Kulturë
Shefqet Xh. Hysa: Legjenda e thesarit të Gradishtës në Dumre
E hene, 26.06.2023, 09:28 PM
LEGJENDA E THESARIT TË GRADISHTËS NË DUMRE
Nga
Shefqet Xh. Hysa
Çdo
udhëtar që udhëton drejt Belshit ndalon i mahnitur para Gradishtës (Qytezë) një
kodër e lartë, e cila ngjason si një kurrizi i përthyer, për së gjati
Lindje-Perëndim. Gradishta lidh të sotshmen me të kaluarën mitike; një histori
e mbetur legjendë.
Në
perëndim të Gradishtës duket shenja e një të çarë shpelle. Dera e Sinanit
njihet edhe sot nga banorët. Legjenda tregon se kjo derë hynte thellë si një
tunel dhe kishte dalje në anën tjetër; në lindje të kësaj kodre. Një bujk i
varfër nga fisi Cili, thotë legjenda, po punonte në arën e tij diku afër për të
mbjellë misër. Mund të ketë qenë muaji maj. Qetë i ngacmon Zangali (disa e
quajnë zekth, një lloj insekti që pickon kafshët në verë, sidomos qetë e
lopët). Ky insekt i vogël fluturues, me thumbin e tij shkakton dhimbje të
forta dhe kafsha vrapon nga të mundet për t’iu larguar rrezikut. Bujkut i
ikin qetë me vrap me gjithë parmendë, për më afër e të sigurtë gjejnë“Derën e
Sinanit”. Bujku i ndjek nga pas dhe shkon për t’i marrë. Kur futet në derë,
ç`të shikonte?! Qetë qëndronin mbi një masë flori. Ai futet brenda për t’i
nxjerrë nga aty, por nga brenda tunelit një zë plaku i thotë:
Lëri
qetë aty e merr flori sa të dëshirosh dhe largohu por bujku nuk
pranon. Ai i thotë se do të marr qetë të mbillte misër si gjithë
bashkëfshatarët. Kur del afër derës, plaku i thotë bujkut të shkundë opingat,
se kanë flori brenda. I shkund opingat nga floriri i mbetur nëpër to dhe
largohet me qetë e vet për të mbjellë misër.
Kjo
legjendë duke kaluar gojë më gojë e brez pas brezi, ka tërhequr vëmendjen e
shumë kureshtarëve; deri në kërkime të vazhdueshme (me mënyrat e tyre) për të
gjetur thesarin edhe pse ishte i ndaluar çdo lloj punimi në të, (i mbrojtur nga
shteti si monument kulture i kategorisë së Parë).
Para
disa viteve thonë, se e kanë kërkuar edhe italianët këtë kodër, me gjasa për të
marrë gipsin që gjendet sheshit këtu. Qeveria e asaj kohe nuk e ka pranuar
kërkesën, pasi mbrohej si Monument i Lashtësisë. Më vonë ushtria jonë, me leje
a pa leje, bëri punime për ngritjen e një qendre kundraajrore për Dumrenë
(ndoshta edhe ideja e floririt, pasi punime të tilla për mbrojtjen u bënë edhe
në kodra të tjera me histori kishash e vendbanime të hershme). Hapën këtu
dy-tri gropa të mëdha e të thella mbi katër metra për ndërtimin e kapanoneve e
depove, por edhe këta nuk arritën te tuneli, ndoshta gjendej më thellë, por
mundet edhe të jetë shembur nga erozioni e fenomeni karstit që ka qenë
gjithmonë aktiv në Dumre; sidomos Kodra e Gradishtës, që është e tëra gips dhe
plot guva. Gjatë punimeve ushtarake që u kryen nga ushtarë e rezevistët u
gjendën objekte e fragmente arkeologjike, nga të cilat një pjesë u dorëzuan,
por pati edhe shumë dëmtime e shpërdorime. Gjithsesi Dera e Sinanit, deri sot
ka mbetur vetëm legjendë, së bashku me misterin përreth.
Gërmimet
arkeologjike të bëra në 1969, 1973-1974 në Gradishtë, nga Instituti i Historisë dhe ai i Monumenteve të Kulturës,
në bashkëpunim me Muzeun e Elbasanit e dëshmojne si vendbanim Ilir të Periudhës
së Mesme të Bronxit, që u zhvillua pa ndërprerje në fazat e hershme të Epokes
së Hekurit.
Arkeologu
Neritan Ceka në librin e tij “Iliria” thekson: ”... në Gradishtë të Belshit,
jeta qytetare ka nisur rreth shekullit VI Para Krishtit dhe ishte qendër
protourbane, ndërsa në shekullin IV-I Para Krishtit, u kthye në një qytezë të
fortifikuar të krahinës së Parthinëve. Vazhdoi si qendër banimi edhe gjatë
shekullit I-VI Pas Krishtit, duke pasur zhvillim, për arsye se ndodhej pranë
degës së rrugës Egnatia, që vinte Apolonia.”
Në
rrafshin perëndimor të Gradishtës (me hapjen e një grope të madhe me sipërfaqe
150 metra katrorë dhe thellësi 3, 5 m) u zbuluan shtresa e nënshtresa banimi
prehistorike dhe paraqytetare, që përkojnë ndërmjet shekujve XI-X para lindjes
së Krishtit. Po aty afër ka pasur rrënoja banimi të hershme, (“kamare”gurësh)
copa tjegullash të madhësive të mëdha që sot njihet nga banorët si: ‘’Ara e
Kamares”. Jo vetëm kaq, por pikërisht këtu u gjetëm, sopata e çekan guri,
heshta të vogla, etj, të cilat dëshmojnë se ishte vendbanim i madh.
Nga
punimet në nekropolin e Gradishtës (në hapjen e disa varreve të lashta) u
zbulua edhe varri i një princi të gjysmës së shekullit IV (mbreti ilir Belsius
rreth 350-vjet para Krishtit) ku u gjetën mjaft objekte të përdorimit vetiak.
Jo vetëm kaq, por pikërisht këtu janë gjetur enë, stoli bronxi e argjendi
(vathë, karfica, unaza, byzylyqe, gjerdanë ), etj, që i përkasin periudhave të
hershme. Ato si gjetje të rastit është vështirë për të përcaktuar moshën e
tyre, por që tregojnë zhvillimin e qendrave të tilla, të cilat kanë humbur
shkëlqimin më vonë.