E premte, 26.04.2024, 11:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Frank Shkreli: Poezia e parë ndër shqiptarë kushtuar Nënë Terezës

E marte, 22.08.2023, 07:59 PM


POETI JAKUP CERAJA PËR NËNË TEREZËN

Poezia e parë ndër shqiptarë kushtuar Nënë Terezës

Nga Frank Shkreli

Sari bardheblu i Nënë Terezës, petku i Nënë Terezës dhe i Motrave Misionare të Dashurisë, është simbol i paqës, i bamirësisë, i thjeshtësisë në të gjithë botën. Kryqi, i qepur në shpatullën e majtë, simbolizon Jezusin në kryq si çelsi i zemrës së Misionareve të Dashurisë. Ngjyra e bardhë e sarit është simbol i së vërtetës dhe i pastërtisë, tre shiritat blu simbolizojnë tre kushtet e jetës rregulltare: varfërinë, bindjen dhe çiltërsinë e shërbimit të sinqertë, falas, për më të varfërit, kështu shpjegon faqja e internetit të Kongregatës së Motrave Misionare të Bamirësisë origjinën e veshjes rregulltare të Nënë Terezës dhe motrave të saja, thuhet në një njoftim të Radio Vatikanit, ndërsa thekson se ishte 17 gushti i vitit 1948 -- 75-vjet më parë -- kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu me vijën e blu anash petkut të dallueshëm të nj? jete t? re rregulltare, për të hyrë në botën e të varfërve.

Arsyen se pse Nënë Tereza kishte zgjedhur të veshte pikërisht këtë uniformë,e shpjegon motra Gertrude e "Misionarëve të Bamirësisë” të urdhërit të nenë Terezës:  “Nëna jonë Tereze”, kujton motra Getrude – “zgjodhi veshjen e saj dhe të motrave të saj ngjyrat bardhë e blu, sepse ngjyra e bardhë është simbol i pastrisë dhe i së vërtetës, ndërsa tre shiritat blu, simbolizojnë tre kushtet, që bëjnë rregulltaret: kushtin e varfërisë, të pastrisë, të dëgjesës”.  Për më tepër, ka shspjeguar ajo, Nenë tereza e zgjodhi këtë veshje 75-vite më parë, për t’u ngjarë grave që fshinin rrugët e që mbanin sari të ngjashme dhe përshtatshme edhe për klimën dhe atmosferën e varfërisë në Kalkutë.

Siç dihet tanimë, Shën Nënë Tereza është bërë një simbol universal, një figurë e dashur jo vetëm për besimtarët, por edhe për jobesimtarët dhe besimtarët e feve të ndryshme, anë e mbanë botës, sidomos në radhët e shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Është vështirë të thuhet numri i saktë, por dihet se për Nenë Terezën -- fituesën e Çmimit Nobel dhe dekoratave të tjera ndërkombëtare, anë e mbanë botës -- janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj, filma dhe dokumentarë të llojllojshëm, në gjuhët kryesore të botës.

Unë nuk isha në dijeni të ndonjë poezie kushtuar Nenë Terezës, as në nivel kombëtar as ndërkombëtar, megjithse mund të ketë të tilla poezi në gjuhë të ndryshme – por ndërkohë, rastësisht ndesha në një poezi të poetit, shkrimtarit dhe atdhetarit nga Kosova, të ndjerit Jakup Ceraja – Poeti i sfidave të përherëshme dhe i atdhedashurisë -- botuar me 18 gusht të vitit 1984, në revistën Drita, organ i Ipeshkvisë së Kosovës, dedikuar Nënë Terezës. Siç duket, i emocionuar dhe i frymëzuar shumë nga jeta e murgeshës shqiptare, poeti Jakup Ceraja ka përpiluar vjershën, e rrallë edhe për nga subjekti, me titull, thjeshtë: Nënë Tereza. Po e sjell për lexuesin e interesuar në këtë 75-vjetor të 17 gushtit të vitit 1948 -- kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu – petkun identifikues të saj dhe të motrave të Urdhrit fetar, themeluar prej saj.

“Nënë Tereza”

Nga Jakup Ceraja

Është një kengë e re shqiptare

që peshohet në një fjalë të madhe

e kënga quhet Nënë me germa të mëdha,

është një fjalë e vjetër shqiptare

që peshohet vetëm me këngë të madhe

e fjala quhet Nënë me germa të arta.

Nënë Terezë, o bijë e këtij trolli dëshmorësh

a matet largësia mes meje e Teje

nga këtu e në Indi

me kilometra e mile

kur me dashurinë e zemrës sate

thuret vargu im i ri

e me hirësinë e asaj fytyre

vargun vërtetë e bëj poezi

për njeriun, jo vetëm me emër

që beson në të vërtetën,

e kush beson në të vërtetën

beson në Dritë të patjetërsuashme

beson në ardhmëri të amshuashme,

ndaj dhe vargu për ty rrodhi vetë,

ndaj dhe kënga për ty s’mban ofshamë.

Ti Nëna jonë e madhe me dafinë në dorë,

vërtetë s’ke pushtet me polici e ushtri,

s’ke as banka me dollarë as arka me ar,

por atë që ke Ti në të gjakut damarë,

në gjuhën paqëtore e në sytë ngushëllues

nuk e ka asnjë pushtet i botës moderne

me ushtri e polici e teknollogji

se forca jote ushqehet prej Hyut

dhe i shërben njeriut që edhe buka i mungon.

Nënë Terezë, o Gonxhe e këtij populli të lashtë,

Ti motër me nënën time të ndjerë,

e cila kurrë nuk vuajti nga fanatizmi

pse e kuptoi me kohë ndasinë tragjike të njerëzve,

kishte dashuri më shumë se qumësht në gjinj

dhe me qumësht e dashuri më rriti mua

e u bëra njeri, më parë se poet,

-sa mirë,

dashurisë së saj sot i dhe krah Ti –

Ti që hyre e devotshme në çdo shtëpi!  --

Nga Jakup Ceraja (18 gusht 1984)

Në një tubim para disa viteve, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 13-vjetorit të kalimit në amshim të poetit Jakup Ceraja kishin marrë pjesë edhe një numër personalitetetesh kulturore e politike të Kosovës, si veprimtarët e çeshtjes kombëtare,  Adem Demaçi dhe Dom Lush Gjergji, në përurimin e një pllake përkujtimore kushtuara poetit Jakup Cernaja në fshatin e tij të lindjes, Cerajë, të komunës së Mitrovicës, aty ku poeti ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.  Dom Lushi, siç dihet është biografi zyrtar i jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënë Terezës – me dhjetra libra e qindra artikuj – me atë rast, shpjegoi historinë e kësaj poezie të Jakup Cerajës, kushtuar Nënë Terezës.  Duke vlerësuar shumë punën, veprat dhe figurën e poetit Jakup Ceraja, veprimtari i çeshtjes kombëtare dhe kleriku i lartë i Kosovës, në atë tubim, ka shprehur respektin e madh që ai ruante për Jakup Cerajën. Duke thenë se vjersha e poetit Jakup Ceraja ishte e para poezi shkruar në Kosovë, kushtuar Nënë Terezës dhe shpjegoi pak histori në lidhje me këtë: “Dikur moti më erdhi një zarf nga Mitrovica dhe kur e hapa, vërejta një vjershë kushtuar Nënës Tereze, shkruar nga poeti Jakup Ceraja. Ishte poeti i parë këtu ndër ne në Kosovë që kishte shkruar një poezi për Nënën Tereze. Ai ka shkruar me përkushtim dhe në shkrimet e tija ka vetëm vlera të mirëfillta. Tani kur erdha për herë të parë këtu në fshatin e Jakupit, kuptova pse shkrimet dhe poezitë e tij ishin me aq domethënie e kuptim dhe kishin kaq shumë vlerë”, ka thënë, ndër të tjera, Dom Lush Gjegji, në lidhje me poezinë e parë ndër shqiptarë, kushtuar Nënë Terezës, të poetit Jakup Ceraja nga Mitrovica e Dardanisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora