E premte, 26.04.2024, 11:03 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Edhe diçka rreth Kongresit të Manastirit

E diele, 07.12.2008, 09:21 PM


Edhe diçka rreth Kongresit të Manastirit

Nga Valon Kurtishi

Përderisa Rilindësit në Manastir që para njëqind vitesh hodhën poshtë vendosmërisht versionet botëkuptuese greke, turke dhe sllave duke drejtuar shikimin me sy e zemër nga perëndimi i bekuar, qeveritarët e sotëm shqiptarë iu kthehen sërish sistemeve arsimore greke, turke dhe sllave. Këtë e bëjnë fare paturpësisht - me idealet europiane dhe me emrat e idealet e Rilindësve në gojë!?
Viti 2008 shënoi një ndër përvjetorët më të rëndësishëm, ndoshta më madhorin në vetë ekzistencën e kombit shqiptar - 100 vjetorin e Kongresit të madh e të bekuar të Manastirit. Pikërisht një shekull më parë, intelektualët dhe patriotët tanë të mëdhenj, u mblodhën në kryeqendrën e njërës prej katër provincave shqiptarë nën okupimin shovinist turk, në Manastir, me një qëllim të përcaktuar qartë: unifikimin e shkrimit shqip për gjithë shqiptarët kudo janë. Përveç këtij qëllimi madhor, delegatët në disa seanca të tjera (të fshehta) debatuan edhe për rrugët dhe mënyrat drejt pavarësimit më të shpejtë të vendit nga humnera turke ku rrezikonte të fundosej përfundimisht. Çfarë madhështie karakterizonte të gjithë pjesëmarrësit e Kongresit. Çfarë inteligjence, tolerance, mirësie, por edhe patriotizmi e guximi njëkohësisht, i shtyu delegatët tanë që për një javë rresht nën kërcënime e pengesa nga më të ndryshmet, të punojnë për të mbyllur me sukses vizionin e madh properëndimor të Naimit, të përmbledhur aq plotësisht në vetëm tre fjalë "Dielli lind atje ku perëndon".

Kjo ndodhi para 100 vjetësh, në rrethana e kushte krejtësisht tjera e shumë të pafavorshme për kombin shqiptar në Ballkan. Shqiptarët atëherë ishin në gjendje të mjerueshme politike, ekonomike, shoqërore në përgjithësi. Niveli i përgjithshëm i emancipimit social të qytetarit shqiptar në ato vite të vështira linte shumë për të dëshiruar. Kjo erdhi si pasojë  e politikave asimiluese që i aplikonte asokohe okupatori turk në bashkëpunim të plotë me nacional terrorizmin grek. Të dy këto shovinizma, si ai turk, edhe ai grek, edhe pse në luftë më njëri-tjetrin,  përsëri gjenin pika bashkuese duke identifikuar fare paturpësisht shqiptarët myslimanë si turq dhe shqiptarët ortodoksë si grekë. Është dashur një përpjekje dashamirëse e Perandorisë Austro- Hungareze dhe një sforcim titanik i Rilindësve tanë të paktë në numër, në mënyrë që sado-kudo të formësohet një identitet i venitur kombëtar i shqiptarëve në atë kohë. Megjithatë, Kongresi u mbajt. Alfabeti latin u adoptua për shkrimin e gjuhës shqipe, me çka shqiptarët pas gati 1500 viteve nën sundimet primitive greko-turke (bizantine-otomane) iu rikthyen civilizimit autokton europian.

Shqiptarët u rikthyen në gjirin e civilizimit amë, të cilin civilizim antik sipas historianit të madh gjerman Theodor Mommsen, ata vetë e kishin sjellë në jetë bashkë me racat gjermanike, atë kelte, dhe disa të tjera.

Me mjaft vështirësi, të ndarë e të copëtuar në dy e më tepër shtete terroriste, ky popull i mrekullueshëm filloi rrugëtimin e vet të gjatë e të mundimshëm, si Mojsiu me popullin e vet në shkretëtirën e Afrikës, drejt ndriçimit të mendjes e shpirtit në gjuhën e vet amtare dhe me shkronjat e veta europiane. Kaloi shumë kohë dhe shqiptarët filluan të faktorizohen dhe forcohen në Ballkan. Me ardhjen e demokracisë filloi edhe faza e fundit e këtij rrugëtimi drejt etablimit të plotë të shqiptarëve në trojet e tyre. Sigurinë fizike e garanton anëtarësimi në NATO, kurse kuadrin ekonomiko-shpirtëror, bashkimi në familjen e madhe me emrin BE.

Por ç'është duke ndodhur me arsimin shqip që nga viti 1990 e deri më sot , në vitin 2008?

Megjithë vështirësitë e natyrave nga më të ndryshmet, arsimi shqip shkon para. Shkollat tona përderisa si gjuhë mësimi përdorin shqipen, prodhojnë cilësi dhe kulturë të lartë.

Megjithatë, qarqet sërbe, greke dhe më pak edhe ato turke nuk mund ta pranojnë kurrsesi faktorizimin e shqiptarëve në rajon.

Një nga format e pengimit afatgjatë të zhvillimit dhe forcimit të popullit shqiptar janë kolegjet me mësim në gjuhët greke e turke që me të madhe po mbijnë ngado në hapësirat shqiptare në Ballkan. Kjo nisi që në fillimivitet 90, kur në mes të Tiranës, pas gati 100 vjetësh u kthyen nipërit  e atyre që dikur me gurë  dru e plumba pengonin arsimin shqip. Këta zotërinj, përndryshe nacional-shovinistë turq, me lejen dhe me dijen e qeverisë shqiptare, themeluan në mes të Tiranës "Kolegj privat Turk" për fëmijët shqiptarë. Detyra e këtij kolegji turk është të turqizojë mentalisht e gjuhësisht fëmijët shqiptarë. Të shpërndajë botëkuptimin turk për historinë shqiptare. Të prodhojë skllevër modernë që nuk dinë as të kaluarën  e familjes së tyre, e lëre më të kaluarën e dhimbshme të kombit të origjinës. Pra vitet 90, janë vitet e fillimit të hapjes së shkollave politike gjoja private për asimilimin e fëmijëve shqiptarë në territor shqiptar.

Pas vendosjes së precedentit të tillë me shkolla private në gjuhë të huaja, u paraqit menjëherë në skenë shovinizmi i kudondodhur terrorist grek. Ky i ka planet e tija për greqizimin e shqiptarëve gjithmonë në listën e top- prioriteteve të çdo qeverie në fuqi. Shkollat private greke për fëmijët shqiptarë dhe kishat ortodokse greke për besimtarët shqiptarë janë gurthemeli i përçarjes së madhe të kombit shqiptar, me perspektivë zhdukjen dhe shkatërrimin e plotë të shqiptarëve si komb. Shkollat në gjuhë greke janë shumë të rrezikshme me vetë faktin se ky banditizëm kufizohet territorialisht me shtetin tonë. Kolegjet private greqisht, "Kisha ortodokse gjoja shqiptare" në fakt greke, incentivat  financiare, kreditë bankare, bursat e studimit, lejet e punës, vizitat në spitale greke, spiunazhi, botimet pseudo-shkencore janë të gjitha këto armë në duart e çdo qeverie greke për shkatërrimin e Shqipërisë.

E njëjta ndodhi edhe në Maqedoni ku me kërkesën dhe shtysën e qarqeve nacional-shoviniste maqedonase u hapën gjithashtu pika të kolegjeve turke. Intenca e sllavo-barbarizmit është ulja e numrit të shqiptarëve në vend me anë të shkollimit turqisht dhe për pasojë shkombëtarizimit të fëmijëve shqiptarë. Përveç shkollimit në shkolla shtetërore, për shqiptarët u themeluan edhe kolegje private turke. Nga ana tjetër për hapjen e vetëm një klase të ciklit të ulët me mësim në gjuhën shqipe, çështja shkon deri në parlamentin Republikan, akoma sot më 2008.

Me çlirimin e Kosovës shovinizmi turk vërshoi në këtë provincë shqiptare . Edhe atje përdoren metodat e njëjta asimiluese dhe të manipulimit me të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve. Edhe atje bëhen përpjekje të ethshme për ndryshimin e botëkuptimit shqiptar në arsim dhe vendosjen e botëkuptimit turk për jetën. Kolegjet turke bashkë me bankat turke kanë për detyrë të risin në mënyrë artificiale numrin e turqve të Kosovës në pajtim të plotë me politikat e dikurshme sërbe për rritjen artificiale të numrave të joshqiptarëve në "Kosmet". Mirëpo tani ministër i arsimit në Kosovë nuk është kolonisti sërb, por një shqiptar etnik. Dhe ky do të duhej të hapte sytë fort për këto çështje.

Ministrat dhe kryeministrat shqiptarë që ne i pamë gjithë bashkë në Manastir e Shkup, të mos luajnë me fatin e shqiptarëve në rajon. Ka kaluar koha e simbolizmave dhe propagandave të ulëta. Nuk mund nga njëra anë të mbajmë në gojë Kongresin e Manastirit dhe veprat të Rilindësve e nga ana tjetër të zbatojmë krejtësisht të kundërtën e vendimeve të Kongresit dhe idealeve e amaneteve të Rilindësve.

Rilindësit kërkuan ndalimin ligjor të shkollimit të fëmijëve shqiptarë në gjuhët greke, turke dhe sllave. Ministrat tanë japin leje që në territoret shqiptare të hapen gjithnjë e më shumë shkolla pikërisht në këto gjuhë prej rrezikut te të cilave tërhoqën vërejtjen dhe paralajmëruan Rilindësit tanë.

Pra, politikanët tanë punojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër idealeve të Rilindësve tanë për shkollimin e fëmijëve shqiptarë në gjuhën shqipe dhe vetëm shqipe.

Ne nuk jemi kundër shkollimit të fëmijëve tanë shqiptarë në gjuhët botërore angleze, gjermane apo frënge në pajtim me kërkesat dhe nevojat e kohës, por nuk mund të pranojmë kurrsesi shkolla politike me synime të qarta shkombëtarizuese e antishqiptare.

Ne nuk mund të pranojmë kolegje turke të cilat përpiqen haptazi që nga fëmijët shqiptarë të prodhojnë minoritet turk në Shqipëri, Kosovë (Prizren), e Maqedoni (Gostivar e Shkup). Ne nuk mund të pranojmë asnjë shkollë të vetme në gjuhën greke në territor shqiptar, pasi dihet roli i tyre i tmerrshëm asimilues dhe politik antishqiptar si në të kaluarën ashtu edhe sot e kësaj dite. Shkolla greke në Boboshticë të Korçës, në Himarë dhe në Tiranë përpiqet dhe punon që nga fëmijët e sotëm shqiptarë nesër të dalin "grekë të mirë etnikë në Skiperia".

Prandaj këta qeveritarë të sotëm "shqiptarë", të mos përmendin fare Manastirin dhe Kongresin historik të tij. Të mos përmendin fare emrat e shenjtë të Rilindësve dhe t'i lënë të prehen në qetësi në varret e tyre të shenjta. Idealet e tyre janë duke u varrosur nga po këta politikanë që i përmendin vazhdimisht. Të mos hapin gojë deri në atë ditë kur me akte ligjore të rregullojnë, d.m.th ndalojnë rreptësisht, shkollimin e fëmijëve shqiptarë, edhe ate taksativisht në gjuhët greke, turke dhe sllave, si në Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Greqi. Përndryshe, çdo përmendje e këtyre emrave të shenjtë për kombin do të ishte një keqpërdorim dhe hipokrizi e thellë nga ana e këtyre qenieve të mjera. Mjerë për këta injorantë të korruptuar antikombëtarë. Lum për gjuhën shqipe dhe shqiptarët e vërtetë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora