E premte, 26.04.2024, 10:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Një varg i vogël koincidencash

E shtune, 31.01.2009, 04:36 PM


Suzana Kuqi

Një varg i vogël koincidencash

Kam gjetur këtë paketë në rrugë, - kolegja m'a zgjati sapo hyra në garderobën e punës. Me mua kishin hyrë edhe dy kolege të tjera. Fiksova e çuditur një çast paketën e hapur te cigareve aq sa më ra në mend se ajo nuk pinte cigare, por ky çast mjaftoi që një nga koleget që hyri me mua zgjati dorën, e rrëmbeu dhe ja zgjati koleges së tretë duke e shoqëruar me fjalët:
 
- Edhe kjo e pin duhanin.
E ndoqa me sy paketën që më kish fluturuar nga duart, sigurisht me pak keqardhje. Nuk ndodh shpesh të të falin diçka e aq me tepër një paketë cigaresh. Gjate ditës në vazhdim, kur më kujtohej ky fragment i shkurtër, inatosesha me veten jo për faktin se kisha humbur një paketë, por me ngathtësinë time, atë tendencë për të menduar e që bënte që të tjerët të mi merrnin gjërat nga duart. Pak nga pak inati me veten më kaloi por ngjarja më la një shije paksa të hidhur... nuk është normale që dikush të të falë një paketë cigaresh e pastaj... një parandjenjë jo e këndëshme ngrinte krye. Ai send nuk më ndillte asgjë të mirë...
 
- o -
 
Ky mendim ngriti krye në mbrëmje para se të flija, kur trurin si një flesh m'a përshkoi kujtimi i atij çasti, kur paketa më kaloi para duarve dhe nuk pata mundësi as t'a prekja. Fytyrat e kolegeve të mia që për një çast më ishin shfaqur antipatike, çudi se si ndryshojnë simpatitë e antipatitë brenda ditës, mjafton një xhest fare i vogël. Befas i imagjinova të trishtuara. Ishte xhesti i tyre apo diçka tjetër që mi ngjyroste kështu? Apo ajo ndjesi hakmarrjeje që të ngrihet padashur nga skutat e errëta të qenjes sa herë të bëhet diçka e padrejtë? Një paketë cigaresh, nuk ja vlente të të shkaktonte këtë ndjesi, e largova shpejt këtë mendim. Madje më erdhi për të qeshur kur fillova t'a shikoja në një këndvështrim tjetër, atë të spektatores. Ha ha ha, vërtet për të qeshur, ç'figurë komike që kam bërë... Fillova të qeshja me veten por ajo ndjesi e pakëndëshme nuk më lëshoi. Ishin cigaret. Cigarja, ngado që ta rrotulloja nuk më ndillte asgjë të mirë. Edhe në ëndrra kur e sheh, është simbol i problemeve, i halleve i dhimbjes. A nuk të ofrojne cigare në morte... A nuk ndjen dëshirën të ndezësh një cigare më shumë kur ke një problem... E po pastaj... Gjëra koti, mendova tek u ktheva në anën tjetër. Duhani veç të dëmton shëndetin e aq. E dimë mirë edhe ne që tymosim... por tymosim. Nuk është kjo, është diçka tjetër... që i ka rrënjët më të thella, ose të dyja bashkë... Sa herë më porosiste gjyshja të mos i merrja sendet që gjeja në rrugë, as nuk duhej t'i prekja, edhe po të ishin para. Më thosh se nëse gjen dy qindarka do të humbasësh dhjetëfishin. Se mos vetëm gjyshja ime, edhe shoqeve të mia të fëmijërisë ua kishin rrënjosur këtë mendim, edhe se kur gjenim diçka nuk e linim, fundja dikush do ta merrte atë qindarkë apo atë send të humbur rrugës... ishte budallallëk t'a lije aty, ose do të të quanin budallaqe. Mua në fakt nuk më kish rastisur, ndonjë shoqes sime po, dhe kish këmbëngulur se punët i kishin ardhur në atë mënyrë, sa kish humbur nga ana tjetër disa herë vlerën e asaj që kish gjetur. Qeshnim, nuk e besonim, fundja kujt i rrihej për këto vogëlsira... e fundja kush mund ti besonte...
 
- o -

Ishte diçka tjetër që këmbëngulte të dilte nga cepi i harresës, aty ku hedhim gjëra të dëgjuara një herë, që na duken të pavlera. Ishte një rrëfim i një shoqes sime. Nuk i kisha dhënë rëndësi as atëhere, fundja dhe ajo e kish të turbullt, kish ndodhur kur kish qenë e vogël.Kish patur nënën sëmurë, aq semurë sa nuk ngrihej nga shtrati. Ishte paralizuar. Mjekët nuk kishin gjetur shkakun e sëmundjes e si rrjedhojë nuk dinin se si ta kuronin. I ati i dëshpëruar, dy fëmijë të vegjël e të shoqen për t'u kujdesur pas punës. Përveç mjekëve më të mirë kish filluar të kërkonte rrugë të tjera për të dalë nga dëshpërimi. Plakë pas plake që i merrte t'i këndonin e t'i shkruanin nuska, hoxhallarë të zhveshur nga xhybja që punonin në fushë, priftërinj që i kishin mbijetuar rrënimit të kishave... shkurt kujtdo që sipas mendjes së tij e këshillave të plakave të fisit mund t'a ndihmonte gruan e tij të sëmurë... Pas një viti të tillë, kish ardhur një grua e ish mbyllur në dhomë me të shoqen. Kish ndenjur një copë herë atje. Kur kish dale nga dhoma, për habinë e të gjithëve, pas saj ishte shfaqur gruaja e sëmurë tek ecte me këmbë të dridhura. Ishte ngritur më këmbë, nuk ish më e paralizuar dhe... unë e kisha njohur tek gëzonte shëndet të plotë. Gruaja e huaj u kish zgjatur fëmijëve një bohçe të vogël. - Sapo të zbardhë nesër, do të dilni në kryqëzim të rrugës. Do hapni këtë bohçe e do t'i hidhni sendet në rrugë pa i prekur e pastaj do të largoheni me vrap e do të ktheheni në shtëpi!- u kish thënë ajo me ton urdhërues. - Dhe kështu bëmë,- më kish rrëfyer shoqja ime, - dolëm me vëllain në pikë të mëngjesit në kruqëzimin e rrugëve, hapëm bohçen dhe e shkundëm. Sendet ranë në rrugë. Nuk i mbaj mend të gjitha sa ishin aty, por më kujtohet se kish monedha që kërcitën kur prekën kalldrëmin e më duket se ish edhe një cigare... Ikëm me vrap, sa më shpejt që mundem, të trembur nga muzika dhe zëra njerëzish që këndonin të cilat u ngritën befas nga ai vend...
 
- o -

Vërtet për të qeshur, mendova tek kujtova këtë rrëfim me pëshpërimë të asaj vajze të vogël që kish qenë e dashur për mua. Kish marrë guximin të më tregonte diçka që i ishte ndaluar t'a tregonte. Dhe ajo... më thuani një vajzë të vogël pa shkelur ende kufirin e adoleshencës, që nuk i shpraset në mirëbesim shoqes së saj, me këmbënguljen fëminore se thoshte të vërtetën e duhej t'a besoja. Dhe unë... vajza tjetër e vogël, aspak e intriguar nga ky tregim, asgjë interesante, përrallat që lexoja ishin më të bukura... aty ishte një princeshë, një princ, një vajzë e vogël si hirushja, magjistarë të këqij e zana të mira... por ishin përralla... edhe kur doje t'i besoje, e të ndërtoje mbretërinë tënde në shtëpi, duke mbledhur tërë ato sende e mrrokulla, një kukull e vije si mbretëreshë, një tjeter si princeshë, sajoje një me leckë dhe e bëje të shëmtuar si shtrigë... e kur ishe në kulmin e lojës e filloje t'i besoje përrallës, të vinte ndonjë shuplakë nga nëna për rrëmujën e shkaktuar... E bukur dhe kjo, ajo shuplakë të hiqte dëshirën për të besuar përrallën sado e bukur që të ishte, shuplaka ishte realitet. Imagjino të besoja atë të shoqes sime... Nuk e kisha besuar atëhere, e nuk mund ta besoja edhe tani...

- o -
 
Ditët në vazhdim, asgjë për tu shënuar. Punë shtëpi, gjëra të zakonshme. Dikush që tregonte se kish njohur një djalë, dikush që ish grindur me të dashurin apo të shoqin, dikush që kish kaluar një mbrëmje të bukur ditëlindjeje, ndonjë mama si puna ime që tregonte duke qeshur gëzimet e brengat e vajzës së dashuruar apo revoltat ndaj të dashurave e të fejuarave të djemve që nuk qëllojnë asnjëherë tamam ashtu siç duhen... Një fustan i ri, një bluzë e re, një recetë gatimi e të tjera muhabete të zakonshme grash... Derisa një mëngjes, Neli, kolegja që më kish zgjatur paketën telefonoi :
-Nuk arrij dot në orar sepse kam bërë aksident me makinë e pres policinë rrugore për verifikim.
- A je mirë? Pësove gjë?- e pyeti e preokupuar infermierja që kish kapur telefonin.
- Unë jam mirë... makina është dëmtuar...- ish përgjigjur Neli.
Filluam punën me një turn mangut pasi diskutuam gjërë e gjatë për hallin që e kish gjetur. Mirë që kish shpëtuar vetë, por makina don para për t'u riparuar e Neli... nuk është se është mirë ekonomikisht. Ka dhe një vajzë të sëmurë që e çon një herë në dy javë në një qytet tjetër për të ndjekur një kurë të specializuar... Dhe paketën e cigareve, kish thënë ajo, e kish gjetur në oborrin e atij spitali...Ky mendim më befasoi, por nuk e shfaqa sepse zemra m'u ngushtua kur shihja fytyrat e dy kolegeve të tjera . E mangut, i thashë vetes, është veç një koincidencë e aq, nuk duhet të helmosh veten me këto mendime.

- o -

Koincidencë, një fjalë goje.Nuk kaloi një javë, tek dilnim nga puna dhe admironim vajzën e bukur të Xhildës që po kalonte rrugën me qenin e saj, të madh e të zi sa një ari, një makinë ja behu nga kthesa me shpejtësi. Vajza kish ardhur për të marrë të ëmën nga puna. Rrezet e diellit në perëndim që binin mbi xhamin e makinës verbuan gruan në timon. Koha u ngadalësua, të shtangura pame se si makina... Papritmas mbretëroi një qetësi shurdhuese e cila u ndërpre nga zhurma që bëri trupi i vajzës dhe i qenit kur u përplasën mbi asfalt. Fill pas kësaj ulërimat. Dikush lajmëroi dhe autoambulanca ishte aty pas disa mintash. Mjeku me këmishë të bardhë dhe dy djem të rinj me uniforma ngjyrë portokalli ngarkuan trupin e vajzës mbi barelë. Qeni u ngrit dhe iku duke çaluar. Për fat vajza shpëtoi, disa vertebra dhe legeni pak i spostuar, disa muaj në trajtim por pasojat do t'i mbeten për një kohë të gjatë. Qeni që kish shkuar drejt e në shtëpi, u kish skërmitur dhëmbët të zotërve. Kafsha e shkretë, nuk kuptonte se nga i kish ardhur e keqja, nuk i afrohej më vajzës, e mendonte shkaktare të vuajtjes së saj. Ec e thuaji koincidencë, kështu mund të quajmë gjërat e bukura që na ndodhin, të këqiat nuk marrin më këtë emër, ato marrin emrin fatalitet e mundohemi duke sforcuar trurin të gjejmë shkakun, e nëse nuk e gjejmë, t'a shpikim atë, ashtu si unë që lodh trurin e torturoj veten duke i ardhur rrotull saj pakete cigaresh të gjetur rastësisht nga një grua nevojtare dhe e lodhur nga problemet e jetës.

- o -

Do t'a kisha lënë këtu këtë arësyetim, por jo. Kishte mbetur edhe një. Për t'u vërtetuar ideja ime, mungonte edhe një. Mendimi ishte aq torturues dhe këmbëngulës, sa shpesh mendoja se mos ndoshta... ishte ai që i shkaktonte dhe i tërhiqte këto të këqia. U mundova të mos mendoja më për të gjitha këto, kur... një ditë duke parë listën e turneve pashë se kolegja e tretë i kish fshire turnet e tjera në vazhdim dhe ishte zëvëndësuar nga koleget e tjera. - Cfarë i ka ndodhur?- pyeta e alarmuar. - Ka babanë sëmurë, i është gjetur një tumor në... Nuk dëgjova më, e dija se ç'lidhje speciale kish ajo vajzë me të atin, nuk besoja se ndonjë gjë tjetër mund ta kish lënduar më shumë. Për fat, i ati u operua dhe e kaloi rrezikun. Koleges sime ju shfaq buzëqeshja, e unë gëzohesha tek e shihja ashtu siç isha mësuar t'a shikoja përherë, të qeshur, plot jetë e të mbushur me shaka e anektoda. Ishte e treta, këtu duhej të mbaronte edhe rrethi i paketës. Nuk ja shfaqa askujt mendimet e mia të trishta, do të më merrnin për të shkarë nga trutë, siç i marrim zakonisht njerëz që shprehin gjëra të tilla. Askush nuk i shpreh këto në ambjente pune, ndoshta në një rreth të ngushtë konfidencial, por ambjenti i punës nuk mund të jetë kurrë i tillë. Ditët e punës në një azil pleqsh kalojnë ashtu siç mund të kalojnë atje, në dukje të njëjta, por asnjëra nuk është e njëjtë me tjetrën edhe përsa i përket punës. Mendje, ndën morsën e plakjes e të sëmundjeve të pleqërisë e të alzheimerit, nuk mund të parashikohen. Edhe vdekjet. Nganjëherë kosa e saj pret ato fille jete që nuk të duken se e kanë arritur fundin. Pas një rasti të tillë, tek hyja të merrja turnin, dëgjoj Nelin që thoshte se e ndjente ende prezencën e shpirtit të plakës së ndjerë korridoreve të azilit. Dikush qeshi, dikush e mori më seriozisht. Bëra sikur nuk e dëgova, një tjetër dyshim për kolegen time, atë të paketës së cigareve, nuk ja kisha harruar. Kur rastisja që ishim në një turn, rrija me veshë ngritur në përgjim. Fytyra e saj e zeshkët, tiparet që ruajnë me besnikëri karakteristikat e inkasve të Perusë, mori një ngjyrë tjetër në mendjen time, atë të dyshimit. Ishte e rezervuar, e shkolluar, tepër inteligjente, por gjithsesi e rezervuar. U mundova të krijoja ndonjë konfidencë më shumë me të, ideja se ndjente shpirtrat e të vdekurve më intrigonte, por ajo më rrinte larg. Por sado larg, në punë nuk mund të rrish aq sa të mos i dëgjosh dialogjet e kolegeve. E një mëngjes:
- I
shikove letrat e mia mbrëmë?- e pyeti me zë të ulët një vajzë e re që kishte për të dhënë një provim shkolle ato ditë.
- Jo. Mbrëmë piva një gotë vere, e kur pi nuk mund të shoh letrat,- ja ktheu Neli.
Kalova pranë tyre pa u dhënë të kuptojnë se e kisha dëgjuar bisedën. Kur mbaruam turnin ju afrova vajzës.
-Sheh letra Neli?- e pyeta pa të keq.
- Disave po.
- E ti, u beson letrave të saj?- vazhdova po me të qeshur.
- Po. Të gjitha ato që i kanë parë letrat tek ajo. Maries ja pa divorcin disa muaj përpara.
- Mos ja këput kot,- qesha këtë rradhë me të vërtetë.
- Pyet Marien. Ajo donte ti shikonte letrat për një problem tjetër, e i doli divorci. Besomë, Neli është shumë e zonja për të parë letrat e din të spjegojë edhe ëndrrat,- vajza hipi në makinë duke më përshëndetur e unë mbeta më këmbë duke bluar ato që kisha dëgjuar. Përpara syve të mij, Neli që më zgjaste paketën , Xhilda që ja kishte rrëmbyer nga duart dhe Mariana që e kishte marrë duke qeshur... Nëse janë të vërteta këto që dëgjova... ato që mendoj... nëse ajo i beson këto gjëra... a mund të jetë në gjëndje edhe t'i bëjë... akoma më keq, të ketë dashur të m'i bëjë mua...
 
- o -

- Përse Neli?- i them me ton qortues kur më në fund e gjeta rastin një ditë që po e gjëmoja ta gjeja vetëm. Ishte një bisedë që nuk kish kuptim dhe nuk mund ta bëja në prani të të tjerave.
- Përse çfarë?- ma ktheu ajo duke ju shmangur shikimit tim.
- Përse e prure atë paketë?
- Nuk e di se për çfarë po flet,- ma ktheu ajo e irrituar.
- Ashtu? Atëhere le ta fillojme nga fillimi, por jo këtu. Në fund të turnit kur të jemi të gjitha e le ta dëgjojnë.
- Po flet budallallëqe!
- Ndoshta, të tjerat nuk do ti quajnë budallallëqe, aq më pak Xhilda dhe Mariana. E ke idenë se me ç'sy do të të shohin pas kësaj edhe sikur ti të mos kesh... Madje nuk do të duan të të shohin për fare.
Neli ju afrua kokëulur dritares dhe u ul po në
atë karrike ku qe ulur muaj më parë e më zgjaste paketën.
- E pashë aty përdhe dhe e mora. Edhe se nuk e pi duhanin. E di, gjyshja e nëna ime më kanë thënë një mijë herë se nuk duhen marrë sendet që gjenden në rrugë. Por nuk e mendova atë çast. E nuk do të më kishte rënë mendja në të. E kisha harruar në çantë. Dy minuta përpara se ju të hynit këtu, fola me vajzën në telefon. Në vend të përmirësimit që ka zakonisht nga kura, ishte përkeqësuar, mezi fliste e nuk mbushej me frymë. Po të mos merrja vesh nga këto gjëra, nuk do ta kisha bërë lidhjen me paketën. Por unë... nëna dhe gjyshja ime janë... nuk e di se mund ti quash ti, shohin letra, shpjegojnë ëndrra, flasin me shpirtëra... Eshtë një dhunti që është trashëguar brez pas brezi, nga nëna tek bija në familjen time. Për çudi unë nuk e kam trashëguar, të paktën kështu mendoja sepse tani...
- Tani çfarë?
- Tani bëj ëndrra të çuditëshme, babanë e vdekur e njerëz të tjerë që nuk janë më në këtë botë... E di, nuk mund ta marrësh me mend se sa keq ndjehem... të vdekurit kur më flasin në ëndërr nuk më shikojnë në sy, i mbajnë sytë përdhe ose në një drejtim tjetër...Herën e parë ishte babai që më urdhëroi të dërgoja urgjentisht një shumë parash në shtëpi sepse duheshin. Një ëndërr e aq, mendova, ëndrra më ndoqi gjithë ditën derisa në mbrëmje më telefonoi motra që ndodhet në Peru e më tha se e kishte të birin shumë sëmurë e i duheshin para për të paguar operacionin. Ishte e njëjtë me shumën që më tha babai në ëndërr. I dërgova. Pastaj fillova të shihja letrat, të...
- Përse mua, Neli?
- Nuk e bëra me qëllim. Ideja se ime bijë ndjehej shumë keq... ishe ti e para që hyre
- Nuk ishte e drejtë, e ngrite ti atë paketë, gabimi...
- Ishte i imi. Por më thuaj, cila
nënë nuk do ta bente. Ty të ruajti fati, a engjëlli a Zoti...
- Po të tjerat?
Ajo nuk ktheu përgjigje e unë hasa shikimin e saj të përlotur.
- Si e ke kuptuar?- pyeti ajo.
Unë? Nuk i ktheva përgjigje, dola. Vërtet unë si e kisha kuptuar? Desha t'i thoja se nuk kisha kuptuar asgjë as atëhere e aq më pak kuptoj tani. Kish qenë thjesht një intuitë mbrojtëse nga fjalët “e gjeta”, apo vërtet fati më kish kursyer? Apo...ai rrëfimi i shoqes sime të fëmijërisë... Të gjitha bashkë, të gjitha dhe asgje... Fillon e i mbledh mendimet një e nga një, si lule të vyshkura e të thara, për të formuar një mozaik në pëllëmbë të dorës, e kur e hap... fluturojnë të gjitha si një grusht mizash e përfundon që nuk beson më asgjë. Si tani që kur e kujtoj, më duken të pabesueshme e jo reale, madje edhe për të qeshur. Koincidenca, të mbledhura, të shpikura për të krijuar një ide për mbinormalen, që e kërkojmë kur na bjen ndonjë hall, për t'i veshur petkun e fajit...Jo, tani them se nuk besoj asgjë nga këto, edhe pse i shmangem Nelit korridoreve të azilit e mundohem të ndërroj turnin sa herë që më qëllon të punoj vetëm për vetëm me të... 
 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora