Mendime
Enver Bytyçi: Pse Miroslav Lajçak e fshiu nga harta shtetin e Kosovës?!
E enjte, 25.02.2021, 10:14 PM
Pse Miroslav Lajçak e fshiu nga harta shtetin e Kosovës?!
Nga
Enver Bytyçi
Miroslav
Laçak është ndërmjetës i Bashkimit Europian për dialogun midis Kosovës dhe
Serbisë. Më saktë është përfaqësues i shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri
të BE-së, zotit Borrell. Lajçak dhe Borrell vijnë nga dy vende, të cilat nuk e
kanë njohur shtetin e Kosovës, përkatësisht Sllovakia dhe Spanja.
Duket
se të dy këta në vend të ndjekin politikat e Komisionit dhe Parlamentit
Europian, punojnë sipas axhendës serbe e ruse sa i përket Kosovës, statusit dhe
njohjes së shtetësisë së saj. Miroslav Lajçak u shfaq këto ditë duke dhënë një
intervistë për “European Ëestern
Balkans” me një hartë të rajonit pas shpine, në të cilën Kosova shihet të jetë
"pjesë e Serbisë"! Ishte rastësi kjo?! Në politikë dhe në diplomaci
nuk ndodhin kurrë rastësitë. Ato sajohen, vendosen e mbivendosen, me qëllim që
të jepen mesazhe për dikë tjetër. Edhe intervista e Lajçak me sfond harten e rajonit
tonë pa Kosovën shtet sovran e të pavarur ka një mesazh të caktuar:
Mesazhi
lidhet me faktin se ndërmjetësuesi europian për dialogun Kosovë-Serbi punon për
zhbërjen e pavarësisë së Kosovës! Kush ka argumente tjera le të provojë të
kundërtën, por askush nuk duhet të më thotë se ky veprim i ish-ministrit të
Jashtëm të Sllovakisë erdhi nga pakujdesia e mos-vëmendja.
Se
Lajçak e përmes këtij edhe Borrell japin mesazhe anti-Kosovë, kjo tashmë është
bërë e qartë në intervista e forma të tjera të njohura. Por që përmes kësaj
harte të jepej mesazhi se "Kosova nuk mund të ekzistojë as si nocion
gjeografik në hartë", këtë nuk e kishte menduar as kundërshtari më
ekstremist i ndërmjetësimit të tyre në zgjidhjen e konflktit midis dy vendeve.
Nuk e kishin çuar në mendje s vetë serbët e Beogradit. Harta e Lajçak në zyrën
apo në një ambjent tjetër pune të tij, e kthen Kosovën në statusin që asaj i
jepte kushtetuta e vitit 1946 ose 1953 e ish-Jugosllavisë. Pra, statusin e një
rajoni pa kurrëfarë autonomie të Serbisë së Rankoviçi, kur Kosova emërtohej me
emërtimin e sotëm të kushtetutës serbe "Kosovo-Metohi" dhe kur
shqiptarët në vend të quheshin "albanski", përbuzeshin me emrin
"shiptari"!
Me
këtë akt diplomatik, shefi i bisedimeve të BE-së ka shkelur jo vetëm të drejtën
sovrane të Kosovës, jo vetëm vullnetin e shprehur të saj, pra verdiktin për të
qenë shtet sovran dhe i pavarur. Lajçakka fyer rëndë shqiptarët në tërësi dhe
ka shkelur disa dokumente ndërkombëtare. Së pari Rezolutën 1244. Në atë
rezolutë Kosova, nëse nuk do të ishte e pavarur, do të ishte nën administrimin
ndërkombëtar të OKB-së dhe NATO-s, por nuk do të ishte pjesë përbërëse e
Serbisë. Në atë rezolutë përcaktohet dhe thuhet se "Statusi i Kosovës do
të përcaktohet në kuadër të RF të Jugosllavisë"! Nuk e parasheh rezoluta
1244 që Kosova me statusin që do të kishte të bëhej pjesë e Serbisë.
Me
shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në Korrik 2006, Jugosllavia pushoi së
qeni. Kësisoj Kosovës nuk i mbetej asnjë zgjidhje tjetër përveç pavarësisë,
sepse Rezoluta 1244 nuk parashikonte që ajo të bëhej pjesë e Serbisë. Ndërsa
"i paanshmi" Lajçak e ka vizatuar atë pa kufij administrativë si
pjesë të Serbisë. Ka shkelur kësisoj ligjin ndërkombëtar të parashikuar në
rezolutën në fjalë të Këshillit të Sigurimit, votuar edhe nga aleati i tij,
Rusia.
Por
Miroslav Lajçak ka shkelur edhe rezolutat dhe vendimet e Bashkimit Europian.
Një ditë para miratimit të Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit, ishin
shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të mbledhura në Bon të
Gjermanisë, ata që më 9 qershor 1999 e votuan unanimisht atë rezolutë. Ishte
Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian që para dy ditësh miratoi një
rezolutë, në të cilën thuhet se "pavarësia e Kosovës është e
pakthyeshme" dhe i bën thirrje pesë vendeve anëtare të saj, edhe vendit të
Lajçak dhe Borrell, Sllovakisë dhe Spanjës, që ta njohin pavarësinë e shtetit
më të ri në Europë. Janë 23 vende të Bashkimit Europian që e kanë njohur
shtetësinë e Kosovës. Janë gjithashtu të shtatë vendet më të industrializuara
të botës që e kanë bërë këtë.
Por
Lajçak na thotë se "për Kosovën vendos ai, Serbia dhe Rusia"!
Kosova
është anëtare Bankës Botërore, FMN-së, BERZH, CEFTA-s, Organizatës Botërore të
Doganave si dhe anëtare e FIFA-s, UEFA-as dhe Komitetit Olimpik dhe ajo duhet
njohur si e tillë, si vend i pranuar nga Bashkimi Europian dhe organizata të
shumta ndërkombëtare. Miroslav Lajçak përfaqëson Bashkimin Europian, është aty
për ta forcuar këtë bashkësi shtetesh dhe paguhet me taksat europiane për t'i
shërbyer vendimmarrjes së shumicës dërmuese të vendeve të BE-së. Por çfarë bën
ai? I shërben interesave të vendit të tij, të cilat shkojnë në favor të
interesave serbe e ruse dhe kurrësesi të Europës së vlerave dhe të demokracisë.
I shërben rrjedhës anti-historike dhe politikave destruktive anti-europiane të
Vladimir Putin.
Kosova
është sovrane dhe e pavarur, sepse popullsia e saj u përndoq, u dhunua, u
asgjësua fizikisht, u dëbua masivisht, sepse vendi u dogj dhe u shkatërrua nga
ushtria, policia dhe paraushtarakët e shtetit të Serbisë, sipas një projekti të
paracaktuar e të formuluar në zyrat e kryetarit të shtetit serb të kohës.
Kosova u bë e pavarur për shkak të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Tani
Miroslav Lajçak me hartën e Kosovës si pjesë të Serbisë na jep mesazhin se edhe
nëse një shtet si Serbia bën krime kundër njerëzimit dhe genocid kundër një
populli jo serb, ky popull jo serb na qenka i detyruar të bashkëjetojë nën
sovranitetin e shtetit genocidal. Ka harruar se genocidi hitlerian ndaj judëve
çoi në krijimin nga hiçi të shtetit izraelit. Ndërkohë Kosova ekzistonte edhe
para Serbisë, ekzistonte edhe atëherë kur në Rashkë u krijua principata e parë
serbe, ekzistonte pra, edhe para Pashiçit, Çubrilloviçit, Rankoviçit,
Milosheviçit, Vuçiçit dhe Lajçakut e Borrellit.
Kësisoj
harta e tij përveçse provokim është gjithashtu një akt anti-historik! Për këtë
arsye institucionet e Kosovës duhet ta dënojnë këtë akt, t'i kërkojnë Miroslav
Lajçak të kërkojë ndjesë publike dhe të deklarohet se do të ruajë paanësinë në dialogun
midis Kosovës dhe Serbisë! Në të kundërt, ai duhet bojkotuar!