaj me ta?

-Me shkrimtarët nga Kosova Lindore kam marrëdhënie të mira dhe vëllazërore, veçmas me ata që jetojnë në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë. Në mesin e tyre e kisha veçuar Jonuz Fetahajn me të cilin jo vetëm  bashkëpunojmë shkëlqyeshëm që disa vite , por edhe jemi shokë e miq  të mirë. Shoqërohem edhe me Mexhid  Mehmetin. Kam shkruar edhe për Nexhat Sadullahun, Dashnim Hebibin dhe për Bilall Maliqin.Më parë kam marrë pjesë në përgatitjen dhe botimin e përmbledhjes se poezive të Sadete Emerllahut- Presheva. Harrova të them se miku im i mirë ka qenë edhe Ramadan Rexhepin, me të cilin kemi punuar pak kohë në gazetën “Rilindja”.

Në cilësinë e kritikut letrar cili do të ishte mesazhi juaj për krijuesit e rinj?

- Mesazhi im për krijuesit e rinj do të ishte të lexojnë, të lexojnë dhe të lexojnë sa më shumë. Të lexojnë jo vetëm vepra të autorëve të njohur por edhe sosh të krijimtarisë popullore, nga e cila mësohet shpirti i popullit tonë, nga e cila letërsi mësohet gjuha. Se vetëm me lexim të vazhdueshëm zhvillohet shija estetike, kthjellohet ideja dhe shtohet frymëzimi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora