Mendime
Andi Bushati: “Darka e fundit” në Dubai
E diele, 10.01.2021, 07:03 PM
“Darka e fundit” në
Dubai
Nga
Andi Bushati
Qeveria
Rama u gjend papritmas e përmbytur nga një video disa sekondshe dhe një buqetë
fotosh të nxjerra prej saj, ku shfaqej njëri prej biznesmenëve më të mëdhenj në
vend, në shoqërinë e dy ministrave dhe eksponentëve të rëndësishëm të
rilindjes.
Gjithçka
dukej sikur ishte përgatitur për të bërë zhurmë: Vendodhja Dubai. Restoranti:
ai i Nusretit të famshëm. Periudha: në kulmin e përmbytjeve. Konteksti:
biznesmenë e politikanë që festojnë së bashku në kulmin e akuzave, kur ky
kabinet po akuzohet gjithandej si qeveria e oligarkëve.
Ky
koktej molotov ishte i mjaftueshëm për ti vënë flakën rrejeve sociale. Dhe në
këtë kuptim kjo është një ngjarje nga ato të cilat mbahen shënim në historinë e
një vendi.
Sepse
ndonëse asnjë nga mediat e mëdha, apo më pak të tilla, nuk foli për këtë
ngjarje, qeveria u mundua të japë shpjegime. Ajo sqaroi me anë të një
komunikimi se të ftuarit ishin aty për punë, në kuadrin e një projekti
rindërtimi, ndërsa vetë Rama, mori mundimin të përgjigjej në Facebook se
ministrat e tij e kishin të ndaluar të shkonin me pushime jashtë, ndaj kjo
përrallë me “gjellë pasanikësh” ishte e pavlerë.
Në
fakt alibia e qeverisë ishte pak bindëse. Në pamje dukej qartë se festa ishte
organizuar nga biznesmeni Samir Mane, dhe ministrat Ahmetaj, Balluku, apo
zyrtarë si Mazniku dhe Fuga kishin pak lidhje me njëri tjetrin.
Çdo
mendje normale e ka të pamundur të përtypë se ata gjendeshin sëbashkëu duke
punuar për rindërtimin. Fjala vjen, ç’lidhje ka zëdhënësi i kryeministrit me
këtë proces? Apo për të shoqëruar gazetarët e tv-ve që gjendeshin në Dubali dhe
që u informuan gjithashtu për këtë festë nga facebook-istat e Tiranës?
Në
këtë kuptim, alibitë e zyrës së propagandës qeverisë nuk kanë asnjë vlerë.
Për
faktin e thjeshtë se ato nuk arrijnë të bindin askënd. Jo sepse pretendimi që
thotë kryeministria nuk mund të mos jetë i vvërtetë. Jo sepse ministrat mund të
mos kenë qenë vërtet të ftuar për punë.
Por,
për një arsye krejt tjetër që e kapërcen fabulën e një feste në një restorant
të famshëm të emirateve.
Ato
pak sekonda që u përhapën me shpejtësi rrufeje në rrjet, që u transformuan në
dhjetra meme, që u mveshën me audion e zërit të Reshat Arbanës, që gumëzhinë me
mijra komente dhe që e detyruan kryeministrin të prishte të dielën për tu
përgjigjur, qenë tejet simbolike.
Ato
qenë dëshmia e asaj që mendojnë të gjithë, lidhjeve okulte mes bisznesit dhe
politikës. Ato qenë prova e moskokçarjes apo indiferencës së “shërbëtorëve”
tanë ndaj fatkeqësisë së një vendi të përmbytur nga ujrat.
Mënyra
se si ato u përhapën, forca më të cilën ato u ripostuan, ishte një tregues i
qartë se realiteti që perceptojnë shqiptarët nuk është as ai që i kumton
qeveria mes kronikave të përgatitura, as temat për të cilat zgjedhin ti
“informojnë” mediat.
Prandaj
qeveria, vendosi të lëshojë sqarim publik dhe Kryeministri të reagojë
personalisht. Ata kuptuan se sado që të kesh nën kontroll gjithë kastën,
mjaftojnë disa sekonda imazhe që gjithë propaganda të bëhet shkrumb e hi.
Në
këtë kuptim, ajo që ndodhi në Dubai me Rilindjen është e ngjashme me historinë
e vallzimit të Nanos dhe Xhoanës në një buzuk grek, kur vendi ishte në zi
kombëtare.
Atëhere,
ish-kryeministri nuk i kishte nën kontroll gjithë mediat e mëdha dhe mjaftoi
një kronikë në një TV kombëtar, që imazhi i tij të shembej.
Sot
Edi Rama i ka vënë në thundër të gjitha ekranet, por fatmirësisht jetojmë në
kohën e rrjeteve sociale. Dhe për Dubain shpërthyen si rrallëherë ato. Jo
thjesht se u konsumua një darkë te Nusreti, por mbi të gjitha si revoltë,
kundërshtim dhe neveri për fabulën që u tregohet nga kasta.
©Lapsi.al