| E marte, 20.06.2023, 07:55 PM |
SHTRATI I ARTIT GOJOR SI BAZAMENT I ARTIT POETIK
Nga
Timo Mërkuri
I-
Qysh te leximi i
titullit të poezisë “Motër prej lotëh” në vëllimin poetik “Ëndrra që
puthen” (Rozafa, Prishtinë 2001) të
Sabit Rrustemit ndjeva një dridhje se më kujtoi vargjet këngës himariote, ku
djaloshi nizam i plagosur për vdekje ju
lutej zogjve që: letrën e tij (një apo tri) t’ia shpinin nënës, motrës dhe
gruas së tij në fshat, ku fjalët që shoqëronin porosinë ishin të specifikuara për secilën. Nëqoftëse
pas dy vargjeve të njëjta në të tre strofat: “O ju zogj që veni e vini/ Këtë
letër të ja shpini”, në strofën kushtuar secilës bëhet një specifikim
cilësor ku: për nënën janë vargjet :”Tja shpini të zezës mëmë/Të më qaj hënë
më hënë”, se nëna do ta vajtojë përjetësisht. Për gruan ishte amaneti i vajtimit të përkohshëm: “Tja shpini të
zezës grua/Të më qajë krua më krua”, se duke qënë që krojet ishin
vendtakimet e të rinjve të dashuruar, ai i jipte lejen gruas së tij, që te
kroi, ku ata ishin njohur bashkë, të njihej tani me një djalë tjetër dhe të
martohej. Ndërkohë që te fjalët për motrën kemi shprehjem: “Tja shpini të
zezës motër/Të më qajë kodër më kodër”, se motra do ta vajtonte dhe ditën
që do ikte nuse mbi kal nëpër kodrat e fshatit, po ashtu nëpër kodra, kur do
vinte për vizitë te prindërit do zinte vajin për të vëllanë. Dhimbjen e motrës
për të vëllanë arti gojor e shpreh edhe me fjalët: “Motra për vëllanë bëhet
qyqe” madje me këtë temë arti gojor ka dhe një baladë të dhimbëshme.
Këto m’u kujtuan qysh
te leximi i titullit të poezisë së Sabit Rrustemit, “Motër prej lotsh, por
sinqerisht u drodha te vargjet:
“O
i miri i motrës
Veten
e harrova në pritje
Në
maje bjeshke
Emër
prej lotsh mbeta”
dhe më kaluan mornica
nëpër trup te vargjet që vijojnë:
“Motër
prej lotsh u bëra
Kodër
Loti
Krua
e përrua”
për tu shndërruar në
një dhimbje te leximi i vargjeve:
“Po
ujin s’ma pijnë
Vetëm
sytë i pastrojnë
Që
të shohin më kthjelltë
As
buzët i afrojnë mbi mua”
Qysh në krye ndjehet
se kjo poezi ka një shtrat balade dhe i përshtatet çdo motre të rëni për liri, por para se të flasim
për vlerat e saj poetike duhet të shprehemi se: poezia Sabit Rrustemit njomë
buzët në ujët e lumit të artit gojor, prandaj ajo është gjithmon e freskët,
gjithmon e gjallë dhe në lëvizje. Mesazhet poetike janë të ngjashëm me mesazhet
e baladave, madje shpesh herë kanë stilin e shprehjeve popullore dhe urtësinë e
tij, duke patur një formë të re, moderne, poetike. Poezia “Motër prej lotsh”
shfaq lidhjen e ngushtë të artit poetik të Sabit Rrustemit me artin gojor,
madje të detyron që të kthesh dhe njëherë shikimin te krijimtaria e tij ku
vëren se gati në të gjitha poezitë
kushtuar figurave historike kosovare ai i ka ngritur me “material” nga
arti gojor.
II-Sabit Rrustemi, shtratin
e artit gojor e ka si bazament të artit poetik. Kjo është e dukshme edhe te vëllimi poetik
“Variacione për lirinë” (1997) ku cikli
poetik i titulluar “Loti i një balade” ka poezitë “Lotina” dhe “Lotina” II, frymëzuar nga një toponim në Karadak që quhet
“Kodra e Lotisë” dhe mikrotoponimet brenda kësaj zone: “Kroi i Lotisë”, “Përroi
i Lotisë” të cilat janë vazhdimësi e një legjende që lidhet me toponimin
tjetër, tejet të njohur dhe përtej Grykës së Karadakut, “Uji i Kuq”.
Në këtë cikël
personazhi lirik bashkëjeton mes “Lugit të Dafinave” dhe “Kodrës së Lotisë”
diku në thellësi të Karadakut në një përpjekje të poetit për një riaktualizim
të disa legjendave dhe gojëdhënave të moçme, përmes një petku të ri poetik,
duke u shfaqur si një eksplorues i vëmendshëm i aktualitetit dhe mesazheve që
formësohen , ndikohen dhe gjejnë shtrirje të gjerë, duke futur në funskion
thesare të artit gojor. Kjo është një arritje e pjekurisë së tij poetike
dhe vlen të cilësohet si e tillë.
E parë në këtë
kontekst, ndjen se arti gojor, qysh nga këngët popullore, përrallat, fjalët e
urta, baladat e legjendat janë shtrati ku rrjedh krijimtaria e tij letrare,
duke marrë me vete “grimca” ari, që rrezëllijnë në gjithë veprën e tij, jo
vetëm poetike por edhe në prozë.
Ky shtrat arti gojor
i poezisë së tij ka ndikuar edhe stilin e tij poetik, ku shpesh herë vargjeve u
jep formën e urtinave (fjalëve të urta) si përfundime të pakundërshtueshme të
idesë së tij poetike, pasi janë provuar nga jeta.
Shembulli
më i mire i kësaj që themi është poezia tjetër, “Baladë për një urtësi të
vjetër” e publikuar së pari
në vitin 2006, e përfshirë te libri “Puhizë mëngjezore” (2023), që është tepër aktuale dhe sot. Kjo poezi
ka për bazë një fjalë të urtë popullore që thotë: “Mos hyr ku s’dilet
se del tek s’hyhet” dhe që për ne, të cilët kemi “vështirësi” në kuptimin
dialektikor, më shumë se poezi , na ngjan me një gjerdan fjalësh të urta:
“Hyre
ku s’dilet e dole tek s’hyhet
ku
të të gjej tash he burrë
Ajo
udhë e paudhë
as
kokë as këmbë s’ka
Vetëm
në kujtesën e popullit rron
Mos
e ngacmove veten
për
t’u bërë një urtësi e re”
ku strofat dyshe kanë
secila strukturë të një fjalë të urtë dhe vargu tek ,“Vetëm në kujtesën e
popullit rron”, shërben si një
urë lidhëse dhe përforcon “ligjërimin”
poetik edhe përmes vargjeve :
“Fjalët
e urta nxirren rrallë
e
nuk shkruhen në ballë
Leximit
në sy a t’i besoj më
T’i
më le vetëm e hero nuk u bëre
së
paku për një këngë
na
i hëngrën veshët rivalët e trilltë
Mos
hyn ku s’dilet se del tek s’hyhet
fjala
e urtë nuk thyhet”
Të duket se je në një
odë burrash ku kuvendohet sipas kodeve zakonore e duhet të mendohesh mirë para
se të flasësh një fjalë.
III-“Motër prej
lotsh” e lexon dhe nuk ndjehesh i qetë as gjatë leximit dhe as gjatë
analizës së saj, pse të duket se ecën nëpër legjenda.
Kemi një këngë ne himariotët që titullohet “Vajz’ e
valeve” ku një vajzë vajton në breg të detit, jo vetëm me sy, por gjithë
trupi i shkrihet në lot e përzihet me ujët e detit. Sigurisht që “Vajz’ e
valëve” është me shtrat balade ashtu siç është edhe “Motër prej lotsh”e
Sabit Rrustemit, veçse unë do shtoja: sa të ngjashme i kemi motrat ne
shqiptarët në të dy anët e kufirit !
Ky shtrat i artit
gojor në poezinë “Motër prej lotsh” ka ndikuar edhe në strukturën e vetë
poezisë, duke qenë e thjeshtë dhe e qartë, me vargje të shkurtëra që krijojnë
një ritëm të veçantë.
"Motër prej
lotsh" ka një strukturë të thjeshtë dhe lineare, e ndarë në vargje të
shkurtra. Kjo strukturë ndihmon në përcjelljen e emocioneve dhe të ndjenjave në
mënyrë të drejtëpërdrejtë. Poezia është ndarë në strofa që të ngjajnë si ngulçe
shpirti të motrës për vëllanë.
Përdorimi i ritmit në
vargje, si "Motër prej lotsh u bëra / Kodër Loti / Krua e përrua",
shton një ndjenjë të rregullt dhe të harmonizuar në poezi. Ky element i
strukturës së poezisë ndihmon në konsolidimin e emocioneve dhe në përcjelljen e
tyre në mënyrë të përsosur.
Vargu i shkurtër dhe
ndarja e vargjeve të kësaj poezie, tregon një ekonomi të fjalëve dhe një
thjeshtësi në përcjelljen e ndjenjave. Ky strukturim me vargje të shkurtra dhe
tërheqëse bën që poezia të jetë e lehtë për t’u kuptuar dhe për t'i përcjellë
emocionet në mënyrë direkte.
Gjuha poetike aq e
thjeshtë dhe e drejtëpërdrejtë, bën që
poezia të jetë e qartë dhe e kuptueshme për lexuesin. Përdorimi i fjalëve të
zgjedhura me kujdes, si "lot", "kodër", "krua" me
thjeshtësinë dhe qartësinë e tyre e bën të dukshme thellësinë e ndjenjave, dhe
krijon një imazh të fortë emocional si ujët e pastër të detit që shfaq imazhet e fund detit.
IV- Shtrati i artit
gojor te poezia "Motër prej lotsh" të poetit ka ndikuar dhe në
përzgjedhjen e figurave artistike që kontribuojnë në intensitetin emocional dhe
forcën e imazheve të poezisë.
Kështu, metafora në
vetë titullin e kësaj poezie, "Motër prej lotsh", simbolizon
transformimin e motrës në një gjendje të thellë dhimbjeje që të kujton një
skulpturë ku Shën Mëria është gdhendur
brenda një pike ploti, metaforë e fuqishme që ndihmon në thellimin e kuptimit
dhe krijon një imazh të fortë emocional. Metafora "Emër prej lotsh mbeta” është tepër tronditëse për dimensionin
që hap në artin gojor, shtrat i kësaj poezie. "Nga dhembja / Zuri të
rrjedh një krua" metaforizon poeti, ku "kroni" përfaqëson
rrjedhjen e lotëve në mënyrë simbolike, duke i dhënë dhimbjes një formë më të
përpiktë artistike.
Kontrasti në vargun
"As buzët i afrojnë mbi mua … Lotsh kur gufoj", midis buzëve
që nuk afrohen dhe gufimit të lotëve, krijojnë një imazh të tensionit dhe ndarjes, që bëhet më e dukshme te vargjet: “Në çast tremben ikin/E një fjalë për ty s’ma lënë”, sikur nuk i mjafton dhimbja kësaj motre
por i shtohet edhe vetmia si për t’ia bërë më të madhe atë.
Këto figura artistike
e pasurojnë poezinë "Motër prej lotsh" dhe i japin asaj një
dimension të thellë artistik. Përdorimi i tyre me mjeshtëri dhe në kontekstin e
tregimit të motrës shton intensitetin emocional dhe e bën poezinë të përkryer
për të shprehur trishtimin dhe vuajtjen, po edhe artin e pakontestueshëm që ka
përbrenda rreshtave dhe mes-rreshtave.
Prandaj,
leximi i sërishëm i saj, është i paevitueshëm.
______________________
(Sarandë,
më qershor 2023)