E diele, 10.11.2024, 06:08 PM (GMT)

Mendime

Albert Vataj: Sot unë dua të besoj në atë, për të cilën luftuam!

E hene, 17.01.2022, 08:13 PM


Sot unë dua të besoj në atë, për të cilën luftuam!

Nga Albert Vataj

Sot unë dua të besoj, por të gjithë altaret pluskojnë ende në baltën e së keqes, diskriminimit dhe denigrimit, në batakun e shpresëhumbjes dhe në tashmërinë e papajtueshmërisë me ata që besojnë te idealet dhe kauzat e lartësuara në qëllim.

Sot 32 vite më parë, më 14 janar 1990, qyteti im, Shkodra, s'deshi të ishte i pari, por mbeti filluesi i numërimit mbrapsht i orës së fatkobit të kuq. As ata nuk do të besonin se e drejta për drejtësi do të zgjonte në zemrat e tyre atë që shpirtrat kishin gatuar me zjarrin e një zemërate që ziente ndërkohjeve e hukamave të Golgotës së Gulagut komunist.

Koha u dha të drejtë atyre që ndalën kohën e një regjimi që përpëlitej në grahmat e fundit, atyre që guxuan më shumë se sa mundën, që rrezikuan gjithçka për të marrë asgjë në këtë betejë kauzash dhe ngadhënjimesh.

Vitet numëruan dhe së bashku me ta rrëzimet, dhe nuk u dhanë, qëndresa e tyre ishte më e thellë se zhgënjimi që pillte nga e keqja.

U ringritën për të provuar sërish, u ndeshën dhe beteja që u mbeti të bënin nuk ishte thjeshtë lufta e tyre ishte sfida e një gjenerate, ishte ndërtimi i një shprese mbi rrënoja, dhe... asgjë nuk do të shkonte në udhën e përpjekjeve.

Ndalime e pengime të tjera i zunë pritë atij vërshimi dhe... askush nuk mbeti pa fituar, e të gjithë dolën të humbur, për tu bërë garant i një sistemi antivlerë, i një regjimi shtypës dhe denigrues, i një kohërendje që përligj çdo ligësi, mjafton që padrejtësia të kishte të drejtë mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë, edhe mbi ata që guxuan atëherë dhe pëndueshëm besojnë sot se lufta e tyre ishte e rreme.

Ndoshta fati zgjodhi të ishte kaq mizor me ata që gjithçka që humbën, prej më të shtrenjtës së shenjtëruar në vullnesën e tyre të mirë ishte besimi, besimi në atë për të cilën ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën.

E megjithatë 32 vite kanë ikur, tre dekada përpjeke dhe sprova kanë shteruar në asgjësimin e asaj ëndrre që mori zjarr atëherë kur të gjithë ata që guxuan do të digjeshin, e megjithatë guxuan. Dhe është guximi i tyre që na bën sot me faj, të gjithëve, të gjithë atyre që në një mënyrë apo në një tjetër bënë që ajo ëndërr që ata besuan të mos mund bëhej kurrë realitet.

Sot pas 32 vitesh ende kemi kaq shumë trazim e zemëratë, sa do na duhet më shumë guxim për të ngritur krye, sepse na duhet të ngremë krye mbi veten, mbi tërbimin e atij zjarri, e ta ndërsejmë mbi kobin e kësaj nate ndjellakeqe plebenjsh, të cilët me kultin e poshtërsisë dhe perversitetit, ngritën këtë karabina poshtërimi dhe denigrimi ndaj vlerës dhe dinjitetit, shitën dhe blenë gjithçka me duart të ndyta e shpirtra të shteruar prej amokut.

Sot unë dua të besoj, por asnjë altar nuk është ngritur mbi baltën dhe përmjerrjen e abuzimit, plaçkitjes dhe masakrimit, të çdo vlere dhe virtyti, me të cilën u ushqyem atëherë kur s'u ngopëm as me bukë. Edhe unë jam fajtor për këtë katandisje të fatit tim, tëndin, të të gjithë atyre që patën një ëndërr që na e vranë ende pa lindur.

E megjithatë unë besoj dhe lëvdoj atë vepër kurajoje që zuri fill 32 vite më parë, për të mbetur atëditë e sot flakadan i zemrave zjarrmëtare të lirisë.

Ajo për të cilën u ngritën djemtë trima të Shkodrës 32 vite më parë, ajo tek e cila ata besuan, ajo për të cilën ata u gjykuan, u dënuan dhe vuajtën, nuk ishte që pushtetin e Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë ta rimerrnin komunistët, bijtë e etërve gjakatarë, të cilët ndryshe nga baballarët e tyre, janë më të paskrupullt, më të pamëshirshëm, më hipokritë, më djallëzor dhe më të këqijtë për fatet e vendit.

Ku ishim, çfarë bëmë dhe ku përfunduam? Zemërthyer e shpirtlënduar, të përdorur dhe të fyer, të mashtruar dhe të denigruar, të mënjanuar dhe të poshtëruar. Sërish edhe sot pas 32 vitesh me të njëjtën arsye si para 32 vitesh, për t’u ngritur në këmbë, për të ngritur zërin, për të guxuar dhe për t’u ndeshur edhe me të bijtë si me etërit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora