E marte, 19.10.2021, 09:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Shkretëtira e Saharasë

E diele, 10.10.2021, 04:09 PM


SHKRETËTIRA E SAHARASË

Vilson Blloshmit

Tregim nga QAZIM D. SHEHU

Ditët e para të tetorit, punët në fermë u rralluan ca. Vlash Bardhi kërkoi dy ditë leje për të parë një kushërirën e tij në Tiranë, e cila mund të ndodhej e shtruar në spital. Kështu i tha ai brigadierit, një njeriu rondokop, por tip në dukje i sinqertë e besues. Kushërirën e takoi në shtëpi. Ajo punonte në një bibliotekë lagjeje dhe s'dihej sesi ia siguronte librat e ndaluar, duke e porositur që t'i ruante me kujdes. Vlashi i dorëzoi Sartrin dhe i mori Apolinerin. Ai ishte libër dhe çfarë libri… Të mbante gjallë egon e afirmimit intelektual, të krijonte një botë iluzore që lëvizte brenda mendimeve të tua e të ftonte t'i afroheshe me një kërshëri të përndritur.

Librin e Apolinerit, si gjithnjë, e fshehu në një xhep të xhupit të trashë dhe u nis drejt stacionit të trenit.

Kur u kthye në brigadën e punës, brigadieri e shikoi me vëmendje dhe i tha:

- Ore, si shumë leje kërkon ti! Ç'do në Tiranë?

- Pse është e ndaluar të shkosh në Tiranë?

- Jo, jo, thashë.

Brigadieri i tha se atë ditë do të pastronin një kanal vaditës, i cili kishte dëmtime. Se për çfarë duhej pastruar kanali, kjo ishte e çuditshme, kur në tetor nuk vaditet. U mat njëherë t'ia thoshte këtë gjë, por u zmbraps, sepse nuk ia vlente të hyje në debat me këtë rondokop, i cili i caktonte frontet e punës si t'ia thoshte mendja.

E la për ditën tjetër të bisedonte me të, të gjente një çast të përshtatshëm, por ditën tjetër, në brigadën e punës erdhi një mësues që e quanin Safet.

Shkuan të dy të punonin në kanal, sepse kanali ishte i gjatë. Safeti ishte trupimët, me sy të lëvizshëm, mjekërmprehtë dhe me vështrim intelegjent. Në drekë, kur u ulën , Safeti i tha se e kishin sjellë në fermë, të dënuar me punë korrektonjëse. Edhe pse pamjen e kishte inteligjente, ai fliste pak dhe thoshte fjalë të zakonshme.

Vlashit i vinte rëndë ta pyeste përse e kishin dënuar,a shtu siç nuk dëshironte edhe vetë të pyetej nga dikush. Nuk i pëlqenin rrëmimet, sado shok të ishte tjetri. Po një ditë, Safeti e ripërsëriti çështjen e dënimit .duke thënë se ishte tmerr të dënoheshe gjashtë muaj për një korrigjim note që ai kishte bërë në regjistër,thjesht si gabim njerëzor.. E kishin dënuar si liberal, si njeri me lakra në kokë, që mbante favorite. E sidomos, rëndë e kishin akuzuar dy mësuese të reja, sepse ai nuk kishte pranuar të fejohej me asnjërën nga to..Në mbledhjen e kolektivit ato i kishin përmendur disa fjalë nga fjalori i borgjezisë,që ai kurrë s`i kishte përdorur.. Kaq ishte dashur dhe ishte marrë vendimi. Ai shprehte pendim për atë korrigjim note, e përmendte shpesh si pendim-nxitim, ndërsa Vlashi i thoshte të mos mërzitej, duke ndier njëfarë keqardhje për të.

Përvuajtja e tij me dozë të pamatur sinqeriteti i krijoi mendimin Vlashit se nuk vuante vetëm ai, por vuanin edhe të tjerë, në mënyra të ndryshme. Rasti rastit nuk i ngjan, por rastet e dhimbshme krijojnë një numërues, poshtë një vize brutale, mendonte Vlashi në darkë, ndërsa lexonte Apolinerin dhe gurgullima e freskët e fjalëve të tij në frëngjisht ia shpërndante pak dhimbjen që vinte nga mendimet e rënduara.

Dalëngadalë, Safeti filloi të hapej me një natyrshmëri, të cilën ai e shprehte pa stërmundimin më të vogël të asaj që uhet artific.. Ai ishte shëndetlig dhe Vlashi e ndihmonte në realizimin e normës së punës;me njohuri të gjera nga letërsia ruse, historia, gjeografia,nformacionet e tij ishin të pafundme, të sistemuara, interesante,të thëna lirshëm dhe shpesh të ndërprera nga komente interesante e që i besoheshin shokut,pa i kërkuar besim e pa pasur frikë.. Kishte mbaruar për rusisht dhe dinte gati përmendësh poemën “Ciganët” të Pushkinit. Kjo poemë jo vetëm himnizonte lirinë, duke përbuzur tradhtinë, veçse, ajo, vrasësin nuk e dënonte me plumb,por me vetmi.Dënimi me vetmi është më i rëndi,edhe pse në kushte normale është luksoz,shprehej Safeti dhe nuk pushonin të dhënat nga letërsia ruse ,që i shprehte ekzaktësisht e herë rusisht ,me të folurën e tij të nxituar,por elokuente.

Safeti ishte I çuditshëm ,nganjëherë e zbriste nivelin e besides,duke rrëfyer me fjalë të rëndomta se çfarë bëhej në shkollë,çfarë derri qe sekretari i organizatës,dhe çfarë loloje ishte drejtori që varte qafën duke mos mbajtur dot këmborën më të vogël.Më tmerr për të ishin këta brigaderucët e arave,që ishin kthyer në ca sulltanë të vegjël haremesh,e që raportonin atje lart shifra fiktive.

.Ai nganjëherë e zbriste nivelin e bisedës, sidomos kur përshkruante rëndomtësinë e brigadierit. Kjo nuk i pëlqente Vlashit ta dëgjonte nga goja e Safetit, ndonëse kur lodhej gjithë ditën dhe djersa i dilte çurkë, e justifikonte. Safeti kishte të drejtë. Ai, brigadieri, duhej përgojuar të paktën për të shfryrë mllefin.

- Brigadieri po e kthen fermën në një shkretëtirë,- përfundoi ai..

- Shkretëtirë, e rëndë kjo fjalë!,-tha Vlashi dhe u bë heshtje.Safetit nuk iu durua.Ai e mori kundërshtimin për mosbesim.

-Unë e di që ti je njeri i mirë,lexon shumë,- tha.-Edhe unë lexoj,por ti nuk shprehesh ,sepse ke të drejtë.Këta të bëjnë gjëmën,nuk duan t`ia dinë,ja mua,nip dëshmori ,më dënuan për një korrigjim note,lërë pastaj ty.Bën mirë që nuk flet,por nga unë mos u tremb.

Fjalët e tij buronin çiltërsisht,dhe Vlashi këtë e ndjente;atë e ngacmoi fjala shkretëtirë.Në të vërtetë,shoku e tha ashtu në veprimin e rrjedhës së bisedës,por ajo fjalë aq e thjeshtë kishte tharmin e një metafore të hatashme.

Vlashi i tha se diku kishte lexuar se një njeri ecte në shkretëtirë,për ditë të tëra. Më në fund, gjeti një shpellë të freskët dhe hyri në të. U shtri i lodhur. E zuri gjumi. Papritur, një pikë ujë i ra mbi fytyrë. U zgjua. Një pikë ujë binte nga tavani i shpellës me një interval të gjatë kohe. Ah, sikur kjo pikë të ishte një curril,mendoi,por ajo binte aq ngadalë, sa ia shtonte dyfish etjen.Për të mos e torturuar veten ,ai ,mori një plis të rëndë dhe e mbylli vrimën e tavanit të shpellës.Më mirë pa të, tha.

Këtë e kam dëgjuar edhe unë, - tha Safeti, - por nuk i duhet thënë kujt. Ma the mua ,zëre sikur nuk e ke thënë….

Vlashi e ndjeu se kjo i shpëtoi,por fjalët e fundit të shokut i dhanë një lehtësim.Ai e gjykonte veten shpesh për ngutje,por atëherë e kishin kaluar dhitë kodrën.

Në mbrëmje, u ul dhe shkroi një poezi për shkretëtirën e Saharasë. E shkroi me një frymë. “S'e di, - mendoi me vete, - pse sonte jam mbushur me shkretëtirë”, grimca rëre dukej sikur e kishin kokrrizuar . letrën dhe gërmat e poezisë sikur rrëshqisnin pjerrësive të këtyre kokrrave. Kjo ndjesi me një lojë imagjinimi absurde i dha shkas për ta lexuar poezinë e parë, ndoshta i trembur se mos gërmat i kishin humbur. “Kjo poezi do të jetojë”, tha me vete, pasi u bind se gërmat vinin pranë njëra-tjetrës pa frikë. Po ajo s'mund të botohej. Ajo do të strukej aty në sirtar. Një buzëmbrëmje Safeti kaloi rastësisht nga shtëpia e tij. Vlashi e ftoi brenda dhe i nxori para raki mani, nga ajo më e mira, të cilën e ruante për miq të zgjedhur. Pasi pinë dy-tri gota, Vlashi mori nga sergjeni i librave në mur,letrën e fshehur pas tyre dhe poezinë dhe ia lexoi.

- Kryevepër, - tha Safeti. - Antologjike.

- Vërtet?

- Po.

Sa i dobët është një poet.Ai harron gjithçka.

Pastaj floën për rakinë, verën, Omar Khajamin, të cilin Safeti e dinte përmendësh, po edhe Vlashi nuk mbetej mbrapa. “Dehu me dashuri, virtyt dhe verë”, thoshte diku Bodleri. Vlashi e recitoi një poezi të tij në frëngjisht. Safeti mprehu veshët.

- E thakeni frëngjishten?

- Përpiqem.

-Ta kam zili!

Ishte një natë e kthjellët nëntori.Nga qielli vështronte hëna e verdhë, e cila fuste si me dhunë dy-tre rreze të trishtuara në dhomë. Perdja e dritares dukej sikur do të çahej nga verdhësia e saj. Të dy ,të lodhur ,ndienin sesi u peshonin qepallat,por ,Vlashin e zuri gjumi të parin..

Kishte kaluar një muaj e ca. Ishte dhjetor. Vlashi mendonte për Safetin si për një vëlla. Ai i kishte prishur monotoninë, i kishte dhënë impulse. Por, po vinte fundi i vitit, kur një ditë Safeti i tha:

- Më vjen keq, se do të lë!

- Si? Ti do ikësh?

- Po.

- Punën korrektonjëse ma zbritën. Edhe një javë do rri, po për një javë, i kam marrë leje brigadierit.

Vlashi u gëzua vërtet që Safeti do të ikte, megjithëse ndjeu një trishtim për veten e vet.

- Më hape një humnerë, - i tha. - Po jam i gëzuar që ti do të ikësh.

Vlashi kishte disa kursime në xhep. Ai e ftoi pasdite në lokal. Çuditërisht ishin të dy si të ngufosur. Nuk folën për letërsinë, vetëm pinë raki, ndërsa tymonte hapësira mbytëse e ambientit.

- Ti ndenje me një të deklasuar, - i tha Vlashi, - më bëre shoqëri të mirë. Mua, njerëzit më largohen sikur të jem lebroz. Zoti ta shpërbleftë!..

Atë mbasdite, Vlashi ndjeu se po dehej, por e mblodhi veten. Më mirë të dehej në darkë me Apolinerin. Por në darkë nuk lexoi gjë. U shtri në krevat, me sytë në tavan. “Jetë e poshtër, - murmuriti, - jetë e mbërthyer në mengenë.”

Kaloi janari, shkurti, muajt me radhë. Punët në fermë po shtoheshin, për shkak të stinës së pranverës. I kredhur në lexime, ai e vriste rëndomtësinë e punëve fizike me libra. Priti të vinte ndonjë ditë Safeti, po ai nuk erdhi. “Kushedi se si do t'i ketë punët”, mendoi me vete. U mat t'i shkonte një ditë në shkollë, por u zmbraps. Dot'i bënte dëm. Kishte nevojë të fliste me një njeri me dy pare mend, po më mirë të fliste me Bodlerin.

Por ndërsa mendonte kështu, një ditë e njoftuan për një mbledhje të brigadës. U avit indiferent. Pa fytyrat e punëtorëve. Ishin të tromaksura. U tha se në lumë ishte derdhur plehu kimik. Folën mjaft njerëz, armiku kishte sabotuar. Punëtorët ishin të irrituar, ndërsa brigadieri, gati ulërinte. Më fort bërtiste një grua trashaluqe, e cila i hante falët me vështirësi, sikur të hante pleh. Vlashi u rrëqeth. Ai kuptoi. Në ato anë kishte kohë që s'kishte ndodhur asgjë. Të mësuar me varfërinë, të trullosur nën efektin e tyre çarmatosës, njerëzit kishin humbur vigjilencën. Dhe pushteti, kur humb vigjilencën, ndihet. Dhe që të ndihet,sajon mungesën e vigjilencës. “Kjo është metodë”, tha me vete dhe u drodh. Erdhi gazi i Degës dhe mori tre punëtorë, si të dyshuar. Atij nuk i foli njeri. Të nesërmen tre punëtorët ishin liruar. Kaloi një kohë e mire, për t'u kujtuar si e harruar ajo ngjarje. Por s`ndodhi ashtu.

Një natë të errët trokiti dera e shtëpisë. Ai po mundohej mbi një varg të Bodlerit të cilit nuk po ta jepte dot tingëllimën në shqip. Hapi derën. Përballë tj u shfaqën tre policë dhe një civil.

- Do vish me ne! - i tha prerë civili.

I hutuar , nuk iu nëpërmend që të pyeste: Pse?! Civili mori librat mbi tavolinë, i futi në çantë, hapi sirtarin dhe mori disa letra, aty ku nuk ndodhej asgjë me rëndësi.Ai vërshëlleu lehtë, dhe hodhi sytë në sergjenin që varej në mur.I lëvizi librat, i tërhoqi lehtësisht,futi dorën dhe nxori një letër ,në të cilën ishte shkruar vjersha për shkretëtirën. Pastaj i shty librat që u rregulluan në pozicionin e mëparshëm.Letrën e futi në xhepin e brendshëm.Atij nuk i shkoi ndërmend sesi e dinte ai pikërisht se ku ndodhej letra,vjersha.Kjo mund të ishte edhe rastësi.Pse nuk e kishte djegur atë vjershë?!...

Hetuesi e akuzoi për sabotim ekonomik.

- Nuk e pranoj, - tha Vlashi.

- Ashtutl - ulëriu nëpunësi- hetues.

- Po këtë vjershë?

- Po, për shkretëtirën dhe shpellën e mban mend ç'ke thënë?

Një çmeritje e tmershme e kaploi.

Menjëherë iu fanit në mendje fytyra e Safetit. Ndjeu sikur rropullitë iu derdhën në shesh, sikur u bënë litarë, që hidheshin në ajër për të zënë për fyti atë fytyrë .të qelbur. Po kjo ishte një iluzion. Gjithçka tjetër qe e vërtetë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora