E marte, 16.04.2024, 01:05 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Nënë Pashakoja dhe nënë Pashkja e Gjakovës

E hene, 07.08.2023, 07:58 PM


NËNË PASHAKOJA DHE NËNË PASHKJA E GJAKOVËS

NGA NDUE DEDAJ

Dy nëna të lirisë!... E para u bë e njohur gjërësisht përmes filmit “Yjet e netëve të gjata”, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, ndërsa ende rronte, kurse tjetra vetëm pak kohë më parë, për shkak të një incidenti që ndodhi me “varrin” e saj!... Dy gra me fate të njëjta, nga dy treva të përmendura, Korça dhe Gjakova, tragjeditë e të cilave kishin rreth gjashtëdhjetë vjet në mes, nga lufta në luftë. Tre djemtë e Nënë Pashakos nga Pirgu i Korçës, Tafili, Mehdiu e Dajlani, ranë dëshmorë më 1942 në Luftën e Dytë Botërore, pas luftimeve të ashpra me pushtuesit italianë në Grabovicë etj., kurse dy djemtë e Nënë Pashke Markut, Gjovalini dhe Milani, u vranë në masakrën serbe të Mejës, Gjakovë, më 27 prill 1999, nga më të pashembullat në historinë e shqiptarëve, me 374 martirë.

Nënë Pashakoja u “mbart” nga Korça për në mediumin kombëtar nga shkrimtari Dritëro Agolli e regjisori Viktor Gjika, mishëruar në figurën artistike që krijoi aktorja e shquar Tinka Kurti, pasi kishte qendruar disa kohë në shtëpinë e saj. Aq e pazëvendësueshme ishte Nënë Pashakoja, sa dhe në film si personazh ajo del me emrin e saj të vërtetë.

Kurse Nënë Pashke Marku e Gjakovës, mbase nuk do të dilte nga heshtja biblike, nëse guri obelisk i saj nuk do të hiqej nga toka private e dikujt dhe të hidhej në rrugë, një veprim që shkaktoi reagim të fortë publik, sidomos në Kosovë ku historia e saj është ende e freskët. Siç shkruan Gazeta Express, ndonëse dihej se dy djemtë e saj ishin vrarë në atë masakër të zezë, trupat e tyre u cilësuan të zhdukur deri në vitin 2003, kur u kthyen dhe u varrosen. Nënë Pashkja priti katër vite se mos dy bijtë e saj ishin gjallë, po kur kjo nuk ndodhi, fill mbas varrimit të tyre, ajo dogji veten në fshatin Korenicë afër Gjakovës, bash aty ku në kujtim të saj do të vihej Guri. Ishte një vetëflijim i pazakontë, tronditës, përtej të imagjinueshmes, prandaj Guri i Nënë Pashkës është simbol i një tragjedie kombëtare, do të shpreheshin qytetarët, si dhe intelektualë të njohur nga Prishtina e Tirana etj., duke kërkuar që të kthehej përsëri aty. Nuk ishte e rastit që reagimi nuk ishte vetëm në Kosovë, por dhe në Shqipëri e diasporë, pasi margaritarët e heroizmit kanë të njëjtin shkëlqim kudo, të njëjtën dhimbje dhe krenari. Plojat shqiptare kanë qenë me plot gojën net të Shën Bartolemeut, si masakra e 4 Shkurtit më 1944 në Tiranë, genocidi i kryer nga bandat shfarosëse greke të gjeneralit famëkeq Zerva mbi popollsinë myslimane autoktone të Çamërisë më 1944 - 1945, masakra e Tivarit më 1945 - vrasja e mijëra civilëve kosovarë nga ushtria partizane jugosllave, masakra e Ambasadës Sovjetike më 1951 në Tiranë, masakra e Qafë - Valmirit mbi nacionalistët antikomunistë më 1949 në Mirditë etj., masakra e Reçakut e janarit 1999, për të kulmuar me masakrën e Mejës, vetëm tre muaj më vonë, në prill, më e madhja e Luftës së Kosovës, ku në mënyrën më shnjerëzore, nga policia dhe ushtria serbe, vriteshin masivisht burrat, teksa po dëboheshin me gjithë familjet nga vendi i tyre. Një genocid ndaj shqiptarëve me përmasa zhbimëse...

Prandaj dhe Guri i Nënë Pashkes është një himn i llojit të vet. Komentet lidhur me të kanë qenë nga më të ndryshmet, po pavarësisht hamendësimeve se pse ndodhi heqja e tij, diçka ka lëvizur për keq në këtë histori, ku nga një qendrim prej fisniku para 20 vitesh, nga ana e të zotit të tokës, me rastin e vënies së gurit simbolik aty, po prej tij kalohet në një veprim të skajshëm, duke e hequr atë papritur, më vinç!? Për mendimin tonë problemi është se ende ka individë që u fryjnë urëve përçarëse, qofshin ato fetare, politike etj., gjë që ndikon tek njerëzit e thjeshtë, që këta pastaj të përfshihen në gjeste aspak humane e qytetare, duke cenuar jetën publike, harmoninë dhe paqen e saj. Nëse dikush nuk do t’i kishte gërgasur në vesh të zotit të asaj prone, ku gjendej guri i shenjuar, ai nuk do të kishte dalë kundër vetes, duke shkelmuar atë mirësi që kishte bërë duke e lejuar vënien e gurit aty. Pse ngulmojmë në këtë argument? Edhe në vitin 2003 Hasani (i zoti i tokës) kishte qenë mysliman e Pashkja katolike. Pra nuk është problemi i “tyre”. Tek e fundit, “gërgasja” është përtej Korenicës së vogël dhe Gurit të Nënë Pashke Krasniqi Markut, ajo vjen nga zhvillimet e padëshiruara në veri të Kosovës, ku protagonistë janë po ata që e shkaktuan masakrën e Mejës. Kjo do të thotë se ajo Luftë ende nuk ka mbaruar dhe se shpërfaqja e saj e re, synon në radhë të parë shenjat e rezistencës shqiptare të mëhershme. Në këtë kontekst, çdo gjest, qendrim, sjellje dinjitoze në adresimin e vlerave të heroizmit shqiptar nuk është ndonjë “nacionalizëm” që shkon kundër të tjerëve, por hullia e duhur e shqiptarisë. Kështu e shohim dhe aktin e marrjes, në këtë moment, të nënshtetësisë kosovare nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, dhënë nga presidentja Vjosa Osmani.

Si për ta bërë analogjinë më të plotë mes dy rasteve, edhe shtëpia e Nënë Pashakos është bërë e pabanueshme, ndonëse në sytë e njerëzve ajo ka qenë një muze, si vatra familjare e tre dëshmorëve. E gjitha kjo pasi është zbehur nderimi për heroizmin partizan, a thua se kishin dëshmorët faj për diktaturën që u vendos fill pas 1944-s, duke e shpërdoruar idealin e tyre të lirisë. Përgjegjësinë për dëmtimin e simboleve të Luftës Nacionalçlirimtare e ka politika e tranzicionit, e cila e ka futur në sherr jo vetëm publikun, po dhe vetë “historinë” për ditën e çlirimit etj. Është thënë se dhe në Korenicë guri monument është hequr ngase aty ka shkuar për të bërë nderime Kryeministri Kurti, çka nuk i ka pëlqyer dikujt. Po kjo nuk është punë pëlqimi a mospëlqimi i një qeveritari nga dikush. Historia nuk është diçka që i përket “arës” time apo e “kopshtit” tënd, por trashëgimi e shqiptarëve dhe politikanët e shtetarët kanë detyrimin e nderimit dhe të solemnitetit ndaj ngjarjeve apo figurave të saj. Me një logjikë të thjeshtë, edhe vendi ku ngrihet shtatorja e Heroit Kombëtar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup dhe në nja tridhjetë vende të tjera të botës, tokë private ka qenë në fillesë, por ajo është dhuruar me të dyja duart për t’shërbyer kujtesës së njerëzimit.

Ne shqiptarët nuk kemi një Zhan D’Arkë, kurse gra të shquara të historisë sonë kombëtare kemi pasur herët e vonë, por mjerisht është zbehur kujtesa ndaj tyre; nuk themi të mbushën si dikur hartimet e shkollës me heroinat e Pavarësisë etj., por dhe t’iu mbulohet varri nga ferrat, si lapidari i Shotë Galicës në Fushë - Krujë, kjo është e palejueshme. Është një odise shumëvjeçare ajo e rivarrimit të kësaj heroine pranë të shoqit në Drenicë. Sipas të interesuarve, çështja e zhvarrimit të eshtrave të Shote Galicës nga Kruja për t’u prehur në Drenicë mbeti përherë “në shqyrtim”, që nga koha kur në krye të qeverisë ishte Nano. Thuhet madje nga shtypi, se Shota është me tre varre, që i bie të jetë pa asnjë!? Ai që i lexon këto radhë me të drejtë do të thotë, çfarë presim për të tjerët, kur nuk është bërë me “varr” një heroinë si Shotë Galica, në afro njëqind vjet, që nga viti 1927 kur ajo vdiq në vetmi; as nga mbretëria, as nga qeveria komuniste, as nga ato të demokracisë pas 90-s, sidomos çerekshekullin e fundit, kur në të dy anët e Morinit qeverisin shqiptarët. Por nuk është vetëm ky rast që nuk i është dhënë zgjidhje. Në qytete varrezat e dëshmorëve janë aspak të mirëmbajtura, kurse në fshatra shenjat e historisë kanë degraduar krejtësisht, si shtëpia e Nënë Pashakos, çka tregon se shoqëria jonë nuk e ka seriozisht nderimin e vlerave historike etj. Ndokush përkujdesjen ndaj monumenteve në Shqipëri dhe Kosovë mund ta shohë si punë të shoqatave të veteranëve, kur ajo është veçse e institucioneve shtetërore, që kanë barrën e trajtimit të trashëgimisë. Pikërisht se ka një indiferencë të tillë, ndodhin dhe raste si ai i Gurit të Nënë Pashkes.

Nuk duhej asesi të shkohej deri këtu, të prishej diçka e shenjtë nderuese që ishte, por të mendohej mbase për një obelisk për të gjitha nënat shqiptare të lirisë, edhe për ato nëna kosovare që dhe sot e kësaj dite presin lajme se mos janë gjallë bijtë e tyre të zhdukur para njëzet e katër vitesh. Veton Surroi shkruan se edhe 1600 familjarë nuk kanë informacion për të afërmit e tyre të zhdukur në luftë, shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë, çka do të thotë se institucionet nuk kanë kryer detyrimin ndaj të vdekurve e as ndaj të gjallëve. Në këtë kuptim, Nënë Pashkja është vetë Kosova, sa e martirizuar e masakruar, aq dhe e pashëruar nga plagët e luftës që ende therin...

Së fundi Guri përkujtimor i kësaj nëne “shekspiriane” është marrë në përkujdesje nga Komuna e Gjakovës, në pritje të një vendimi se ku do të vendoset. Nënë Pashke Marku kurrë nuk do ta kishte dashur këtë fat, të bëhej e njohur për asnjë lloj motivi, qoftë dhe për mirë, si i thonë fjalës, pasi aktin e saj vetëflijues ajo nuk e kishte bërë për të hyrë në histori. E tash me siguri shtatoren e saj të merituar kemi për ta parë në bronz në Gjakovë, Prishtinë a Tiranë...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora