Mendime
Enver Bytyçi: Ringjallja e teorisë serbe, Ballkani-ballkanasve
E hene, 12.07.2021, 07:01 PM
Ringjallja e teorisë serbe, Ballkani-ballkanasve
Nga
Enver Bytyçi
Në
historinë diplomatike dhe politike të Serbisë një vend të veçantë ze injektimi
i një teorie të përsëritur gjithnjë në
kohë të caktuara, e cila njihet si teoria “Ballkani-ballkanasve”! Sa herë që në
Beograd kanë nevojë të tundin degën e ullirit “në kërkim të paqes” si favor për
Serbinë, politikanët e këtij vendi drejtohen nga kjo teori. Para pak ditësh
presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e risolli atë në vëmendjen e publikut,
kur tha se “ndërhyrjet e huaja kanë bërë që resurset dhe pasuritë e Ballkanit
të grabiten nga Fuqitë e Mëdha”. Ishte një përpjekje e tij për të “argumentuar”
pse Minishengeni është i favorshëm për zhvillimin e rajonit tonë.
Në
fakt Vuçiç nxori në sipërfaqe qëllimin e tij të vërtetë. Konfirmoi atë që ne e
themi vazhdimisht se Minishengeni është një iniciativë, e cila synon devijimin
e rrugës së integrimit në NATO e BE të vendeve të rajonit tonë. Ndaj dhe
presidenti i Serbisë iu referua teorisë “Ballkani-ballkanasve”, si rrugë e
vetme e ruajtjes së sovranitetit të shteteve nga ndërhyrjet dhe ndikimet e
huaja. Shkurt, teza “Ballkani-ballkanasve” garanton supremacinë serbe në
gadishullin ballkanik.
Në
të vërtetë kjo teori është sajuar në përpjekje për ta imponuar atë te vendet e
tjera, sidomos te shqiptarët, qëllimisht që popujt jo-serbë të mbeten pa
mbrojtje përballë ndërhyrjes, ndikimit dhe influencës ruse në Serbi e në rajon.
Me këtë projeksion skema “Ballkani-ballkanasve” u sajua gjatë Luftrave
Ballkanike. Ideja ishte që katër vendet e Aleancës Ballkanike, Serbia, Greqia,
Bullgaria dhe Mali i Zi, të mund të merreshin vesh për ndarjen e territoreve ku
jetonin shqiptarët dhe maqedonasit. Më vonë edhe boshnjakët. Dihet si përfundoi historia jonë në e nga
Luftrat Ballkanike: -Një shtet në gjysmën e territoreve e me gjysmën e
popullsisë shqiptare!
Në
vitin 1936 u mbajt në Beograd një konferencë e vendeve ballkanike, ku mori
pjesë edhe Turqia. Aty u projektua një program i qartë i teorisë politike
“Ballkani-ballkanasve”, projekt që drejtohej kundër ndërhyrjeve të jashtme në
rajonin tonë. Shqipëria e Mbretit Zog I nuk mori pjesë në këtë konferencë
. Por nuk ndodhi kështu pas Luftës së
Dytë Botërore. Projekti serb “Ballkani-ballkanasve” u përkrah fuqishëm në vitet
1944-1948 nga qeveria shqiptare e kohës. Më pas, edhe pse marrëdhëniet me
Jugosllavinë herë tensionoheshin e herë zbuteshin, kjo teori u shpërfaq si
adekuate në faza të caktuara të regjimit komunist. Madje në fund të këtij
regjimi, u organizua në Tiranë Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të vendeve të
Ballkanit, iniciativë kjo e promovuar në fillim në Beograd. Koncepti ramizist
për “Shqipërinë as Lindje, as Perendim” u integrua në konceptin serb
“Ballkani-ballkanasve”!
Milosheviçi
gjithashtu e përdori teorinë “Ballkani-ballkanasve” si instrument për të
kundërshtuar “ndërhyrjen” e Fuqive të Mëdha të Perendimit në “punët e brendshme
të Serbisë’, siç ai e konsideronte ndërhyrjen euro-amerikane në Kosovë. Me këtë
tezë kasapi i Ballkanit donte t’i kishte duart e lira për asgjësimin fizik
përmes vrasjeve dhe dëimeve të shqiptarëve! Ndërkaq bëri gjithçka që të
siguronte ndihmën dhe mbrojtjen e Rusisë për Serbinë. Edhe në takimin e fundit
me 23 mars 1999 me Ëesley Clark diktatori Milosheviç përsëriti tezën, sipas të
cilës “Na e lini ne zoti general, se dijmë si të sillemi me shqiptarët”!
Teza
që ripostoi në publik Aleksandër Vuçiç është e njëjtë: “Na e lini ne
ballkanasve, (saktësisht serbëvë), menaxhimin e punëve të rajonit dhe “ne do të
si të sillemi me popujt e vendet e Ballkanit Perendimor”! Që do të thotë si do të silleshin veçmas me
shqiptarët, specifikisht me Kosovën. Kjo është teza serbe e teorisë
“Ballkani-ballkansve”! Me këtë tezë Beogradi mbron të njëjtin pozicion si në
vitin 1912, si në vitin 1936, si në kohën e regjimit të Titos e të Milosheviçit
edhe në ditët e sotme! Pra Serbia po e përdor këtë “ofertë” në harmoni me
synimet dhe projeksionet e të së kaluarës. Minishengeni paraqitet tashmë si
mjet dhe instrument i izolimit të rajonit tonë nga BE dhe NATO. Dhe si i tillë
do të dëshmohet njëkohësisht edhe si instrument i rritjes së ndikimit dhe
influencës ruse në Ballkan.
Ajo
që tërheq vëmendjen lidhet me faktin se kësaj teorie të “Ballkanit-ballkanasve”
i është bashkëngjitur edhe Edi Rama. Fakti që kryeministri i Shqipërisë
mbështet pa rezerva dhe pa u menduar gjatë iniciativat serbe të rajonit,
dëshmon se ka një kimi të qëndrueshme midis politikës serbe dhe politikës së
qeevrisë së zotit Rama për rajonin tonë. Edhe pse kjo politikë drejtohet kundër
Kosovës, edhe pse teoria “Ballkani-ballkanasve” synon rikthimin e Serbisë në
Kosovë e në rajon si fuqi dominante, Edi Rama është rrjeshtuar pro-teorive të
Beogradit.
Gjeopolitika
e rajonit tonë na jep mësimin e madh se nuk sjell konflikt në Ballkan prania
europiane dhe amerikane. Përkundrazi, mos-prania e këtyre aktorëve gjeopolitikë
dhe ndikimi i Rusisë e kanë përçarë dhe shkatërruar mundësinë e bashkëpunimit
ballkanik. Shkaktarët e Luftës së Parë Botërore ishin serbët dhe rusët, të
cilët shpallën mobilizimin e përgjithshëm ushtarak tri orë para Gjermanisë, e
cila më pas shpalli mobilizimin e pjesshëm ushtarak të saj.
Prandaj
dhe politikanët shqiptarë duhet të refuzojnë me vendosmëri e pa mëdyshje
ofertën serbe të “Ballkanit-ballkanasve”! Kjo ofertë është shkatërrim i
interesave tona kombëtare dhe shërbim i padiskutueshëm për interesat serbe në
rajonin tonë!