E merkure, 24.04.2024, 06:17 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Shtrati i artit gojor si bazament i artit poetik

E marte, 20.06.2023, 07:55 PM


SHTRATI I ARTIT GOJOR SI BAZAMENT I ARTIT POETIK

Nga Timo Mërkuri

I-

Qysh te leximi i titullit të poezisë “Motër prej lotëh” në vëllimin poetik “Ëndrra që puthen” (Rozafa, Prishtinë 2001)  të Sabit Rrustemit ndjeva një dridhje se më kujtoi vargjet këngës himariote, ku djaloshi nizam i plagosur për vdekje  ju lutej zogjve që: letrën e tij (një apo tri) t’ia shpinin nënës, motrës dhe gruas së tij në fshat, ku fjalët që shoqëronin porosinë  ishin të specifikuara për secilën. Nëqoftëse pas dy vargjeve të njëjta në të tre strofat: “O ju zogj që veni e vini/ Këtë letër të ja shpini”, në strofën kushtuar secilës bëhet një specifikim cilësor ku: për nënën janë vargjet :”Tja shpini të zezës mëmë/Të më qaj hënë më hënë”, se nëna do ta vajtojë përjetësisht. Për gruan ishte amaneti  i vajtimit të përkohshëm: “Tja shpini të zezës grua/Të më qajë krua më krua”, se duke qënë që krojet ishin vendtakimet e të rinjve të dashuruar, ai i jipte lejen gruas së tij, që te kroi, ku ata ishin njohur bashkë, të njihej tani me një djalë tjetër dhe të martohej. Ndërkohë që te fjalët për motrën kemi shprehjem: “Tja shpini të zezës motër/Të më qajë kodër më kodër”, se motra do ta vajtonte dhe ditën që do ikte nuse mbi kal nëpër kodrat e fshatit, po ashtu nëpër kodra, kur do vinte për vizitë te prindërit do zinte vajin për të vëllanë. Dhimbjen e motrës për të vëllanë arti gojor e shpreh edhe me fjalët: “Motra për vëllanë bëhet qyqe” madje me këtë temë arti gojor ka dhe një baladë të dhimbëshme.

Këto m’u kujtuan qysh te leximi i titullit të poezisë së Sabit Rrustemit, “Motër prej lotsh, por sinqerisht u drodha te vargjet:

“O i miri i motrës

Veten e harrova në pritje

Në maje bjeshke

Emër prej lotsh mbeta”

dhe më kaluan mornica nëpër  trup te vargjet që vijojnë:

“Motër prej lotsh u bëra

Kodër Loti

Krua e përrua”

për tu shndërruar në një dhimbje te leximi i vargjeve:

“Po ujin s’ma pijnë

Vetëm sytë i pastrojnë

Që të shohin më kthjelltë

As buzët i afrojnë mbi mua”

Qysh në krye ndjehet se kjo poezi ka një shtrat balade dhe i përshtatet çdo  motre të rëni për liri, por para se të flasim për vlerat e saj poetike duhet të shprehemi se: poezia Sabit Rrustemit njomë buzët në ujët e lumit të artit gojor, prandaj ajo është gjithmon e freskët, gjithmon e gjallë dhe në lëvizje. Mesazhet poetike janë të ngjashëm me mesazhet e baladave, madje shpesh herë kanë stilin e shprehjeve popullore dhe urtësinë e tij, duke patur një formë të re, moderne, poetike. Poezia “Motër prej lotsh” shfaq lidhjen e ngushtë të artit poetik të Sabit Rrustemit me artin gojor, madje të detyron që të kthesh dhe njëherë shikimin te krijimtaria e tij ku vëren se gati në të gjitha poezitë  kushtuar figurave historike kosovare ai i ka ngritur me “material” nga arti gojor.

II-Sabit Rrustemi, shtratin e artit gojor e ka si bazament të artit poetik. Kjo  është e dukshme edhe te vëllimi poetik “Variacione për lirinë” (1997) ku  cikli poetik i titulluar “Loti i një balade” ka poezitë “Lotina” dhe “Lotina” II,  frymëzuar nga një toponim në Karadak që quhet “Kodra e Lotisë” dhe mikrotoponimet brenda kësaj zone: “Kroi i Lotisë”, “Përroi i Lotisë” të cilat janë vazhdimësi e një legjende që lidhet me toponimin tjetër, tejet të njohur dhe përtej Grykës së Karadakut, “Uji i Kuq”.

Në këtë cikël personazhi lirik bashkëjeton mes “Lugit të Dafinave” dhe “Kodrës së Lotisë” diku në thellësi të Karadakut në një përpjekje të poetit për një riaktualizim të disa legjendave dhe gojëdhënave të moçme, përmes një petku të ri poetik, duke u shfaqur si një eksplorues i vëmendshëm i aktualitetit dhe mesazheve që formësohen , ndikohen dhe gjejnë shtrirje të gjerë, duke futur në funskion thesare të artit gojor. Kjo është një arritje e pjekurisë së tij poetike dhe vlen të cilësohet si e tillë.

E parë në këtë kontekst, ndjen se arti gojor, qysh nga këngët popullore, përrallat, fjalët e urta, baladat e legjendat janë shtrati ku rrjedh krijimtaria e tij letrare, duke marrë me vete “grimca” ari, që rrezëllijnë në gjithë veprën e tij, jo vetëm poetike por edhe në prozë.

Ky shtrat arti gojor i poezisë së tij ka ndikuar edhe stilin e tij poetik, ku shpesh herë vargjeve u jep formën e urtinave (fjalëve të urta) si përfundime të pakundërshtueshme të idesë së tij poetike, pasi janë provuar nga jeta.

Shembulli më i mire i kësaj që themi është poezia tjetër, “Baladë për një urtësi të vjetër” e publikuar së pari në vitin 2006, e përfshirë te libri “Puhizë mëngjezore” (2023),  që është tepër aktuale dhe sot.  Kjo poezi  ka për bazë një fjalë të urtë popullore që thotë: “Mos hyr ku s’dilet se del tek s’hyhet” dhe që për ne, të cilët kemi “vështirësi” në kuptimin dialektikor, më shumë se poezi , na ngjan me një gjerdan fjalësh të urta:

“Hyre ku s’dilet e dole tek s’hyhet

ku të të gjej tash he burrë

Ajo udhë e paudhë

as kokë as këmbë s’ka

Vetëm në kujtesën e popullit rron

Mos e ngacmove veten

për t’u bërë një urtësi e re”

ku strofat dyshe kanë secila strukturë të një fjalë të urtë dhe vargu tek ,“Vetëm në kujtesën e popullit rron”,  shërben si një urë  lidhëse dhe përforcon “ligjërimin” poetik edhe përmes vargjeve :

“Fjalët e urta nxirren rrallë

e nuk shkruhen në ballë

Leximit në sy a t’i besoj më

T’i më le vetëm e hero nuk u bëre

së paku për një këngë

na i hëngrën veshët rivalët e trilltë

Mos hyn ku s’dilet se del tek s’hyhet

fjala e urtë nuk thyhet”

Të duket se je në një odë burrash ku kuvendohet sipas kodeve zakonore e duhet të mendohesh mirë para se të flasësh një fjalë.

III-“Motër prej lotsh” e lexon dhe nuk ndjehesh i qetë as gjatë leximit dhe as gjatë analizës së saj, pse të duket se ecën nëpër legjenda.

Kemi një këngë  ne himariotët që titullohet “Vajz’ e valeve” ku një vajzë vajton në breg të detit, jo vetëm me sy, por gjithë trupi i shkrihet në lot e përzihet me ujët e detit. Sigurisht që “Vajz’ e valëve” është me shtrat balade ashtu siç është edhe “Motër prej lotsh”e Sabit Rrustemit, veçse unë do shtoja: sa të ngjashme i kemi motrat ne shqiptarët në të dy anët e kufirit !

Ky shtrat i artit gojor në poezinë “Motër prej lotsh” ka ndikuar edhe në strukturën e vetë poezisë, duke qenë e thjeshtë dhe e qartë, me vargje të shkurtëra që krijojnë një ritëm të veçantë.

"Motër prej lotsh" ka një strukturë të thjeshtë dhe lineare, e ndarë në vargje të shkurtra. Kjo strukturë ndihmon në përcjelljen e emocioneve dhe të ndjenjave në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Poezia është ndarë në strofa që të ngjajnë si ngulçe shpirti të motrës për vëllanë.

Përdorimi i ritmit në vargje, si "Motër prej lotsh u bëra / Kodër Loti / Krua e përrua", shton një ndjenjë të rregullt dhe të harmonizuar në poezi. Ky element i strukturës së poezisë ndihmon në konsolidimin e emocioneve dhe në përcjelljen e tyre në mënyrë të përsosur.

Vargu i shkurtër dhe ndarja e vargjeve të kësaj poezie, tregon një ekonomi të fjalëve dhe një thjeshtësi në përcjelljen e ndjenjave. Ky strukturim me vargje të shkurtra dhe tërheqëse bën që poezia të jetë e lehtë për t’u kuptuar dhe për t'i përcjellë emocionet në mënyrë direkte.

Gjuha poetike aq e thjeshtë dhe e drejtëpërdrejtë,  bën që poezia të jetë e qartë dhe e kuptueshme për lexuesin. Përdorimi i fjalëve të zgjedhura me kujdes, si "lot", "kodër", "krua" me thjeshtësinë dhe qartësinë e tyre e bën të dukshme thellësinë e ndjenjave, dhe krijon një imazh të fortë emocional si ujët e pastër të detit  që shfaq imazhet e fund detit.

IV- Shtrati i artit gojor te poezia "Motër prej lotsh" të poetit ka ndikuar dhe në përzgjedhjen e figurave artistike që kontribuojnë në intensitetin emocional dhe forcën e imazheve të poezisë.

Kështu, metafora në vetë titullin e kësaj poezie, "Motër prej lotsh", simbolizon transformimin e motrës në një gjendje të thellë dhimbjeje që të kujton një skulpturë ku  Shën Mëria është gdhendur brenda një pike ploti, metaforë e fuqishme që ndihmon në thellimin e kuptimit dhe krijon një imazh të fortë emocional. Metafora "Emër prej lotsh mbeta” është tepër tronditëse për dimensionin që hap në artin gojor, shtrat i kësaj poezie. "Nga dhembja / Zuri të rrjedh një krua" metaforizon poeti, ku "kroni" përfaqëson rrjedhjen e lotëve në mënyrë simbolike, duke i dhënë dhimbjes një formë më të përpiktë artistike.

Kontrasti në vargun "As buzët i afrojnë mbi mua … Lotsh kur gufoj", midis buzëve që nuk afrohen dhe gufimit të lotëve, krijojnë një imazh të tensionit dhe  ndarjes, që bëhet më e dukshme te vargjet:Në çast tremben ikin/E një fjalë për ty s’ma lënë”, sikur nuk i mjafton dhimbja kësaj motre por i shtohet edhe vetmia si për t’ia bërë më të madhe atë.

Këto figura artistike e pasurojnë poezinë "Motër prej lotsh" dhe i japin asaj një dimension të thellë artistik. Përdorimi i tyre me mjeshtëri dhe në kontekstin e tregimit të motrës shton intensitetin emocional dhe e bën poezinë të përkryer për të shprehur trishtimin dhe vuajtjen, po edhe artin e pakontestueshëm që ka përbrenda rreshtave dhe mes-rreshtave.

Prandaj, leximi i sërishëm i saj, është i paevitueshëm.

______________________

(Sarandë, më qershor 2023)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora