Mendime
Idriz Zeqiraj: Humbja amortizohet, nëse reflektohet
E merkure, 24.02.2021, 09:45 PM
HUMBJA AMORTIZOHET, NËSE REFLEKTOHET
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Humbja nuk është fundi i botës, sepse përgjatë jetës sukseset dhe
dështimet, janë të pritshme. Por, menaxhimi i mirë i humbjes amortizohet,
zvetnohet, nëse reflektohet drejt dhe shpejt. Ngushëllon fakti, se kjo situatë
e krijuar, është kuptuar drejt dhe përmasa e përgjegjësisë duhet pranuar, nga
secili, varësisht, nga pozicioni që ka pasur në hierarkinë partiake. Edhe
komanda, vendimmarrësit, aprovuesit dhe heshakët, janë përgjgegjës, në raport
me fuqinë e tyre në parti.
Humbja drastike e LDK-së, nuk është kurrëfarë befasie. Përkundër,
ajo ishte e pritshme dhe, pothuajse, e qëllimshme. Veprimet arbitrare të një
lidershipi-klan, të halitur, të lazdruar, tejkalon çdo normë, etikë e moral. Të
kuptohemi, lidershipi është Kryesia e ngushtë, klani rreth kryetarit të LDK-së
dhe jo Kryesia e partisë. Megjithatë, mbi Kryesinë rëndojnë tri faje të rënda:
1. Mos denoncimi i veprimeve rrënuese të LDK-së, për intersa
karrieriste e tjera;
2. Mos kundërshtia e hapur e vendimeve fatale për LDK-në;
5. Heshtja aprovuese, sipas logjikës idioteske, se shumica
vendosi, edhe pse votimi është aklamativ, fiktiv, më saktë, i
tufëzuar, blegëtoral!
Themi faje dhe jo gabime, sepse faji penalizohet, kurse gabimi
qortohet. Në rastin konkret, këtu kemi të bëjmë me një fajësi të përsëritur, me
dëmet enorme, që i kanë shkaktuar partisë, pra, LDK-së, elektoratit, popullit,
Kosovës, shqiptarëve, janë tejet të mëdha.
Kështu filloi çmontimi i Statutit të Rugovës dhe
vet frymës rugoviane
Lidershipi-klan, pasi janë akomoduar, rehatuar në kupolën e
LDK-së, filloi të mendojë për një karrierë, sundim afatgjatë të partisë.
Për ta realizuar këtë, duhej anashkaluar organizimin klasik rugovian. Dhe,
gjetën një shkak: Ndryshimin e statutit të LDK-së, me arsyetimin e përshtatjes
me atë të Partive Popullore të Evropës (PPE). Ishte një mashtrim i madh, të
provosh barazimin e mendësisë Ballkanike, aq më tepër shqiptare, me emancipimin
politik evropian. Edhe pas një humbje zgjedhore, ata reflektojnë, lëshojnë
karrikën e parë dhe të tjerat me radhë , ndërkohë që ne nuk lëvizim as pas një
duzinë humbjesh!
Goditjja e parë ishte shuarja e Aktivave; shkëputja nga baza
partiake; rrënimi i sistemit zgjedhor; përjashtimi i tri parimeve bazë të
demokracisë:
1) Debatin e hapur, të shpenguar, në të gjitha strukturat e
partisë;
2) Heqja e konkurrencës të ndershme zgjedhore, duke përdorur nenin
kopil e satanik - 50+1% -, të kandidimit për
kryetar;
3) Shpërfillja e frikshme dhe e përbuzshme, deri në harresë, e
votimit të fshehtë demokratik, duke e zëvendësuar me
votimin aklamativ, fiktiv, të rrejshëm, të hapur, me
ngritje dore, pavarësisht hipokrizisë klasike, mizerabël-
proverbiale të shqiptarëve të Kosovës.
Kryetari i LDK-së, i koracuar me kompetenca mbretërore, me të
drejtë propozimi të 2/3-ve të Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, deputetëve
si dhe i të gjitha kuadrove qeveritarë, në rast të qenurit në pozitë. Shkëputja
tërësore nga anëtarësia, elektorati, populli dhe centralizimi i pushtetit partiak,
tek një grup servilësh, puthadorësh, fundosi trashëgiminë rugoviane.
"Peshku qëlbët në kokë" dhe kjo është një e vërtetë e
njohur. Të gjitha deformimet, devijimet nga parimet dhe fryma rugoviane, kanë
filluar nga qendra e LDK-së dhe janë imponuar në bazën partiake. Duket e
pabesueshme, por, është krejt e vërtetë, se nënkryetari i Degës, nuk guxon
të kontaktojë, pa lejen e kryetarit, Nëndegët! Sepse akuzohet se "po
tenton ta marrë partinë!" Njësoj si në qender, edhe në bazë, nuk është
lejuar dhe nuk është parashikuar asnjë kuadër i dytë, për ta zëvendësuar, me
konkurrencë zgjedhore, qoftë kryetarin e partisë apo të komunës! Kjo flet për
një degradim, deri në degjenerim, të LDK-së, sepse është varrosur - vota e
fshehtë demokratike -, njësoj si në epokën zezë të Rankoviçit.
Tashmë, është faktuar edhe pretendimi publik i Vjosë Osmanit se
"Logon LDK mbani ju, por, unë përfaqësoj elektoratin rugovian!" Dhe,
ashtu ndodhi. Shifra e tejkaluar 250 mijë vota, për Vjosën, në mbrojtjen e
parimeve të Rugovizmit, lëndëzimin e slloganit të LDK-së - BESO -, më 6 tetor
2019 dhe të slloganit të Lista Vjosa, - GUXO -, më 14 shkurt 2021, është
domëthënëse dhe vetëfolëse.
LDK-ja fisnike, sërishmi do të bëhet kryezonjë
"Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së nuk ka përfunduar",
është titulli i një shkrimit tim, pak muaj më parë. Si ndjekës besnik i
rrjedhave politike, vendore e botërore, në veçanti, në shtëpinë time, LDK-e,
qëndron konkluzioni im i hershëm, se Kuvendi i fundit Zgjedhor i LDK-së, nuk ka
përfunduar! Vazhdimi i Kuvendit të shkuar, është i pamundur me të njëtit
delegatë. Sepse, ata, qëllimshëm e nxitimthi, ngutshëm e përmutshëm, lejuan dhe
aprovuan, me aklamacion dhe duartrokitje turpëruese, shkelën parimet elementare
të demokracisë.
Megjithatë, anatemat dhe përjashtimet, në një garë zgjedhore
brenda-partiake, nuk janë të shëndetshme për LDK-në. Nuk janë as zgjidhja e
duhur, për rimëkëmbjen e partisë. Ndarja në breza, është më e keqja, për
partinë e parë pluraliste në Ballkanin tonë e më gjerë. LDK-ja, si parti
akademike, me kuadro të bollshme, i ka të gjitha mundësitë, për ta amortizuar
humbjen, tashmë, të pësuar. Vetëm me reflektimin e thellë, mund të riparohen
edhe fajet e përsëritura.
Plagët nuk shërohen vetëm me balsam zbutës. Ndonjëherë duhet
përdorur edhe bisturia. Por, vetëm me qëllimin e mirë, që ringritja e LDK-së të
bëhet pa lëndime shtesë. Masat parësore që duhet ndërmarrë, nga idealistët
rugovistë:
a) Hapi i parë, ndryshimi i statutit hileqar, i bërë për qëllime
individuale e klanore dhe kthimi i Statutit rugovian, është domosdo;
b) Hapi i dytë, organizimi i Kuvendit të Jahtëzakonshëm Zgjedhor
të LDK-së, nga një Këshill Organizativ, bazuar, kryesisht e tërësisht, në
frymën e dlirë rugoviane;
c) Hapi i tretë, fushatën zgjedhore duhet ta përshkojë:
Debati i shpenguar; konkurrenca e ndershme, me më shumë se një kandidat në
garë; dhe, absolutisht, vota e fshehtë demokratike, për të gjitha strukturat e
partisë, është garanci e suksesit.
d) Hapi i katërt, por, i pari, në kohë, LDK-ja dhe LVV duhet të
bëjnë koalicion qeverisës. Qëllimi nuk është, thjeshtë, përfitim reciprok, por,
interes kombëtar.
Energjia e LVV dhe guximi i Listës Vjosa, të mbështetur nga
mençuria dhe urtësia klasike e LDK-së, padyshim, do ta nismonin, së mbari,
çkapjen e shtetit nga kthetrat e PAN-it zullumqarë fizikë dhe xhepistë! Jane dy
subjektet të vetme parlamentare, të cilat nuk janë të inkriminuara, me krim
vrastar dhe hajni zyrtare. Prishjen e koalicionit LVV-LDK dhe rrëzimin e
Qeverisë Kurti i organizoi Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij. Edhe qeverinë Hoti e
kompletoi Hashimi. Të tri rastet, i ka denoncuar dhe konfirmuar SHBA dhe BE!
Paniku demobilizon, frustron veprimtarët, aktivistët e LDK-së.
Andaj, lypset angazhim i sinqertë dhe thellësisht parimor, gjithësesi,
edhe intusiazëm të natyrshëm.