E shtune, 25.09.2021, 07:25 PM (GMT+1)

Mendime

Gjokë Dabaj: Tubimi në Prekaz s'duhet të mbulohet me heshtje

E marte, 26.01.2021, 10:17 PM


TUBIMI NË PREKAZ S’DUHET TË MBULOHET ME HESHTJE

Nga Gjokë Dabaj

…Mora shkas nga një tubim atdhetarësh, që u bë në Prekaz më 17 janar 2021. Nuk u pa aty asnjë ekip televizioni, as nga Tirana, as nga Prishtina. Asnjë gazetë nuk shkroi asgjë lidhur me këtë ngjarje. E pra, kishin ardhur që nga Anglia, Altin Disha, Marselë Koçi e të tjerë. Kishin ardhur nga Tirana, nga Shkupi, nga Tepelena. Shqetësimi i tyre ishte: E sotmja dhe e ardhshmja e kombit shqiptar. I njëjti shqetësim, i njëjti alarm, për të cilin kanë dhënë jetën Jasharajt!

…Që shkencëtarët tanë të sotëm (e kam fjalën kryesisht për filologët, por nuk lihen anash as të tjerët), nuk e kanë formimin e nevojshëm kombëtar, mjafton të shikojmë, në veprat e tyre, cilin vend e quajnë Shqipëri. Ku gjendet Shqipëria sipas konceptit të tyre?! Cilët janë kufijtë e Shqipërisë, në dallim nga kufijtë e Republikës së Shqipërisë?! Le t’i shfletojmë një për një tekstet e gjeografisë dhe të historisë, që i kanë shkruar pikërisht këta shkencëtarë! Si dhe sa ua kanë sqaruar shqiptarëvet këta shkencëtarë konceptin Atdhe?! Cili është Atdheu i Shqiptarëvet, sipas këtyre shkencëtarëve, të pajisur secili me tituj shkencorë e me grada shkencore?!

Unë nuk them që këta njerëz nuk dinë asgjë. Përkundrazi, këta kanë plot njohuri. Por, kur tjetri nuk di, teorikisht dhe praktikisht, cili është Atdheu i tij, kjo nuk mund të emërtohet ndryshe, veçse invaliditet, gjymtim i mirëfilltë intelektual.

…Në të njëjtën linjë janë edhe gazetarët shqiptarë. Është, deri diku, e kuptueshme, sepse të tilla “njohuri” kanë marrë nëpër auditore. (Por, deri diku! Sepse njeriu ka edhe trurin e vet!) Merrini një nga një gazetat e Tiranës dhe shihni deri ku shtrihet “gjeografia” e shkrimevet të tyre! Qendra, pika kryesore, ku ata furnizohen me lajme e opinione, është SheshiSkënderbe”. Disa shkojnë edhe pak më larg, deri te Kuvendi ose deri te Kryeministria. Ndonjëri arrin të japë ndonjë lajm (kryesisht të bujshëm), edhe nga Shkodra, nga Korça apo nga Saranda. Ky është Atdheu i tyre! S’ka Shqipëri përtej Sarandës! S’ka Shqipëri përtej Shkodrës! Dhe s’ka Shqipëri përtej Kukësit! Të këtillë gazetarë, të rrëgjuar në aspektin e kulturës kombëtare, po na e tkurrin Atdheun sistematikisht! Po na e bëjnë Atdheun sa një grusht!

Përfytyroni sikur të mos ish bërë Kongresi i Lushnjës dhe sikur fuqitë e Evropës të mos e kishin pezulluar copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë! Këta gazetarë të sotëm nuk do të shkruanin asgjë, as për Gjirokastrën e Korçën, as për Shkodrën!

...Një kryeministër i Republikës së Shqipërisë bëhet kryeministër me votat e shtetasvet të Republikës së Shqipërisë. Një kryeministër i Republikës së Kosovës bëhet kryeministër me votat e shtetasvet të Republikës së Kosovës. Është krejt e kuptueshme, sepse kështu është copëzuar Shqipëria. Ky ka qenë rrisku i Shqipërisë, ca për faj të pjesës negative të paraardhësvet tanë dhe ca për faj të të huajvet. Por, pse këto copa Shqipërie të jenë copa, edhe në kokat, edhe në fjalët e këtyre pushtetarëve?!

A e di një kryeministër i Republikës së Shqipërisë se ai është bërë kryeministër me vetëm 0.5 për qind të shqiptarëvet, nëse marrim parasysh sa shqiptarë ka sot në Shqipëri e në botë?! Dhe kjo s’është aspak normale! Ai duhet ta dijë që kjo s’është normale dhe duhet ta thotë! T’ua thotë shqiptarëvet: Mua më kanë bërë kryeministër 0.5 për qind e shqiptarëvet, por unë do të përpiqem të jem një nga përfaqësuesit e krejt kombit tim. Ky ka qenë rrisku ynë, do të përpiqemi ta ndryshojmë aq sa të mundim.

Një kryeministër që shkon për bisedime atje ku vihen në rrëzik Mitrovica, Zubin Potoku dhe Liqeni i Ujmanit, pse të mos u thotë, të paktën gazetarëvet: Shikoni! Për këtë çështje duhet t’i pyesim edhe ulqinakët, shkodranët, tetovarët. Unë nuk mund të marr vendim për këto pjesë të Shqipërisë, pa marrë mendimin e të gjithë shqiptarëvet!

Një kryeministër i Republikës së Shqipërisë, që ulet për të biseduar me grekët për kufirin detar, para se ta dërgojë çështjen në gjykatat ndërkombëtare, do të duhej t’i pyeste Prishtinën, Preshevën, Kumanovën: Si thoni ju? A t’ia japim Greqisë edhe këtë copë det?!

Pse nuk veprojnë kështu kryeministrat tanë?!

Aleksandar Vuçiqi po ia thotë gjithë botës (Me të padrejtë! Jo me të drejtë!): Unë Kosovën e konsideroj pjesë të Sërbisë! Kosova është Sërbi!

Përse, cilido kryeministër i yni, nuk thotë: Unë, Sanxhakun, Rozhajën, Plavën, Bujanovcin, i konsideroj pjesë të Shqipërisë!? A për të mos shkaktuar konflikte?! Apo sepse formimin kulturor, vetëdijen kombëtare dhe moralin, nuk i ka në lartësinë që ia kërkon pozita shtetërore!?

Shkurt të themi: Duhet të bëjmë diçka! Kombi shqiptar nuk mund të mbahet më këmbë e le më të përparojë, me këtë lloj mentaliteti! Kombi shqiptar është gjendur sot përpara dilemës: O do të krijojë një inteligjencë kombëtarisht të kthjellët (nënkuptuar aty shkencëtarët, shkrimtarët, publicistët, qeveritarët, nëpunësit), o do të përfshihet nga tragjedi e zjarre, këtë herë jo kombcunguese, por kombasgjësuese!

Tubimi i një grupi të vogël atdhetarësh më 17 janar 2021 në Prekaz, nuk duhet kurrsesi të mbulohet me heshtje.

Konfondimi dhe ngatërrimi i konceptit shtet me konceptin atdhe, i dëmtojnë rëndë të sotmen dhe të ardhshmen tonë si tërësi kombëtare. Duke e quajtur Shqipëri vetëm Republikën e Shqipërisë, ne, pavetëdijshëm i përjashtojmë nga Shqipëria, nuk i konsiderojmë se janë nga Shqipëria: Marko Boçarin, Abedin pashë Dinon, Ymer Prizrenin, Ali pashë Gucinë, Mehmet pashë Dërallën, Jakup Ferin, Isa Boletinin, Bajram Currin, Dedë Gjo Lulin, Hasan Prishtinën, Abdullah Preshevën, Papa Kristo Negovanin, Asim Vokshin, Ramiz Varvaricën, Shaban Polluzhën, Ukshin Hotin, Hilmi Aganin, Idriz Ajetin, Anton Çetën, Rexhep Qosjen, Agim Vincën, Mehmet Krajën, Nexhmie Pagarushën, Bekim Fehmiun, Adem Demaçin.

Nga ishin e nga janë këta personalitete të kombit tonë? A nuk janë nga Shqipëria?! Po them: A nuk janë nga Shqipëria?! Nëse janë nga Shqipëria, nga cilët vende të Shqipërisë janë?!

Ç’është ky hendikap i yni intelektual?! Pse s’jemi të denjë të krahasohemi, në këtë pikëpamje, as me gjyshërit tanë analfabetë?!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora