Kulturë
Fran Gjoka: Mbi globalizmin dhe imagjinatat e deformuara antiglobaliste
E diele, 02.07.2023, 07:53 PM
Mbi globalizmin dhe imagjinatat e deformuara antiglobaliste
Globalizmi dhe përfytyrimet provinciale
antiglobaliste
Rreth
librit: “Globalizmi dhe romantizmi antikapitalist”të "Mjeshtrit të
Madh" Gëzim Tushi
Nga
Fran Gjoka
Vazhdon
me intensitet punën e vet studimore, hulumtuese e krijuese sociologu, Gëzim
Tushi. Si gjithnjë, të fokusuara në fushat e gjëra të sociologjisë dhe
problemeve sociale, të filozofisë, psikologjisë dhe shqetësimeve ekzistenciale
që ka sjellë koha postmoderne dhe në
politologji. Gjithnjë autori me tendencë të qartë është i fokusuar në
diagnostikimin e fenomeneve psikologjike, materiale dhe efektet sociale që ato
reflektojnë në jetën e shoqërisë tonë.
Besoj
se edhe libri i tij duket intrigues që në titull “Globalizmi dhe
antikapitalizmi romantik”, i njëzet e dyti në kolanën e librave të tij në fushë
të sociologjisë dhe politologjisë, është interesant për objektin e tij, mënyrën
optimiste të trajtimit të efekteve dhe kundërefekteve të globalizmit në
shoqërinë e sotme universal, por edhe në nivel kombëtar. Një libër me tematikë
jo të lehtë për t’u trajtuar, për shkak të optikave optimiste dhe pesimiste që
përplasen me njëra-tjetrën. Edhe pse globalizmi, sikurse thotë autori, po bëhet
rendi natyror i kohës postmoderne, këtë dilemë e ka ndjerë autori, i cili për
t’i dalë përballë gjykimeve apo paragjykimeve të mundshme pranon se kur fillova
punën për këtë libër, isha i bindur për hermeneutikën kontroversale delikate,
një temë e shenjtëruar dhe anatemuar njëkohësisht. Duke qenë i imunizuar nga
“sindroma e imposterit”, e vetëdyshimit, pa patur frikë për të thënë atë që
mendoj, isha dhe jam i bindur dhe besoj
në mënyrë të patundur se globalizmi mbetet e ardhmja e njerëzimit. Në libër jam
investuar gjerësisht me argumentime kundër idesë sempliste se “globalizmi do
sjellë një çorbë kulturore e padiferencuar”.
Përballë
sfidave të gjykimeve dhe rreziqeve të keqkuptimeve të mundshme, ai thotë se jam
mundur të argumentoj se ideja që globalizmi do të jetë shkak që mund të ndodhë
një “rrafshim kulturor” nuk është e vërtetë. Kjo ide është fare e gabuar,
metafizike, cinike. Me gjithë ndryshimet që do sjellë efekti i pashmangshëm i
globalitetit kulturor, ai megjithatë nuk do mund të mjegullojë plotësisht
veçanësitë kulturore të popujve në sfondin e përgjithshëm të qytetërimit
global”.
Kur
unë kam biseduar kohë më parë me autorin e librit, ai kishte idenë që titulli
të ishte “Kush ka frikë nga globalizmi”. Me sa duket gjerësia e problematikës
dhe zgjerimi i shqetësimeve që po shfaqen midis perspektivës së globalizmit dhe
shkaqeve të shumta të pasigurive, e ka detyruar atë të zgjerojë lëndën dhe
trajtesat. Duke marrë parasysh edhe pëlqimet dhe mospëlqimet e njerëzve, jo aq
shumë të kënaqur nga efektet dhe kundërefektet aktuale të globalizmit.
Megjithatë autorit i vjen në ndihmë gjykimi elegant i Presidentit të ShBA-ve
Barack Obama, i cili shkruan se …nuk besoja se mund të ndalonim apo të zhbënim
globalizmin, ashtu siç nuk mund të fikim internetin.
Autori
është realist përballë vështirësive të gjëra të kësaj teme. Prandaj ai thotë se
angazhimi im nuk ka qënë i lehtë për t’ia dalë mbanë. Kur e nisa punën vite më
parë u mbështeta në vëzhgimin e kujdesshëm të “dialektikës” së ndryshime në
këtë shekull që jetojmë, në studimin e realitetit politik, social, ekonomik,
kulturor. Por më është dashur një punë jo e vogël për të analizuar idetë e
filozofëve, sociologëve, mendimtarëve social, polititologë e intelektualë të
shquar, të cilët kanë ndërtuar dhe kanë sjellë paradigma dikotomike, herë
optimiste, sipas të cilës “ideja e globalizmit, do të bazohet tek bindja se
emëruesi i përbashkët dhe se baza e ndërtimit të tij do të jetë konsolidimi i
gjerë i demokracisë në nivel planetar. Por në shumë raste edhe nacionaliste,
skeptike, pesimiste për të ardhmen e pasigurt të tij.
Sociologu
Tushi e trajton temën e gjerë të globalizmit në dy rrafshe: konceptual dhe
kontekstual. Madje ky komponent i dytë zë peshë në lëndën e librit, duke
evidentuar procesin e ndërlikuar të kalimit nga shoqëria e mbyllur dhe sistemi
totalitar në shoqërinë moderne, të hapur dhe me prirje drejt globalizimit.
Sepse ai mendon se globalizmi, pavarësisht vështirësive kalimtare, do të bëhet
“ideologji planetare”. Në këtë kontekst ai nuk pajtohet me konceptime të
ngushta skeptike, cinike, provinciale e antiglobaliste.
Globalizmi
është një realitet që mund të kuptohet me “mendje të hapur” dhe kjo është një
nga detyrat e njerëzve që kanë idetë e duhura për të qënë “strategjistë të
globalizmit”, duke argumentuar se kjo është rruga e zgjerimit të të drejtave të
njeriut në botën postmoderne, që do të ndikojë pozitivisht në karakterin
universalizues të vlerave të qytetërimit në epokën tonë. Bashkekzistenca
qytetare në botën e globalizuar do të shoqërohet, thotë autori, me patjetër
edhe me ndryshime thelbësore në mënyrën e jetesës. Sipas tij kuintesenca e
globalizmit do jetë “shumë kultura e mënyra sjelljeje dhe një njerëzim”. Doemos
duke “sulmuar” imagjinatat e deformuara dhe konceptet paranojake të
antiglobalistëve, Gëzim Tushi për ta zhvilluar teorikisht këtë sfidë të
globalizmit si alternativë dhe e ardhmja e këtij shekulli, trajton gjërësisht
edhe mënyrat e reja të shfaqjes së humanizmit, komunitarizmit e solidaritetit
global.
Bota
nuk mund të bëhet globale dhe globalizmi nuk mund të bëhet funksional pa një
kartë të “humanizmit dhe solidaritetit universal”. Një solidarësi që mund të
kapërcejë kombet, bashkësitë, etnitë, por pa prishur kushtet e gëlimit të
kulturave. Kjo do të thotë se në disa drejtime globalizmi do të zbusë forcën e
egër të “përkatësive të trashëguara” që në epokën paraglobale i kanë shoqëruar
njerëzit dhe qytetërimet që nga djepi deri në varr. Solidaritetet e vjetra, të
kufizuara kulturalisht, ekonomikisht dhe etnikisht nën ndikimet transformuese
të globalizmit do të kapërcejnë kufijtë e trashëgimive dhe përcaktimeve të
vjetra të tyre.
Sociologu
Gëzim Tushi i kushton jo pa qëllim një pjesë të konsiderueshme të librit të
tij, çështjeve të ndërlikuara të raporteve midis kombëtares dhe globales,
lokales dhe planetares, mënyrës etnike dhe jetës postmoderne në hapësirën e
globalizuar. Problemet e globalizmit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar janë
trajtuar me kujdes, duke parë anën e ndritur, por dhe problemet jo aq shumë të
lehta për t’u koordinuar e zgjidhur në mënyrën e duhur. Prandaj autori tregohet
i matur kur vjen fjala për raportet e globalizmit me diversitetet, të çdo
natyre qofshin ato si dhe për mundësinë e shfaqjes edhe të “rreziqeve të
pakontrolluara”.
Pavarësisht
vështirësive, dyshimeve dhe skepticizmit autori ngul këmbë dhe argumenton tezën
se bota në kohën e sotme po kalon nga një gjëndje fragmentarizimi drejt
globalizmit integrues. Të gjithë mendojnë se globalizmi është një stad i ri në
rrugën e evolucionit të njerëzimit. Kjo rrugë globale ka nevojë për
strategjistë dhe njerëz mendjehapur. Ky stad ka të pashmangshëm rrugën e ecjes
së përbashkët drejt dimensioneve të reja të integrimit global. Është e pritshme
që sa më globale të bëhet bota dhe sa më i globalizuar të shfaqet njerëzimi, aq
më shumë do të ndihet i çliruar nga tensionet e panevojshme e të tepërta
nacionaliste. Globalizmi në mënyrë të pashmangshme do të sjellë jo thjeshtë
ndryshim, por shndërrim të njërëzimit. Gëzim Tushi ngul këmbë se pavarësisht
vështirësive kalimtare, është e sigurt që do të marrë kuptim tjetër kalimi nga
integrimi nëpërmjet kombit në një integrim të përgjithshëm, që po përfshin tërë
njerëzimin. Kjo do të thotë se ajo që pritet nga zhvillimet globale është
vlerësimi i forcës së tij për të ndërtuar “shoqërinë e njeriut global”, sepse,
sikurse thotë autori, në një botë të globalizuar do të jetë e mundur që jo
vetëm njerëzit të jetojnë së bashku, por edhe ta kuptojnë njëri-tjetrin. Autori
merret gjerësisht me problemet e ndërlikuara të raportit midis globales dhe
kombëtares, për garancitë dhe pasiguritë që e shoqërojnë këtë simbiozë
delikate, që do rregullojnë raportet dhe marrëdhëniet midis globales dhe
lokales, midis mënyrës universale dhe mënyrës etnike të të jetuarit në kohën e
sotme.
Autori
përqëndrohet me tendencë në sqarimin e
paqartësisë që qarkullon në opinionin publik se globalizmi do të jetë shkak për
rrafshim kulturor. Kjo tezë, mendon sociologu Tushi, është fare e gabuar,
metafizike dhe cinike. Globalizmi nuk është kundër tendencës së qytetërimit
postmodern për të mbrojtur të drejtën e afirmimit të identitetit kulturor.
Autori i librit “Globalizmi dhe romantizmi antikapitalist” është i mendimit që
megjithë ndryshimet që do sjellë efekti i pashmangshëm i globalitetit kulturor,
ai megjithatë nuk do mund të mjegullojë plotësisht veçanësitë kulturore të
popujve në sfondin e përgjithshëm të qytetërimit global. Por nga ana tjetër
sociologu Tushi mendon që duke parë këtë realitet është normale që për të qenë
në kompatibilitet me kohen dhe raportet identitetit me globalizmin kulturor
është e udhës që herë të flitet për “qytetërimet” njerëzore dhe herë për
“qytetërimin” njerëzor.
Globalizmi
do të ndihmojë për të kapërcyer “konceptimin fisnor” për kulturat dhe
qytetërimet e parcelizuara nga identitetet e ngurta, por në të njëjtën kohë
globalizmi nuk mund të sjellë një “çorbë kulturore” të padiferencuar që vjen
nga mungesa e respektit për integritetin fizik e moral të njeriut. Globalizmi
ka potencë që të krijojë një “qytetërim njerëzor”, i cili do mund të shpaloset
përmes diversifikimit kulturor të pafund.
Sociologu
Tushi është i mendimit se kultura dhe përparësia e saj në globalizëm duhet bërë
“disiplinë e mbijetesës planetare”. Që të ecim normal dhe të ekuilibruar në
epokën e globalizmit është e udhës që të kuptojmë imperativin e madh dhe
nevojën e ndryshimit të zakoneve dhe përparësive që kemi në jetë. Kjo do të
thotë se duhet të dëgjojmë më mirë dhe me vëmendje më të madhe zërin e botës ku
“kemi zbarkuar”. Sociologët në mënyrë sintetike e metaforike thonë se në botën
globale njerëzit nuk mund të jenë më të “huaj” për njëri-tjetrin, pavarësisht
nga identitetet e tyre të trashëguara. Përkundrazi globalizmi do t’i bëj
planetarisht njerëzit vetëm “shokë udhëtimi”. Kjo do të thotë se globalizmi do
krijojë kushte humane të tilla që diversiteti njerëzor të shprehet nëpërmjet
një bashkëekzistence të harmonishme dhe pa tensione që prodhojnë dhunë. Ky
është globalizmi i cili nuk mund të bëhet pa krijuar kushte për një unitet të
ri global të “aventurës njerëzore”.
Në
këtë kontekst, sipas autorit, që në globalizëm të ndryshojë edhe trajta e
zhvendosjes dhe integrimit të njerëzve. Megjithë përpjekjet e bëra deri tani,
pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur pas rënies së Murit të Berlinit, një
gjë është fare e qartë. Deri tani nuk ka funksionuar si duhet “makineria e
integrimit” të emigrantëve dhe atyre që duan të lëvizin apo të emigrojnë.
Njerëzit kanë shumë shpresa nga zhvillimet globale dhe efektet e globalizmit.
Por ajo që ata presin më së shumti është kapërcimi i atmosferës globale për
emigrantët, e cila është e mbuluar nga ankthi, frika, mosbesimi dhe mllefi.
Të
gjitha këto ide, dilema, gjykime, analiza e prognoza janë të sintetizuara në librin
e sociologut Gëzim Tushi, i cili ka pak ditë që ka parë “dritën e botimit” dhe
tashmë është në duart tuaja…