E premte, 26.04.2024, 04:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Kaza: Adoleshenca, stina e shpërthimeve (Kreu III)

E merkure, 03.12.2008, 09:07 PM


Kreu III

 

ADOLESHENTËT DHE FAMILJA

 

Prindër dhe adoleshentë – raport tepër

i vështirë

 

Në kushtet e sotme ku fëmija krijon raporte me institucione të ndryshme, që nga çerdhja, kopshti etj., kërkesa për autonomi duket se shfaqet që në moshë të vogël. Por ajo bëhet më e theksuar sidomos gjatë adoleshencës. Për këtë moshë, emancipimi nga prindërit dhe zhvillimi i vetvetes janë detyra të rëndësishme që shkojnë paralel me njëra-tjetrën, që kërkojnë një mënyrë sa më të përshtatëshme zgjidhjeje. Ky problem duhet vlerësuar jo njëanshmërisht, sikur u përket vetëm adoleshentëve, të cilët po rriten, por si një proces zhvillimi i prindërve dhe fëmijëve, të cilët përpiqen të krijojnë lidhje të ndërsjella efektive pa përçarje e marrëdhënie të pandreqshme. Rritja nuk është e njëjtë për të gjithë adoleshentët. Kjo gjë sjell pasoja psikologjike. Prandaj kërkohet të drejtohet me kujdes e pjekuri procesi i kalimit nga kontrolli familjar në pavarësi, paralelisht me zgjerimin e vetëdijes dhe të njohurive edhe për intimitetin seksual. Është koha kur të rinjtë përcaktojnë te vetvetja personin që do të bëhet, pra zgjedhin vlera dhe ideale në të cilat ata besojnë. Këta objektiva realizohen edhe përmes zhvillimit të marrëdhënive të drejta dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve prind-adoleshent, ku natyrisht këta të fundit kanë nevojë për mbrojtje, por edhe për autonomi. Rrjeti prind-adoleshent-shoqëri ka vlerë të madhe edukative, por marrëdhëniet ndërmjet palëve duhet të jenë të hapura, të qëndrushme dhe me mbështetje emotive. Qëndrimi indiferent apo përkujdesja e tepruar nga prindërit, raportet e mbyllura dhe të lëvizshme shoqërore sjellin deformim të personalitetit të adoleshentëve. Ndihma më e madhe që mund t’u jepet të rinjve nga prindërit, është vendosja e raporteve të drejta gjatë dialogut, pa pengesa dhe pa paqartësi të roleve që kanë. Në raste të tilla nuk mjaftojnë vetëm qortimet e kritikat. Të mbahet parasysh se ato nuk duhet të shndërrohen në qëllim parësor, por me adoleshentët të bisedohet hapur, në mënyrë të sinqertë. Pra, të rinjtë të dëgjohen e të vlerësohen pa dyshime, pa interesa. Kështu përftohen ide dhe argumente, të cilët mund të përdoren nga të rinjtë në të ardhmen. Edhe në trajtimin e sjelljeve jonormale, prindërit të vlerësojnë një bashkësi elementesh, të cilat në formë të veçuar nuk luajnë ndonjë ndikim të madh, por kur bashkohen janë me pasoja tepër negative. Neglizhenca, indiferentizmi, mungesa e lirisë apo e vlerësimit nga ana e prindërve shkakton agresivitet dhe inat te të rinjtë. Nga niveli i ulët i aftësive gjykuese për të perceptuar veprimet e prindërve, mund të ndodhë që adoleshenti të dalë jashtë kontrollit. Shumë studiues kanë theksuar se raportet prindfëmijë në adoleshencë modelohen dhe zhvillohen njëkohësisht me vetë vlerat e çdo shoqërie në një moment të saj të caktuar historik. Duhet pranuar se familja nuk është i vetmi faktor i shoqërimit të fëmijëve në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të edukimit. Prandaj është e kuptueshme se raporti prind-fëmijë nuk mund të kuptohet më vetëm me termin e vjetër tradicional të varësisë së të dytëve ndaj të parëve, vartësi që shoqëron fëmijën jo vetëm gjatë moshës së adoleshencës, por gjer në momentin e daljes nga familja e lindjes, për të formuar një familje të re dhe për të ndërtuar një jetë të pavarur. Kjo është një fazë kritike për të dyja palët, jo vetëm për adoleshentin, po edhe për prindin. Prandaj duhen menduar e duhen gjetur mënyra adekuate ndarjeje. Ndarja për adoleshentin do të thotë krijimi i një autonomie në kuptimin relativ të këtij termi, gjithnjë me shpresë se mund të mbështetet vazhdimisht dhe se do të ketë më tepër përkrahje jo vetëm të karakterit psikologjik nga familja prej së cilës shkëputet. Ndërsa për prindërit, në raste të tilla flitet për një ndarje që shkakton më tepër dhimbje me shijen e një humbjeje të përkohshme, të cilën duhet ta pranojnë e ta përjetojnë me një shikim, me një zemërgjerësi nga kufinjtë e mëparshëm familjarë. Pra, tani i biri a e bija janë jashtë, por vazhdojnë të mbeten ende pjesë e familjes për kujdesin e shqetësimin e domosdoshëm, që ajo u afron. Ndërsa vetë prindërit shpresojnë tek ata për të njëjtën ndihmë në të ardhshmen kur të jenë tepër të moshuar. Familja është një sistem dinamik i hapur, në të cilin çdo përfaqësues i saj është i lidhur në mënyrë të pavarur, e shprehur me ndikime të ndërsjella dydrejtimshe. Duke u nisur nga kjo bazë, për të vazhduar më tej në kuptimin e zhvillimit shoqëror, duhet pasur parasysh ndikimi që ushtrojnë prindërit dhe vëllezërit mbi adoleshentin, si dhe ndikimin që kanë ndryshimet, të cilat ndodhin tek adoleshenti në raportet familjare. Sistemi familjar synon të funksionojë në mënyrë të vazhdueshme e të qëndrueshme, duke tentuar të gjejë baraspesha të reja e forma të larmishme organizative, që i sherbejnë rregullimit sa më normal të familjes, për të gjitha rastet kur lindin kriza të përkohshme apo konflikte të hapura ose të mbyllura. Ky proces shoqërohet me vështirësi të shumta. Në situata të caktuara lindin probleme të thella psikologjike, që meritojnë vemendje, qetësi dhe profesionalizëm në trajtimin e tyre. Ato janë jo vetëm të karakterit të rritjes, por edhe rrjedhojë e vetë natyrës delikate të misionit familjar, i cili në çdo çast përshkohet prej problemeve të natyrave dhe karaktereve të ndryshme. Gjatë progresit, rritjes në moshë, dhe me fitimin nga ana e adoleshentit të kapacitetit e aftësisë për të arsyetuar në mënyrë abstrakte e refleksive, raportet ndërmjet të rriturve e fëmijëve brenda familjes synojnë të bëhen, nësë nuk ekzistojnë, sa më adekuate, të përshtatshme, më simetrike e të barabarta. Këtu bëhet fjalë për prindër, të cilët përpiqen të komunikojnë në mënyrë sa më efektive me fëmijtë, për të ruajtur një raport të drejtë me djalin a vajzën. Kjo kërkon durim dhe aftësi për të gjetur një rrugë sa më racionale, që të rinjtë të çlirohen nga tutela e prindërve. Ngarkesa psikologjike jo rrallë çon në prishjen e marrëdhënieve të ngrira në mes të dyja palëve. Natyrshëm lëshimet kërkohen të jenë reciproke dhe të sunduara jo thjeshtë nga pragmatizmi, por, në radhë të parë, nga objektiviteti. Ndërsa në familjet ku ndërtohen raporte fiktive, ose ku krijohen palë, të cilat luftojnë për të ruajtur pozicionet e tyre, gjendja përshkohet gjithnjë nga pasiguri e trazira të shpallura ose jo. Një tjetër proces është përcaktimi i sforcimit të adoleshentit, i cili arrihet me synimin për të fituar një qëndrim origjinal, gjë që realizohet duke kaluar identifikimet e ndryshme të bëra me familjarët ose me persona të tjerë të rritur. Kjo ndodh shpesh në nivelin e bllokimit, sidomos te fëmijë profesionistësh, të cilët pa asnjë lloj përcaktimi apo orientimi përpiqen të marrin vlerat, aftësitë dhe stilin e punës së babait ose të nënës, domethënë imitojnë e marrin përsipër role të frymëzuara apo të nxitura nga figura familjare ose të tjera të rritura, me të cilat kanë të bëjnë. Në këtë mënyrë, ata e bindin veten për të arritur këtë ideal. Ky proces shënon një lloj rritjeje efektive edhe të koncepteve mendore, të cilat lejojnë e bëjnë të mundshme individin të nxisë mundësitë e eksplorimit të shumë alternativave, që i ofrohen. Kjo sjell edhe një shndërrim të raporteve familjare, ku çdo komponent gjen një pozicion të ri në lidhje me të tjerët. Adoleshentët kërkojnë gjithnjë e më shumë autonominë e tyre, ndërsa prindërit hezitojnë përballë kësaj kërkese të tërheqjes së kontrollit, që gjer në atë moment ushtrohej mbi vajzën apo djalin. Nga kjo situatë e papërshtatshme lindin tensione e mosmarrëveshje të ndryshme, të cilat nuk mund të mbyllen me masën e shpejtësisë që i lind. Në shumë raste ndodh që të prishen seriozisht raportet. Kjo ngjet vetëm nëse të rriturit këmbëngulin të ruajnë vazhdimisht me adoleshentin të njëjtin raport të krijuar në moshën e fëmijërisë. Ky fakt bën që krejt natyrshëm të ndjehen tej mase të lodhur e të bezdisur nga kundërshtimet e ngacmimet e tyre të vazhdueshme. Në fazën e formimit të personalitetit të adoleshentit cilësia e komunikimit ndërmjet komponentëve familjarë është veçanërisht e rëndësishme, përcaktuese jo vetëm për adoleshentin, por për të ardhmen e vetë familjes. Këtu nuk bëhet fjalë për ruajtjen e gjendjes, por për krijimin e marrëdhënieve sa më efektive dhe të pranuara nga të dyja palët. Raportet prindër-adoleshentë nuk janë të njëjta dhe të një forme të prerë. Ato kanë veçoritë e tyre, të cilat varen si nga gjinia e adoleshentit, edhe nga figurat prindërore, nëna apo babai. Dihet se në marrëdhënit që vendosin, adoleshentët bëjnë dallim ndërmjet nënës e babait për shkak të veçorive të secilit, kohës që kalojnë, por dhe nga mënyra e komunikimit. Përgjithësisht, në krahasim me baballarët, nënat janë disi më të hapura në trajtimin e problemeve, në ndihmën që ofrojnë, në vlerësimin e ndjenjave. Afrimiteti dhe kujdesi i nënave ndjehet më shumë nga vajzat. Komunikimi nënë-vajzë është përcaktuar si shumë më i hapur se ati me djalin. Vajzat e konsiderojnë babain paksa më të largët nga nëna, më pak të interesuar në problemet e zemrës. Për më tepër, ato e vlerësojnë si shumë kritik qëndrimin e tyre në marrëdhëniet dyshe, pasi ndjehen se i trajtojnë sipas imazhit që babai ka krijuar për to me kohë, që kur ishin të vogla, pa marrë parasysh ndryshimet që kanë ndodhur në të vertetë. Djemtë flasin për veten e tyre në mënyrë më të ndryshme se vajzat, por duket se nuk bëjnë dallime tek të dy prindërit rreth asaj që mund të flasin e t’u tregojnë. Marrëdhëniet, pra raportet at-djalë, janë përgjithësisht asimetrike, babai ndjehet jo i respektuar dhe i nderuar, pa dashamirësinë që pret të shpërblehet prindi. Janë të shumta rastet që ndeshen në jetën e përditshme për të cilat djemtë duket se kërkojnë këshilla, por u duket shumë më e vështirë të arrijnë të flasin për probleme emotive, ndjenjash dhe përjetimesh. Edhe raporti nënë-djalë duket si i bazuar mbi autoritetin. Nëna shihet si ajo që kontrollon më nga afër, por me qëndrim dashamirës. Mbase për këtë mund të jetë objekt afrimiteti ndonjë gjë rutinë, por shpesh herë ky interes vlerësohet si i tepërt. Për këtë arësye shfaqen prirje shkëputjeje dhe mënjanimi, duke u ruajtur marrëdhëniet e ngrohta në planin formal.

 

Nga buron konflikti?

 

Në çdo kohë kanë ekzistuar konfliktet prind-fëmijë dhe vëllezër-motra si pasojë e ndryshimeve në kërkesat për objektiva dhe zgjedhje të ndryshme. Në përgjithësi, një burim i tyre janë edhe marrëdhëniet që vendosen, pasi adoleshentët nuk kanë dëshirë të pranojnë më vartësinë. Ajo u shkakton dyshime edhe në skemat mendore të deritanishme, prandaj irritohen shpesh dhe në ndonjë rast kërkojnë të heqin dorë nga ndihma dhe mbikqyrja. Tani me “shumë siguri” ata fillojnë të rishikohen, e ardhmja e imagjinuar u vihet përball vështirësive të jetës së vërtetë. Në këto momente kritike kemi një riorganizim të sistemit të vetvetes, falë raporteve të reja që lindin. Me kalimin nga kontrolli në pavarësi adoleshentët përpiqen të shmangin edhe kontrollin emotiv të prindërve. Për këtë kërkojnë ortakëri, pra mbështetje nga bashkëmoshatarët e tyre për të kapërcyer pengesat emocionale. Me rritjen, vazhdimisht adoleshenti i shton kërkesat. Prandaj prindërit duhet të ndryshojnë shumë gjëra për të mos krijuar mosmarrëveshje të panevojshme. Këtu ia vlen të vihet në dukje se ka nuanca të veçanta e dallime edhe në marrëdhëniet e komunikimin me nënën dhe babain. Zhvillimi i brendshëm i adoleshentëve në jo pak raste bie ndesh me ato që kërkojnë prindërit. Këta të fundit duke qenë se kanë frikë se mos sjelljet e gabuara të fëmijëve do të vazhdojnë gjithë jetën, shpesh bëhen të mërzitshëm me përsëritjen pa vend të lloj-lloj kërkesash. Disa herë qëndrime të tilla bëhen ekstreme, si pasojë e të cilave thellohet më tej konflikti. Nga një qëndrim i tillë, si dhe nga praktikat që ndiqen, me kufizimet, rregullat dhe mungesën e vlerësimit, jo rrallë lindin mosmarrëveshje. Në raportin prindër-fëmijë është e padiskutueshme që prirja e prindërve për të ruajtur një lloj largësie nga fëmijët në emër të forcimit të autoritetit, bëhet burim i pashmangshëm mosmarrëveshjesh. Kjo është e lidhur dhe e kushtëzuar nga shkalla e niveli i lidhjeve emocionale, që ekziston në marrëdhëniet e prindërve me djalin apo me vajzën. Në familjet pa ndonjë lloj interesi, nuk krijohet mundësi për konflikte reale. Ato ndodhin në familjet me probleme ekonomike, vështirësi pozicionimi në shoqëri, me sëmundje etj., arsye këto të mjaftueshme për të kufizuar në maksimum marrëdhëniet e nevojshme. Një dukuri e tillë mund t’u përkasë edhe prindërve të një niveli shkollimi të mesëm apo të lartë, që poshtë një perdeje moderniteti e lejueshmërie, në pamje të parë, nuk arrijnë të ndërtojnë ndonjëherë raporte të thelluara, të qëndrueshme e domethënëse me fëmijët e tyre. Mungesa e konflikteve në këto raste, duhet venë në dukje se nuk shihet e vlerësohet nga të rinjtë si sinjal kuptimi apo kujdesi. Përkundrazi, krijohen kushte për një revoltë të brendshme të pashpallur, e cila shpërthen në çastin, kur askush nuk e pret. Përfshirja në konflikte, nëse vlerësohet drejt, mund të konsiderohet si gjithëpërfshirje e kujdes, që mund të nxisë marrëdhënie të reja dhe të përmirësuara. Paqja në familjen e adoleshentit mund të arrihet si përfundim i zgjidhjes së një konflikti të hapur të administruar me kujdes, në të cilin palët njohin dallimet dhe ngjashmëritë e tyre. Ruajtja e mbajtja e një qëndrimi të drejtë, të baraspeshuar, pa shfrytëzuar dobësitë e prindërve, por sidomos ato të adoleshetëve, të cilët janë më të ekspozuar në këtë drejtim, përbën një kusht të rëndësishëm për krijimin e gjendjes së shëndoshë në familje. Ka edhe tipa prindërish, të cilët veprojnë ndryshe, që përpiqen të monitorojnë dhe të mbajnë nën vëzhgim të pandërprerë lëvizjet, qëndrimet dhe sjelljet e fëmijëve. Nga ana tjetër, nuk duhet të mendojmë se adoleshenca është gjithnjë e sunduar domosdo nga konflikte, edhe pse procesi i zhvillimit të fëmijëve mbi dhjetë vjeç është bashkudhëtar i pashmangshëm me to, pavarësisht nga përmasat dhe kohëzgjatja e tyre. Më tepër nga fakti se perceptimet janë të sakta apo të gabuara për palët në konflikt, merr më shumë rëndësi bilanci, që për njërën palë llogaritet si përfitim, ndërsa për tjetrën humbje. Arsyet e konfliktit nuk mund të merren vetëm si pasojë superioriteti apo dualitet i pashpallur, por mbi të gjitha si rrjedhojë e pikëpamjeve të ndryshme, të përplasjes së dy këndëvështrimeve, të dy mentaliteteve për problemet e dukuritë e ndryshme, mbi jetën në përgjithësi, diçka krejt normale dhe pjesë e zhvillimit. Këto konflikte përgjithësisht nuk u përkasin çështjeve fondamentale të tipit politik, besimit apo moralit, por janë të lidhura më shumë me probleme të një niveli më të ulët, si:

? Mënyra e të veshurit;

? Mënyra e kalimit të kohës së lirë;

? Orari i kthimit në shtëpi;

? Ndihmesa në punët e shtëpisë dhe përdorimi i të hollave;

? Shqetësimi i prindërve në lidhje me raportet sentimentale të fëmijëve, por sidomos raportet e vajzave, me idenë e frikës se këto lidhje mund të deformojnë zhvillimin e adoleshentëve.

Mosmarrëveshjet lindin edhe në momentin kur prindërit sillen me të rinjtë sikur të ishin fëmijë të vegjël, kur kontrollojnë e mbikqyrin çdo veprim të tyre, kur nuk presin aspak për rezultatet, kur nuk shtrojnë kërkesa të argumentuara, kur nuk janë të rregullt dhe nuk krijojnë marrëdhënie të ngrohta me ta etj. Edhe në lidhje me trajtimin e dy termave të rëndësishëm: autoriteti dhe legjitimiteti, ndeshemi me shfaqje të ndryshme. Përgjithësisht vihet re se adoleshentët e pranojnë, e njohin autoritetin e atyre që kanë të drejtë për ta ushtruar. Konkretisht, për të pranuar autoritetin e prindërve, fëmijët, para së gjithash, duhet të jenë të bindur, të ndërgjegjësohen me këmbëngulje e durim në lidhje me çdo çështje, vlerën dhe dobinë e saj. Njëkohësisht, është mirë që i gjithë ky proces të përballohet me një klimë respekti të ndërsjellë. Siç del nga mjaft studime të kryera në këtë fushë, është vënë re se për sa i përket aspektit moral, sjelljeve të lira dhe të përcaktuara nga norma shoqërore, adoleshentët në shumicë ndajnë me prindërit të njëjtin vlerësim në lidhje me qëndrimin ndaj autoritetit. Por në praktikë ndodh ndryshe. Përsëri vërehen probleme të tjera të shumta, të cilat adoleshentët me të drejtë i marrin si ndërhyrje të panevojshme në të drejtat e tyre vetjake, të tilla si: Paragjykimet për rrethin e tyre shoqëror;

? Për kohën që duhet të qëndrojnë jashtë shtëpisë, pra jashtë kontrollit;

? Për mjediset e ndryshme që frekuentojnë me shoqërinë e tyre;

? Për rregullat mbrojtëse kur kalojnë nga një vend në një tjetër etj.

Pra, prirjet e prindërve për të ushtruar autoritet pa kushte, për të kontrolluar gjithçka bëjnë fëmijët e tyre, sjell për pasojë mosmarrëveshje, të cilat në rastet kur janë të pashpallura, kanë pasoja tepër negative në edukimin e të rinjve. Edhe kërkesat “e forta”, të shoqëruara me ftohje të marrëdhënieve emocionale, ndërlikojnë procesin dhe krijohen mundësi për humbje të lidhjeve prind-fëmijë. Dihet se dashuria prindërore është e domosdoshme, por ajo e vetme nuk përbën një kusht të mjaftueshëm për zhvillimin e suksesshëm të personalitetit të të rinjve.

 

Pranimi dhe kontrolli

 

Sjellja prindërore apo modeli që praktikohet nëpër familje të ndryshme është e natyrave të larmishme e të shumëllojshme. Në këtë drejtim, nuk mund të jepen përkufizime të prera. Secili përdor atë mënyrë apo metodë, që e vlerëson më efektive. Psikologia amerikane Diana Baumrind pranimin dhe kontrollin mbi fëmijët e të rinjtë i bazon mbi dy qëndrime fondamentale, të cilat janë:

a. Pranimi, i cili ka të bëjë me faktin se prindi duhet të pranojë fëmijën për atë që në të vertetë është, duke vlerësuar cilësitë, të cilat ka synuar t’i modifikojë me çdo çmim sipas imazhit të tij.

b.Kontrolli, i cili qëndron në drejtimin e fëmijës, në ndihmën e studiuar me zgjidhjet që bën, duke i mësuar e duke i afruar ritme jetese që i përshtaten karateristikave të tij individuale. Kontrolli shpesh herë bëhet si në nivelin psikologjik, duke u treguar I pranishëm, duke e nxitur dhe duke e kontrolluar, ashtu edhe në aspektin e sjelljes, duke e nxitur të zgjedhë, duke i kritikuar ose duke i vlerësuar zgjedhjet që bën, por gjithnjë duke respektuar individualitetin e subjektit. Në çdo stil edukimi familjar, këto qëndrime janë të paraqitura në mënyra të ndryshme, por duhen praktikuar në mënyrë krijuese, pavarësisht nga fakti se prindërit mund të jenë që të dy me apo pa nivel të lartë formimi. Me qëndrimin që shfaqet, përcaktohet edhe karakteri i prindërve. P.sh., prindërit që marrin pikë të larta, pra ata që përdorin shumë pranimin e kontrollin si në anën psikologjike, edhe në sjelljen në lidhje me moshën e fëmijës, përcaktohen si hijerëndë. Ndërsa vlerësohen si prindër më sjellje të përgjegjshme përkundrejt fëmijëve, ata që ushtrojnë në mënyrë të ndërgjegjshme një funksion mbështetjeje, ata që shërbejnë si udhërrëfyes në edukimin e tyre, që tregohen të ndjeshëm ndaj nevojave, por lënë të dallojnë dhe të kenë parasysh kapacitetin, aftësitë e fëmijëve. Të tillë prindër kërkojnë detyrime në përshtatshmëri me aftësitë që kanë realisht, diskutojnë dhe përpiqen t’u hapin rrugë adoleshentëve drejt lidhjeve të ngushta shoqërore, por më e rëndësishme është se e vlerësojnë dhe e pranojnë gjithnjë mendimin e tyre. Ky model më shumë se të gjitha modelet e tjera lejon dhe bën të mundshme një hyrje të lehtë dhe të natyrshme në mjedisin shoqëror, duke qenë se tashmë të rinjtë kanë fituar aftësinë për të pasur një qëndrim kritik të vlerësimit të ngjarjeve dhe të dukurive të ndryshme me të cilat përballen në jetën e përditshme. Aftësimi për të mbajtur qëndrim kritik i bën më të sigurtë në vetvete të rinjtë, u jep një mundësi vetëkontrolli, për më tepër u jep mundësinë të zhvillojnë sjellje të drejta në vartësi të kushteve ku ndodhen e veprojnë. Përkundrejt qëndrimit hijerëndë, është stili autoritar. Këtu është e domosdoshme të bëhet dallimi ndërmjet tyre. Te autoritarët bëjnë pjesë prindërit të cilët kanë përvetësuar modelin e kontrollit, ndërsa thuajse s’e njohin pothuajse aspak ëmbëlsinë prindërore. Ata i kontrollojnë dhe përpiqen t’i modifikojnë fëmijët në bazë të idealeve, ëndrrave dhe dëshirave të tyre; vazhdimisht ata shprehin vlerësime për sjelljen e fëmijëve, duke u diktuar një lloj të sjelluri standard, të cilin e marrin shpesh si të vetmen mënyrë pozitive të veprimtarisë së tyre. Për prindër të kësaj natyre bindja ndaj autoritetit është virtut, prandaj përpiqen ta rrënjosin këtë tek fëmijët, duke ndërhyrë shpesh edhe me përdorimin e ndëshkimeve. Ata kundërshtojnë njohjet shoqërore dhe kërkojnë që fëmijët të ndjekin rregullat e këshilluara, pa u dhënë ndonjë shpjegim. Ata janë kaq të vendosur në këtë rrugë, derisa arrijnë të prodhojnë frikë, ankth, fiksacion tek fëmijët e tyre. Në këto kushte nuk është e vështirë të kuptohet se fëmijë të tillë, të edukuar nga prindër autoritarë në jetë janë:

? Egocentrikë;

? Kanë nivel të ulët vetëvlerësimi;

? Shfaqin sjellje negative ndaj të tjerëve etj.

Të gjitha këto karakteristika sjellin probleme përshtatjeje ose sjelljeje mënjanuese përkundrejt shoqërisë. Më së fundi, kemi një kategori tjetër prindërish, të cilët përcaktohen si lejues dhe pranues. Prindër të tillë pranojnë pa mëdyshje dëshirat e fëmijëve edhe pse shpesh janë të pakuptimta. Ata nuk kërkojnë sjellje të rregullta dhe të përgjegjshme në familje, lejojnë që fëmijët të marrin dhe të bëjnë vetë zgjedhjet e tyre. Përpiqen t’i kontrollojnë dhe nuk i shtyjnë të respektojnë standardet e përcaktuara, përpiqen t’i bindin fëmijët duke arsyetuar e duke u shpjeguar atyre pa ushtruar pushtetin, të cilin duhet ta zbatojnë. Shpesh ata nuk ofrojnë asnjë lloj mbështetjeje për formimin e fëmijëve, i lejojnë ata të bëjnë gjithçka munden, janë indiferentë e të painteresuar. Për këtë arsye, kjo kategori prindërish perceptohen nga ana e fëmijëve si të largët dhe jo të aftë t’u garantojë ndonjë mbështetje aq të domosdoshme për ta. Prindërit lejues e pranues përgjithësisht nuk tregojnë interes për atë çka bëjnë fëmijët, gjë e cila e dëmton në përmasa të mëdha procesin e edukimt të adoleshentëve.

 

Përjetim i marrëdhënieve të brezave

 

Në çdo kohë kanë ekzistuar mosmarrëveshje ndërmjet brezave, si një dukuri që shprehet në zhvillimin e vazhdueshëm të shoqërisë. Është e kuptueshme që këtu ndikon edhe formimi i brezit të moshuar, mënyra e tij e jetesës, ndryshimet e vrullshme që ndodhin etj. Por në tërësinë e tyre kemi edhe dukuri të qëndrueshme, të cilat jo rrallë ndikojnë edhe ato në krijimin e një klime të papërshtatshme. Ndoshta një dukuri e tillë lidhet me bindjen e të moshuarve që të shmangin në veprimtarinë e bijve ato dukuri që në jetën e tyre kanë dalë të pasuksesshme. Ka këtu vend edhe për pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje. Trupi që ndryshon, zbulimi i seksualitetit, prirja për autonomi, imitimi i bashkëmoshatarëve, mbrojtja nga paragjykimet, ndryshueshmëria dhe identifikimi janë sfida për prindërit dhe vetë adoleshentët. Për të qenë koherentë, prindërit, apo edhe përgjithësisht të rriturit, duhet të drejtojnë, të mbështesin, të kujdesen e të respektojnë të rinjtë. Ndryshimet mes brezave nuk janë më ato të dikurshmet, por ato janë të pranishme gjithnjë për zgjedhjet, sjelljet, objektivat etj. Kur nuk arrihet mirëkuptimi, të rinjtë dalëngadalë u shmangen të rriturve dhe vjen një moment që përpiqen të ruhen dhe nuk dëshirojnë të përballen më me ta. Ata edhe kur në thelb nuk i pranojnë apo i qortojnë të rriturit në heshtje, i trajtojnë e i vlerësojnë si të pranueshëm prindërit e vet ose u qajnë hallin si varfanjakë, të cilët, pavarësisht nga niveli arësimor që mund të kenë, koha i ka lënë prapa. Megjithëse jo për gjithçka që ndodh nuk është faji i tyre, përsëri ata nuk arrijnë ta kuptojnë jetën ashtu siç kërkohet. Ndonëse nga mjediset familjare vjen duke u zhdukur armiqësia e hapur, për shkak të përmbajtjës apo të lodhjes reciproke, në thelb ajo mbetet e njëjtë. Kur adoleshentët thonë “pleqtë e mi”, gjë që nënkupton prindërit e tyre, ata shprehen me rezerva edhe pse e dinë që jeta për ta ka ende shumë të papritura. Në fakt, një qëndrim i tillë nuk është krejtësisht pa të keq. Me të ata shprehin një dyqëndrimësi. Pleqtë janë pak si gjyshërit që do të dëshironin t’i kishin afër, ndërkohë që i kanë larg ose kanë vdekur. Por janë edhe pleqtë, sepse ndoshta prindërit lëvizin në një botë të vjetër në krahasim me të rinjtë, që presin një ndryshim të shoqërisë. Presin të tjera përligjje, të tjera qëllime, në një mjedis ku gjithçka duket e mbyllur, me prirje për ta frenuar jetën, për ta mbajtur atë të pandryshueshme, në vendnumëro. Në kohën që jetojmë, adoleshentët janë bërë thuajse të huaj për prindërit, pasi ata nuk flasin të njëjtën gjuhë; veshjet e reja, tualeti, seksi, informatika, muzika, shkolla në ndryshim të pandërprerë etj., kanë sjellë të tjera kërkesa. Prandaj të rinjtë nuk kanë ato mendime, sjellje e qëndrime, të cilat do t’i dëshironin prindërit e tyre. Në shoqërinë tonë krahas zhvillimit, ndeshim edhe dukuri të dëmshme, të padëgjuara vite më parë ose të njohura, por jo në këto përmasa, si: droga, alkooli dhe prostitucioni, të cilat me shtrirjen që kanë marrë, po kthehen në një rrezik serioz për të ardhmen e shoqërisë, në përgjithësi, dhe të familjes, në veçanti. Këto dukuri vazhdojnë të mbeten burime konflikti mes të rinjve dhe prindërve të tyre. Përgjithësisht, ata që nuk notojnë në ujëra të tilla, nuk kanë mosmarrëveshje të ashpra me prindërit. Në këtë mënyrë, konfliktet mes të rinjve dhe prindërve janë ngritur në nivele të reja, me tipare e trajta të ndryshuara, krahasuar edhe me ato të disa dhjetëvjeçarëve të mëparëshëm. Nëse dikur mund të lindte një konflikt për një mosrespektim orari, apo për diçka tjetër të përafërt, tani kjo nuk ka më atë rëndësi që kishte. Probleme më të mëdha kanë dalë në skenë. Prirje që shpesh trajtohen si negative nga prindërit, duken shumë argëtuese nga të rinjtë. Mosmarrëveshjet që ndodhin në jetën e përditshme, të rinjve u duken si një rrënim të bindjeve e të psikologjisë së prindërve, thënë shkurt, si një dështim në ëndrrën e tyre për të jetuar. Këtu ata vënë re tatëpjetën, paefektshmërinë, lodhjen dhe dështimin e prindërve. Probleme të kësaj natyre komunikimi u përkasin disa fushave, sepse në jo pak raste objektivat dhe qëndrimet e prindërve nuk mbështeten dhe nuk nxisin një raport të drejtë e të pëlqyeshëm marrëdhëniesh me adoleshentët. Sipas traditës, më tepër synohet që adoleshentët të sillen e të veprojnë sipas skemave të përcaktuara nga prindërit. Vetëm në këtë mënyrë, gjithnjë sipas tyre, të rinjtë, do të ruhen dhe do të rriten të shëndetshëm. Këto qëndrime nxiten e realizohen nga siguria që rrjedh prej përvojave të mëparshme, të cilat vlerësohen gjithnjë si të suksesshme, të provuara e si të vetmet rrugë që duhen shkelur për të realizuar idealet edukative. Secili prej nesh ka një botë të brendshme, që mund ta quajmë “fushë perceptive”, e përbërë nga emocione, ndjenja, motivime etj., të cilat na lejojnë të flasim për botën e brendshme, një fushë që shkon nga individualiteti deri tek ndjenjat dhe përvojat e jetuara. Nuk mund të dimë kurrë se çfarë ndjejnë dhe mendojnë adoleshentët me të cilët kërkojmë të vihemi në marrëdhënie, nëse nuk kuptojmë sa i rëndësishëm është fakti që të dimë se me çfarë këndvështrimi e shohin ata botën, çfarë idesh dhe mendimesh kanë për ngjarje e dukuri që i rrethojnë. Ky element kërkon një vlerësim të posaçëm, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me fatin dhe rrugën që do të marrë e ardhmja e fëmijëve. Duhet të largojmë nga mendja faktin se adoleshentët duhet të jetojnë e të zhvillohen në përshtatje të objektivave dhe qëllimeve tona, se ata domosdo duhet të marrin atë formë që dëshirojmë t’u japim ne, të rriturit, pa vlerësuar e pa respektuar tiparet e veçoritë e tyre individuale, pa mbajtur parasysh ndryshimet e shpeshta e të shpejta që ndodhin në psikologjinë njerëzore. Objektivat, qëllimet dhe kërkesat tona “çfarë presim nga bijtë tanë”, bëjnë që të krijohet një “mur i lartë” ndërmjet nesh dhe adoleshentëve, mur të cilin edhe po e prekëm, kurrë nuk do të mund ta kapërcejmë, vështirë se shkëputemi pa dëmtime prej tij. Ndonjëherë problemet nuk janë edhe aq të vështira. Mosmarrëveshjet lindin edhe nga gjëra fare të zakonshme, të thjeshta. P.sh., një prind kërkon ta bëjë fëmijën e tij biolog, por fëmijës mund t’i pëlqejë dhe ka prirje për letërsi. Kështu lind konflikti ndërmjet kërkesës së prindërve, dëshirës së tyre, dhe prirjeve të vetë subjektit, gjë e cila përgatit jo vetëm një përplasje interesash, por vë në pikëpyetje të ardhmen e adoleshentit. Për çdo të ri, përveç raportit që duhet të vendosë me prindërit e tij, është e domosdoshme të gjejë mënyrën të ndërtojë edhe raporte me bashkëmoshatarët e vet, që janë në ndryshim të vazhdueshëm përsa i përket mënyrës së sjelljes, të veshjes etj. Me rëndësi është që t’i lejojmë fëmijët të bëjnë gjithnjë zbulime rreth jetës së tyre dhe të përcaktojnë një rrugë të drejtë zhvillimi. Problemi është se disa prindër kërkojnë t’i detyrojnë fëmijët që të sillen në veprimtarinë e tyre si të ishin ata vetë. Një gjë e tillë nuk arrihet. Secili mund të bëjë çfarë dëshiron, madje edhe gabime, por ne duhet të jemi të gatshëm pranë tyre të ndikojmë në rastet më të rënda për të ndalur më të keqen, të pariparueshmen. Kjo lloj pranie apo ky vëzhgim kërkohet të jetë i specializuar, sa më pak i ndjeshëm, por gjithnjë rezultativ në momentin e duhur. Nga ana e adoleshentëve prindërit krahasohen me prindër të tjerë “më të mirë”, më të hapur, që japin më shumë liri për bashkëmoshatarët. Prandaj prindërit duhet të përballen çdo ditë me çështje nga më të ndryshmet që ngrejnë bijtë e tyre, të cilat përmbajnë në vetvete një lojë të vazhdueshme të ideve e bindjeve filozofike. Në fund të fundit, do mbajtur parasysh se qëllimi i prindërve është gjithnjë i mirë, t’i ndihmojnë fëmijët, që të bëhen e të veprojnë të pavarur nga skemat e parafabrikuara. Kjo kërkon që të rriturit të zotërojnë forcën e mjaftueshme për të kuptuar e për të pranuar gabimet e tyre. E gjitha kjo bëhet me synimin që adoleshenti të fitojë aftësi e besimin në vetvete, për të realizuar prirjet dhe talentin e tij.

 

Nevoja për baraspesha të tjera

 

Për të arritur rezultatet e dëshiruara në edukim, familja është e domosdoshme të identifikojë disa aspekte të veçanta, të cilat ndikojnë në procesin e zhvillimit të personalitetit të fëmijëve, si:

1. Të njihen vështirësitë vetjake gjatë veprimit të edukimit,

2. Të mbështetet te informacionet e kohës për metodat e edukimit,

3. Të sigurohet bashkëpunim efektiv prind-fëmijë,

4. Të mbështeten fëmijët për plotësimin e nevojave materiale,

5. Të njihet realiteti familjar, po kështu dhe realiteti shoqëror.

E rëndësishme është që të zotërohen e të realizohen përgjegjësitë e secilit komponent të familjes dhe të njihet si i përjetojnë së brendshmi fëmijët problemet që kanë, pavarësisht nga mjedisi ku kanë lindur, pra konkretisht si ndjehet në familje, në bashkësi apo në shkollë. Vetëm pas një veprimtarie të tillë mund të përcaktohet një strategji e përbashkët për të realizuar objektivat për të përballuar problemet dhe vështirësitë, që lindin në këtë proces të ndërlikuar. Qëllimi i mbështetjes së familjes është krijimi e forcimi i një sistemi racional për të edukuar fëmijtë me cilësitë e virtytet më të mira, me besim në vetvete dhe tek njëri-tjetri. Në këtë drejtim, kërkohet që prindërit e fëmijët të rishikojnë vazhdimisht sjelljet dhe qendrimet e tyre. I rëndësishëm mbetet vlerësimi i vetvetes dhe i sistemit me të cilin veprohet në marrëdhëniet që vendosen. Mbetet aktuale thënia e njohur e A. Frend, se: “Unë them që është normale për një adoleshent që për një kohë të ketë sjellje jokoherente dhe të paparashikuara... Një i ri arrin të dojë dhe njëkohësisht të urrejë prindërit e tij, të revoltohet kundër tyre, të ndiejë turp kur është duke biseduar me nënën e tij në prani të të tjerëve, e papritmas të dëshirojë të bashkëbisedojë me gjithë zemër me të”. Prandaj mendoj se është e nevojshme që çdo adoleshenti t’i lihet koha dhe liria e domosdoshme për të vepruar e për ta gjetur vetë rrugën e tij. Por kjo s’është e lehtë. Për ta realizuar këtë prindërit kanë nevojë për ndihmë dhe këshilla, për vetëpërsosje. Secili prej nesh ka ndeshur e ka përjetuar situata që përshkruam më lart ose të ngjashme me to, por në pak raste qëndrimi që ka mbajtur, mund të ketë qenë i njëjtë apo i përafërt. Prandaj lind edhe domosdoshmëria e zotërimit të disa mekanizmave universalë të edukimit për çdo prind, pavarësisht nga përvoja vetjake që në një moment të caktuar mund të zotërojë. Adoleshenca mund të merret si fillimi i një aventure ose i një lindjeje të re. Ajo shoqërohet me një numër të pacaktuar nxitjesh të brendshme dhe të jashtme, të cilat herë shfaqen e herë jo. Shkallë-shkallë inteligjenca dhe qëndrueshmëria pësojnë ndryshime të mëdha, të cilat pasqyrohen në marrëdhëniet në familje, në shkollë dhe shoqëri. Nëse nuk i analizojmë drejt këto dukuri, do të krijojmë ide të gabuara. Për këtë arsye në disa raste na duket sikur e kemi këmbyer fëmijën, na krijohet ideja sikur nuk e njohim atë. Konfliktet, kriza, revolta dhe shpërthimet të ngjajnë me një thyrje a përmbysje të pazëvendësueshme, të cilat ndodhin në të vërtetë. Por ato sjellin një qëndrim të ri, një zhvillim më të lartë fizik e psikik, një forcë të re ende të pazbuluar në universin e shpirtit, që ngjason me një vullkan, i cili shoqërohet me shpërthime, me interesa, nevoja dhe aspirata të reja. Kriza psikologjike e kësaj moshe merr një pamje interesante, duke u gërshetuar me reaksione, fiksasione, paaftësi, dyshime. Kjo periudhë mund të përjetohet edhe si dramë e shpërthimeve të mëdha për shkak të reagimit ndaj mjedisit përreth, i cili i kundërpërgjigjet mënyrës së re të sjelljes së adoleshentit. Është koha e një revolte apo e një kryengritjeje të madhe, që të krijon idenë e gabuar sikur po rrëzohet gjithçka e ndërtuar me sakrifica deri në këto momente. Kjo luftë e heshtur, në mjaft raste e pashpallur, kërkon vendosjen e marrëdhënieve të reja, pranimin e një marrëveshjeje të re dhe jo kurrësesi pajtimin formal apo tërheqjen pa kushte të ndonjërës palë, gjë e cila do të shënonte shkatërrimin e gjithë procesit të edukimit. Paralelisht me pjekurinë seksuale në këtë periudhë shfaqen dukuri tranzitore edhe në planin psikologjik. Ndjenjat e reja që lindin, paraqiten me ngarkesë të ndryshme tek djemtë dhe vajzat, me orientim drejt funksioneve seksuale të burrit e gruas. Kemi një largim psikofiziologjik të dyja sekseve në moshën e adoleshencës me mospërputhje, hallakatje të vajzave dhe padurim sentimental të djemve. Siguria dhe qetësia e mëparshme vihet në sprovë. Mjedisi familjar dhe shoqëror janë po ata që ishin, por brenda vetes gjërat kanë ndryshuar. Prandaj ndihet tronditja në trup dhe në shpirt. Kështu lindin shqetësimet për ta kapërcyer këtë situatë të papritur anormale, prandaj për këtë arsye në jo pak raste adoleshentëve u dalin përpara përfytyrimet e kohës së kaluar, kur ishin të lumtur. Kjo moshë e ashpër me të papritura përbën për të rinjtë një shqetësim të madh, ajo karakterizohet nga shpenzime të mëdha energjish. Kureshtja, ndërhyrjet, veprimtaria e fshehur, impulset etj., sjellin ankth dhe në ndonjë rast fajësi për manifestime të ndaluara. Në vitet e para të adoleshencës, fëmija bëhet rival i nënës dhe babait, për shkak të ndalesave dhe moralizimeve të pafundme. Ëndërrimet, aventurat e bota imagjinare që krijohet nga kjo moshë, kërkojnë kohë dhe liri për të menduar e për të vepruar, jo përndjekje e kontroll për gjithçka. Edukimi realizohet me efektivitet kur të rriturit mendojnë dhe besojnë se statusi i fëmijës ka ndryshuar, se ai nuk është më i tillë jo thjeshtë në paraqitjen e jashtme, por kryesisht në botën e brendshme, gjë të cilën duhet ta pranojnë në të gjitha përmasat e saj. Pavarësia, revolta, mbyllja në vetvete, zemërimi, kundërshtimi janë tipare të adoleshentëve. Shfaqje të tilla bëjnë thirrje, por edhe kryengritje për më tepër liri, për të njohur “unin” e tyre. Këto dukuri nuk janë ndarë në mënyrë të përpjesshme me shqetësimet që kanë në fakt adoleshentët. Vetëvlerësimi nuk varet vetëm nga situata e përgjithshme, por nga orientimet vetjake të të rinjve, që përcaktojnë elementet plotësuese e vlerësuese të qenies së “unit”. Krizat, kthesat dhe ndërlikimet sjellin rishikim të pozicioneve dhe shoqërohen edhe me zhgënjime të mëdha. Thellësia e dëshpërimit në disa raste është e madhe, prandaj kërkohet maturi dhe profesionalizëm në marrëdhëniet prindfëmijë apo mësues-nxënës. Një farë agresiviteti që manifestohet në këto lidhje, është real në të tëra mjediset, prandaj nuk duhet lënë jashtë vëmendjes përpjekja dhe lufta për shmangien deri në mënjanimin e tyre të plotë. Edhe veprimet e fëmijëve që jo rrallë venë në drejtim të kundërt me ato që kërkojnë apo këshillojnë prindërit, nuk duhet të alarmojnë askënd, sepse janë në natyrën e zhvillimeve fiziologjike dhe psikike të kësaj moshe. Vlerësimi i ndryshimeve të mëdha që ndodhin nga çasti në çast, nuk bëhet me moralizime apo me receta të gatshme, por me veprime të studiuara, shpesh të padeklaruara. Megjithëse inteligjenca është e zhvilluar edhe në drejtim të mendimit abstrakt, varësia nga mendimi i të rriturve edhe në këtë moshë mbetet mbizotërues. Kriza e rritjes të krijon idenë e gabuar apo iluzive sikur edhe egzistenca po shkatërrohet, prandaj ndarja në dy kampe, dy breza të ndryshëm, merr trajta të qarta, here-herë me qëndrime gati armiqësore. Çdo i rritur mbart brenda vetes fëmijërinë, por edhe çdo fëmijë ndërton në imagjinatën e tij dhe përjeton vazhdimisht imazhin e një të rrituri. Ky fakt duhet të sherbejë jo vetëm për mirëkuptim në marrëdhëniet e përditshme, por në krye të gjithçkaje prindi duhet të bindet në ndërgjegjen e tij, që të mos e trajtojë adoleshentin si fëmijë, mos ta ndalojë atë që të sillet kur ka nevojë si i rritur. Paragjykimet, penalizimet, alarmet e panevojshme krijojnë një gjendje shkatërruese, e cila lë pasoja shpesh të pariparueshme në karakterin e të rinjve. Adoleshenca është mosha e ndryshimeve të vrullshme, e cila karakterizohet nga zhvillime fiziologjike dhe psikike gati të pakonceptueshme në kufij kohorë. Lind një botë e re mbi një lumë me ëndrra, por është përballë tyre një mal me pengesa, të cilat në shumë raste janë të karakterit subjektiv dhe të paargumentuara. Prandaj kërkohet maturi e shumë përkushtim për të ndërtuar e për të manifestuar sjellje të tjera, të cilat kënaqin të dyja palët. Kontradiktat e brezave veprojnë në mënyrë të çuditshme. Kjo gjë është vështirë të kapet. Më tepër dallohen pasojat e tyre. Idetë, pikëpamjet, konceptet dhe, përgjithësisht, botëkuptimi i dy apo tre brezave që bashkëjetojnë, kanë ndryshime. Kjo është e shpjegueshme, por jo rrallë qëndrimet janë edhe përjashtuese, duke mos marrë parasysh as rreziqet e ndarjes së përhershme. Nëse nuk tregohet vëmendje dhe nuk praktikohet mirëkuptimi e respekti i ndërsjellë, ashtu pa u ndjerë, siç vepron një brejtës i padukshëm, gërryhen hapësirat në mes brezave. Në disa raste këto marrëdhënie acarohen në atë masë, sa nuk mund të flitet për riparimin e tyre. Vetëm atëherë palët kujtohen për të keqen që i ka zënë, gjithmonë sipas mënyrës së tyre. Prandaj edukatorët, të kultivuar ose jo, kërkohet të jenë të përgatitur për këto sfida, për të triumfuar mbi to, pa çmim e kosto të papërballueshme. Nuk mjafton thjeshtë ta duash fëmijën, t’i plotësosh kushtet e kërkesat e panumërta, por mbi të gjitha duhet të dish ta duash e ta vlerësosh, ta edukosh për të fituar përmasat e të rriturit. Kështu plotësohen ëndrrat e fëmijës dhe ideali i prindit. Natyrisht, kjo detyrë është e vështirë, por asnjëherë e pamundshme për t’u realizuar. Studiusi Hall thekson se “në agimin e adoleshencës prishet uniteti dhe harmonia e vjetër me natyrën, fëmija tërhiqet nga parajsa e tij dhe duhet të hyjë në të përmes një ngjitjeje të gjatë, duhet të nënshtrojë mbretërinë e lartësisë së njeriut, të flakë tej sferën e re dhe të zhvillojë një histori më moderne të natyrës së vet psikofizike”. Ndërsa Platoni mendonte se gjendja e pastabilizuar emocionale e adoleshentëve nxitet nga impulse natyrore, të cilat prodhojnë gjaknxehtësi, xhelozi dhe trazira të tjera psikike. Nëse e vlerësojmë me vëmendje këtë nivel moshor, arrijmë në përfundimin se adoleshenca mund të karakterizohet si kohë e alternimit të entusiazmit, të pasionit e të tërheqjes intelektuale me indiferencën, neglizhencën dhe apatinë, e cila shoqërohet me kënaqësi e eufori të menjëhershme, me dhimbje e melankoli ekstreme. Kjo moshë, duke e pranuar veten si i vetmi objekt i rëndësishëm dhe qendër e gjithësisë, vallzon ndërmjet atyre që ndjen e di dhe atyre që mendon e bën. Prandaj jo rrallë adoleshentët përfshihen nga entuziazmi i pakontrolluar dhe papritmas bien në vetmi, oshilacione këto, të cilat duhen mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm. Për këto shkaqe, ka studiues që mendojnë se në periudhën e adoleshencës ndërpritet zhvillimi i personalitetit, gjë e cila argumentohet me sjelljet e tyre të pavetëdijshme dhe të paparashikueshme.

 

Kërkesa për statusin e të rriturit

Në të vërtetë, të gjitha qendrimet e turbullimet emocionale janë të pashmangshme. Ato rrjedhin, përveç faktorëve të tjerë, edhe nga përvoja, që kërkon të fitojë adoleshenti për t’u bërë i pavarur. Prandaj në këtë moshë kemi shfaqje të vetmisë, të mbylljes në vetvete dhe paqartësi. Adoleshenti dalëngadalë i kapërcen shprehitë e fëmijërisë. Ai arrin të kalojë krizën e identitetit dhe të shohë qartë se ç’lloj personi është, ç’duhet të bëjë me veten e tij. Natyra e zhvillimit të adoleshentit çon në konflikte ndërmjet tyre dhe prindërve, përgjithësisht ndërmjet të rinjve dhe të rriturve. Rinia përballet me pengesa për të fituar statusin e të rriturit. Hendeku që mund të krijohet në këtë moshë, kërcënon seriozisht procesin e edukimit, që mund të shembë shumë gjëra të ndërtuara me sakrifica të mëdha. Rebelimi i të rinjve rrjedh e shtohet sidomos nga kontrolli për gjithçka. Prirja e të rriturve për mbizotërim me komunikime të kontrolluara, predikimi për kohën e artë të rinisë së tyre, të cilën e këshillojnë si modelin e provuar të suksesit, kthehet në ritual të përditshëm. Kjo nostalgji për kohën e kaluar është e shpjegueshme. Por pavarsisht nga cikli historik, zhvillimi i jetës njerëzore ka ligjet e veta, të cilat nuk mund të komandohen nga dëshirat subjektive të askujt, pandaj kërkohet në çdo kohë një taktikë e re edukimi. Adoleshentët kanë individualitetin, karakterin, personalitetin e tyre që është divers, ashtu si i të rriturve, që mbart një baraspeshë ndërmjet vlerave dhe antivlerave. Detyra e të rriturve mbetet që zhvillimi mundësisht të jetë i përshkallëzuar, jo me shpërthime e kërcitje, sepse kjo moshë rrezikohet nga tërheqja e antivlerave, si rrjedhojë e kundërshtive që e karkterizojnë këtë periudhë të jetës. Nga anketimet e kryera me një grup të rinjsh të shkollave të mesme, afër 80% e tyre kërkojnë të jenë të pavarur nga të tjerët, që të afirmojnë vlerat individuale të personalitetit, prandaj kur u këshillohet ndonjë veprimtari, shfaqin më tepër pakënaqësi. Vetë ndërgjegjësia e të rinjve se me personalitetin që zotërojnë, u takon një vend në mjedisin që i rrethon, është një cilësi e re me mjaft vlerë, që i dallon ata nga fëmijëria e mëparshme. Njohja e aftësive të tyre i shtyn adoleshentët jo vetëm të marrin informacion për gjithçka, por edhe për të arritur një pozitë më të lartë shoqërore. Këtu buron konflikti me të rriturit, të cilët dyshojnë dhe nuk besojnë në aftësitë e të rinjve. Këta të fundit me të drejtë kërkojnë statusin e tyre në destinacionin e ri shoqëror, i cili shoqërohet me hopin në sferën intelektuale e njohëse, emocionale e volitive dhe zhvillimit të personalitetit, në përgjithësi. Bota e brendshme psikike gjatë procesit të rritjes shoqërohet me një përjetim të thellë emocional. Duke menduar vendin që ka adoleshenti, por edhe ku dëshiron të arrijë, kërkesat që shtron ndaj vetës së tij vijnë në rritje për të zhvilluar botëkuptimin, interesat, aftësitë dhe karakterin. Kështu lind ndërgjegjshmëria që shoqërohet nga një formim i ri, i cili shprehet në raportet e reja më dinamike jo vetëm me moshatarët, por edhe me të rriturit. Duke qenë më realist në këto marrëdhënie, adoleshentët ndjehen të frenuar, të paplotësuar dhe në disa raste të pavlerësuar. Pikërisht, në këtë moment kemi një sistem më të plotë mendimi e vlerësimi dhe një konceptim të drejtë të unit të vet, pavarsisht se zhvillimi në sfera të ndryshme nuk është i njëtrajtshëm. Prirja për pavarësi e adoleshentit nuk ka të bëjë me shkëputjen e tij nga shoqëria, por me afirmimin dinjitoz të personalitetit të tij në shoqëri, që realizohet me zhvillime të brendshme dhe të jashtme. Varësia e të rinjve ka natyrë shoqërore, morale dhe sidomos ekonomike. Në një përgjigje që japin adoleshentët e pyetur, vetëm 40% e tyre kërkojnë dhe vlerësojnë këshillat që marrin nga drejtime të ndryshme. Piazhe mendon se formimi i të menduarit në periudhën tranzitore nga fëmijëria në adoleshencë kalon nëpër një serë nivelesh, gjë e cila lidhet me presionin biologjik për t’u përshtatur në mjedisin përkatës. Rritja intelektuale e adoleshentit manifestohet në mënyrën e përvetësimit të dijeve, të thellimit dhe zgjerimit të ndjenjave intelektuale. Ajo shprehet në veprimtarinë e tyre studimore, duke vlerësuar gjithnjë e më shumë jo vetëm pamjen e jashtme të gjërave, por sidomos thelbin e tyre. Në këto momente lind ndjenja e braktisjes së nënshtrimit, që shoqërohet me idenë e barazisë me të rriturit, gjë e cila shkakton rebelim idealist. Hapja, sinqeriteti, konformizmi me të rriturit, në disa raste rrjedh nga papjekuria. Kështu prodhohen qendrime të dyzuara e shpesh hipokrite, të cilat duhet të kurohen që në shfaqjen e tyre. Kërkesa për qëndrim të rregullt duhet të jetë e vazhdueshme, ajo duhet shoqëruar me ngrohtësi, mbështetje, pranim, respekt, besim, ajo duhet të mbështetet në shpjegime racionale për vlerat e saj morale. Metodat e ndëshkimit, sharjet, fyerjet etj., ndikojnë në krijimin e reflekseve negative të sjelljes, i bëjnë të rinjtë të pandjeshëm ndaj moralit prindëror dhe me mangësi në bilancin e përgjithëshëm. Prindi duhet të udhëheqë formimin e personalitetit të adoleshentit përmes shembullit të tij. Në këtë kuptim, edhe kontrolli ndaj tyre të synojë t’u jap sa më shumë hapësira e pavarësi. Djemtë kanë aftësi zhvillimi e gjykimi moral më të shpejtë se vajzat, sepse kanë më shumë liri në mjediset brenda dhe jashtë familjes. Por këto të fundit janë më të ndjeshme dhe më të respektueshme.

 

Atmosfera familjare

 

Formimi moral s’ka të bëjë vetëm me mësimin formal të vlerave morale, por sidomos me zhvillimin e qëndrimit të drejtë dhe të pjekurisë emocionale. Prandaj ndër faktorët familjarë që ndikojnë me përparësi në edukimin e adoleshentëve, mund të veçojmë, krijimin e një atmosfere të ngrohtë familjare me një klimë respekti, besimi dhe pranimi i fëmijës ashtu siç është, me anët pozitive dhe negative që ka, pa i dramatizuar ato, sidomos këto të fundit. Lidhur mesa trajtuam më sipër, tërheqja emocionale e fëmijëve ndaj prindërve për të zhvilluar vetëdijen dhe për të krijuar raporte të favorshme komunikimi, përcaktohet nga disa faktorë:

?Shkëmbimi i ndërsjellë e ritmik i informacionit ndërmjet fëmijëve e prindërve pa pengesa e kufizime.

?Kërkesat e vazhdueshme të shoqëruara me ngrohtësi e mbështetje, me ndihmë e shpjegime racionale, duke shmangur qëndrimin e rreptë për një disiplinë të panevojshme dhe, sidomos, dhunën fizike.

?Tërheqja e vazhdueshme prej shembullit të prindit për formimin e identitetit të fëmijës.

?Kontrolli i prindërve ndaj fëmijëve, duke synuar në dhënien këtyre të fundit të autonomisë dhe të pavarsisë së plotë.

Vetëm me vendosjen e marrëdhënieve të drejta dhe të mirëkuptimit ndërmjet brezave të ndryshme, do të arrijmë të kemi një familje të shëndoshë, që do të luajë rolin e saj si njësi themelore e strukturës së shoqërisë. Kjo formë organizimi ka ekzistuar pothuajse që me lindjen e njeriut. Në këtë rrugë të gjatë në mes problemesh të shumta, ajo ka mbijetuar dhe sërish qëndron si formë efektive e organizimit shoqëror. S’mund të ketë shoqëri të shëndoshë, pa një familje të shëndoshë. Kjo është arsyeja, përse edukimit familjar i duhet kushtuar një rëndësi e dorës së parë. Dukuri të ndryshme negative që janë vërejtur në marrëdhëniet brenda familjes, veçanërisht në këto vitet e fundit, lidhen edhe me nivelin e lartë të stresit, në përpjekjet për t’iu përshtatur ndryshimeve të vlerave në shoqëri dhe familje. Edhe përpjekjet për përballimin e konkurrencës në punësim, arsimim, strehim dhe për një jetë më të mirë, në përgjithësi, janë një faktor vendimtar në rritjen dhe akumulimin e problemeve familjare. Ndryshimet politike, shoqërore dhe ekonomike që po ndodhin, po shoqërohen me një rënie të theksuar të nivelit të punës së shkollës, si dhe në uljen e nivelit arsimor të shoqërisë, çka përbëjnë një rrezik tjetër që dhuna dhe abuzimi në familje të vazhdojë të jenë të pranishme për një kohë të gjatë në jetën tonë të përditshme. Mungesa e arsimimit, duke u shoqëruar me mungesën e njohurive për jetën, për familjen, për ligjin, për të drejtat, për mënyrën e komunikimit e të trajtimit të konflikteve, në përgjithësi, mungesa e mundësive për një jetë më të mirë, do të vazhdojë të prodhojë familje monstra për aq kohë sa të ekzistojnë këto dukuri. Po kështu, pabarazia e theksuar shoqërore apo individualizimi ekstrem i varfërisë, mungesa e burimeve mbështetëse socialekonomike, mungesa e përgjegjësive kolektive për nivelin e jetesës, janë faktorë që mbyllin dritën e perspektivës dhe sjellin rënien e perdes së zezë për shumë familje. “Kur varfëria vjen tek dera, dashuria fluturon nga dritarja”,- përcaktohet në një fjalë të urtë popullore. Në momente të tilla krize, jo vetëm që numri i të sëmurëve mendorë është në rritje, por dhe kujdesi apo edukata e trajtimit të çrregullimeve të tilla paraqitet në nivelet më të ulta. Po kështu, krijohet një klimë favorizuese për shpërthimin e krimeve të ndryshme, ku dhe krimet e rënda do të jenë më të shumta. Humbja e besimit në institucionet shtetërore për zgjidhjen e konflikteve bën që jo pak individë të shmangen nga përpjekjet për një jetë më të mirë. Të gjitha këto shkaktojnë që, në plan të parë, të dalë vetëgjygjësia për përballimin e problemeve që krijohen.

 

Kriza e komunikimit

 

Kriza e madhe e komunikimit që po thellohet gjithnjë e më shumë, ka prekur edhe familjen, duke ndihmuar kështu që ajo të kthehet nga një strehë paqeje në një vatër armiqësie. “Ndero nënën dhe babain tënd”,- ky është parimi më i rëndësishëm mbi të cilin qëndron forca e një familjeje. Prindërit, duke u ndodhur në moshën e mesme, kuptojnë 90 Adoleshenca, stina e shpërthimeve dhe ndjejnë mangësitë, që kanë ndikuar në plotësimin e dëshirave dhe të qëllimeve të tyre në jetë. Ndryshe nga ata, në moshën e adoleshencës krijohet një prirje për të qenë i pavarur në problemet e shkollës, të shoqërisë, të argëtimit etj. Tek të rinjtë ndeshet prirja për ta ndjerë veten sikur secili prej tyre di gjithçka dhe vetëm kur e pëson, e kupton se prindërit e kishin mirë që në fillim, kur përpiqeshin ta ndalonin të kryente ndonjë veprim apo sjellje jo të rregullt. Mes mungesës së përvojës së të rinjve dhe qartësisë së prindërve për pasojat e veprimeve të fëmijëve të tyre, është hapësira që bëhet shkas për konflikte të vazhdueshme në familje. I ndodhur nën një trysni në rritje, prindi ndjen një rënie të autoritetit të tij. Kështu lind një papajtueshmëri mes autonomisë në ngjitje të fëmijës dhe autoritetit në rënie të prindit. Pasoja të kësaj papajtueshmërie janë konfliktet e vazhdueshme mes tyre. Në këtë tension dypalësh vërehet prirja e adoleshentit për të mos toleruar në qëndrimet e tij. Kjo mungesë fleksibiliteti nga ata shoqërohet dhe me kundërshti të plotë të prindërve, të cilët ndiehen të sigurtë në saktësinë e qëndrimeve të tyre në të mirë të fëmijëve. Zhvillimi intelektual i të rinjve shoqërohet me shtimin e njohurive për botën, duke ndërtuar pikëpamje botëkuptimore për të, por kjo bëhet duke u mbështetur më shumë tek vetja, tek përjetimet vetjake. Krizat, kthesat dhe ndërlikimet e tjera më vonë bëjnë që të rishikohen shumë nga qëndrimet e tyre të mëparshme. Është koha kur ata përpunojnë një sistem bindjesh të qarta dhe në mënyrë të ndjeshme, edhe të qëndrueshme. Ata e ndjejnë se janë në prag të jetës së rritur, prandaj e ardhmja jo i vetëm tërheq, por edhe u shkakton shqetësime botëkuptimore. Të rinjtë fillojnë të qëndrojnë gjithnjë e më larg shtëpisë. Të dhënat tregojnë se mbi 28 % e të rinjve të anketuar shprehen se pjesën më të madhe të kohës e kalojnë jashtë familjes. Përvoja e tyre e hidhur në vitet e rinisë nuk i lejon prindërit të marrin pjesë në entuziazmin e të rinjve për shumë gjëra që ata dëshirojnë të realizojnë. Në disa familje bëhen diskutime të ashpra për mënyrën e veshjes, për qëndrimin ndaj seksit të kundërt, ndaj përdorimit të drogës, alkoolit, duhanit, orarit të kthimit në shtëpi, zgjedhjes së shokëve me të cilët shoqërohen, kërkesave të tepruara të tyre etj. Dëshira e madhe për të mbrojtur fëmijtë nga gabimet, bën që prindërit të përpiqen të kontrollojnë gjithçka që ata mund të bëjnë. Shumë të rinj të vetëdijshëm për gabimet e bëra, përpiqen t’i fshehin ato. Ata bëjnë një jetë të dyfishtë, duke kryer kështu shumë gjëra pa dijeninë e prindërve. Mjaft studiues të ndryshëm theksojnë se abuzimi mbi fëmijët është një problem me pasoja në zhvillimet e mëvonshme të vetë familjes. Studimet provojnë se shumica e prindërve që keqtrajtojnë fëmijët, kanë qenë dhe vetë të keqtrajtuar nga prindërit e tyre në fëmijëri. Keqtrajtimi kryhet më dendur në familjet, ku ekzistojnë probleme në mes bashkëshortëve prindër (si neglizhenca apo keqtrajtime ndaj njëri-tjetrit), po ashtu dhe në familjet me prindër të divorcuar. Stresi dhe përdorimi i alkoolit nga prindërit janë faktorë të tjerë negativë që ndikojnë në shtimin e numrit të keqtrajtimeve. Përgjithësisht, rastet më të shumta të abuzimit vërehen në familjet me prindër me nivel të ulët ekonomik, arsimor dhe shoqëror. Ndërsa viktima të keqtrajtimit bien më shpesh fëmijët me kufizime fizike apo mendore. Në të gjitha këto zhvillime dalin edhe disa paqartësi, si, p.sh.: Nëse ka dallime mes personaliteteve të prindërve që abuzojnë dhe atyre që nuk abuzojnë apo cilat veti të personalitetit favorizojnë abuzimin etj. Në kërkim të përgjigjeve për këto paqartësi, veçohen edhe disa mëdyshje që anojnë nga efektet negative të prindërve që ndikojnë mbi pasardhësit. Prindërit abuzues në përgjithësi janë impulsivë, të papjekur (më shpesh të rinj në moshë), të padurueshëm, të pavullnetshëm, të pavëmendshëm, mosbesues dhe indiferentë. Në raste të tilla, autoriteti i kryetarit të familjes, i trashëguar me forma të vjetëruara, bëhet shkak për abuzim. Prindërit shpesh friksohen në humbjen e autoritetit në sytë e fëmijës. Ndaj ata ushtrojnë edhe dhunë për ta ruajtur me çdo kusht atë. Edhe vetë personaliteti i fëmijës mund të bëhet shkak i problemeve, kur nuk përshtatet me personalitetin e prindit. E thënë ndryshe, sjellja e fëmijës ndikon në sjelljen e prindit dhe sjellja e prindërve ndikon në sjelljen e fëmijës. Kështu, dukuri të tilla, si: kokëfortësia, zënkat në shtëpi apo jashtë saj, shkelja e rregullave, sjelljet dëmtuese etj., përbëjnë burime të mundshme të përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve. Në vartësi të shkallës së tij, abuzimi mund të shkaktojë probleme në zhvillimin fizik të fëmijës, probleme neurologjike, probleme në të menduarit, në të shprehurit, çrregullime emocionale, shoqërore etj. Sjellja e fëmijëve të abuzuar nuk është e qartë. Shfaqje të agresivitetit, mosbesimi, frika pa shkak etj., dëmtojnë vazhdimisht botën e brendëshme emocionale, duke lënë pasoja edhe në shëndetin e tyre mendor dhe fizik. Paprekshmëria dhe respektimi i dinjitetit të personit janë elemente të rëndësishme dhe gjurmëlënëse në formimin e personalitetit të njeriut. Këto parime duhen respektuar maksimalisht që në fëmijërinë e hershme. Prindërit, duke qenë personat që merren më shumë me fëmijët e tyre, por dhe përsonat më pak të informuar për mënyrat e trajtimit të drejtë të fëmijëve, janë përgjegjës të formimit të karaktereve të pëlqyeshme apo të papëlqyeshme në shoqëri. Një dukuri tjetër që ndikon këtu, është edhe rivaliteti ndërmjet motrave dhe vëllezërve, i cili shpesh shkakton probleme në marrëdhëniet në mes tyre, por jo urrejtje për njëri-tjetrin. Dashuria mes pjesëtarëve të familjes është mbisunduese, çka vërehet dhe në marrëdhëniet nga jashtë, ku vëllezërit dhe motrat do të reagonin menjëherë kundrejt çdo ngacmimi që mund t’i vinte ndonjërit prej tyre nga të tjerët. Të shkosh mirë me vëllezërit dhe motrat, është kusht për të patur marrëdhënie njerëzore të mira jashtë shtëpisë dhe për të gëzuar respektin e shoqërisë. Me kalimin e viteve, motrat dhe vëllezërit krijojnë familjet e veta, duke ndodhur kështu shpërbërja natyrale e familjes së fëmijërisë. Përgjithësisht, në traditën tonë prindërit jetojnë me njërin nga djemtë (atë më të dashurin ose më të voglin). Marrëdhëniet mes ish-pjesëtarëve të së njëjtës familje bëhen më serioze, por më të rregullta. Prindërit, tashmë të moshuar, vazhdojnë të duan me të njëjtën forcë fëmijtë e tyre. Kjo dashuri e madhe për fëmijtë tani fillon të shprehet në një formë tjetër, përmes dashurisë për nipërit dhe mbesat. Përgjithësisht, familjet e krijuara të reja vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta, ato mbështesin njëra-tjetrën në kapërcimin e problemeve të shumta të jetës. Në raste të veçanta, sidomos në fshat, prona dhe mënyra e ndarjes së saj, bëhet shkaktare e lindjes së kontradiktave, që çon në marrëdhënie jo të mira mes vëllezërve. S’janë të rralla rastet ku, për problemet e mësipërme, mirëkuptimi mes tyre ndërpritet ose konfliktet të marrin përmasa të mëdha. Jo rrallë dukuri të tilla shkaktojnë edhe viktima. Asgjë nuk mund ta përligjë këtë lindje armiqësie, përveç nivelit të ulët kulturor, si dhe ndikimit të kushteve të rënda ekonomike. Në mënyrë të përmbledhur, mund të themi me bindje të plotë se konfliktet në familje nuk zgjidhen me forcë, po kështu edhe në shkollë. Adoleshenca është mosha e konflikteve më të thella me prindërit, egziston një vështirësi e tejskajshme për t’u mirëkuptuar ndërmjet të rriturve dhe të rinjve. Prindërit në disa raste nuk mund t’i kontrollojnë veprimet dhe sjelljet e tyre. Ata nuk mund të dallojnë përkujdesjen ndaj fëmijëve, paaftësi e cila lind një farë revolte ndërmjet brezave. Këto kontradikta nuk kanë të bëjnë aspak me çështje themelore të tipit moral. Konfliktet janë të shpeshta në moshën e rinisë, por më tepër u përkasin çështjeve me më pak interes, si: mënyra e veshjes, oraret e lëvizjes, ndjenjat e ndryshme etj. Përmes tërësisë së konflikteve që të rinjtë arrijnë t’i kalojnë pa pasoja, stërviten për të krijuar atë që mund ta quanim arti i trajtimit të konflikteve. Duke i parë konfliktet në kuadrin e problemeve të shumta që shoqërojnë njeriun, ato meritojnë një vëmendje të veçantë. Pa e dashur konfliktin, por duke e pranuar dhe duke e mirëtrajtuar atë kur vjen, synohet të shuhet ai në mënyrë të përshkallëzuar si një vatër zjarri, sepse kur përhapet shumë, rrezikon “të djegë gjithë shtëpinë”, edhe çatinë. Për adoleshentët, autoriteti vlerësohet vetëm si e drejtë për të dhënë ndihmën e duhur për kapërcimin e vështirësive që dalin. Prandaj autoriteti i prindërve pranohet vetëm kur ekziston një klimë respekti e ndërsjellë mes palëve. Kontrolli që duhet të egzistojë për zgjedhjet e adoleshentëve dhe pranimi i tyre pa modifikime të detyruara, janë faktorë të rëndësishëm në marrëdhëniet prind-adoleshent. Zgjedhjet duhen vlerësuar si në planin psikologjik, ashtu në ato të sjelljes, pa ndonjë detyrim të dhunshëm. Në tërë këtë kompleksitet, shkolla, familja dhe institucionet e tjera të shoqërisë, synojnë t’i aftësojnë njerëzit dhe t’i trajtojnë konfliktet përpara se ata të bien viktima të tyre. Nga analiza e të dhënave që dalin nga anketa të shumta të zhvilluara me të rinj, vërehet se ata, në përgjithësi, janë të njohur me parimet e përgjithshme të trajtimit të konfliktit. Mbi 80% e të anketuarve tanë, si rrugë kryesore për zgjidhjen e konflikteve përmendin: mirëkuptimin, bashkëpunimin, marrëveshjen, ndërmjetësimin, bashkëbisedimin etj. Kuptohet se të anketuarit janë të qetë, e shikojnë konfliktin nga larg, prandaj përgjigjen masivisht për një mënjanim të tij paqësor. Në fakt, po këta persona kur zhyten vetë në konflikte, harrojnë fjalët e thëna dhe e trajtojnë problemin krejt ndryshe, duke dëshmuar për mospajisjen e tyre me “veglat” e domosdoshme socialpsikologjike për shuarjen a parandalimin e tyre. Një mjedis ku konfliktet lindin nga veprimet e të rinjve, është edhe shkolla. Në të, nisur edhe nga vetë marrëdhëniet që vendosen, ndeshen shpesh probleme që lindin ndërmjet nxënësve me mësuesit e tyre, si dhe ndërmjet vetë nxënësve. Nxënës të shpërqendruar, që s’arrijnë të dëgjojnë e të kryejnë detyra, nxënës që nuk u pëlqen disiplina në shkollë, krijojnë situata të vështira për mësuesit. Në raste të tilla ata zemërohen. Kjo ndodh sidomos kur disiplina u duket e tepërt, e pamerituar ose e nxitur nga paragjykime. Ndodh kur vlerësimi u duket jo i drejtë, kur nuk u kushtohet vëmendje e veçantë ose vërejnë se diferencohen, sidomos kundrejt një kategorie nxënësish që etiketohen si “të përkëdhelurit”. Një dukuri e tillë nxit edhe mosmarrëveshjet ndërmjet vetë nxënësve, të cilat shfaqen më shumë në qëndrimin dhe në shoqëritë e ngushta të rinjve me sekse të ndryshme, problem ky që ka një fushëpamje mjaft të gjerë. Anketat e shumta nxjerrin në pah se shumica e nxënësve adoleshentë janë kritikë ndaj mësuesve, duke u ankuar për ta se janë të mërzitshëm ose se u mungon humori. Shpesh dhe nxënës që kanë dëshirë për të mësuar, ankohen se kanë mësues të paaftë. Entuziazmi dhe dëshira e nxënësit për të mësuar, i jep jetë mësuesit dhe orës së mësimit i jep gjallëri. Një nxënës i vëmendshëm dhe i interesuar për atë që zhvillohet në klasë, mund të përfitojë njëllojë si nga një mësues i mërzitshëm, ashtu dhe nga një mësues zbavitës. Prindërit në shtëpi, mësuesit në klasë, drejtuesit në punë etj., me format e ndëshkimit që përdorin, shpesh bëhen shkaktarë të problemeve të mëdha në familjet e adoleshentëve, në shkollë dhe në shoqëri. Duke e nxjerrë një fëmijë nga shtëpia, si haraç të një sjelljeje të padëshiruar, pa vetëdije do të krijohen mundësi të reja tek fëmija për sjellje edhe më të pahijshme. Të godasësh një nxënës në shkollë ose ta fyesh atë, do të thotë të kesh përgatitur terrenin për t’u përballur me një sjellje të tij edhe më të pahijshme. Të pushosh një punëtor me moshë të re nga puna për shkaqe jothelbësore, do të thotë të përballesh me një reagim të tij shumë të fortë. Studiuesit theksojnë se ndëshkimet e forta nuk janë të frytshme. Forca e ndëshkimit është mirë të jetë në përputhje me shkallën e sjelljes së padëshiruar. Ndëshkimi, që të jetë me efekt, duhet të përdoret sa herë që shfaqet sjellja e padëshiruar dhe jo me hope. Vonesat në ndëshkim ulin frytshmërinë e tij. Ndëshkimi për të qenë sa më edukues, duhet të jetë i larmishëm dhe në përshtatje të plotë për sjelljen që kryhet dhe jo në përgjithësi dhe i njëjtë për të gjitha veprimet. Ndëshkimi mëson dikë se çfarë nuk duhet të bëjë, por nuk e mëson se çfarë duhet të bëjë. Prandaj, krahas ndëshkimit, duhet të afirmohet e të mësohet sjellja pozitive. Shembulli nëpërmjet qortimit jo rrallë përvetësohet fare më lehtë se një ndëshkim pa dhënë rrugëzgjidhje. Edukimi i fëmijëve nga prindërit, si dhe lejimi i tyre që të marrin pjesë në edukimin e prindërve, është një art i vështirë që nuk mbaron kurrë së përvetësuri. Në mjaft raste, fëmija që rritet në familje me probleme, nuk ka aftësi për të mbajtur nën kontroll impulset negative, nuk ka aftësi për të zgjidhur problemet, për të ndjerë mirëkuptimin dhe për të kontrolluar zemërimin. Mungesa e modeleve pozitive, dhuna e ushtruar në familje, dhuna e pasqyruar në media etj., jo pak ndikojnë që të rinjtë t’i vlerësojnë zgjedhjet e dhunshme si të pranueshme. Por ndeshen edhe raste që fëmijë të rritur në mjedise të dhunshme, nën ndikimin e mjedisit shoqëror, si dhe të intuitës, të bëhen mbrojtës të flaktë të trajtimit normal dhe të vendosjes së marrëdhënive të drejta brenda familjes e më gjerë. Në ditët tona më shumë se kurrë vështirësitë për një përputhje të plotë të normave të moralshme me veprimet e të rinjve janë shtuar së tepërmi nga orientimi i shoqërisë kryesisht nga materializmi dhe jo nga idealet e bashkëndara. Në këtë vështrim, personaliteti i fëmijës mbetet i çorientuar, i paqëndrueshëm dhe i paaftë të bëjë zgjedhje vendimtare që i japin kuptim të vërtetë jetës. Prindërit nuk duhet të pengojnë bijtë e tyre që të zgjedhin dhe të realizojnë atë që e shikojnë të mundshme, por duhet t’i nxisin dhe t’i ndihmojnë ata. Po marrim një shembull. Themi se martesa duhet të jetë e lirë nga çdo pengesë, ajo duhet të jetë një zgjedhje e vetë atyreve që vendosin për një akt të tillë. Mirëpo jo rrallë prindërit ndërhyjnë, ndoshta nxjerrin edhe pengesa, ndërkohë që duhet t’i ndihmojnë fëmijtë për t’u përgatitur për martesë, që ta kryejnë atë në mënyrën më të përshtatshme. Është detyrë e prindërve dhe një përgjegjësi shumë e madhe për të bërë shoqërimin edukativ të fëmijëve në jetë, që ata të bëjnë zgjedhjet e nevojshme. Në këtë mënyrë ata do të mund të tregojnë se i duan fëmijët e tyre, kështu u dëshirojnë të mirën jo vetëm në kuptimin e përgjithshëm, por edhe duke sakrifikuar për ta realizuar këtë gjë në realitet.

 

Nga marrëdhëniet etike në afektive

 

Prindërit vazhdimisht përpiqen që fëmijët të kalojnë nga marrës të ndjenjave në dhurues të tyre. Për këtë, ata i drejtojnë fëmijët të edukohen që të veprojnë drejt, të jenë të ndershëm, të sinqertë, të sjellshëm, të përvuajtur, të pastër, punëtorë, kurajozë dhe paqedashës; të dinë të thonë po ose jo në momentin e duhur dhe me pëlqim të ndërsjellë. Njëkohësisht, prindërit përpiqen të plotësojnë edhe kërkesat e fëmijëve. Po kështu, për rastet kur u duhet të ndërhyjnë që t’i ndalojnë për diçka fëmijët e tyre, është mirë ta argumentojnë veprimin dhe t’u japin motivet e ndalimit. Në këtë mënyrë bëhet edhe qortimi, duke këmbëngulur vazhdimisht që fëmijët të binden për atë që kanë bërë. Ndër format që dalin me sukses në një veprimtari të tillë, është edhe heqja dorë e prindërve nga qëndrimi i prerë autoritar, i cili shkakton rebelim e frikë dhe për pasojë ndikon që të formohen fëmijë të dobët dhe egoistë. Fëmijëria është një moshë shumë e rëndësishme për të ardhmen. Këtu vendosen rrënjët e personalitetit, nga i cili do të varen zhvillimet e mëvonëshme pozitive ose negative. Në saj të dashurisë, butësisë dhe përkrahjes prindërore, fëmijët formojnë besimin e nevojshëm për të pranuar vetveten dhe botën. Ja pra pse i duhet thënë ndal në mënyrë të prerë një qëndrimi të ftohtë, autoritarist, t’i pritet rruga dhunës dhe keqtrajtimit të fëmijëve. Me futjen e fëmijëve në moshën e adoleshencës, duken sikur problemet për prindërit shtohen. Kjo moshë është në kërkim të identitetit të vet. Shoqërimi nëpërmjet shembullit edukativ nga prindërit në këtë periudhë është i rëndësishëm. Lënia vetem në morinë e probleme të tyre nuk është një zgjidhje e mirë. Qëndrimi mospranues ndaj problemeve të fëmijëve të kësaj moshe është i gabuar, ashtu si dhe respektimi i ideve dhe i zgjedhjeve të tyre pa diskutim, është një tjetër dobësi që të çon në dorëheqje reciproke. Të mbahet parasysh se ndonjëherë është më i pëlqyeshëm kundërshtimi se pranimi i menjëhershëm i propozimeve me prejardhje nga shoqëria. Përgjegjësia edukative e prindërve është e madhe dhe ajo s’mund të delegohet tek ndonjë person tjetër. Shkolla dhe strukturat e tjera të shoqërisë bashkëpunojnë me prindërit, por nuk mund t’i zëvendësojnë ata. Ja dhe një pikëpyetje tjetër: Çfarë ndodh në historinë e formimit të adoleshentëve që i shpie në një farë qetësie? Në përgjithësi, ata nuk synojnë që të mohojnë babanë, autoritetin, normat, principet e realitetit në të cilin veprojnë. Kriza e autoritetit atëror ka çuar në krijimin e formave të marrëdhënive më të ngrohta. Baballarët veprojnë për të formuar subjekte etike, domethënë qytetarë të mirë, por nuk mendojnë të transmetojnë vlera të padiskutushme. Në të kundërt, ata janë të mendimit se është e rëndësishme të vendosin një dialog të mirë për të ndërtuar një pasqyrim bindës të botës. Shumë adoleshentë janë formuar në mënyrë të tillë që presin me padurim dhe menjëherë suksesin. Mosrealizimi i këtij suksesi sjell vuajtje, komplekse, shqetësim edhe ndëshkim. Në këto raste, adoleshenti tërhiqet nga çdo gjë që duket sikur e dënon. Kjo shprehet më shumë në shkollë gjatë veprimtarisë mësimore dhe jashtë saj. Prindërit me një qortim që bëjnë, ndoshta edhe për diçka rutinë, i ftojnë fëmijët e tyre që të ndihen fajtorë e, mbi të gjitha, këmbëngulin me kokëfortësi t’u japin mesazhe për të kuptuar se kanë prishur raportin afektiv me ta. Në raste të tilla, ndërhyrja ngjall te fëmijët një veprim moralizues. Mamaja kur qorton fëmijën, kujton gjithnjë faktin se ekzistonte një raport besimi, por sjellja e keqe e fëmijës e prishi marrëdhënien e mëparshme. Në rastet kur normat në marrëdhëniet prind-fëmijë janë të rrepta, mosmarrëveshja është e padiskutushme. Në momente të tilla, ajo duhet eleminuar që në shfaqjen e saj për të mos lejuar që të shndërrohet në një konflikt dramatik, që në shumë raste krijohet edhe artificialisht. Këtu luan rol pozitiv vendosja e bashkëbisedimit dhe respekti i ndërsjellë. Vetëm kështu komunikimi ndërmjet tyre bëhet efektiv. Kur realizohet kjo, themi se kemi arritur të zotërohen sistemet e vlerësimit dhe të kontrollit. Duhet theksuar se mënyra e re e organizimit të jetës në familje, sjell një shkurtim të kontaktit edukativ. Shoqëria e konsumit me labirintet e saj krijon ndarje, që përjetohen në jo pak raste si lënie mënjanë apo në vetmi. Ulja e nivelit të konfliktit me adoleshentët mund të arrihet nëpërmjet normave mite, dënime të përqendruara tek ndjenja e fajit jo tek frika. Nëse fëmija ka frikë brenda mureve të shtëpisë, ai e imagjinon dhe e përjeton këtë dukuri edhe jashtë saj, në grupet shoqërore, në shkollë e gjetkë. Gjendja shpirtërore dhe ndjenja e fajit ndikojnë reciprokisht në ndryshoret e personalitetit. Njerëzit kanë dallime në sjellje dhe në qëndrimin ndaj të tjerëve në situata të ndryshme, sidomos kur këta të fundit kanë nevojë për ndihmë, e cila në mjaft raste përcaktohet nga prirja dhe aftësia vetjake e subjektit. Rritja e shkallës së ndërgjegjësimit te adoleshentët ngushton, ndonjëherë e shmang plotësisht, ndjenjën e fajit dhe vendos baraspeshën e nevojshme, gjë e cila ndikon edhe në përmirësimin e imazhit të tyre në grup e më gjerë. Qëndrimi i prindërve, trajtimi, komunikimi, stili edukativ dhe, përgjithësisht, marrëdhëniet e tyre me të rinjtë kanë ndikim të madh. Dhe nëse këto marrëdhënie janë të ndërtuara mbi bazën e besimit, të dashurisë, respektit e harmonisë, janë një garanci për një prodhim pozitiv, pra për një brez të rinjsh me ideale, parime dhe norma shoqërore tw dëshiruara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora