Mendime
Adil Fetahu: Ligjërata lamtumirëse e akademik Esat Stavilecit
E premte, 08.01.2021, 07:00 PM
LIGJËRATA LAMTUMIRËSE (TESTAMENT) E AKADEMIK ESAT STAVILECIT
Nga
Adil Fetahu
Profesorë, shkencëtarë,
shkrimtarë, artiste, sportiestë e soji tjetër i njerëzve të mëdhenj, në raste
të caktuara, para se të largohen nga vendi, nga
profesioni apo para se të ikin nga kjo botë, kanë lënë amanete e porosi nga ma të ndryshmet. Dikush këto ua ka lënë
më të dashurve të vet, dikush një rrethi më të gjërë, e dikush ashtu të
përgjithshme.
Njëri nga profesorët më të
shquar të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, dhe jo vetëm aty por edhe në përmasa kombëtare shqiptare, akademik Esat Stavileci,
pas punës 45 vjeçare në atë Fakultet,
para se të shkonte në pension, mbajti një ligjëratë lamtumirëse me
studentët e tij. Ligjërata është sublimim i asaj që profesori e konsideronte me rëndësi për punë dhe sjellje në jetë, është emocionuese dhe këshilluese, është testament. Për
shkak të këshillave, urtësisë dhe mençurisë që përmban ligjërata, këtu
po e ribotojmë të plotë, nga libri “GJURMËT E NJË JETE”. Ligjërata mban titullin: “Në 45-vjetorin e
mbylljës së karrierës pedagogjike”, ndërsa nëntiullin
(Fragmente nga fjala përshëndetëse me studentët, më 8 tetor 2010). Ja teksti i
plotë i ligjëratës së akademik Stavilecit:
“Nuk më
mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën,tashmë të ndjerë prej një jave, por
edhe momenti i ndarjës nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm
shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahëm prej jush, pa ju lënë disa
porosi të jetës dhe të kohës.
Për 45
vjet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1
tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bënë
vetëm atë që duhet të bësh, mos bënë atë që s’duhet të bësh!
E pranoj
se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat
është ta meritosh lindjën. Kush e meriton lindjën, e ka më të lehtë vdekjën!
Herët kam
mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të
dish as kush do të jesh. Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal! Sot
“po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Është fat i madh të
presësh të dalësh nga dera nëpër të cilën ke hyrë. Nga të gjitha dyert, më të
mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat më të mirët janë ata që hapin
të gjitha dyert. Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdorur
çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar.
Pse po
largohem?
Përherë
kam konsideruar se më mirë është të largohesh, se sa të të largojnë. Është
pëlqyer një aforizëm imi: ne shqiptarët sikur nuk dijmë se kur është mjaft! Kam
dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën. Është mjaft nëse le pas
vetes ata që mund të të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë
Fakultet dhe dy asisentë doktorë shkencash në Universitetin e Europës
Juglindore në Tetovë.
Kam cur
nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë
heret më kishin mësuar se mesi është i
artë.
Sot po
përshëndetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj
një fjalë që mund të kualifikohet si, një ligjëratë lamtumirëse. Kush mban
ligjëratë lamtumirëse, duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese.
Lartësia e
bjeshkës nuk matet me sy, por me këmbë. Në jetën time kam ecur këmbë, që të mos më mashtrojnë sytë.
Pyetja e
parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës së parë ka qenë: si
pëlqeni, t’ju flas me gjuhën dhe stilin
e rëndë të juristit, që të më konsideroni të mençur, pa kuptuar asgjë, apo me
gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që t’i kuptoni të gjitha. Besoj se më
kanë kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më
kuptojnë.
Jeta është
një mësim që mund të mësohet, por që nuk mund të porositet. Në shumë raste jeta
I ngjan tregtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh
të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë.
Përfundimi del i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se sa me
atë që kemi shpresuar. E shpresa është pasuria më e madhe e atyre që s’kanë
asgjë. Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”; sa të merresh me bijën, e harron nënën”!
Nuk e kam
menduar se do të qëndroj kaq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej
barcoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë: kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me
pesëdhjetë vjet burgim, i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët:
“falimnderës, nuk e kam ditur se do të jetoj kaq gjatë”!
Dyzetpesë
vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të ushqejnë vetëm
studentët. Falënderimi im është për ta.
Ti je ai
që të tjerët mendojnë për ty, e jo ai që mendon për vetën tënde. Ju falënderoj
nga zemra për konsidertën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën
time në mbarim të testeve tuaja të provimit të fundit. Pranoj se më kanë
shpëtuar lotët për gatishmërinë e njëkolegës suaj, qe cila kishte shkuar në
fund të testit të provimit: “Jam …vjeçare, do të ju kisha falur pesë vjet të
jetës sime që ligjëroni më gjatë dhe të jetoni më shumë”!
Asnjëherë
nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën. Askush nuk ka mësuar të
vrapojë, para se të mësojë të ecë. Fjala më e mirë që e kam mësuar prej
anglishtës është: “step by step”!
Ardhmërinë
nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny. Po të ishte kështu, të githë do të
kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë. Në jetë duhet të kërkosh
shumë, që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa
një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund të mos jetojë”!
Të ecësh
me kohën, do të thotë të ecësh përopara dhe të mos kthehesh prapa.Ç’kuptim ka
nëse ecni në drejtim të gabuar? Jam përpjekur të mos e gaboj rrugën. Kam ecur
me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush
ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja.
Ne më
shumë duam sesa bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta na mbetet borxh për
atë që nuk bëjmë. Sillemi padrejtësisht
ndaj jetës.Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me
paknaqësi për mospërmbushjen e tyre.
Ambicja më
e madhe e rinisë është të mos iu ngjajë gjeneratave të mëparshme, por që t’i
vjelë të mirat e tyre.
Mos synoni atë që ndalohet më shumë se atë që
lejohet. Kujdes, se edhe budallenjtë bëjnë garë se kush është më budalla se
tjetri. Edhe ata bëhën rresht dhe u prinë budallai më i madh.
Mundimi më i madh vjen nga mundimi me fjalët. Të
flasësh, apo të heshtësh? Por, asnjëherë
mos hesh kur duhet të flasësh, ndërsa përherë hesht kur nuk e ke fjalën.
Njerëzit flasin shumë, sepse fjalët i kanë
falas. Por, fol tamam. Mos u tremb prej atij që flet shumë, por prej
atijqë mendon shumë. Aftësinë nuk mund ta fsheshësh, si dielli pas kodrës, por
në mungesë kujdesi – mund ta ndotësh.
Njerëzit
duhet t’i frikësohen kohës kur majmunët mund të turpërohen se ata e kanë
prejardhjen prej tyre!
Shoqërohuni
me të vjetrit e të diturit, se mund të mësoni më shumë, por mos u shisni mend të “vegjëlve”, që të dukeni më të
mëdhenj.
Nuk jetoj
në iluzione se e tëra që kam bërë është e kryer dhe e përkryer. Jam përpjekur
që punën time ta përshkojë ndershmëria; punës së ndershme nuk i duhet
drita edhe nëse dikush përpiqet ta
errësojë. Është një mendim i artë: “Nuk
gabojnë vetëm ata që nuk punojnë”!
Në jetë
nuk duhet të lejosh të shurdhohesh nga duartrokitjet, sepse më vonë nuk do t’i
dëgjosh fërshkëllimet. Unë po iki
përpara se të “shurdhohem”. Nuk kam pëlqyer që të dashurohem në vetveten. Kam
pëlqyer të gjithë numrat e tjerë, përveç njëshit, prandaj asnjëherë nuk i kam
dhënë vetës dhjetëshe. Kujdes: asnjëherë
mos e vlerësoni vetën me notën më të lartë. Asgjë nuk i kam mësuar të tjerët,
para se ta mësoja vetën time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të
gjitha.
Në jetë
kam pëlqyer të mos prishëm me të tjerët, pa ua ndaluar të tjerëve që
të prishën me mua. Është nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk
flas. Thuhet se njeriun e ndershëm nuk e
urrejnë as të pandershmit.
Ta ruash
nderin në politikë është punë e vështirë. Është politikan i mirë vetëm ai që
bënë gjumë të rahatshëm.
Profesion
më të miëe kam konsideruar atë që të
mësosh të tjerët ato që ke mësuar për veten.
Përherë kam konsideuar se është më lehtë të pyesësh, se sa të
përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por edhe më kanë yetur më shumë. Kam parapëlqyer përgjigjet figurative. Kur më kanë pyetur për procesin e zgjidhjes
së çështjes së Kosovës, jam përgjigjur se procesi do të jetë më kompleks se që po paraqitet; më
i vështirë se që po mendohet; dhe më i gjatë se që po parashikohet. Jemi vonuar shumë me proceset zhvillimore,
sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë, pa
vrarë mendjën se më mirë se me duar të hueja ndërtohet me duart tona. Kemi hedhur hapin pa e fikësuar qëllimin e
madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Jemi lëshuar në vrap pa peyetur se
ç’vlerë ka të vrposh, nëse je në rrugë të gabur.
Shumëkush
e ka dashur angazhimin tim në vendimmarrje politike. Kur më pyesnin ku është
Esat Stavileci, përgjigjesha me këngën e Ardit Gjerbea: “Ja ku jam”! Kur më
pyesnin për fatin e Mitrovicës, përgjigjesha, “Nuk e di këngën e Shkurte Fejzë
: “Jo nuk ndahet Mitrovica”! Kur më pyesnin për decentralizimin përpara se të
vendosej për statusin, përgjigjesha: “Nuk vendoset karroca para kalit”. Kur më
pyesnin se çfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës, përgjigjesha se çfarë e
ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej:
që drejtësia e vonuar t’i dalë drejtësi e cunguar. Kur më pyesnin, kur
do të bëhet mirë për Shqiptarët, përherë kam thënë: “nesër”. E nesërmja është e
jueja dhe mos ia falni askujt tjetër!
Heret e
kam kuptuar se koha është vëtetë ar. Planifikoje kohën, sepse vetëm me kohë
fitohet koha! Mos harro se ora nuk është vetëm për ta mbajtur, por edhe për
t’iu përmbajtur.
Kam
qëndruar jashtë, por jo larg politikës. Filozofia ime politike është: nuk jam
me asnjëri, sepse doja të jem me të gjithë. Kujdes: në politikë të gjithë e
pësojnë, dikush më heret e dikush më vonë.
Kam
parapëlqyer të jetoj jo nga drejtësia, por për drejtësinë. Më kanë thënë, pse
nuk bëhesh avokat që të fitosh më shum; jam përgjigjur – pëkërisht për atë. Nuk
ka padrejtësi më të madhe sesa kur drejtësia shtrembërohet. Ndërgjegja e pastër
e juristit ia zbardhë fytyrën drejtësisë; juristi duhet për çdo ditë ta
pastrojë ndërgjegjën, sikur që e lanë fytyrën.
Për disa
procese poitike jam mbajtur i rezervuar. I jam përmbajtur thënies kineze: edhe
nëse e mendon, mos e thuaj, edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e
shkruan – mos e nënshkruaj. Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër:
tradhtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që
heshin, mos iu beso. Prandaj, nuk kam heshtur
në ndodhitë për ne dhe rreth nesh. Urtia popullore thotë: kush ia di rendin
heshtjes, ia di edhe rendin e fjalës. I vetmi
njeri që nuk e mban fjalën është ai që nuk e jep! Fjalën publike e kam mbëshetur në argumente.
Argumenti shtë sikur bora: sa më butë që bie, aq më shumë zë vend. Në paraqitjet
e mia nuk kam mbjellur skepticizëm. Te ne njeriu realist lehtësisht
kualifikohet si pessimist. Po cili shtë dallimi midis optimistit dhe
pesimistit? Përherë kisha një përgjigje për këtë: otimisti nuk mban as rrip dhe
as krahosha në pantaollonat e tij. Pesimisti mban edhe rripin edhe krahoshat.
Unë, për çdo rast, mbaj rripin, i kam hequr krahoshat.
Kam folur
dhe kam shkruar për shtetin, për Shqipërinë dhe për Kosovën. Më kanë pyetur se
çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?
Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria
dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë:
në Shqipëri për ta mbajtur shtetin, në Kosovë për ta bërë shtetin. Kam
tërhequr vërejtjen: shteti nuk është mall që shitet në treg.
Po e mbyll
fjalën time me pyetjen: sa kohë më është dashur që ta përgatis këtë ligjëratë?
Shkurt:
tërë jetën!
Mbani
mend: të vdesësh i ndershëm është më shumë sesa të jetosh i ndershëm. Dhe po e
përsëris porosinë e parë: Në jetë bëni vetëm atë që duhet të bëni, mos bëni atë
që s’duhet të bëni!
(Nga
libri: Esat Stavileci: “Gjurmët e një jete”, fq.651-658). Zgjodhi për ju: Adil
Fetahu.