E premte, 29.03.2024, 02:33 AM (GMT)

Kulturë

At Zef Pllumi, Dorëshkrimi i fundit... “Saga e fmijnisë”

E marte, 31.03.2009, 06:05 PM


Nga Admirina Peçi

Në një fletore me kuadrata, me kapakë të kaltër, me kaligrafi të qartë e të bukur, gjenden shënimet e fundit që At Zef Pllumi la para se të ikte nga kjo jetë. Është një dorëshkrim i rrallë, me rrëfime fantastike që ai e ka quajtur “Saga e fmijnisë”. Një rrëfim që na përligj një shprehi të veçantë të pader Zefit, i cili shkruan në fletën e parë të dorëshkrimit: “Unë që jetova shumë shekuj...” Po si mund të jetonte ai në shumë shekuj? Ja çfarë shkruan në hyrje të këtij dorëshkrimi: “Lexuesi e kupton mirë se un nuk jetova as nji shekull të vetem. Vendi në të cilin linda, ngjarjet që jetova, rrethanat e ndryshme të globit toksor e të jetes sime, më suellën at fat ose at fatkeqsi – thuej ti si të duesh – që un të jetojshem realisht si epoken e gurit, ashtu qytetnimet parakristjane, kohët klasike, epoken Mesjetare e, po, shekullin e njizetë. Por nuk jam i knaqun nga të gjitha kto. Un kam aspirue gjithmon nji epokë tjeter t’ardhme për krejt njerzimin. Do të vijë ndonjiherë ajo? Un besoj”. Dorëshkrimi që po flasim, e për të cilin fare pak njerëz ishin në dijeni tashmë është bërë gati për botim dhe do të bjerë në duart e lexuesve pas pak ditësh me rastin e ditëlindjes së pader Zefit me 7 prill. Jo se data 7 prilli ishte ditëlindja e tij e vërtetë. Në fakt ajo datë ka një histori të veçantë, histori, të cilën bashkë me shumë detaje e rrëfime interesante rreth “Sagës...” do të na i rrëfejë studiuesja dhe mikesha e pader Zefit, Ledi Shamku Shkreli, e cila i ka përfunduar tashmë gatitjet për botimin e këtij dorëshkrimi.

“Saga e Fmijnisë”, dorëshkrimi i fundit që na la At Zef Pllumi është gati për botim. Ç’mund të na zbuloni nga ky dorëshkrim?
 
Është dorëshkrimi i mbramë që trashëgojmë prej At Zef Pllumit, dhe pikërisht se i tillë, ndoshta na mundëson më fort të kuptojmë thelbin e përbashkët të gjithë korpusit letrar të tij. Them korpusit, pasi padër Zefi shkroi njimend shumë brenda një kohe relativisht të shkurtë, madje shpesh qeshej duke thënë: “A din çfarë, padër? Nji shkrimtar thuejse e ka mbyllë karrierën e vet n’moshën gjashtëdhetepesë vjeç, e un e hapa nj’atëherë”. Duke u kthyer te ky botim, “Saga e fmijnisë”, po shpjegoj shkurtimisht verbin “saga”. Kjo fjalë është një huazim ndërkombëtar prej gjuhëve nordike, dhe përgjithësisht don të thotë “tregim”, por është përdorë rëndom si sinonim i fjalës legjendë. Në një kuptim më të saktë, quhen kallëzimet në prozë, të cilat i takojnë traditës gojore dhe përbëjnë pjesën më të hershme të epikës skandinave.
Pas këtij sqarimi, besoj se mund të rroket e plotë kuptimësia e titullit, pra edhe brendia e krejt veprës. Ndonëse në vështrim të parë ky libër ngjan si një tregim thjesht autobiografik, në të vërtetë padër Zefi nuk e sjell veten aspak si personazhin kryesor të këtyre fletëve. Vendi që i ka caktuar vetes në këto radhë është pakashumë si vendi që ka rapsodi teksa, i ulur përballë nesh, na kallëzon gojëdhana e ndodhì të motmotit. Njëlloj si lahutari, edhe padër Zefi zgjedh të shërbejë si shtegu që e mundëson historinë të vërshojë mes nesh, ashtu siç veproi edhe tek “Rrno për me tregue” apo “Françeskanët e mëdhaj”. Pa të tillë ndërmjetësa do ishim vërtet të vorfën në vetëdijen tonë kombëtare, pasi mes nesh dhe kësaj vetëdije janë ndërkallë vijimisht shumë ndeshtrasha, të cilat na i kanë shprishë kodet e brendshme të komunikimit. Flasim në thelb të njëjtën gjuhë me të parët tanë, ndoshta dhe të njejtat fjalë, por nuk mbërrijmë dot të kuptohemi; atëherë ndërmjetësì të tilla, sikundër janë shkrimet e padër Zefit, na ndihmojnë ta rekuperojmë përmasën trashendentale të vetëdijes sonë e të arnojmë sa mundemi atë që Pashko Gjeçi e pat quajtur “pëlhura e pamort”, e cila nuk është gjë tjetër përveçse thurja e së tashmes me të shkuarën. E që përbën atë truall të lëvizshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë të nesërmen tonë.
Kështu, me fjalë të tjera ky botim vjen edhe si një dokument, përveçse si një vepër letrare, i kundërt, ndonëse me të njejtin drejtim, me filmin pa zë. Këtu kemi të bëjmë me filmin pa figurë, veçse me një zë i cili nuk na prek vetëm shqisën e të dëgjuarit, por shumë më tepër se kaq. Padër Zefi është gjyshi, stërgjyshi, katragjyshi i mbërthyer në kodin tonë gjenetik. Ai na e sjell atë nga viti Njëmijë drejt e në vitin Dymijë. Kështu, me nji t’kërcitun gishtash!

Si ju ra në dorë ky dorëshkrim?

Për hir të së vërtetës ky shkrim, shumë më përpara se në dorë, më ra në vesh, ma pat thënë padër Zefi vetë. Kisha nevojë shpesh e më shpesh ta takoja atë njeri, po nuk di ta ndaj mirë (e mbase as nuk mund të ndahet) nëse kjo shtysë më vinte prejse merrem me albanologji, apo ngaqë ky frat i shtyrë në moshë dinte mirë me fashitë kërkesat e mendjes e të shpirtit. Kishte pothuajse për çdo dilemë nga një përgjigje të atillë që vështirë se gjendet sot tjetërkund. Kështu, një nga këto herë kur po prisja me marrë shpjegim prej tij për do kuptime të rralla fjalësh arbënore, ai befas ndërroi temë e tha: “O varza jeme, a po m’merr vesht se për nji kto që po m’pvetë jam tue shkrue nji monografi; e due me e quejtë Saga e fmijnisë. Ashtë saga e nji shkreliani, se ti e din që un jam Shkrelian, e? Po, n’mujtsha me e krye, nuk kam dishirë me e botue në gjallmeni teme”. Atypari nuk e kuptova fort ç’lidhje kishte fminija e padër Zefit me kuptimet e fjalëve për mua t’errëta, por biseda ndrroi shteg sërish e herët tjera që e takova nuk ma përmendi më.
Një ditë mbas do kohësh, s’bashku me Ardian Klosin e Brikena Çabejn, u nisëm për në Malsi t’Madhe me ngulmin për me gjetë se ku mund t’i preheshin eshtnat albanologut të madh, dom Nikoll Gazullit. Padër Zefi e dinte që atë ditë do shkoja në krahinë të Shkrelit, dinte edhe për çfarë po shkoja, ngaqë e kisha pyetë më parë në ia njihte ndeshtrashën e mbrame dom Nikollit; e siç thashë pak më lart, ai kishte gjithnji një përgjigje. Kur nisi me ra muzgu, ndërsa zbritshim prej Malsie, e mbajtëm frymën drejt e te qela e padër Zefit, në Kuvendin Françeskan të Arrës Madhe. Ai ishte aty. U ulëm e i thashë: “Padër, kam boll me t’tregue!”. I dëftova për luginën e Prronit Thatë, për Kishën e Shkrelit ku njimend prehej prej gjashtë dekadash dom Nikolli, për korijet që hapeshin njimbasnji deri në Fushë-Lugje ku gjendej Shpell’ e Priftit, për bisedat me malsorë tash të motnuem, dikur vocrrakë që dom Nikolli i mblidhte rreth votrës e ju mësonte shqip, histori e urtì.
“Ndigjoji tash padër malsorët e tu si kuvendojnë”, - i thashë duke i avitë një magnetofon doracak ku kisha regjistruar bisedat tonat me ta. Pashë si ju njomën sytë, ju përndez fytyra e zu të përsriste n’heshtje veç me lëvizje buzësh fjalët e malsorve. U ngrit vrik mandej e na tha: “Po kam dishirë me ju lexue Sagën e fmijnisë!”. Ja ku m’u shfaq sërish ky titull, e kësaj radhe jo më thjesht i shqiptuar, po i shkruar mbi një fletore me kapak të kaltër, nëpër fletët e të cilës padër Zefi mundohej me shkoqitë germat. A më saktë nuk mundohej asfare; kishte shend zëri i tij kur lexonte. Sot e gjithë ditën e kam ende në vesh atë lexim. Ndoshta përshkrimet e vendit dhe tingllima e t’folunit të gjindjes së vet që ndjeu atë natë, e morën me vete shpirtin e tij riosh, flurudhë nëpër bashtinat e korijet e vendlindjes, aty ku këmbët e pamujtuna nuk e çonin më prej vitesh. Kështu ai desht me e ndjekë s’paku me mend atë shtegtim, duke zgjedhë të na lexojë pjesë nga dorëshkrimi që kish nisë të shkruante.
Kur padër Zefi ndrroi jetë, mjerisht pa mundur ta përfundojë Sagën, At Viktor Demaj u kujdes t’ia daktilografonte dorëshkrimin aq sa ish. Dhe qe Padër Gazmend Tinaj, Provinciali i Françeskanëve, ai që ma besoi përgatitjen e veprës për botim. Tash po më duket sikur historia që sapo tregova nuk është veçse një zgjatim i Sagës.

Diku ne hyrje të dorëshkrimit At Zef Pllumi cilëson “Un që jetova shumë shekuj”. Çfarë donte të thoshte me këtë? Pse ky shënim?

Po e nis më mirë këtë përgjigje me vetë shënimin hyrës të autorit.
“Lexuesi e kupton mirë se un nuk jetova as nji shekull të vetem. Vendi në të cilin linda, ngjarjet që jetova, rrethanat e ndryshme të globit toksor e të jetes sime, më suellën at fat ose at fatkeqsi – thuej ti si të duesh – që un të jetojshem realisht si epoken e gurit, ashtu qytetnimet parakristjane, kohët klasike, epoken Mesjetare e, po, shekullin e njizetë. Por nuk jam i knaqun nga të gjitha kto. Un kam aspirue gjithmon nji epokë tjeter t’ardhme për krejt njerzimin.
Do të vijë ndonjiherë ajo? Un besoj.”.
Është shumë e vështirë për t’u thënë me pak rreshta pse-ja që ju kërkoni. Libri është fort i shkurtë e mund të lexohet brenda ditës. Është më mirë ta lexoni aty. Askush më natyrshëm se padër Zefi nuk fliste me të njejtin seriozitet e preokupacion si për drangojt e për kulçedrat ashtu edhe për internetin e celularin. Për të këto gjëra nuk përbënin asnjë diferencë thelbësore.

Dorëshkrimi përfundon me një kaligrafi tjetër, që dëshmon se kjo pjesë nuk është shkruajtur prej tij. E ka ndihmuar dikush?
 
Po, ashtu është. Në të vërtetë bëhet fjalë për fletët e fundit, të cilat janë shkruar nga një dorë jo fort e sigurtë sa i përket regjistrit gjuhësor. Është pjesa kur At Zef Pllumi ligështohet edhe më, sa nuk mundet as të shkruajë, dhe provon ta vazhdojë rrëfimin e tij nëpërmjet diktimit. Por janë shumë pak fletë. Ishte gjithnji e më rrallë në gjendje për punë. Saga mbetet e papërfunduar. Nuk mund ta dijmë dot sa e gjatë do t’kish qenë ajo, as se ç’kumte të mëtejshme do t’na përcillte. Dijmë vetëm që padër Zefi, kushedi përse, nuk donte ta botonte Sagën sa qe gjallë.

Pse del pikërisht tani ky botim?

Sepse pas pak ditësh është 85-vjetori i lindjes së tij. Më 7 Prill. Është një datë kurioze kjo, dhe padër Zefin e zbaviste mjaft të treguarit e “ditës” së tij të lindjes. Shtatë Prilli qe ditëlindja që i “ngjitën” hetuesit e burgut të parë. Pa përfillur të dëgjonin prej tij se kur kish lindur, e plotësuan me kokë të vet skedën personale, duke i thënë: “Ty të shkon kjo datë se i ke shërbyer fashizmit”. Padër Zefi e mbajti këtë datë edhe më vonë. E mbajti si shenjë e sensit të tij të humorit, karakteristik ky tipar për te.
E fundja, tani që e mendoj, për ne bëri mirë që nuk e ndërroi. 7 Prilli s’do të na kujtojë vetëm humbjen e lirisë me Tridhjetenëntën, por edhe lindjen e nji t’madhi Frat të Vogël, At Zef Pllumit.

Ky dorëshkrim i fundit paraqet një tjetër atmosferë gjuhësore nga ajo që tashmë lexuesi njeh nga padër Zefi. Çfarë ndikimesh ka në të?

Po, është e vërtetë. Në këtë vepër haset një shqipe pak më ndryshe nga ajo që lexuesi ka shijuar fjala vjen tek “Rrno për me tregue”. Sintaksa paraqitet po ajo, por në linearitetin e saj mbërthehen natyrshëm e me vetëdije mjete kumtuese që burojnë prej një trualli specifik, me jeh historik, i cili sot duket se ka filluar të mehet prej braktisjes masive të maleve nga banorët e lashtë të tyre. Pra ndryshon gjuha e kësaj vepre fillimisht për nga leksiku, dhe kjo është mëse e kuptueshme po të kemi parasysh parimin “les mots et le choses”. Përditshmënia e jetës së maleve kërkon ligjërimin e vet, dhe padër Zefi len t’i burojë vetiu ky arketip gjuhësor. Mirëpo fjalët nuk janë vetëm përmbajtje, ato janë edhe formë. Këto leksema të arketipit mvishen me morfema nga po ky arketip skajesh gjuhësore e historike, dhe kështu vetë konteksti i kësaj vepre, i ndryshëm nga të tjerat, sjell me vete edhe një tjetër atmosferë gjuhësore nga ç’jemi mësuar të përftojmë deri më tash prej autorit.
Gjithsesi kjo është një qasje teknike, dhënë përmes parimeve të gjuhësisë kontekstuale, për të cilën nuk lypet ta kesh njohur nga afër shkruesin. Por gjej me vend të shtoj këtu edhe një përshtypje që ka të bëjë me vitin e fundit të jetës së At Zef Pllumit. Përshtypja është se ai n’ato momente të vështira të ekzistencës së vet dukej shumë i dhënë mbas personalitetit të albanistit Shtjefën Gjeçov, madje mund të them se Pllumi po përjetonte një pasion të vërtetë ndaj Gjeçovit. Ndër planet e tij atë kohë ishte botimi i pionierit të arkeologjisë sonë, e për këtë më nxiti të bëj një kërkim në Institut të Kulturës Popullore. Qe ajo periudhë kur padër Zefi mbante mbi komodinë një libër të von Hahnit dhuruar Gjeçovit me kushtesë, madje një herë më pat thanë se në rasë të botimit të jetëshkrimit të Gjeçovit, donte t’i bënte një parathënie të posaçme, të cilën mjerisht nuk mbërriti ta shkruajë. Në këtë kontekst nuk duket e beftë që ligjërimi i Sagës përkon në masë të madhe me ligjërimin e Gjeçovit tek “Agimi i Gjytetnisë”. E dukej se me këtë stil shkrimor, padër Zefi në t’mbrame të ditëve të tij po përmbyllte një rreth të ri të një qarku të vjetër letrar me qendër në Shkodër. Apo mbase një rreth të vjetër! Kush mund ta dijë këtë sot?! Shtigjet për tek gjuha shqipe janë infinite.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora