E premte, 26.04.2024, 05:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Kaza: Adoleshenca, stina e shpërthimeve (Epilog)

E marte, 09.12.2008, 01:29 PM


Adoleshenca është një periudhë kritike, që përkon me kalimin nga fëmijëria në moshën e lirisë, pavarsisë, identitetit vetjak dhe pjekurisë. Në këtë kalim bëhen kapërcime të stuhishme, ulje dhe ngjitje, frekuenca e të cilave varet, veç të tjerash, edhe nga ritmi vetjak. Njohja e këtyre veçorive, duke i identifikuar edhe për çdo adoleshent nga prindërit e mësuesit, përbën një parakusht të domosdoshëm për punën e suksesshme me të rinjtë. Ndjeshmëria është ndër cilësitë më të shfaqura në këtë moshë. Ajo ndikon në shpejtësinë apo vonesën e realizimit të këtij hopi, pavarësisht nga gjatësia e rrugës, që duhet përshkuar për pranimin e përgjegjësive qytetare. Duke e respektuar këtë veti, kërkohet që të punohet me kërkesa të vazhdueshme e në rritje për të respektuar ritmin normal. Krizat, kundërshtitë dhe shpërthimet karakteristike të kësaj periudhe kanë origjinë të brendshme, por shkaktohen edhe nga mjedisi në të cilin rritet adoleshenti. Kufijtë kohorë të këtij procesi janë të hapur. Ato i përkasin viteve në të cilët fëmija rritet në planin fiziologjik e psikologjik, deri sa arrin të fitojë aftësi e shprehi për të përballuar jetën. Vëzhgimi i këtij procesi duhet të bëhet në vijimësi. Ndërhyrjet kërkohet të realizohen me takt në kohën e volitshme dhe kryesisht nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimtari të ndryshme.
Të rinjtë janë në ankth. Ata krijojnë përfytyrime të pafundme, të cilat i trazojnë nga çasti në çast, stresohen e revoltohen shpejt, përpiqen e nxitojnë që të rriten menjëherë, që të mos vonohen e të mbeten gjithnjë fëmijë. Kërkesat e larta, në një njësi kohe relativisht të shkurtër, krijojnë kushte për dështime, gjë e cila i brengos ata. Prandaj ky është momenti më i përshtatshëm për t’i mbështetur e për t’i mbrojtur, për t’i ndërgjegjësuar se çdo arritje, përveç energjive, kërkon edhe kohën e nevojshme. Adoleshentët janë mjaft të prekshëm, prandaj veprimet e pamenduara të të rriturve i revoltojnë dhe krijojnë rrezik për shembjen e këtyre marrëdhënieve për të ardhmen. Prindërit dhe edukatorët kërkohet të jenë të matur, ata duhet të ngjallin besim, guxim dhe të zgjojnë vrulle tek adoleshentët, duke shmangur kështu mundësinë e shfaqjes së depresionit, negativizmit apo agresionit, që janë të pranishme në çdo rast mossuksesi. Kjo periudhë kohore e adoleshentëve është e copëzuar dhe karakterizohet me përjetime të dyzuara nga vuajtje të mëdha në kënaqësi e gëzime të pafundme, duke kapërcyer papritmas nivelet e gjendjeve shpirtërore. Ndërtimi dhe zbatimi i një taktike elastike edukative të mbështetur në veçoritë individuale të të rinjve, ndikon në zbutjen e efekteve që mund të lënë gjurmë të thella. Një ndër kontraditat, që shkakton dhimbje te të rinjtë, është fakti se disa prindër jetojnë me përfytyrime dhe vihen në garë me fëmijët e vet, gjë e cila lind si reaksion kompensimi për rininë e tyre të munguar. Ndodh jo rrallë që prindër nostalgjikë, me nivel të dyshimtë kulturor i bombardojnë të rinjtë me moral, duke u kujtuar historitë e tyre, vështirësitë që kanë kapërcyer dhe triumfin në jetë. Pastaj fillon krahasimi i gjendjes, kryesisht asaj ekonomike, në të dyja kohët, përmes së cilës kërkohet të shfaqen epërsitë e brezit të rritur. Kjo dukuri me nuanca xhelozie e rivaliteti është shumë e dëmshme, ajo vë në peshore për të krahasuar gjëra krejt të ndryshme, me largësi jo vetëm kohore dhe ekonomike, por mbi të gjitha botëkuptimore.
Adoleshentët janë aktivë. Ata karakterizohen nga shpërthimi, humori dhe lëvizshmëria e madhe, nxiten drejt dijes e përparimit, manifestojnë shpirtin kërkues e konkurrues duke përdorur mjete e rrugë të ndryshme. Në rastet kur manifestohen praktika të gabuara, duhet treguar vëmendje e kujdes nga edukatorët. Ndikimi, përzgjedhja dhe ndërhyrja duhen bërë në momentin e përshtatshëm dhe me takt, për të mos shkaktuar reagime negative.
Të rinjtë kanë një jetë emotive të ndërlikuar, janë besnikë, por edhe të lëvizshëm, pushtohen nga ndjenja të këmbyera, që përshkohen prej gëzimit, por edhe nga frika për të ardhmen. Prandaj kërkojnë me çdo çmim suksesin e çastit në jetë, vonesa e të cilit i brengos pa masë. Adoleshentët shfaqen në shumë raste kundërshtues ndaj prindërve, janë në kërkim të unit të tyre, respektojnë e dashurojnë, por luftojnë gjithnjë për të qenë të pavarur. Ata kanë interesa në fusha të ndryshme, prandaj përpiqen t’i realizojnë dhe kërkojnë të dallohen nga gjithë të tjerët. I kushtojnë vemendje ruajtjes së përgjegjësive në familje, shkollë e shoqëri, por janë në nxitim të madh për t’u rritur sa më shpejt. Nga kjo ndodh shpesh që këto marrëdhënie të tronditen seriozisht. Dëshirojnë të arrijnë sukses e lumturi të menjëhershme, duke synuar e duke projektuar në disa raste objektiva të paarritshëm në kohë.
Adoleshentët rebelohen shpesh me prindërit e tyre, aq sa marrëdhëniet në familje vihen në pikëpyetje të plotë. Mund të ndodhë edhe largimi nga familja, duke demonstruar jo vetëm pakënaqësi, por edhe prirje për të qenë të pavarur me çdo çmim. Kjo dukuri ekziston në shumicë te masa e adoleshentëve, por shfaqja e saj është specifike. Revolta mund të jetë e hapur, e cila shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, të karakterit ekonomik, shoqëror, psikik etj. Në të gjitha këto raste ajo vërehet nga prindërit dhe mësuesit, kështu krijohen mundësitë për të marrë masat e nevojshme. Ndodh shpesh që rebelimi të jetë i pashpallur, i brendshëm, prandaj të krijohet përshtypja iluzive se gjithçka po shkon mirë. Këto janë rastet më të vështira, të cilat duhen studiuar e mënjanuar me shumë vëmendje.
Në adoleshencë fillon të rritet prirja e marrëdhënieve më të ngrohta me shoqërinë se me familjen. Në këtë kohë lindin miqësitë e ngushta. Adoleshentët kanë shumë kërkesa për t’u rritur, ndërsa prindërit dhe shoqëria u japin atyre të nevojshmen, por nuk arrijnë t’ua plotësojnë dëshirat. Prandaj ata kërkojnë zgjidhje të tjera, të cilat në jo pak raste mund të dalin të gabuara dhe bëhen burim për manifestimin e dukurive negative. Adoleshenca mund të vlerësohet si moshë e dashurisë dhe miqësisë, ku të rinjtë kërkojnë t’i gjinden pranë njëri-tjetrit për të amortizuar vështirësitë e për të shmangur vetminë. Ata kanë prirje për të qenë së bashku, si një mundësi më tepër për të përballuar çdo çast të jetës së re.
Adoleshentët tronditen nga indiferenca, mospërfillja. Ata zemërohen, kur mendimet e tyre nuk vlerësohen apo nuk u kushtohet vemendja e nevojshme. Zhvillimet fiziologjike dhe psikike kanë intensitet të lartë, por ato shoqërohen në jo pak raste me probleme, të cilat nëse nuk paraprihen, shkaktojnë dhimbje e trauma, në raste të shkëputura edhe të pariparueshme. Praktikimi i një strategjie rinore edukimi për këto dukuri nga familja dhe shkolla, do të ndikonte pozitivisht për zbutjen e shmangien e tyre. Adoleshenca është një dukuri universale, por ajo ka specifika të veçanta për individë e kohë të ndryshme. Dallimet dhe ngjashmërit janë të pashmangashme, por individualitetet sado që të përshtaten, kanë veçori të tyre zhvillimi e ritmesh, që e bëjnë shumë të ndërlikuar trajtimin dhe edukimin e të rinjve. Njohja dhe respektimi i parimeve bazë të edukimit për të respektuar fazat e zhvillimit individual në planin fizik, emocional e psikik, përbën parakushtin për të arritur sukses në edukimin e të rinjve. Pavarësisht dëshirës, që kanë prindërit për të ndërtuar marrëdhënie funksionale me adoleshentët, na duhet të pranojmë se ka mjaft probleme, që rrjedhin më tepër nga ndryshimet e mentaliteteve se ato të moshave.
Vërtetë edhe vetë prindërit dikur kanë qenë të rinj, kanë ëndrruar dhe kanë arritur objektiva në jetën e tyre, por kjo nuk përbën ndonjë kusht për të qenë të sukseshëm në edukimin e modeleve që dëshirojnë. Janë shumë faktorë, përveç moshës, që i ndan brezat e sotëm me ata të disa dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Nuk është në mes vetëm koha, por janë zhvillime të panumërta teknike, teknologjike, shoqërore, ekonomike etj. Ritmet e ndryshimeve në jetë, tani janë më të larta. Këto pasqyrohen edhe në mentalitetin dhe ndërgjegjen e individit. Për këtë arsye ndryshimi i brezave është i ndjeshëm dhe jo në pak raste, i thellë, gjë e cila bëhet edhe pengesë mbi të cilën lindin kundërshtitë. Ka edhe vështirësi të tjera të sferës psikike që marrëdhëniet prind-fëmijë i qojnë në kufijtë e shpërthimit. Ne flasim për karakteristika dhe cilësi të adoleshentëve, për veçori të zhvillimit të tyre, por duhet të kemi të qartë se njohja dhe zbërthimi i botës mendore, fizike dhe, sidomos, shpirtërore, qoftë edhe e një të riu, është mjaft e ndërlikuar. Mirëpo pa e njohur atë dhe ligjësitë e saj, është e pamundshme të ndërtohet një strategji racionale edukimi. Me të drejtë ndonjëri mund të thotë se me këtë gjendje ekonomike dhe krizë që po përjeton, familja shqiptare e ka të vështirë t’u përgjigjet këtyre kërkesave. Por kjo nuk qendron plotësisht. Gjithkush bën llogaritë e tij, natyrisht jashtë saj nuk ka si të mbetet krijimi i familjes dhe përballimi i kostos që rrjedh prej saj, por edhe në rastin më të vështirë prindërit nuk duhet të shkarkojnë barrën e tyre mbi shpatullat e fëmijëve. Marrëdhëniet dhe komunikimet në familje, veçanërisht në prani të të rinjve, duhet të jenë të ngrohta, pa ngarkesa të tepërta emotive, pa agresivitet e dhunë, edhe nëse nuk ruhet gjithnjë fryma miqësore, të paktën të shmangen qëndrimet armiqësore.
 
Një atmosferë e rëndë familjare, e cila krijohet jo vetëm nga mungesat ekonomike, është faktor nxitës për përgatitjen e kontigjenteve të padëshiruara nga vetë familja, por edhe nga gjithë shoqëria. Sot në tërësi po studiohet e po diskutohet fakti si niveli i lartë ekonomik i familjeve në vendet e zhvilluara nuk po jep rezultatet e dëshiruara, madje në disa vende po jep efekte të kundërta nga ato që priten. Plotësimi maksimal i kërkesave ekonomike i të të rinjve nga familja dhe shoqëria e konsumit po shëndërrohet në burim demotivimi për të studiuar dhe për të arritur rezultate të kënaqshme në mësime.
Me këto që thamë, nuk kërkojmë të përligjim varfërinë dhe mungesat e të mirave materiale, të cilat pa asnjë diskutim ndikojnë në mirërritjen e fëmijëve, por në asnjë rast ato nuk duhet të absolutizohen. Këtë e verteton edhe përvoja e brezave tanë më të rritur, të cilët, pavarësisht kushteve ekonomike, kanë patur arritje shoqërisht të vlerësuara. Adoleshenca vlerësohet si mosha e rilindjes. Ajo përmban energji e zhvillime të jashtëzakoshme. Mirëpo në mes përpjekjeve, ndikimit të familjes, shkollës e shoqërisë për të formuar vlera e bindje dhe interesave e aftësive individuale të të rinjve shpesh ka mospërputhje, gjë e cila bëhet bazë e konflikteve. Revolta dhe pakënaqësi lindin edhe për shkaqe të natyrave shoqërore e të qëndrimeve sentimentale. Ato shpërthejnë në çast dhe prishin ritmin normal të punës. Të rinjtë, meqë janë të brishtë e të ndjeshëm, në lëvizje e ndryshim të shpejtë të brendshëm dhe të jashtëm, të drejtuar apo të vetëdijshëm, e kanë të pamundshme në disa raste të përmbahen. Për këtë arsye ata, ndonëse nuk i kanë mjetet e nevojshme, nuk bëjnë llogaritje forcash, por shpërthejnë në revoltë, e cila në më të shumtën e rasteve ka karakter ideal, jomaterial. Kur kjo dukuri shfaqet, mund të themi se është gjysma e të keqes, por në mjaft raste ajo mbetet e mbyllur, zhvillohet në heshtje dhe jo vetëm ndikon në rrënimin e marrëdhënieve, por jep efekte negative për edukimin e subjektit, ndonjëherë me pasoja të pariparueshme. Edukatori, prindi, mësuesi duhet të kontrollojnë dhe të zbulojnë se çfarë ndodh në të vërtetë me adoleshentët, pse sjellja e tyre nuk përputhet me bindjet e të rriturve, cili është shkaku i vertetë i grindjeve, pse adoleshentët sillen jashtë natyrës së tyre të vertetë, gënjejnë, shmangen, veprojnë fshehurazi etj. Këto e mjaft probleme të tjera kërkojnë përgjigje e zhvillim të specializuar jashtë emocioneve të çastit. Në kohën e sotme gjërat kanë evoluar, zhvillimi i teknikës, teknologjisë, përsosja dhe përhapja e mjeteve të komunikimit masiv krijojnë mundësi reale për përdorimin e larmishëm të formave dhe metodave të edukimit. Mbi këtë bazë mund të përcaktohet çfarë duhet e nuk duhet zbatuar në marrëdhëniet me adoleshentët.
Adoleshenca është moshë delikate, prandaj të rriturit duhet të jenë të kujdesshëm në trajtimin dhe në ndërtimin e marrëdhënieve me të. Duhet të kemi të qartë se vetëm ndryshimet fiziologjike bëjnë që adoleshentët, qoftë edhe në mënyrë të vetëvetishme të përjetojnë e të kalojnë në mendime të thella. Në këtë moshë fillojnë e shfaqen probleme lidhur me pavarsinë, shkollimin, zgjedhjen e profesionit dhe statusin e tyre shoqëror e jetësor. Nga mungesa e përvojës, ekuilibrit dhe formimit të përgjithshëm, të rinjtë shpesh dështojnë dhe demoralizohen. Prandaj në këto momente është më se e domosdoshme prania dhe ndihma e kualifikuar që duhet dhënë ndaj tyre. Duke dashur të sjell një pasqyrë të problematikës së moshës që mban mbi vete shpresat dhe ëndërrat për të ardhmen, nuk mund të lija pa shprehur edhe shqetësimet që brezi im ka ndjerë në vetvete. Pra, vështrimi është rrjedhojë i vrojtimeve të drejtpërdrejta në punën e institucioneve arsimore, në jetën e të rinjve, si dhe në shndërrimet që ka diktuar koha në familjet tona. Por këtu dalin problemet dhe përgjegjësitë sipas rolit që luajnë dhe vendit që zënë si aktorë të përbashkët në këtë dukuri tipike të moshës së shpërthimeve. Tek adoleshenti ndjenja e përgjegjësisë zhvillohet vetëm kur arrin të gjykojë për gjithë veprimtarinë e vet, për mirë apo pë keq, kur të ndjejë për gabimet e sjelljet e tij të padenja. Kështu ndodh edhe në familje e në institucionin e shkollës kur ka mirëkuptim e dashuri, ka nxitje të brendshme të vetëdijshme për të bërë analizë të vërtetë të veprimeve dhe të ecurive. Një klimë e tillë ndikon që adoleshentët të përgatiten për të realizuar edhe vetedukimin, i cili nuk nënkupton lënien pas dore të edukimit dhe ndikimit prej prindërve dhe mësuesve.
Adoleshentët janë të përfshirë nga ndjenja e të përjetuarit të të rriturit, megjithëse janë të bindur se shumë gjëra nuk i kanë arritur, por, në të njëjtën kohë, ata vlerësojnë se kanë fituar më tepër aftësi për të qenë në gjendje të çajnë në mënyrë të pavarur në shtigjet plot të panjohura të jetës. Ata nuk ndjekin në mënyrë të verbër shembullin e të rriturve, nuk imitojnë siç bënin dikur kur ishin fëmijë. Ata janë në kërkim të un-it, në kërkim të zbulimit të vetes së tyre. Për këtë arsye ata janë kritikë ndaj prindërve dhe mësuesve, ndaj gjithë shoqërisë.
Në adoleshencë motivi i përgjegjësisë fillon e merr përparësi ndaj motivit të arritjes. Por nga shkaqe të ndryshme, edhe nga mungesa e aftësive të duhura jo për faj të tyre, mund të lindë mosbesimi dhe bashkë me të edhe ndjenja e dështimit. Ky është një rrezik që duhet parandaluar. Sepse, në përgjithësi, interesat e adoleshentëve janë pa kufij matës, këtu edhe për shkollën dhe lëndë të veçanta, këtu edhe për ndryshime të shpejta në marrëdhëniet shoqërore, në tërësi, dhe brenda vetë familjes e rrethit shoqëror, në veçanti. Prandaj kërkohet të njihen dhe të vlerësohen këto prirje e interesa.
 
Adoleshenca është moshë vrulli të paparë, gjë që ka shpjegimet e saj, por për ta kanalizuar e për ta drejtuar këtë në mënyrë të organizuar, kërkohet kujdes e mjeshtëri profesionale. Këtu, edhe krizat, konfliktet, shpërthimet, revoltat dhe papajtueshmëritë që trajtuam, kanë vlerat e tyre. Ato nuk duhet të krijojnë alarme të panevojshme, por vemendja duhet përqendruar tek trajtimi dhe menaxhimi i tyre efektiv. Dëshirat e tyre që nuk mund të plotësohen në sfera të ndryshme të jetës së përditshme, përmbushen në fantazi. Ndjenjat e nevojat në rastet e munguara, realizohen në botën e imagjinuar. Kështu fitohet një mësim për të shmangur njëfarë kënaqësie dhe qetësie iluzive. Adoleshenca është lulja e jetës, por që të përjetohet si e tillë, duhet investuar shumë nga ana morale, financiare e shoqërore, gjë që përcakton në një masë të madhe arritjen e suksesit në tërë veprimtarinë tonë.

 Falenderim:

Për hartimin e kësaj esseje jam nxitur dhe jam ndihmuar nga shumë kolegë, mësues, nxënës e specialistë të arsimit, të cilët me pasion e përkushtim po shëndrrohen në personazhet më të rëndësishme të përpunimit dhe të realizimit të edukimit.
Gjej rastin t’i falenderoj e t’i përshendes të gjithë. Me këtë rast, s’mund të lë pa veçuar konsulentin shkencor dhe redaktorët, të cilët me ndihmesën e pakursyer ndikuan në realizimin e plotë të essesë.
Falenderime të veçanta shkojnë për komunën e Fanit, personalisht për kryetarin e saj, z. Mark Marku, që tregoi interesim të madh për botimin e këtij libri.

BIBLIOGRAFI
1. “Mësuesit, shkollat dhe shoqëria”, Myra e David Sadker, “Eureka”, 95
2. “Si ta përballojmë stresin”, dr. Peter Tyrer, përkthim P. Xhelo Tiranë 2000 ISBN 99927-698-4-x
3. “Psikologjia zhvillimore”, Mithat Hoxha, Shkodër, 2002 ISBN 999 27-49-14-8
4. Aftësitë për jetën, Tiranë 2002
5. Dashuria dhe gruaja, Artur Shopenhauer, përkthim P. Logoreci, Tiranë, 1999 ISBN 99927-603-5-4
6. “Social-Psikologjia”, David G. Myers, përkthim E. Çela Tiranë, 2003 ISBN 999 27-54-62-1
7. “Psikologjia”, Terry Pettijohn, Tiranë, 1996
8. “Mendja e pashkolluar”, H. Gardner. përkthim, ISP, Tiranë, 2002
9. “Psikologjia e zbatuar në mësimdhënie”, R F Biehler J Snowman. përkthim, ISP, Tiranë 2004.
10. “Forcat e ndryshimit në arsim”, Michael Fullaun, përkthim,
ISP, Tiranë 2003
11. Dimensionet e mendjes, Hauard Gardner. Përkthim ISP Tiranë 2003
11. “Në rrugën që rrallë shkohet”, Skott (1) DHE (2)
12. “Adoleshenca”, Fransuazë Dolto, Tiranë, 2003, ISBN: 99927- 54-38-9
13. “Parapsikologjia”, Milan Riz Tiranë, 2002, ISBN: 99927- 48-78-8
14. “Psikologji e shkrimit, Rolando Marchesan, Tiranë, 2002 ISBN: 99927-48-84-
15. Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, vëll. I, Tiranë, 2003
16. “Psikologji sociale”, Ylli Pango.
17. “Adoleshenca”, E. Dragoti
18. “Drejt vetëmësimit dhe vetëformimit intelektual permanent”, Mark Vuji, 2003
19. “Për një mësim dhe edukim ndryshe”, Q. Dushku, Lezhë,2002.
20. “Si mund të mësohet në mënyrë aktive e krijuese?”, Mark Vuji, Tiranë, 1999



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora