Mendime
Jusuf Buxhovi: Vrasja e Enver Malokut, atentat ndaj shtetit të Kosovës
E marte, 12.01.2021, 05:47 PM
Përkujtesë
VRASJA E ENVER MALOKUT –
ATENTAT NDAJ INSITUTCIONIT TË SHTETIT TË KOSOVËS
Nga
Jusuf Buxhovi
Vrasja
e Enver Malokut, gazetarit dhe
veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 11 janar 1999, paraqet
atentatin e sofistikuar ndaj institucionit të rëndësishëm të shtetit të Kosovës
dhe të konceptit të saj të vendosur mbi rezistencën intitucionale. Qendra
Informative e Republikës së Kosovës (QIK), përgjegjëse për informimin, drejtor
i së cilës ishte Enver Maloku, prej
kohësh kishte marrë rolin e agjencisë kombëtare në përmasat e brendshme dhe ato
ndërkombëtare. Shkrimet e QIK-ut konsideroheshin burime zyrtare të Qeverisë së
Kosovës dhe shtetit paralel, të cilave u referoheshin agjencitë meritore
botërore. Po ashtu, raportet ditore të QIK-ut, gjenin vend në biltenet zyrtare
shtetërore të SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të
NATO-s, pa përjashtuar këtu edhe ato të disa vendeve latino-amerikane dhe
afrikane. Prandaj, atentati ndaj drejtuesit të saj, ishte atentat ndaj shtetit
të Kosovës dhe infrastrukturës së tij kredibile informative, që përhapte të
vërtetën në botë, në mënyrë që ajo të mjegullohej ose të zëvendësohej me burime
të tjera, në përputhje me interesat e faktorëve të ndryshëm, që u pengonte.
Fakti
që Enver Maloku është vrarë si Drejtor i Qendrës Informative të Republikë së
Kosovës, të shumtën është anashkaluar ose edhe harruar. Madje edhe në
përkujtimet partiake, me atributet e natyrës patetike-folklorike, habitshëm
është zhveshur nga ky ofiq! Kjo tregon se shteti i Kosovës dhe historia e tij e ndërtimit të brendshëm,
edhe në saje të anemisë së strukturave drejtuese të LDK-së në të, të akomoduar
në këtë amnezi, ende gjithnjë vazhdon të vetëprivohet nga e verteta rreth
shtyllave institucionale dhe rolit të tyre ashtu si duhet mbi të cilat u
ndërtua dhe veproi për të ardhur deri te koha jonë.
Këtë
e pasqyron edhe lapidari i tij në Prishtinë, pa asnjë informacion të kësaj
natyre, siç e pasqyron edhe ai i Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës, pa
atributin e Presidentit të Kosovës dhe pa datën e lindjes dhe të vdekjes. Kjo
sjellje bën me dije se disajneret e
memories sonë historike dhe kulturore nëpër lapidare dhe përkujtesa tashmë kanë
pranuar diktatin religjioz - (njeriu nuk ka vdekje, pos amshim), ose atë
ideologjik - (heronjtë nuk vdesin, andaj
kjo nuk u shënohet)!