| E diele, 09.07.2023, 07:40 PM |
BEJTEXHINJTË DHE KREMTIMI I TIRANËVE...
Nga
Jusuf Buxhovi
Zvarritjen
për te maja e Sukës, ku duhej të ndjeja atë frymën e vullnetit për fuqi dhe liri për të cilën më kishte folur Baba
Tali para se fytin të ma gjente thika e kasapit, ma ndali hordhia e
bejtexhinjve e shoqëruar me fedainjë të
përgjakur dhe qaramanë të përjargur nga ilahitë. Kur më panë ashtu të
shkallmuar me pamjen e mejtit, nga bindja se një kufomë i shkone orgjisë së
tyre,më thanë se duhej t’u bashkohesha.
“Do
të ngjitemi në atë maje për ta hyjnizuar me
ilahi shpëtimtarin tonë... Ia kemi hak këtë kur katilët po ia sulmojnë
tinëzisht lavdinë e përjetshme...”
Ai
që m’i tha këto, për pak ma vuri këmbën
në ballë dhe dha shenjë që të me ngrehnin zvarrë mbas tyre...
Po
të kisha fuqi të flisja do t’u thosha të më linin ashtu në atë katandisje, ose
të më kurtalisnin me thikat e tyre fedainjtë që u shkonin mbas.
Por,
ç’e do që ata, në atë gjendje, me ato bejtet që i thoshin për shpëtimtarin dhe
thekamën e ilahive që i përcillte, po më
dënonin me jetë nënçmuese, më e rëndë se vdekja çfarëdoqftë...
Në
atë siklet, koka ime, seç po i sillte ato që dikur m’i thoshte Baba Tali për
bejtexhinjtë që madhërojnë pushtetarët...
“Pa
kalemxhinjtë e taxhisë dhe bejtet e
tyre, tiranët nuk do të kremtoheshin si profetë..."
(Shkëputje nga romani “Jeniçeri i fundit”, Prishtinë, 2013)