E diele, 05.04.2020, 01:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Rama: Pikaso, gjenitë dhe mjeshtëritë e tyre

E shtune, 13.12.2008, 10:03 PM


Luan Rama
Pikaso, gjenitë dhe mjeshtëritë e tyre     

Shkruar nga Luan Rama    
 
Në Paris, në sallat e mëdha të Grand Palais apo në Louvre dhe në Musé d’Orsay, ekspozitat tematike dhe retrospektive për artistë të ndryshëm janë të vazhdueshme, pasi Parisi vazhdon të mbetet një metropol i pikturës botërore. Por ekspozita e hapur këto kohë në “Grand Palais”, në Champs Elysées, është e një natyre të veçantë. Jo vetëm pse i kushtohet punimeve emblematike të gjeniut të artit piktural botëror, siç është Picasso (Pikaso), por sepse ajo synon të deshifrojë e zbulojë përmes krijimtarisë së këtij artisti të madh, rrugën e përshkuar nga ai, frymëzimet e tij,  të tregojë se cilët ishin mjeshtrit e tij, udhërrëfyesit, ata që ai pati në zemër, duke ndërtuar njëkohësisht një lloj dialogu brenda ekspozitës, midis vetë veprave, duke ballafaquar midis tyre tablotë e mjeshtërve që ai adhuroi në rininë e tij apo dhe më pas, gjatë gjithë jetës së tij artistike.

Ja pse kjo ekspozitë është ndryshe nga të tjerat dhe quhet “Picasso dhe mjeshtrit e tij”. Dhe mjeshtrit e tij ishin Velasquez, El Greco, Rembrandt Goya, Delacroix, Manet, Ingres, Lautrec apo Cezanne. Dikush mund të thotë se janë shumë, apo të ndryshëm nga njëri tjetri. Por tjetër gjë na thotë krijimtaria e këtij gjeniu. Para disa vjetësh, po në sallat e “Grand Palais” isha gjendur përballë një ballafaqimi të tillë midis tablove të Van Gogh dhe Millet, ashtu si më pas, në Amsterdam, midis tablove të Caravaggio-s dhe Rembrandt. Ishin ballafaqime krijimtarish dhe tablosh që kanë hyrë në historinë e artit botëror, ku ndikimi artistik nga njëri tek tjetri dukej në mënyrë të jashtëzakonshme. Vërtet Van Gogh kishte hedhur në telajo të njëjtat figura të pikturuara më pare nga Millet, duke i vendosur personazhet në të njëjtat pozicione, por tablotë e tij kishin një gjendje krejt tjetër. Të tjera linja, ngjyra, penela. Një tjetër art. Po kështu dhe tek italiani i famshëm Caravaggio.

Por kjo ekspozitë në Paris është një ndërmarrje akoma më e thellë, pasi Picasso-n e ballafaqon me disa gjeni të tjerë pararendës apo bashkëkohës të tij. Madje koncepti i kësaj ekspozite mbështetet dhe nga dy ekspozita të tjera të njëkohshme: Picasso dhe Delacroix në Louvre dhe Picasso dhe  Manet  në Muséee d’Orsay. 210 vepra në Grand Palais përfshijnë një epokë të madhe kohore, ose disa shekuj: nga shekulli XVI i Velasquez, deri në shekullin e XX, kohë kur jetoi dhe Cezanne. A nuk shkruante Picasso se “Unë thitha qumështin e tyre dhe me të u rrita”? Picasso asnjëherë nuk e ka fshehur se disa tabllo të tij emblematike kishin tema e subjekte, apo ishin frymëzuar nga mjeshtër të tjerë të pikturës si nga Goya, Manet, Delacroix e gjer te Toulouse-Lautrec. “Thonë se pikturat e mia të para në Paris ishin kopje të Lautrec… por askush nuk i ngatërron veprat e mia me ato të tij. Duhet të përpiqesh të frymëzohesh dhe jo të thjesht të kopjosh”, - thoshte ai.

Picasso i piktakoi veprat e Degas dhe Toulouse-Lautrec në rini të tij, kur nga Barcelona vinte të shikonte Parisin dhe i ngjitej kodrës së Montmartre-s. Nga i dyti ai u ngacmua shumë më tepër, siç e tregojnë dhe mjaft nga tabllotë e rinisë së tij si Gruaja që pi absint,  Moulin de la Galette, Heteria, etj. Dhe padyshim, veprat e tij, edhe pse e “kopje” të tablove të tjera, janë krejt tjetër gjë. Një tjetër art, një tjetër frymë, një tjetër botë pikturale. Një mënyrë tjetër të pikturuari. Ç’rëndësi ka se është i njëjti portret, e njëjta odaliskë, i njëjti subjekt. Tek Picasso arti arrin perfeksionin e vet dhe askush nuk mendon veprën e një gjeniu tjetër. Është e vërtetë se Dejeurner sur l’herbe (Dreke mbi bar) e Manet është në të njëjtin kompozicion dhe te Picasso.

Por tabllotë janë ndryshe nga  njëra tjetra. I frymëzuar nga tabloja e El Greco-s Varrimi i kontit Orgaz, Picasso realizoi tablonë Varrimi i Casagermos, pothuaj në të njëjtin kompozicion. Por këtë gjë e pikas fort mirë në ballafaqimin e tablosë Masakra e Koresë e Picasso-s me Pushkatimin e kryengritësve të majit të Goya-s. Nudo e zhveshur me macen, e Picasso-s është në të njëjtin kompozim si dhe tabloja e Ingres, apo më direkte Les Demoiselles d’Avignon (Zonjushat e Avinjonit), kjo kryevepër e shkollës kubiste që evokon tablonë Banjo turke të Ingres.

Po kështu, Venus-in e Ticianit, Goya-s apo të Manet-së, ne e gjejmë përsëri në tabllotë e tij. Të ngjan se ai ka dashur t’i ç’mitizojë ato, t’i “xhveshë”, dhe t’i rikrijojë me ngjyrat e tij, t’i përcjellë me shpirtin e tij drejt tablosë, siç e hedh peneli i tij, duke i dhënë një tjetër “jetë”. A nuk ka ndodhur kështu me të gjithë mjeshtrit e tjerë të mëdhenj? A nuk frymëzoheshin mjeshtrit nga mjeshtrit e mëparshëm? Piktorët e mbarë Evropës, nga vendet e veriut, nga Franca, Spanja dhe vendet gjermanike vinin në Itali për tu frymëzuar nga piktorët e mëdhenj të Rilindjes italiane, nga piktorët e “Quattrocento”-s apo “Cinquecento”-s, nga Michelangelo apo Da Vinci, nga Raffaelo, Tintoretto, Piero Della Francesca, Paolo Uccello, Mantegna, etj. Flamandët, me Rembrandt, Van Dyck, etj, e gjenin frymëzimin pikërisht në pikturën italiane, ashtu siç Goya do ta gjente tek Rembrandt, e më pas, Picasso e Becon tek Rembrandt. Edhe Caravaggio imitonte Rembrandt. Në vitin 1955, Picasso realizoi 15 variacione nisur nga tablloja e njohur e Delacroix-së Gratë e Algjerit. Tetë prej tyre janë ekspozuar aktualisht në sallën Denon të Louvre-it. Ç’kishte menduar Picasso kur ishte gjendur përballë kësaj tabloje të mjeshtrit të parapëlqyer të tij? Ç’kishte thënë kur ai kishte vizatuar variacionet e tij? “Besoj se ai do ta kuptonte, - ishte shprehur Picasso. - Dhe unë do t’i thosha atij: kur ju bënit  një “Delacroix”, ju  kishit në mëndje veprat e Rubens-it. Kështu ndodh dhe me mua. Duke menduar për ju, unë bëj veprat e mia.”

Biografët e tij shkruajnë se kur ai vendosi disa tabllo të tij në sallat e Louvre-it, Picasso kërkoi t’i vendoste në krah të mjeshtrit të dashur të tij Delacroix. Kështu ndoshta dëshironte ta shikonte veten si një dishepull të tij. Me të drejtë Picasso thoshte: “E ç’është në fund të fundit një piktor? Ai është një koleksionist që kërkon të formojë koleksionin e tij, duke i bërë vet tablotë që kanë bërë të tjerët”. Besoj se asnjë artist, nuk do ta kundërshtonte këtë thënie të tij. Kjo i ngjan aksiomës. Sepse artisti nuk lind në një terren të virgjër, por ai formohet dhe mbarset nga pararendësit të tij. Kjo ka ndodhur në të gjitha kohërat. Dhe kështu do të vazhdojë. Nga Van Eyck, Memling, Vermeer deri te Van Gogh, Modigliani e Chagall, ata nuk lindën të tillë. Ata u bënë.
Që në rininë e tij, siç shkruan dhe vetë Picasso, ai kishte një adhurim të veçantë për mjeshtrin spanjoll El Greco-n dhe Velasquez. “Kisha parë disa tablo të El Greco-s që më kishin tronditur, - shkruante ai. - Atëherë udhëtova drejt Toledos, ku pikturat e tij më lane një mbresë të veçantë. Nëse personazhet e mia të “epokës blu” janë të zgjatura, padyshim që në to është influenca e tij”. Por në vitin 1957, Picasso do t’i drejtohej mjeshtrit tjetër të tij, madje më të parapëlqyerit: Velasquez. Piktori andaluz filloi të bënte një sërë etudesh për të realizuar një vepër finale: Les Menines. Kjo ishte tabloja Diego Rodriguez de Silva y Velazquez, me titullin Las Meninas, që trajtonte një skenë të mrekullueshme me dhjetë figura, me në qendër dy vogëlushet e oborrit mbretëror që ishin “demoiselles d’honneur”.

Kjo tabllo e pikturuar nga Velasquez në vitin 1656, e kishte tërhequr aq shumë Picasso-n, saqë ai realizoi 58 tablo, duke zbërthyer gjëndjet dhe personazhet e mjeshtrit, duke shtuar këtu dhe figurën e shambellanit, personazhin e piktorit, shkurtabiqin, etj. Duke ballafaquar dy tabllotë, kupton njëherazi dy elemente të rëndësishme që përbëjnë thelbin e artit të Picasso-s: lirinë e tij dhe forcën. Lirinë, sepse ai është krejt i lirë në zgjedhjen e linjave dhe ngjyrave; forcën sepse është tejet i fuqishëm nga pikëpamja emocionante. Të duket një punë e thjeshtë rikrijimi i një tablloje duke iu referuar një tjetre, por për këtë tablo, Picasso ka punuar 6 muaj rresht gjersa e mbaroi. Pak kohë pas Picasso-s, ishte piktori anglez, moderni Francis Becon që do t’i drejtohej po një tabloje të njohur të Velasquez: Papa Inocent X. Dhe ky portret i Papës së ulur në poltronin e tij do të hynte në historinë e artit modern.

Cilët janë mjeshtrit e piktorëve të traditës shqiptare?

Për Picasso-n është shkruar shumë dhe sigurisht s’do të shkruaja për të, pasi nuk do të thosha asgjë gjë të re, por ideja e deshifrimit të frymëzimeve të piktorëve të mëdhenj është padyshim e vlefshme. Menjëherë mendova për piktorët tanë të traditës romantike apo realiste, të para diktatit të “realizmit socialist”, apo dhe për autorë e gjeneratës së sotme. Piktorët e shquar gjithnjë kanë patur dhe kanë mjeshtrit e tyre të e tyre. Cilët kanë qenë mjeshtrit e Idromenos, Mios, Buzës, Zajmit, Kacelit, etj? A nuk mund të analizonim në këtë frymë krijimtarinë e tyre.

Duke biseduar me Omer Kaleshin, ai më tregonte se që në fillimet e tij, mjeshtrit që i treguan udhët e krijimtarisë ishin Goya dhe Rembrandt. Madje ka disa piktura ku kjo influencë është e dukshme. Francezi Jacques Lacarriere ka analizuar disa tablo të tij me të mjeshtrit Goya. Po kështu, një seri e pikturave disi të “errta” të tij  (Drama Ballkanike apo Clochard, etj, janë eho të largëta të pikturave të “periudhës së zezë” të Goay-s në afresket e pikturuara në fund të jetës së tij në Quinta del Sordo (“Shtëpia e shurdhit”, meqë në fundin e jetës së tij Goya u shurdhua). Po kështu piktura e Kacelit. Në Paris, ku bëri studimet, ai kishte mjeshtrit e tij, dhe po t’i kërkosh ato mund t’i gjesh në krijimtarinë e tij. Ja një fushë e historianëve dhe kritikëve të artit. Madje edhe në fillimin e viteve 70’, tek disa piktorë shqiptarë gjen influencat e drejtpërdrejta të një Matis, Leger, të fauvistëve, tashistëve, etj. Edison Gjergo, Oseku, Velo, Sulovari, kishin mjeshtrit e tyre. Ata asnjëherë nuk kopjuan, por rikrijuan në mënyrën e tyre. Ja pse kur shohim tabllotë e piktorëve shqiptarë nuk duhet të nxitohemi dhe të themi: kjo s’është e tij, është një Paul Gaugin,  një Klée, Derain, apo Chagall. Sabri Arnauti në Turqi (me origjinë shqiptare), ishte një adhurues i Matisse-it.

Gjithë jetën ai pikturoi në këtë mënyrë. Por ajo çka krijoi ishte vepra e tij. Në vitet 60’, historiani amerikan i artit Harold Rosenberg fliste për “ndërgjegjen historike” dhe atë çka krijohet tek artisti i madh në pasqyrimin e traditës tek ai. Kjo “ndërgjegje historike” është padyshim e domosdoshme për të kuptuar vlerën e mirëfilltë të vetë artit. Dhe Picasso ishte një ndërmjetës i shkëlqyer midis modernitetit dhe traditës së mirënjohur, një përcjellës i kësaj tradite.

Misteri Picasso

Ekspozita “Picasso dhe mjeshtrit e tij” në Paris, i ngjan padyshim një dialogu të vendosur midis Picasso-s dhe mjeshtërve të tij. Një dialog ngjyrash, figurash, simbolesh dhe linjash, që flet për procesin krijues të atij arti të madh. Kjo ekspozitë ripohon njëkohësisht gjeninë e madhe të këtij artisti, që kritika e ka përshëndetur si “gjenia e shekullit XX”. Në vitin 1956, regjisori francez Henry Clouzot xhiroi filmin Misteri Picasso. Në film jepet një moment kur në praninë e regjisorit, Picasso nis një tablo dhe brënda pak minutash arrin të bëjë me një energji e shpejtësi të jashtëzakonshme kompozimin e nisur. Ky moment është nga më befasuesit në historinë e artit piktural. Vallë ky ishte “misteri” Picasso.

Ishte Picasso që pikturonte apo dikush tjetër brënda tij? Mos ishte dikush tjetër, “Tjetri brënda meje”, siç thoshte poeti Jean Cocteau. Ishte vetë gjenia! Dhe kjo gjeni tek Picasso punoi gjer ditën e fundit të jetës së tij, njëlloj si Ticiani 90 vjeçar. Në fakt Picasso ishte 92 vjeçar dhe një ditë para se të vdiste ai do të shkonte pranë tablosë së fundit të tij: Gruaja nudo dhe një portret. Përsëri një nudo, gjer në fund një nudo… dhe një portret. Ndoshta ai. Sidoqoftë, ai u ngrit nga shtrati që t’i jepte pak dritë më shumë tablosë, qê në vetvete i dukej e errët.

Të nesërmen ai vdiq në Mugins, në shtëpinë e tij në jug të Francës. Tregojnë se kur Raffaelo kishte filluar të pikturonte, i ati i tij e kishte lënë pikturën. Picasso-s i pëlqente gjithnjë të shtonte në biografinë e tij një detaj të përafërt, atë që kur ai filloi të pikturonte, i ati i tij, Don José, i dorëzoi bojërat dhe penelat dhe nuk pikturoi më kurrë. Por Picasso nuk i la asgjë birit të tij; tablotë, penelat dhe bojërat e tij, ai ia la njerëzimit.

Në fakt ai la diçka më të madhe: vetë gjeninë e tij. Picasso do të lumturohej që dikush ta “kopjonte” në mënyrën e tij. Po kjo padyshim është një detyrë tejet e vështirë. Duhet një tjetër gjeni. Pas vdekjes së Picasso-s, duket se gjenitë po mungojnë të shfaqen në botën e sotme. Megjithatë, edhe nëse do të vijnë ndonjë ditë, ata padyshim do të kalojnë në të njëjtat shtigje e rrëpira që kaloi dhe Picasso. Do të hedhin sytë pas dhe do të shohin madje shumë larg, që nga Michelangelo e Da Vinci. Pasi arti i madh është gjithnjë një buronjë e pashtershme… 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT