E premte, 26.04.2024, 09:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Xani: Ditari javor ( i imagjinuar) i një drejtori

E shtune, 06.12.2008, 03:19 PM


Ditari javor ( i imagjinuar) i një drejtori

Nga Halil Xani

E hënë

Dola në qytet. Sot është ditë tregu. Paradite u takova me disa mësimdhënës të pasditës, kurse pasdite me ata të paraditës. Më dhanë drekë, faleminderit prej tyre. Besa edhe çaj kemi pirë shumë me ta.

Në mbrëmje mora vesh se gjysma e mësimdhënësve nuk i kishin mbajtur orët.

E martë

Sot shkova në Drejtorinë Komunale të Arsimit. Në kohë të mëngjesit me disa shokë të kësaj Drejtorie shkuam në restorant. Pagova unë se vërtet i kam shokë të mirë. Më përkrahin dhe më mbështesin gjithmonë.

Në mbrëmje më thanë se në shkollë nxënësit paskan luajtur futboll, kurse mësimdhënësit shah dhe lojë me gurë në sallën e tyre.

Kësaj i thonë kur s`është maca, jo, por kur nuk është maçorri minjtë hedhin valle.

Ua tregoj unë qejfin atyre sa të shkoj në punë.

E mërkurë

Sa deshta të nisem për në punë, një fqi më thirri të shkojmë tek një mik i tij për kryeshëndoshë. Kur hymë në odë thashë me vete, ende nuk jemi mbushur mend.

Në krye të vendit qëndronte hoxha, afër tij nja dy haxhinj, disa pleq të tjerë e pastaj ne.

Ma dhanë fjalën të flas, por u nxora  mirë. Thashë le të flasin ata që janë në krye të vendit. Thënë të drejtën unë as nuk di të flas në oda burrash e në anën tjetër edhe më vjen marre kur është kallaballëk.

Nga burime të besueshme mora vesh se sot  në shkollë puna paska shkuar hallakamë, pa mua.

E enjte

Kisha planifikuar sot të shkoj më herët në punë e të marr masa ndaj atyre punëtorëve të padisiplinuar, por gruaja ma përkujtoi se sot ishim të thirrur në një dasmë te një ilaka e saj. Shkuam dhe u kënaqëm. Gjatë ditës dasmë allaturka, me muzikë tallava e me krisma kallashi, kurse në mbrëmje, allafranga,  në restorant, me  mish, me muzikë të gjallë deri në kupë të qiellit e me valle deri në orët e vona të natës.

Sonte u ktheva tepër vonë nga dasma, në shtëpi. Haber nuk kam se si kanë vajur punët në shkollën time.

E premte

U bëra gati për punë. E bëra gati edhe makinën. Kur doli gruaja të më përcjellë, plani ndërroi tërësisht. -Jemi vonuar, - më tha,- ende nuk i kemi blerë lakrat për turshi.

Heu, thashë s`qenka shkruar as sot të shkoj në punë. Urdhëri i komandantit duhet zbatuar.

Shkova në qytetin fqinj, por tregu si tregu, m`i mori mendët e nuk më lëshoi deri në mbrëmje.

Nga burimet e mia mora vesh se në shkollë asgjë nuk po shkon si duhet, por ua tregoj unë qejfin atyre kur të shkoj të hënën.

O Zot, shyqyr që nuk punohet edhe në fundjavë. Nesër e pasnesër do të pushoj se vërtet pata një javë të mundimshme. As ditarin nuk do ta mbaj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora