Mendime
Gurakuç Kuçi: Djathtizmi ekstrem dhe cënimi shokues i interesave shqiptare
E shtune, 17.04.2021, 06:50 PM
Nonpaper i Sllovenisë: Djathtizmi ekstrem dhe cënimi shokues i interesave shqiptare
Shkruan:
Dr. Gurakuç Kuçi
Fundi i
marrëveshjeve të mëdha ndërkombëtare gjithmonë sjell tendenca për ndryshime të
reja gjeopolitike. Këto periudha ashtu si pas Luftës së Parë Botërore edhe
marrëveshjet njëqindvjeçare të kësaj periudhe, prapë përfundimi i tyre u prek
me kriza financiare ekonomike e pandemike. Andaj në këtë periudhë shfaqen edhe
ideologji që tentojnë një ekstrem. Në këtë periudhë ekstremi i djathtë (siç
argumenton Francis Fukuyama) ka arritur që ta bindë masën se problemet
ekonomike po shfaqen për arsye identitare. Mirëpo përderisa Perëndimi ekstremin
e djathtë po e mban nën kontroll, shumë vende Lindore si Rusia e Serbia
kesnofobinë e djathtizmit ekstrem po e kthejnë në secesionizëm si në Ukrainë,
Ballkan e më gjerë, gjithnjë sipas doktrinës së “sllavofilisë”.
Pse doli dokumenti i “Sllovenisë” për Ballkanin Perëndimor
Më 1923 skadon
marrëveshja 100 vjeçare e shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Turqia ka rreth 20
vite që është duke pritur skadimin e kësaj marrëveshje dhe të krijoj një
pozicionim të saj të ri sidomos në det dhe të shtrijë influencë në vende të
përafërta nga civilizimi.
Një pozicionim të
ri po kërkon edhe Rusia dhe Serbia të cilat ndjekin filozofinë e “sllavofilisë”
që nga koha e Khomjakovit.
Përderisa në këtë
mes SHBA-ja bashkë me BE-në janë në një pozicion të mirë të forcojnë pozitat e
tyre të zemrës së tokës (Heartlandit) dhe të brigjeve (Rimlandit).
Në këtë mes
përplasjesh është fuqishëm Ballkani dhe flluskat si “nonpaper” i Sllovenisë e
cila tani po mohohet si diçka e vërtetë nga vet ky shtet, janë matje të
tensioneve se deri ku mund të pranojnë ripozicionime shtetet e tanishme.
Dokumente të tilla
kryesisht dalin nga shërbimet sekrete e madje mund t’i fabrikohen një vendi
tjetër si hartues i saj. Sidoqoftë, politika të tilla vazhdimisht provohen në
Ballkan, dhe së fundi patë lider në Ballkanin Perëndimor që adoptuan pranimin e
prekjes së kufijve, mirëpo një veprimtari e tillë u ndal fuqishëm nga SHBA-ja.
Por iniciativa e
fundit si matje tensioni me “nonpaper” po vijnë nga vija Janez Jansha, Viktor
Orban dhe Aleksandër Vuqiq, të cilët çështjen e djathtizmit
evropiano-perëndimor po e dërgojnë nga niveli ksenofob në nivelin secesionist
(shkëputjes). Pra, nga niveli i mbylljes së kufijve në nivelin e ndryshimit të
kufijve.
Në Ballkan ky
nacionalizëm secesionist po shprehet në sfera ku një etni kërkon të sundoj një
komb. Pra, shtetet në Ballkan të bëhen ekskluzive sipas doktrinës “sllavofile”
dhe jo inkluzive sipas modelit të ngritjes së nacionalizmit shqiptar. Doktrina
“sllavofile” përvec përqëndrimit të sllavëve pastaj shtrirjen e vet do synoj ta
bëje me cilësime ballkanike federative të llojit të projekteve që kanë filluar
që nga Luftërat Ballkanike.
Dokumenti në fjalë
ku e heq nga harta e shteteve Kosovën dhe e ndan Bosnjën i konvenon më së
shumti Serbisë. Kjo e fundit madje nuk e mohon se dëshiron një gjë të tillë.
Serbisë nuk i pengon bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, por i pengon shtetësia e
saj. Në heqjen e shtetësisë së Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë,
Serbia mund të përfitoj territor dhe satisfaksion të madh nga Kosova dhe çdo
herë ka gjetur më shumë afërsi bashkëpunuese me një qeveri në Tiranë se sa në
Prishtinë, po ashtu me ndarjen e Kosovës e mbyll përgjithmonë edhe çështjen e
Sanxhakut. Ndërsa nga Lugina e Preshevës me gjithë qejf i heq disa fshatra dhe
qytetin e Preshevës. Ndërsa nga Bosnja do përfitoj shumë më shumë.
Por, deri më tani
dokumenti i cili nuk është publikuar si i plotë askund nuk flet për çështjen e
Maqedonisë së Veriut që është një problem që e kalon kufirin e Ballkanit
Perëndimor dhe çështjen e Malit të Zi, e shumë kufij tjerë më gjerë. Është e
pamundur pastaj të mos preket Pireu i Maqedonisë nga Bullgaria, Vojvodina, etj.
Nga këto
ndryshime, më së shumti përfiton Rusia, Kina dhe Serbia. Rusia do arrijë që
bashkë me Serbinë të krijoj një shtrirje “sllavofile” të fuqishme, pra një
shtrirje të civilizimit ortodoks, ideologjisë të asaj si e quan Rusia
“demokracia sovrane” dhe të gjeopolitikës në shkëputjen dhe kërcënimin e zemrës
së tokës. Kina si bashkëpunëtore e ngushtë me Serbinë dhe Rusinë do ta shtrinte
fuqishëm strategjinë e saj “Belt and Road Initiative” dhe kështu më bashkimin e
Kosovës me Shqipërinë do ta shtrinte ndikimin e saj të plotë në Ballkan. Kina
tani veç është bërë një fuqi Evropiane ku ka marrëveshje me 18 vende, 14 prej
tyre janë vende anëtare të BE-së, tri vende kandidate për anëtarësim në BE dhe
Serbia si vend aspirant.
Për shqiptarët i mirë apo i keq dokumenti
Ide të tilla siç
parasheh dokumenti në fjalë janë defaktorizuese për shqiptarët në Shqipëri,
Kosovë e vende tjera në Ballkanin Perëndimor. Këto ide kanë dy qëllime madhore:
- Defaktorizimin e
SHBA-së në Ballkan për të ia prishur strategjinë e Rimlandit, dhe
- Humbjen e
aftësisë së shqiptarëve për evoluim të brendshëm drejt krijimit shteti si të
Enver Hoxhës ku centralizohet gjithçka dhe ai centralizim kontrollohet nga
“sllavofilët” dhe civilizimi ortodoks.
Një gjë duhet
mbajtur në mend, ekzistimi i Kosovës dhe Shqipërisë në këto momente është ideale
për shqiptarët. Kjo për faktin se ia humb fuqinë doktrinarëve sllavofilë të
kontrollojnë qendrat e ideve të shqiptarëve, sepse duke qenë shqiptarët në një
pozitë të pafuqishme si tani, centralizimi i ideve mundëson kontrollimin pastaj të asaj qendre
nga doktrinarët sllavofilë.
Shqiptarët duhet
të ndjekin idenë e zhvillimit perëndimor të kombeve dhe civilizimit.
Perëndimorët pas zhvillimit të shteteve-kombe tani po bashkohen në civilizim
dhe ideologji duke tjetërsuar periferitë e saj ashtu siç synon kombi në shtet.
Shqiptarët nuk
duhet të mashtrohen nga doktrinat shoviniste të doktrinarëve sllavofilë mbi
krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’, sepse askush nuk mendon projekte të tilla të
mira për shqiptarët nëse këtë nuk e kanë bërë vet shqiptarët. Termi ‘e madhe’
në këtë rast paraqet imperializëm, e shqiptarët në asnjë tokë ku janë tani në
Ballkan nuk janë imperialista.
Integrimi i
shqiptarëve duhet të jetë i vërtetë dhe jo modele ku mund të ia bashkojnë
Shqipërisë një pjesë të Kosovës dhe të ia shkëpusin pastaj një pjesë të jugut e
të ia japin Greqisë.