E premte, 26.04.2024, 12:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Feriz Nuraj: Përmbledhje me poezi

E marte, 25.11.2008, 11:35 AM


Kthehu me dallëndyshe

Feriz Nuraj

/12 maj 1937-30 mars 1996/

Përmbledhje me poezi

 Botues: Klubi letrar

Lasgush Poradeci”, Drenas

Redaktor:  Ymer Elshani

Recensentë: Riza Grejçevci, Veli Veliu

Korrektor: Sabit Jaha

Ilustrator: Demush R. Avdimetaj

1996

Kush ishte Feriz Nuraj?

Feriz Nuraj u lind në fshatin Plluzhinë të Skenderajt më 12 maj 1937. Shkollën fillore e kreu në Likofc më 1954. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, nuk pati mundësi ta vazhdonte shkollimin e mesëm, prandaj atë e kreu më vonë në formë private. Punoi shtatë vite e gjysëm në postën e fshatit Turiqefc. Konkuroi të regjistrohet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Në provimin pranues doli më i miri.

Në vitin 1973 punoi gazetar i regullt i gazetës studentore “Bota e re”. Pas mbarimit të vitit të dytë të studimeve, sërish për shkaqe ekonomike u detyrua t`i ndërpret studimet. Në vjeshtën e vitit 1974 u punësua arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore “Emin Duraku” të Likofcit. Me shkrime filloi të merret që nga viti 1956. Së pari botoi në “Rilindja për fëmijë”, pastaj në  “Ponieri”. Mbi dhjetë vjet botoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit” që dilte në Shkup si dhe në revistat për fëmijë “Gëzimi” dhe “Fatosi”.

Shkroi për fëmijë, në poezi e prozë. Në vitin 1990 “Rilindja “ ia botoi përmbledhjen e parë me titull “Orët e papara”. Libri “Kthehu me dallëndyshe” është libri i tij i dytë.

Ishte mjaft aktiv në punën me nxënës. Organizoi shumë orë letrare me nxënësit e shkollës ku punoi. Nxiti një bashkëpunim letrar në mes të nxënësve të shumë shkollave fillore, jo vetëm të komunës së Skenderajt.

Vdiç më 30 mars 1996. La në dorëshkrim shumë shkrime të pabotuara, por fatkeqësisht të gjitha ia prëpiu flaka e luftës së fundit.

 

Zëri i yllkave

 

I ngjan

Bekimit të gjyshes,

Cicërimës së dallëndyshes,

Shufurimës së dardhës,

Oshëtimës së Shkumbinit,

Gurgullimës së Drinit,

Tingujve të çiftelisë,

Jehut të fyejve t`malësisë…

Oh, yllkat janë-lule pranverore

Me gjallëri mbushin tokën arbërore!...

 

Kush i ngjan fëmijës?

 

Fëmijës i ngjan

                   Prilli

Kur derdh rreze

                  Dielli.

 

Fëmijës i ngjan

            Trëndafili

Dhe princi i këngës

            Bilbili.

 

Fëmijës i ngjan

            Lulja e parë

Erëkëndshme ngado-

            Behar.

 

Fëmijës i ngjan

            Edhe ari

I pastër, i dëlirë-

            Si qelibari…

 

 

Esmerina

 

Çupëz e bukur

Fustan-flutur

            Esmerina

Nga Plluzhina.

 

Dje qe sëmurë

            Esmerina

Kishte pirë

Tre aspirina.

 

Ditën tjetër-

            Esmerina

Tha:-Më dhemb

Një çik shpina.

 

Ditën e tretë

            Esmerina

U shërua e tëra

Nga motër Ermira.

 

Pastaj çupëza

            Esmerina

Bleu ronmanin

“Ligatina”

Esmerina

            Esmerina

                Nga Plluzhina.

 

Urani

 

-Babi im, babi

Pyet Urani

A jam trim

Si luani?

 

Vërtet voci im

Ke trup “vigani”

Po dje çuditërisht

U trembe nga bibani.

 

Ky voglush simpatik

Ka emër planeti

Ka zemër të gjerë

Ka bark sa “deti”

 

Xhaxhai papritur tha:

Ka emër metali

Në trojet tona

S`lind kësi djali.

 

Fort e dua gjyshin

Thotë bukuroshi Uran

Por më bezdis ai

Se pi shumë duhan.

 

I thërras në dy emra

 

Vajzën në klasë të parë

E quaj me emrin Pëllumbeshë

Ajo në zemër prore më mban

Ëmbël, ëmbël më buzëqesh

            Emrin e ka Migena

            Xhaketën plot tentena.

 

Çuni është në klasë të dytë

E thërras me emrin Bilbil

Kurrë s`e shoh të ndytë

Ka lindur në puajin prill.

            Pagëzuar me emrin Bekim

            I pari në recitim.

 

Vajzën në klasë të tretë

Gjithmonë e quaj Dallëndyshe

Ajo ka gojë të sheqertë

Ndër moce më e vyeshme.

            Emrin e ka Mirlindë

            Ka prirje për balerinë.

 

Djaloshin në klasë të katër

E quaj me emrin Skifter

I ka sytë e kaltër

Si më i miri dribler.

            Emrin e ka Blerim

I pari në sport e mësim

 

 

Pëllumbesha Migenë

E do atdhenë.

 

Bilbili Bekim

Talent në aktrim.

 

Dallëndyshja Mirlindë

Më e sjellshmja n`Plluzhinë.

 

Ndërsa skifteri Blerim

Futbollist e trim.

 

Kthehu me dallëndyshe

 

Ditë e zymtë dhjetori

Me dëborë, ftohtësi

Të përcollëm nipçe

Për në Gjermani.

 

Atëherë dhe qielli

Sikur n`vaj lotonte

E ti s`thoshe gjë

Koka të rëndonte.

 

-Mos harro biro

Atje t`flasësh shqip

I thanë mes lotësh

Gjyshi t`vetit nip.

 

Kaluan muajt

Vite me radhë

-Kthehu nipçe këtu

Kthehu sa më parë.

 

Kthehu biri ynë

Thonë gjyshi me gjyshe

Të presim hapakrah

KTHEHU ME DALËNDYSHE!

 

     Gjumashja

 

Trashe, trashe

Oj gjumashe

Zgjohu herët

Se na plase!

 

Bëj detyrat

Mësoje vjershën

Pastrohu mirë

Hiç përtesën.

 

Trashja mezi zgjohet

Fërkon sytë e veshë

Thotë e di vjershën

Së paku për një tresh.

 

Trashe, trashe

Bija e mamit

Na nxore telashe

Shiko mërrolat babit.

 

Trashe, trashe

Plot me trazira

Na je kokëtrashe

Të bezdisin fëmija…

 

Dy të korra

 

Dy të korra

Kanë në vit

Gjyshi dhe Entela

Me t`voglin nip.

 

Gjyshi mbjell në vjeshtë

E korr në korrik

Po ashtu në pranverë

Mbush hambarët për mik.

 

Ndërsa Arbëri e Entela

Nëntë muaj s`pushojnë

Me libra nën sqetull

Pesat i synojnë.

 

Kështu hidhen në garë

Gjysh nip e mbesë

Me grurë në hambar

E libreza me pesa.

 

 

Zgjuarësia e Valdrinit

 

Shumë gjera di Valdrini

Nga muzika e letërsia

Di kush ishte Migjeni, Naimi

Di ngapak nga historia.

 

Di ku gjendet Dukagjini

Di kush është Rifat Gjota

Di ku jeton pinguini

Di fjalë të urta, anekdota.

 

Di kush ishte Paganini

Di kush është Tinka Kurti

Gjithçka pra din valdrini

Të ndajë kokëfortin nga i urti.

 

Di për trimëritë e Skënderbeut

Di për Teutën Shotë Galicën

Di për trungun e Mëmëdheut

Di më tepër për Drenicën.

 

Unë e ti

 

Ti jeton në Durrës

Unë në Ulpianë

Gjaku na bashkon

Gjuha nuk na ndanë.

 

Ti më je nga Vlora

Unë nga Skenderaj

Ç`më ngacmon brenga

Ç`më mbërthen vaj.

 

Ti mëson në Shkodër

E unë në Vushtrri

Nota t`mira marrim

Vëllezër që të dy.

 

Unë sodis Prishtinën

Ti e lirë në Shqipëri

Ne jetojmë nën tanke

Ah se ç`lëmeri!!!

 

Unë poet nga Drenica

Ti piktore nga Skrapari

Baballarët me plisa

Shenj burrash shqiptari.

 

Ti banore e Tiranës

Unë i Prizrenit

Valët e valbonës

I gjasojnë Shkëlzenit.

 

Ti çmon Esad Mekulin

E unë Gjergj Fishtën

Te të gjithë poetët

Tok e kemi hisen.

 

Ti lexon Rexhep Qosjen

Unë Isamil Kadarenë

Kështu forcojmë kombin

Kështu dashurojmë atdhenë.

 

Ti luan në Tropojë

Unë ëndërr n`Fushë-Krujë

Ju në kopshte, të lirë

Ne në luftë-rrëmujë.

 

Ti banon në Kavajë

E unë në Plluzhinë

Askush s`guxon jo

T`na e mohojë historinë.

 

Ti i mirëpret mysafirët

Me bukë zemër e kripë

Na e kanë zili të tjerët

Kur botës i shkruajmë shqip.

 

Ti peshkon buzë Shkumbinit

Unë në valët e Drinit

Vallë kur do të bashkohemi

Në rrugën e bashkimit!?

 

Ne na lidhë gjuha

Ne na lidh flamuri

Shqiptarët mbi tokë

Flakadan mbi nuri.

 

Ti jeton në Durrës

Unë në Dardani

Jemi bij të shqipes

Luftojmë për LIRI.

 

 

Malet thonë pa djallëzi:

Diç të fshehur kemë në gji

 

 

Rrëfejnë malet

Pa djallëzi

Diç të fshehur

Kemë në gji.

 

Për beteja

Jemi mburojë

S`bëjmë shaka

S`bëjmë lojë

 

E dinë trimat

E këtij trolli

Nga malet

Se ç`u polli

 

Plumb e helm

Ka ngrënë gjakësori

T`na pushtojë

Kurrë s`ia doli.

 

Le të besojë

Çdo voglush

Trimave e miqve

U kemi dhënë rrush.

 

Lisat e trashë

E të lartë

Janë me hoje

Janë me mjaltë.

 

Krojet tona

Si bilur

Ua shuajnë etjen

S`shterrojnë kurrë.

 

Sa stuhi

Këndej janë sulur

T`gjitgha ikën

Me kokë ulur…

 

A kemi të drejtë?

 

A kemi të drejtë

T`i shijojmë rrezet

e diellit

A kemi të drejtë

Të rrojmë nën hapësirën

E qiellit?

 

A kemi të drejtë

Të cicërojmë në gjuhën

e nënës

A kemi të drejtë

T`ia themi edhe ne

Këngës?

 

A kemi të drejtë

Të ajrosemi

Në male

A kemi të drejtë

Të hidhemi edhe në

Në valle?

 

A kemi të drejtë

Të shohim veten

në televizor

A kemi të drejtë

Për mendimin tonë

Njerëzor?

 

A kemi të drejtë

Të qeshim së bashku

Në abetare

A kemi të drejtë

Në republikën tonë

Shqiptare?

 

Deri kur do të vazhdojnë

Lotët të rëndojnë

Këtë dhe?

Po, po do të vijë shpejt

LIRIA e shtrenjtë

Edhe për NE!...

Këto ishin disa nga poezitë e poetit të ndjerë Feriz Nuraj, nga libri “Kthehu me dallëndyshe”

Falënderoj z. Jahë Jusufi, mik imi dhe i Ferizit, që ma siguroi një kopje të këtij libri.

Përgjegjësit e kulturës në Skenderaj ende nuk e panë të udhës që së paku një orë lertrare ta organizojnë në përkujtim të poetit të ndjerë.

Përgatiti Halil Xani

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora