Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Makondo
E hene, 20.02.2023, 08:00 PM
MAKONDO
Koha në Makondo
rrjedh në mënyrë ciklike. Pas njëqind vjetësh ajo rikthehet në fillimin e vet -
për t’ia filluar nga e para
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Aty ligji nuk është veçse një nocion abstrakt. Po kështu,
edhe e drejta. Sistemi i vlerave nëpërkëmbet, shembet, rrënohet dhe përmbyset.
Madje s’ka kush e di, në ka sistem vlerash. Kudo dhe gjithkund hasësh në
abuzime, shpërdorime, keqpërdorime. Zhvillim, përparim, progres s’ke. Ke ngecje
dhe prapambetje. Klasë politike s’ke. As klasë intelektuale. Megjithëkëtë, çdo
pore e “shoqërisë” është e politizuar. Numri i partive, që veten e marrin për
politike, arrin shifra marramendëse. Partitë - të ashtuquajtura politike -
s’janë veçse grupe interesi, me aspirata meskine. Në krye të Makondos janë sankilotët.
Këta që nuk njohin as komb, as shtet. Këta që s’kanë kurrfarë ideali. Këta që
janë të zhveshur nga çfarëdo idealizmi, që e kanë të përkryer retorikën
demagogjike, që iu qasën politikës pa asnjë lek në xhep, për t’u pasuruar
brenda natës - me gojën plot atdhetarizëm. Aty s’ka rend dhe rregull. Ka
shkelje ligji dhe anarki. Mashtrues, gënjeshtarë, rrenacakë – sa të duash.
Ngado që e kthen kokën, sheh e dëgjon propagandë të sofistikuar. Aq të
sofistikuar, të përpunuar dhe të përkryer, saqë pa kurrfarë mundi, të zezën e
shet për të bardhë. Me trumbetë trumbeton, katranin zbardhëllon. Aty
s’prodhohet dot gjë. Nocionet prodhim dhe eksport janë fiktive.
Dikur prodhohej dhe eksportohej speci e lakra, ndërsa sot, edhe këta janë lënë
pas dore. Zbatim ligji s’ka, mirëpo s’mund të ankohesh e të thuash se nuk ka
mitë dhe ryshfet. Korrupsion në gjyqësi, në polici, në dogana, në administratë,
nëpër bashki apo komuna, në urbanizëm, në shëndetësi, në universitet, në porte
dhe limane. Ku s’ka. Ka me shumicë, në të katër anët. Të korruptuar –
politikanë, udhëheqës politikë, ministra, deputetë, shefa kabineti, këshilltarë
ministrash, këshilltarë liderësh politikë, kryetarë bashkish, kryetarë
komunash, këshilltarë bashkish, këshilltarë komunash. Të korruptuar - gjykatës,
prokurorë, avokatë, porotnikë, noterë. Të korruptuar – punëtorë doganash, shefa
doganash, policë, policë të qarkullimit rrugorë, punonjës, përgjegjës dhe shefa
portesh apo limanesh, punonjës të administratës, përgjegjës të sektorëve të
urbanizmit. Të korruptuar – mjekë të mjekësisë së përgjithshme, mjekë
specialistë, infermiere, motra mjekësore, punëtorë sanitarë. Të korruptuar -
profesorë universitarë, pedagogë, ligjërues, dekanë. Të korruptuar –
auto-shkolla. Ngasës makinash, veturash, mjetesh transporti - pa patentë për
ngasje, pa leje drejtimi apo pa patentë shoferi. Patenta shoferi shiten e
blihen. Shiten e blihen provime, diploma fakulteti, tituj akademikë,
magjistratura, doktorata. Jepen dhe falen mbi baza të ndryshme - miqësie,
partiake, fisnore, amoraliteti - nota, diploma, tituj akademikë. Nepotizmi
lulëzon si askund tjetër. Pushtetari, personi me pushtet dhe me ndikim i
punëson, pa kurrfarë kriteri, të gjithë anëtarët e familjes së vet dhe të
fisit. Prej një shtëpie punësohen pesë vetë, nga një tjetër – asnjë. Shumëçka
bëhet në emër të kombit. Dituria është në shkallë të ulët dhe për këtë s’çanë
kokën kush. Mbizotëron përzgjedhja negative, më i miri shpërngulet, ndërsa
mediokri i rrëmben kolltukët e zyrave. Madje emërohet, caktohet edhe aty ku
kërkohet profesionalizëm. Vlerat etike dhe profesionale nuk luajnë rol të madh.
Diletantizmi ia zë vendin profesionalizmit. Dijes, shkencës s’i kushtohet dot
rëndësi. Në vise të caktuara, numri i atyre që e shkruajnë drejt gjuhën amtare,
numërohet në gishta. S’ke për të parë liri pa e shkruar drejt gjuhën e nënës!
Për të qëndruar në këmbë, pushtetarët ndjekin politikën e bukës dhe të
argëtimit, panem et circesnses. Për interesa meskinë, intelektualët
apo pseudo-intelektualët janë shndërruar në sinonime dhe në personifikime të
oportunistëve dhe të konformistëve. Në vise të caktuara, shumë intelektualë me
tituj akademikë, nuk flasin, nuk lexojnë dhe nuk shkruajnë – drejtë – në asnjë
gjuhë të huaj. Inflacion titujsh akademikë. Asnjë studim e hulumtim, asnjë
kërkim e gjurmim, kurrfarë pune kreative e shpikje. Kopjim dhe plagjiaturë sa
të duash. Krizë e shpirtit! S’ka përparim apo progres. Ka ngecje, stagnim dhe
regres. Sikur të jetë kohë lufte. Ngecje dhe regres ka vetëm në kohë luftërash.
Zënka, fyerje, ofendime, denoncime dhe denigrime ndër udhëheqës politikë, si në
asnjë vend tjetër të rruzullit. Të tillët, as mund të ndërtojnë shtet, as mund
të udhëheqin shtet. Kur në zgjedhjet e përgjithshme pezullohet apo suspendohet
demokracia dhe në vend të parlamentit shtetëror fitohet “kuvendi kozak”,
atëherë është më se qartë se ajo që quhet klasë politike, nuk është në krye të
përgjegjësisë historike. Kuvendi shndërrohet në cirk, në arenë të
primitivizmit, të dhunës, në reality show. Arrogancë, megalomani,
mendjemadhësi sa të duash. Modesti fare. Ambicie që janë në diskrepancë apo në
mospërputhje me mundësitë. Materializim i skajshëm, ekstrem i mendjes dhe i
shpirtit. Rendje pas të mirave materiale. Mungesë e çdo ndjenje për atë që
është shpirtërore. Shuarje e çfarëdo ideali. Në radhët e personave me ndikim
dhe të pushtetshëm, si dhe të personave vendimmarrës vërshojnë poltronët.
Shumëçka vihet në dyshim, dinjiteti dhe integriteti personal. Në rrethana të
tilla pason depersonalizomi i personalitetit të njeriut apo të individit.
Mbizotëron njëmendimi politik dhe ideologjik, skena orueliane të
trishtueshme. Totalitarizëm, diktaturë, tirani, despotizëm, autokraci dhe
autoritarizëm. S’ka liri fjale, liri shprehjeje. S’ka mendim të lirë apo liri
mendimi. S’ka mediume, gazeta, revista, shtëpi televizive. Ato që janë, për një
janë të shitura dhe të blera. Shumëfish të shitura dhe të blera. Mungesë e
plotë, totale e mendimit kritik, e kritikës politike, e kritikës shoqërore apo
sociale. S’ka analiza as analistë. Ka analiza të rrejshme dhe mercenarë të
mirëfilltë. Analistë-mercenarë, të paguar prej pushtetit dhe pushtetarëve.
Mediume – të shkruara dhe elektronike – të paguara prej shtetit, prej
pushtetarëve dhe prej pseudo-opozitarëve të kamur. Ka mediume dhe analistë që
janë në funksion të shërbimeve të huaja. Analistë-mercenarë, të ushtruar, të
stërvitur dhe të trajnuar për shpëlarjen e trurit. Të ushtruar për të gënjyer,
gënjeshtar me pagesë. Ka edhe kalemxhinj, të cilët në çdo çast janë të gatshëm
të lidhin pakt edhe me Mefistofelin. Ç’nuk ka?! Ka çmos. Ka tregtarë flamurësh,
pseudopatriotë, pseudoatdhetarë, manipulues me vlerat kombëtare, atdhetarë
folklorikë, ekzibicionistë, të denjë për analiza frojdiste apo psikanalize.
Probleme sociale, papunësi, varfëri, skamje, mjerim, skena surrealiste si në
veprat e Emil Zolës, dallime sociale të paimagjinueshme, paga apo rroga në
shumë prej 150, 200 apo 300 eurosh. E pabesueshme, e trishtueshme, e frikshme!
Sektor privat i pazhvilluar, mungesë e sektorit privat, prodhim, kultivim,
përdorim dhe shitje lëndësh narkotike, vrasje, vetëvrasje, grupe kriminale të
strukturuara, skena si në Amerikën Latine të viteve ’50 të qindvjeçarit XX,
trafikim armësh dhe qeniesh njerëzore, trafikim i të miturve, ngujime,
hakmarrje, gjakmarrje, armëmbajtje pa leje, klube nate, bastore, kazino,
taverna me tym si në kohën e Raskollnikovit. Reality televizion me
shikueshmëri marramendëse, skena amorale, pornografike, muzikë pornografike,
lakuriqësi, shthurje morale. Shkurorëzime apo ndarje çiftesh bashkëshortore,
divorce, jetimore, braktisje fëmijësh, foshnjash, shpopullim i trojeve të
atdheut, të mëmëdheut, ikje e trurit, fshatra të mbetura vetëm me pleq të cilët
s’do të ketë kush t’i varrosë. Toka të mbetura djerrinë, braktisje e bujqësisë
dhe e blegtorisë, shpërngulje masive e të rinjve, shpërngulje e familjeve të
tëra, prindër të moshuar të lënë vetë, të lënë në vetmi, pa kurrfarë kujdesi
nga fëmijët e emigruar, strehimore pleqsh primitive, parake. Klasa të zbrazura,
të mbetura me pak nxënës, madje edhe vetëm me një nxënës, mësues dhe arsimtarë
të mbetur pa punë. Mësymja rrugëve pa kthim, rrugëve drejt asimilimit apo
shkombëtarizimit. Jashtë vendit, sa mund të ruhen gjuha amtare, traditat,
doket, zakonet. Me historinë, me figurat historike, me simbolet kombëtare, me lashtësinë e racës, me autoktoninë, me
pastërtinë e racës, me kujtesën historike – në tokë të huaj – pakkush do të
merret. Dobësim i qenies kombëtare, krizë demografike, rënie e numrit të
popullsisë, rrudhje e territorit etnik, dobësim i forcës punuese, prodhuese,
biologjike, shtuese, riprodhuese, mbrojtëse. Çekuilibër gjinor, rënie e
shkallës së lindshmërisë apo e natalitetit, plakje e popullsisë, rritja e
shkallës së vdekshmërisë apo e mortalitetit, ballafaqim me vdekjen e bardhë.
Sjellje e fuqisë punëtore nga vende të tjera, përzierje e racës. Nga ta kthesh
kokën, improvizime. Lulëzojnë kiçi dhe shundi. Në vise të caktuara të
mëmëdheut, ka kohë që kanë harruar se si duket libri. Kriza e të lexuarit. S’i
lexon dot kush, as veprat klasike, as ato bashkëkohore. Në vend të tyre,
shikohen me të madhe seritë televizive pa asnjë vlerë, pa kurrfarë vlere, pa
asnjëfarë mesazhi apo porosie. Për art të mos flitet. Banalizim i plotë i asaj
që është artistike. Relativizim i çdo vlere. Libra as blejnë, as lexojnë, pjesë
teatrore, drama dhe komedi nuk shfaqen, kinematë ku dikur jepeshin filma
artistikë, ka kohë që janë mbyllur, biblioteka moderne dhe librari
bashkëkohore, s’ka. Në viset e errëta të atdheut panairet nuk organizohen fare.
Një shoqëri që nuk lexon, s’ka se si bëhet, s’ka se si ngrihet. Shoqëritë që
nuk lexojnë, rrënimin shpirtëror e kanë të pashmangshëm. Ahengje, zbavitje,
argëtime, dasma megalomane. Shko në kurbet dhe merr kredi me kamatë për të bërë
një dasmë sa s’i ke mundësitë, vetëm e vetëm për ta habitur farefisin. Ahengje,
zbavitje dhe argëtime e punë hiç, fare. Postime në rrjetet sociale, veten,
vetveten në pozicione nga më të ndryshmet, veshjen, shtëpinë, mobiliet, ndejat,
takimet, tubimet, komentet, kundër-komentet, mbështetjen ndaj ndonjë partie
politike, sulmin ndaj ndonjë partie tjetër, trapezën, sallonin, pjatat, gotat,
pijet, ushqimet, ëmbëlsirat, fëmijët, foshnjat... Postimet e tilla janë në
kundërshti të plotë me normat etike. Gabimet gjuhësore, drejtshkrimore,
morfologjike, sintaksore, terminologjike nëpër ato farë postime apo komente
janë shqetësuese, të turpshme, të pafalshme, të patolerueshme. Improvizohen
edhe të ashtuquajturat veprimtari kulturore. Vlerat kulturore s’durojnë dot
improvizime. Mbartësit e tyre ka kohë që janë shndërruar në tregtarë të
kulturës. Veprimtaritë kulturore bëhen për ngritjen shpirtërore të segmenteve
të caktuara të shoqërisë dhe jo për përfitime vetjake. Poezia është elitiste.
Jo çdokush që thur vargje është poet. Poetë që s’i lexon kush, që s’i njeh
askush. Të njëjtët njerëz me dekada lypin para prej institucioneve për t’i
realizuar veprimtaritë kulturore. Krahas parave që i marrin prej institucioneve
të shtetit, i mërzisin – vite me radhë – edhe sponsorët. Prej kulturtregerëve
të këtillë, askush tjetër s’mund të vijë në rend. Mu për këtë, edhe interesimi
i shoqërisë për veprimtarinë “kulturore” të tyre, dita-ditës bie. Shoqëria apo
segmente të caktuara të saj, kanë nevojë për procese dhe për zhvillime
kulturore, qoftë edhe në kohë krizash politike, ekonomike dhe sociale, por
materializimi i një veprimtarie kulturore shpie në vrasjen e kulturës.