Mendime
Rexhep Gjergji: Për kë po bien kambanat!
E diele, 24.07.2022, 07:55 PM
Për kë po bien kambanat!
Nga
Prof. Rexhep Gjergji
Tri
ditët e fundit janë bërë temë dite, në të gjitha mediat e vendit dhe më gjerë,
aktet e dhunshme të fundamentalistëve vehabistë që kanë ngritë krye në Podujevë
dhe rrethinë. Sulmi brutal mbi imamin e xhamisë në Lupc të Poshtëm të Podujevës
dhe trazirat në fshatin Halabak, tregojnë se radikalizmi islam po përhapet me
shpejtësi edhe në vendin ku më parë ishte ruajtur me sukses islami tradicional
dhe besimi në Zot. Në Podujevë me rrethinë nuk kishte pasur as edhe një rast të
vetëm të shkuarjes në luftërat e huaja dhe vëllavrasjet me qëllim të imponimit
me dhunë të një forme tjetër të adhurimit të Zotit dhe lutjeve për të. Këto
raste janë alarm për shoqërinë tonë e cila synon ndërtimin e Kosovës si shtet
demokratik ku bindjet politike dhe liritë fetare janë të garantuara me ligj dhe
me kushtetutë. Manifestimet e tilla vehabiste, madje tash edhe shumë të
dhunshme, që duken sheshazi edhe rrugëve, nuk kanë asgjë të përbashkët me
bindjet dhe formën se si prindërit tanë kanë manifestuar bindjet e tyre fetare
dhe besimin në Zot. Është trimërues reagimi i kryeimamit të Podujevës, Bekim
Jashari, por janë dëshpëruese reagimet e vakëta të BIK –ut dhe heshtja e plotë
e faktorit politik. Është momenti për
një mobilizim të përgjithshëm shoqëror kundër këtij rreziku të kobshëm që po i
kanoset shtetit dhe shoqërisë tonë. Heshtja ndaj këtyre akteve të dhunës dhe
manifestimeve tjera radikale të kësaj natyre është pajtim me to. BIK-u është
përgjegjës për situatën e krijuar dhe përshkallëzimin e saj të mundshëm.
https://www.facebook.com/rexhep.gjergji