E premte, 26.04.2024, 11:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Kaza: Adoleshenca, stina e shpërthimeve (Kreu IV)

E enjte, 04.12.2008, 01:05 PM


Kreu IV

 

RAPORTET ME INSTITUCIONET SHKOLLORE

 

Mësuesi dhe modelet shoqërore

 

Adoleshentët përballen me botën institucionale, ndër të cilat nga më kryesoret për ta është shkolla. Për të arritur integrim me të rriturit, ata orientohen ndaj të gjitha strukturave shoqërore. Në shkollë adoleshentët provojnë, njëkohësisht, raporte të shumëllojshme, të ndryshme, asimetrike në lidhje me pushtetin që ushtrohet mbi ta, i cili vepron një pjesë të madhe të kohës edhe mbi shokët e bashkëmoshatarët e tyre. Raportet zhvillohen brenda një kuadri shkollor, me norma sjelljeje të ndryshme me ato, të cilat zbatohen në mjedise të tjera. Adoleshenti edukohet që të vlerësojë mësuesin jo vetëm nga mosha, por nga roli që luan në këtë institucion, pra në shkollë. Raporti mësues-adoleshent realizohet drejt kur mësuesi zotëron aftësi vetjake mbi aftësitë profesionale. Mjedisi shkollor është territor i privilegjuar, ku analizohet e zhvillohet procesi shoqëror e mendor i adoleshentit, i cili e ndjek gjatë gjithë jetës së tij. Prandaj kur shkolla nuk funksionon mirë, nuk dëmtohet diçka në aspektin individual, por kryesisht në atë shoqëror, sepse nxiten sisteme sjelljesh jo të dëshiruara. Detyra e shkollës është që t’i formojë të rinjtë për të përballuar jetën, sepse atyre u duhet të kenë si aftësi shkencore, ashtu dhe të përgatiten me shprehitë e nevojshme për marrëdhëniet shoqërore. Të rinjtë përgjithësisht janë të vetëdijshëm për rëndësinë e shkollës, por një vlerësim dhe përkushtim më të madh për të tregojnë në mënyrë të veçantë vajzat. Shpesh, presioni i vazhdueshëm i prindërve për mbarvajtjen në shkollë, shkakton tek adoleshentët shqetësim, ankth, frikë e tension. Ata, të cilët nuk shkojnë mirë në mësime dhe nuk gjejnë rrugë të besueshme alternative për jetën, rrezikojnë të bien në depresion. Prandaj raportet e nxënësve me shokët, sidomos, me mësuesit luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e tyre psikologjik. Nuk është e thënë se një njeri që nuk ka sukses në mësime, do të dështojë në jetë. Gjatë rritjes ai ndryshon dhe ka plot mundësi të tjera alternative ku mund të vihet në provë dhe të ketë sukses. Mësuesi përbën për nxënësit një model shoqëror. Prandaj ai duhet të ketë aftësi relacionale që të jetë në sintoni të plotë me nxënësit. Vëmendja e mësuesit nuk duhet të përqendrohet vetem tek disa nxënës të çfardo niveli qofshin, por tek të gjithë, pa asnjë dallim. Tregues i zhvillimit të plotë të të rinjve për jetën nuk është vetëm shkolla. Nxënësit që për motive të ndryshme janë të detyruar të lënë shpejt shkollën, mund ta bazojnë vlerësimin e tyre tek fusha të tjera, si: sporti, muzika, puna etj. Këto alternativa kërkojnë një vemendje dhe vlerësim serioz nga mësuesit e prindërit. Në jo pak raste kërkimi i vetëvlersimit mund të çojë deri në sfidën e rregullave shoqërore, por jo rrallë edhe në të kundërtën, në demotivim, kompleksim, depresion, mbyllje në vetvete, humbje perspektive etj. Shkolla është një nga institucionet ekstrafamiljare, të cilës shoqëria i ka besuar detyrën më të rëndësishme, përgatitjen e të rinjve për jetën shoqërore. Përpara shumë kohësh në traditët tonë për vetë kushtet e jetesës në rrethe të mbyllura, kjo ishte vetëm detyrë e familjes, fare pak e rrethit shoqëror. Ndërsa sot me zhvillimin e gjithanshëm, me hapjen e shoqërisë, shkollës i kërkohet edhe ky rol. Pra, tani janë familja dhe shkolla që përgjigjen, sipas disa raporteve të reja që janë vendosur, për edukimin e brezit të ri me njohuritë, aftësitë dhe shprehitë më të domosdoshme, për t’i bërë ata qytetarë të devotshëm për shoqërinë. Shkolla është mjedisi ku mësohet, këtu realizohet hyrja në marrëdhënie me të barabartët për të fituar elemente, të cilat i lejojnë të rinjtë të bëhen protagonistë të mjedisit kulturor ku ata kanë lindur e rriten. Nga pjesëmarrja shoqërore rrjedh roli i njohur shoqëror. Edhe në pjesën më të madhe të testimeve të zhvilluara, shkolla është vlerësuar për rolin e saj në këto drejtime. Ajo mbahet edhe si një nga përvojat më të vështira për t’u përballuar. Kjo për faktorë që lidhen me familjen, komunitetin dhe vetë nivelin e shkollës. Për më tepër, ndryshimet që ndodhin në adoleshencë, ndikojnë në rezultatet e përvetësimit të njohurive, si dhe në formimin e përgjithshëm. Kjo ndodh sepse zhvillimi fiziologjik shoqërohet dhe sjell një cilësi të re të interesave, synimeve, qëllimeve dhe, mbi të gjitha, të shkallës së të menduarit. Zhvillimi fizik, psikik dhe shoqëror i të rinjve nuk realizohet në një formë të vetme. Kjo vërehet jo vetëm tek të rinj të veçantë, por sidomos është më e theksuar për gjini të ndryshme. Përvojat shkollore fëmijët i përjetojnë në mënyra të ndryshme, sidomos vajzat. Ato duket se e bëjnë me problematike këtë përvojë, shprehin vështirësi përballë problemeve me të cilët përballen, kanë më shumë një shpirt kritik, janë më të rregullta, më të sakta, më të përpikta, por shumë të ndjeshme. Ndërsa dukuria e shpërbërjes, e humbjes shkollore shkakton dhimbje në masë më të vogël tek vajzat, të cilat, në përgjithësi, janë më të prirura t’i kapërcejnë pengesat që ndeshin në jetë. Vështirësitë shkollore, prapambetja në mësime, mbetja në klasë, braktisja e shkollës etj., janë dukuri që përjetohen me shumë brenga prej djemve. Ata duken se diskutojnë më me pak vullnet për problemet e shkollës. Veçse një dukuri e tillë është më e pranueshme më shumë në zonat rurale, ku në mjaft raste vajzat bien nën ndikimin e shfaqjeve patriarkale, deri sa bien edhe pre të fanatizmit. Ndërsa në qendrat e mëdha urbane vajzat janë më të interesuara për shkollën, më të kujdesshme, më të rregullta dhe përpiqen më shumë për arritje më të larta në mësime. Prandaj, edhe ndërprerja e shkollës është dukuri që shfaqet në mënyrë më masive tek djemtë se tek vajzat. Në tërësi, suksesi shkollor ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi disa faktorë, përvojat realizuese, vetëvlerësimi, koncepti për vetveten etj., të cilat manifestohen e përjetohen me veçori specifike si nga djemtë, edhe nga vajzat. Ekziston një mentalitet i përhapur, sipas të cilit të jesh i suksesshëm në shkollë, do të thotë të kesh rezultate, të jesh inteligjent. Ndërsa në të kundërt je një individ që vlen pak ose aspak në familje e shoqëri. Ky vlerësim nxirret pa analizuar në thelb shkaqet reale që sjellin në të vërtetë suksesin apo dështimin. Vështirësitë shkollore përgjithësisht janë simptoma e një gjendjeje të shkaktuar nga një përvojë e hidhur shkollore: rendiment i ulët, nivel i ulët i punës së shkollës, vështirësi përshtatjeje, perceptim negativ i vetes, që rrjedhin si një ballafaqim me mësuesit dhe me moshatarët, në bazë të aftësisë, shoqërisë, aspektit fizik dhe mjaft faktorëve të tjerë. Vështirësia mund të jetë rrjedhojë e një pozicioni nga një nivel në një tjetër. Këtu flitet për cikle shkollore, por mund të ndodhë edhe në një periudhë më të shkurtër kohore. Cilësi në edukim arrijnë shkollat që krijojnë një klimë pozitive, ku harmonizohen faktorët e brendshëm me faktorët e jashtëm. Komunikimi, bashkëpunimi, fleksibiliteti, besimi, vendimmarrja sa më e gjerë, motivimi, monitorimi dhe vlerësimi janë faktorë bazë për një strategji efektive mësimdhënieje. Puna me adoleshentët duhet të udhëhiqet drejt realizimit të objektivave duke praktikuar teknika, ide e teknologji të reja.

 

Bashkëpunëtorë të ngushtë të të njëjtit process

 

Raporti mësues-nxënës është shumë i rëndësishëm. Përveç shokëve dhe familjes janë mësuesit e vetmja pikë referimi drejt së cilës synohet të arrihet. Marrëdhëniet mësuesnxënës, ndryshe nga marrëdhëniet e tjera, kanë epërsi për shtimin e mundësive të zgjedhjes së alternativave të identifikimit apo të modeleve të sjelljeve. Me ndihmën e mësuesit zhvillohet aftësia perceptuese për shoqërinë në tërësi, pasi lidhjet mësues-nxënës nuk janë të ngarkuara si ato me prindërit. Ato janë më kohore dhe më të lirshme. Në veprimtarinë e përditshme vihet re se adoleshentët japin gjykime për mësuesit në lidhje me përgatitjen profesionale, shoqërore dhe për personalitetin e tyre. Përgatitja profesionale dhe shoqërore janë aspekte të rëndësishme të vlerësuara nga adoleshentët për të përcaktuar cilësitë që dëshirojnë të manifestojë mësuesi i tyre. Këto elemente kanë ndikim të madh në funksionimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por edhe drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e punës mësimore-edukative. Një kërkesë me vlerë për përcaktimin e rolit të mësuesit është aftësia e tij ose më mirë puna që bën për krijimin, mbajtjen dhe realizimin e funksionimit të klasës. Dihet se nuk është e njëjta gjë si të komunikosh me një grup me disa individë, a të bashkpunosh me të gjithë klasën, ku rendimenti kolektiv, pa dyshim, është më i lartë. Nëse mësuesit përqendrohen me paramendim se u pëlqen më shumë tek një grup, tek disa individë, ka rrezik që të humbin nga ana tjetër kontrollin e grupit, gjë që sjell pështjellim në klasë dhe rënien e rendimentit të veprimtarisë mësimore-edukative. Mësuesit në veprimtarinë e përditshme përballen, ndër të tjera, me dy probleme me rëndësi të veçantë:

? Të kërkojnë e të përdorin forma pune që ndikojnë në rritjen e cilësisë së procesit mësimor, që të trasmetojnë sa më shumë informacion, që të nxisin përvetësimin e njohurive etj.

? Të vendosin me nxënësit një lidhje të atillë, që të shërbejë si mjet nxitës e bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet tyre dhe, njëkohësisht, edhe ndërmjet vetë nxënësve, që në procesin e mësimit e të edukimit të kemi një klimë të shëndoshë mirëkuptimi e veprimi.

Një gjë e tillë arrihet kur vemendja përqendrohet tek dialogu, bashkëbisedimi me nxënësit për të vendosur së bashku për punën që duhet të zhvillohet, duke dhënë edhe shpjegimet e duhura nga ana e mësuesve rreth detyrave që duhen zgjidhur, si dhe duke u siguruar se të gjithë nxënësit e kanë kuptuar mësimin. Kështu vendoset një lloj dëgjimi reciprok ndërmjet tyre, në klasë vendosen lidhjet logjike të bashkëpunimit të të gjitha kategorive të nxënësve. Pra krijohen kushtet bazë të një pune efektive dhe motivuese të grupit. Vendosja e komunikimit të drejtë e normal në klasë rrit më tepër bashkëpunimin dhe interesin e të gjithë adoleshentëve për rendiment të lartë. Kjo mënyrë komunikimi ushtron trysni pozitive ndaj çdo nxënësi për të ecur me hapin e të tjerëve. Marrëdhëniet e hapura, të qarta dhe të çiltëra të mësuesit me nxënësit ndikon te adoleshentët të ulin ndjeshëm shkallën e mosbesimit dhe krijojnë klimë të favorshme mirëkuptimi. Njohuritë jepen në rrugë konkrete, por për përvetësimin e tyre ka rëndësi faktori emocional, sepse interesat njohëse lidhen edhe me zhvillimin e ndjenjave intelektuale dhe nxitjen e motivimeve. Po kështu, vlerësimi i drejtë pa dallime dhe diskriminime për çdo nxënës, nxit e motivon masën e tyre për rritjen e pjesëmarrjes dhe të gatishmërisë për të mësuar. Ndërsa padrejtësitë e perceptuara në klasë apo familje janë burimi kryesor i konflikteve dhe rebelimeve të adoleshentëve. Natyra e të mësuarit nuk përcaktohet nga tiparet e jashtme. Liria e sjelljes, drejtimi i proceseve psikike dhe operacionet mendore kushtëzohen në një shkallë të lartë nga marrëdhëniet dhe ndërveprimi i mësuesve me adoleshentët. Këtu do mbajtur parasysh se janë disa dukuri që lidhen me mbarëvajtjen e procesit të mësimit e të edukimit. Kështu mund të përmbledhim:

? Aftësia për të mbështetur, për të nxitur, për të motivuar, për të vlerësuar, për të kontrolluar dhe për të qortuar veprimet, sjelljet dhe zgjedhjet, përbën një parakusht të rëndësishëm për suksesin e të rinjve në mësime.

? Zgjerimi i rrethit të interesave njohëse, intelektuale, estetike dhe zhvillimi i motiveve bëhen burim nxitjeje dhe frymëzimi për çdo adoleshent.

? Ndërsa keqpërdorimi i qëllimeve dhe prirja për t’u përligjur duke renditur anët negative ose dështimet krijojnë e thellojnë më tepër dështimet dhe hendekun ndërmjet

palëve.

? Reagimet e forta emocionale në marrëdhëniet mësues-nxënës përbëjnë rrezik serioz për punën mësimore.

? Vërejtjet pa takt, të bërtirurat, të shprehurit me ironi, zmadhimi a vënia në dukje vetëm e anëve negative, afishimi pa vend i tyre etj., luajnë rol negativ dhe në disa raste ndërpresin komunikimin.

Adoleshentët nuk tregojnë të njëjtin interes për lëndë të ndryshme. Kjo për shkak se ata kanë interesa të veçanta. Sipas të dhënave nga mjaft studime të kryera, del se interesimi për disa lëndë varet në një masë të madhe edhe nga qëndrimi i mësuesve. Një dukuri e tillë ndeshet si në të njëjtën shkollë, edhe në shkolla të ndryshme, për lëndë të ashtuquajtura të lehta, si dhe për lëndët më të vështira. Mësuesi me punën e tij, me metodat që përdor me cilësitë që ka dhe qëndrimin e drejtë në marrëdhëniet me nxënësit, përcakton në masë të ndjeshme edhe përkushtimin dhe interesin e të rinjve për secilën lëndë mësimore.

 

Ndikimi i aftësisë profesionale

 

Në jetën e përditshme gjejmë vlerësime të pafundme për mësues të ndryshëm. Për përcaktime të tilla, në përgjithësi, përdoren disa tregues, të cilët mund të grupohen:

? Niveli dhe aftësia profesionale e mësuesit;

? Aftësia komunikuese me nxënësit;

? Personaliteti i tij etj.

Të gjithë këta tregues janë të varur nga realizimi i detyrës themelore të mësuesit, që lidhet me transmetimin e njohurive, aftësinë njohëse, si dhe ndërtimin e marrëdhënieve të ndërsjella me nxënësit. Siç del edhe nga disa anketa të zhvilluar me nxënës të shkollave të mesme, aftësia profesionale dhe komunikimi janë dy elementet më të vlerësuar për një mësues të mirë e të aftë. Njëkohësisht, mungesa e tyre shërben për etiketimin e mësuesit të paaftë. Shpesh nxënësit shprehen se u pelqen një lëndë e caktuar jo se e ndjejnë veten tepër të aftë, por sepse mësuesi i saj me punën e tij ka ditur t’u shtojë dashurinë për atë lëndë. Ai nuk është kufizuar vetëm në transmetimin e njohurive, por ka krijuar emocione në çdo pjesë të orës së mësimit a në veprimtaritë jashtë saj. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, ka ditur të hyjë në botën e brendshme të nxënësve, duke identifikuar cilat janë vështirsitë e secilit prej tyre. Për nxënësit, një mësues i tillë mund të bëhët figurë admirimi e modeli për t’u imituar. Kjo është e natyrshme të ndodhë, sepse mësuesi në këtë moshë të zhvillimit të nxënësve vazhdon ende të mbetet njeriu më i përsosur dhe një pikë referimi drejt së cilës synohet të arrihet.

Si shpjegohet kjo?

Është tepër e thjeshtë për t’u kuptuar. Për shumicën e nxënësve, mësuesi paraqet interes për përparimin e gjithanshëm të tyre më tepër se kushdo tjetër. Vlerësimet dhe parashkimet e tij janë të lidhura me arritjet e tyre, sepse është pothuajse i vetmi që percepton aftësitë, prirjet dhe arrijet e tyre. Kjo duhet të vlerësohet drejt, sepse qëndrimi i mësuesit mund të jetë edhe shkak, edhe pasojë për të ardhmen e një nxënësi. Prandaj shkolla dhe kolektivat e mësuesve kërkohet të jenë në lartësinë e duhur për të mos i zhgënjyer për asnjë çast nxënësit. Në këtë mënyrë shkolla bëhet për fëmijët, sidomos për ata që kanë probleme në familje, si një shtëpi e dytë. Njëkohësisht, është e rëndësishme që në shkollë të krijohet për të gjithë fëmijët, posaçërisht për ata me vështirësi, një mjedis ku mund të shprehin aftësitë dhe individualitetin e tyre. Prandaj mësuesi i mirë di edhe të ruajë disa “të fshehta”. P.sh., do theksuar se vepron drejt një mësues që problemet e një fëmije me vështirësi nuk i bën publike, pra nuk i nxjerr ato në pazar që të njihen nga të gjithë. Në raste të tilla, këshillohet që mësuesi, të bëjë të tilla të infomime pas një konsultimi me specialistin psikolog të shkollës a të qendrës përkatëse në zonën ku ndodhet shkolla. Adoleshenti është i shtyrë për të gjetur jashtë familjes persona me të cilët të ndajë pasionet, gëzimet dhe shqetësimet e tij. Një rol të rëndësishëm për këtë luajnë vetë prindërit. Por për t’u realizuar ky proces, paraqiten vështirësi të ndryshme. Kryesore është se në këtë moshë fëmijët shfaqin një natyrë rebele, që jo rrallë krijon largësi, ftohje dhe qëndrim indiferent. Pra krijohen disa hapësira, të cilat kërkohet që fëmijët t’i plotësojnë në familje, shkollë dhe në bashkësi. Me rëndësi mbetet funksionimi normal i këtyre lloj marrëdhëniesh, sidomos veprimtaria e bashkësisë shoqërore. Mësuesi, duke kaluar shumë kohë me nxënësit, bëhet udhëheqës shpirtëror shkolle dhe jete. Prandaj ai duhet të jetë në gjendje që të kontrollojë e të rregullojë emocionet e tij dhe të krijojë një hapësirë komunikuese nxitëse me nxënësit. Ai nuk duhet të trasmetojë në shkollë problemet e veta apo familjare për asnjë lloj arsyeje. Aftësia për t’u përmbajtur, për t’u përballuar dhe për t’u përshtatur me rutinën e punës së përditshme mësimore-edukative, pavarësisht nga gjendja fizike, psikike apo ekonomike, përcakton në një shkallë të lartë tipin dhe përsonalitetin e edukatorit. Ai mund të mendojë se është i aftë t’i fsheh ndjenjat e tij, por kjo vështirë të ndodhë, sepse nxënësit janë shumë të ndjeshëm, ata nuhasin gjithçka, edhe pamjen e jashtme apo lëvizjet e mësuesit në klasë. Por edhe qëndrimi i nxënësve ndaj mësuesit ka po aq rëndësi sa qëndrimi dhe vlerësimi i mësuesit ndaj tyre. Një kujdes i veçantë duhet treguar nga mësuesi për përzgjedhjen e leksikut, gjuha të përshtatet me atë të nxënësve sipas moshave dhe niveleve të tyre të formimit. Nuk duhet të përdoret një gjuhë e ndërlikuar, me dy a më shumë kuptime e aq më pak fjalë a shprehje të pakontrolluara. Kanë shumë rendësi edhe anë të tjera komunikimi e paraqitjeje, si: kontakti pamor, intonacioni i zërit, qëndrimi etj. Përfytyroni se çfarë efekti do të krijonte një mësues, që shpjegon duke shikuar në dritare, apo duke u marrë me ndonjë veprimtari tjetër jashtë këtij procesi. Në këtë marrëdhënie ka shumë rëndësi që gjatë shpjegimit nxënësit të ndjehen dhe të bëhen pjesëmarrës aktivë. Kjo arrihet me anë të integrimit të shpjegimit me pyetje të caktuara. Kështu, kërkohet dhe merret një mendim rreth asaj që është shpjeguar, nivelit të përvetësimit, të vëmendjes, rendimentit të punës duke nxjerr përfundime për ndërtimin e mëtejshëm të procesit. Në çdo etapë të komunikimit ka rëndësi që nxënësit të shprehen lirshëm, nuk duhet të ndërpriten, t’u ndërhyhet apo të nënvlerësohen mendimet e tyre, sepse të gjitha këto bllokojnë komunikimin efektiv. Në procesin e edukimit merr vlerë të madhe ndërtimi i raporteve të drejta përmes mesazheve, të cilat përcillen duke u mbështetur në fakte, që shkallë-shkallë arrijnë të krijojnë bindje të qëndrueshme te nxënësit. Prandaj mësuesi duhet të krijojë një klimë nxitëse dhe motivuese për të rinjtë në mësim, duke tërhequr vemendjen me sjelljen dhe respektin e tij të vazhdueshëm. Qëllimi i shkollës realizohet me rritjen e pjesëmarrjes së nxënësve në procesin e edukimit, me marrjen e përgjegjësive dhe të vendosjes së bashkëveprimit të pandërprerë në të gjitha situatat mësimore. Mbajtja e klasës në një veprimtari normale ka vështërsitë e veta, sepse ajo përbëhet nga një grup i ndryshëm individësh. Kjo kërkon që format të cilat zbatohen, dhe strategjitë e të mësuarit të përshtaten me nevojat, interesat dhe prirjet e të rinjve, duke synuar nxitjen e punës së pavarur dhe zhvillimin e personalitetit të çdo nxënësi. Është vënë re se mësuesit që bashkëpunojnë me të gjithë nxënësit, arrijnë rezultate më të mira se ata që merren me individë të vaçantë. Kjo do mbajtur gjithmonë në qendër të vëmendjes, përndryshe përqendrimi te nxënës të veçantë sjell paqartësi, duke rrezikuar edhe humbjen e të gjithë klasës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora