E enjte, 25.04.2024, 03:06 AM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Vizita e Papa Françeskut është jetike për Kosovën!

E diele, 06.08.2023, 07:56 PM


Vizita e Papa Françeskut është jetike për Kosovën!

Nga Enver Bytyçi

Të premten e kaluar gazeta spanjolle “Vidanueva” transmetoi një lajm lëshuar nga vetë goja e Papa Françeskut, përmes të cilit paralajmërohet një vizitë e kreut të Selisë së Shenjtë në Kosovë . “Ne jemi duke punuar në Kosovë, por nuk është e përcaktuar”,-është shprehur ai për gazetën Vidanueva.

Është hera e parë që Papa i Romës lëshon një deklaratë rreth kësaj teme. Por spekulime ka patur pa fund në të kaluarën. Më 30 dhjetor të vitit 2015 agjencia prestigjioze e lajmeve franceze, AFP, kishte njoftuar se Papa Françesku mund të vizitonte gjatë vitit 2016 Kosovën. Ajo i referohej asokohe burimeve të këshilltarëve të Papës dhe një korrespondence nga Vatikani. Po atë vit, (2016) ishte aqripeshkvi i Selisë së Shenjtë, Vinçenzo Paglia, ai që do ta artikulonte sërishmi qëllimin e Papës për ta vizituar Kosovën.

Ndërsa më 5 shtator 2016 Hashim Thaçi, pasi një ditë më parë kishte marrë pjesë në një audiencë të Papa Françeskut me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, shkroi në Twiter se “Ati i Shenjte më njoftoi edhe për planet e tij për të vizituar Kosovën dhe për njohjen e realitetit ne Ballkan”. Më parë, më 21 shtator të vitit 2014, Ati i Shenjte zhvilloi një vizitë historike në Shqipëri, gjatë së cilës vlerësoi bashkëjetesën mes komuniteteve fetare, si një vlerë e paçmuar për paqen në botë. Asokohe kishte një garë të jashtëzakonshme se kush do ta marrë trofeun e fitores, duke e sjellë në Kosovë numrin një të katolicizmit botëror! U përfshinë në këtë garë, sigurisht edhe nga dëshira e mirë, personalitete fetare, agjenci lajmesh të fuqishme, si dhe vetë lideri Kosovar, Thaçi. Por në të gjitha lajmet thuhej se kjo vizitë në Kosovë do të bëhej në kuadër të një vizite të Papës edhe në Serbi e Maqedoni. Pra, ishte si të thuash, një vizitë rutinë, e cila nuk parashihte njohjen e shtetit të Kosovës. Sidoqoftë do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, nëse ajo do të realizohej!

Lajmi i së premtes së kaluar ka disa veçori tjera. Së pari, ky lajm u pohua e konfirmua nga vetë Papa Françesku. Sigurisht në formën e një mundësie, por duket qartë se edhe në formën e një obligimi, kur thotë se para se ai të vizitojë vendet e mëdha të Evropës, do të vizitojë vende të vogla, si Kosova. Në këtë fjali Papa ka dhënë mesazhin e qartë se “Kosova është një vend (shtet) evropian, të cilin ia vlen ta vizitosh para një shteti tjetër të madh të kontinentit”. Së dyti, kreu i Selisë së Shenjtë jo pa qëllim intervistën ia ka dhënë një gazete spanjolle. Spanja është një vend katolik, ndoshta më homogjen në besimin katolik sesa çdo vend tjetër evropian. Por Madridi gjithashtu prej më shumë se 15 vitesh refuzon ta njohë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Është krejt e ditur se duke folur për një gazetë spanjolle, Papa ka dashur t’i japë një mesazh jo vetëm qeverisë spanjolle, por edhe popullit dhe besimtarëve katolikë spanjollë, se njohja e Kosovës si shtet është vlerë e këtij besimi, si dhe vlerë e lirisë dhe demokracisë evropiane.

Artikulimi prej vetë Papës e kësaj vizite e bën atë të padiskutueshme. Fakti që Papa Françesku do ta vizitojë Kosovën veçmas nga ndonjë vizitë tjetër, sidomos ajo në Serbi, do të thotë se qëllimi kryesor i saj është njohja e shtetit më të ri në Europë nga ana e Selisë së Shenjtë. Unë besoj se kjo njohje do të vijë pak orë para nisjes së vizitës ende të papërcaktuar në kohë. Ose do të deklarohet në pritjen që do të organizohet në Prishtinë për nder të Papës. Por sido që të jetë, kjo vizitë do të shoqërohet me njohjen e Kosovës si shtet sovran.

Kjo vizitë është gjithashtu kontribut i dy liderëve kryesorë të Kosovës, presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti. Të dy këta e kanë vizituar Selinë e Shenjtë dhe kanë biseduar gjatë me kreun e saj, Papa Françeskun. Të dy e kanë ftuar atë që ta vizitojë Kosovën. Dhe në parim ai e ka pranuar ftesën e tyre. Tani erdhi koha që viizita e papërcaktuar ende në kohë të bëhet publike. Ndoshta unë e shoh me doza euforie vizitën e Papës në Kosovë, sigurisht duke shpresuar fort për konsolidimin e shtetësisë së saj. Në këtë besim ndikon fakti se ka shumë shushunja dhe tigra që përpiqen ta kafshojnë Kosovën dhe territorin e saj. Vizita e Papës do të ishte konfirmimi në pikëpamje të shenjtërisë së shtetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Por, ama institucioneve të Kosovës nuk iu lejohet euforia.

Ndërkaq opozitës dhe madje edhe detashmentit pro-serb në Kosovë e në Shqipëri nuk i lejohet asnjë lloj denigrimi të kësaj vizite. Papa Françesku duhet pritur si askush tjetër. Është mysafiri më i veçantë. Është privilegj edhe për shtete të mëdha myslimane vizita e Papës te ato. Ndërsa për Kosovën është shumë më tepër se nder e privilegj. Është jetike në rrugëtimin e saj drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora