Kulturë
Bashkim Saliasi: Dy botë
E enjte, 03.12.2020, 06:57 PM
Dy botë
Shkruan
Bashkim Saliasi
Gjinia e
rrëfimit është sa e bukur aq dhe e vështirë për ta përshkruar. Të gjithëve na
shtyn ideja që mbi bazën e shënimeve të mbajtura për mbresat dhe kujtimet e një
udhëtimi, të tregojmë ato që kemi parë e dëgjuar në vendin që kemi shkelur.
Ideja e këtij
shkrimi më lindi nga leximi i librit të shkrimtarit dhe publicistit Viron Kona,
“Yje mbi Bosfor”. Libri i shkruar në gjininë e prozës, që në pamje të parë, në
paraqitjen e kopertinës, të krijon imazhin se, diçka e bukur fshihet brenda
tij. Faqja e parë të emocionon me parathënien e Josif Devoles, i cili, midis të
tjerash, shprehet se: “- Mund të themi se, Kona po hyn pa bujë dhe zhurmë në
bibliotekat tona. Libri “Yje mbi Bosfor”, e tërheq lexuesin me përdorimin e një
gjuhe të thjeshtë, me të cilën Kona krijon lidhjen shpirtërore të librit me
lexuesin. Dy botë! “Drithërima e Yjeve”, “Yje mbi Bosfor”, - dy tituj që flasin
për dy vende të ndryshme. Romani “Drithërima e Yjeve”, i shkruar me një
mjeshtëri të arrirë nga ana e autorit, këdo që ka provuar jetën e emigrantit e
bën që në faqet dhe kapitujt e tij të gjejë
vetveten.
Nga ana tjetër, libri “Yje mbi Bosfor”, rrëfen edukatën dhe kulturën që rrezatonin njerëzit që i bindeshin ligjit dhe u ishte bërë edukatë që të ruanin imazhin e mirë të vendit të tyre. Kona, natyrshëm, me një eksperiencë të pasur jete dhe punësh të vështira e të ndërlikuara, të bën të mendosh se, jo kushdo mund t`i tregojë aq bukur, sa na i përshkruan ai arritjet e asaj periudhe. Populli edhe atëherë dhe gjithmonë e do dhe e ka dashur artin, vlerat dhe aspiratat e këtij kombi janë respektuar edhe nga popujt fqinj. Po aq bukur tregon autori në romanin “Drithërima e Yjeve”, në të cilin personazhi kryesor, i vënë në vështirësi ekonomike, detyrohet të provojë jetën e vështirë të emigrantit në vendin fqinjë. Profesor Shkurtaj, në një shkrim të tij të botuar në “Telegraf” dhe të titulluar: “Bota shqiptare e Viron Konës, shprehet se, “...Kona, është mjeshtër i dialogut”. Unë do të shtoja se, ai arrin jo vetëm ta ndërtojë dialogun, por edhe të përdorë me një mjeshtëri të rrallë metaforën dhe sarkazmin, duke i gërshetuar ato edhe me një mori figurash të bukura letrare që të mbeten në mendje. Kjo veçori bie në sy dhe të bën të mendosh për njerëzit “hije”, që,në regjimin e kaluar e ndiqnin qytetarin shqiptar këmba-këmbës dhe, papritmas e pakujtuar, ai mund ta shihte veten diku larg familjes, të syrgjynosur e të burgosur. Veçoria e Vironit është se, ai kudo që shkon i dhuron lexuesit ndjenjat e tij, duke qenë kështu një misionar i vërtetë i vlerave dhe i pasurive shpirtërore të popullit tonë. Me penën e tij të mrekullueshme, ai i fal lexuesit mbresa dhe kujtime të përshkruara aq bukur, sa, kur merr të lexosh librin “Yje mbi Bosfor”, nuk të bëhet të zësh punë tjetër se, të duket sikur shkëputesh nga rrjedha e ngjarjeve dhe humbet ndjenjën emocionale që të falë vepra. Veçori e tij, është se, ai i ofron lexuesit njohje nga fusha të ndryshe të kulturës, të historisë, biologjisë, gjeografisë, arkeologjisë etj. Libri të mban në tension që në faqet e tij të para, sapo nis e fillon ta lexosh.
Në dialogun që ai ndërton, spikat kultura dhe edukata që zotëron. Sa domethënëse janë rreshtat e shkruar nga autori që, për shkak të imazhit të mirë që gëzonte populli ynë në botë, oficeri i kufirit turk, duke kërkuar t`ia marrë një valleje me valltarët e Ansamblit, “harron” detyrat dhe rregullat e hyrjes në kufi.
“- Luli!- i thirra daullexhiut të Ansamblit dhe, duke u kthyer nga Haxhi
Dalipi dhe Rexhep Çeliku, u thashë buzagaz: - Me ç’po duket, kemi për ta
filluar që këtu koncertin? Këtyre njerëzve të mirë dhe të dashur nuk po u
durohet t’ia nisin valles dhe këngës bashkë me ne. Themi se nuk duhet t’ua
prishim qejfin”.
Ndryshe ndodh në
romanin “Drithërima e Yjeve”, ku shqiptarët, të vënë përball skamjes dhe
humbjes së kursimeve të tyre në firmat piramidale, detyrohen të bëhen argatë,
shegertë, kalues të paligjshëm kufijsh, apo dhe akoma më keq, prostituta dhe
lypës në vendet fqinjë. Autori, me një penë të hollë, na sjell vuajtjet e tij
dhe plagët që u shkaktohen bashkatdhetarëve tanë në vendet fqinjë. Kona, i
njohur si një nga shkrimtarët më të mirë për fëmijë me serinë “Eh, mor
Bubulino!”, këto vitet e fundit po na sjell një seri botimesh në gjininë e
prozës e të tregimit, si “Dëgjoma zemrën, Budapest!”, “28 djem plus një vajzë”,
“Kontrolli i befasishëm i një inspektori” etj.
Me një gjuhë të thjeshtë dhe të pastër, ai tregon se si i porositnin që
të tregoheshin të kujdesshëm, por nuk lë mënjanë dhe përshkrimin e survejimit,
që dhe pse u besonin detyrën, përsëri kontrolloheshin nga njerëzit hije.
Të tregosh dhe
të shkruash, janë dy gjëra të ndryshme. Ka njerëz që i tregojnë shumë bukur
mbresat dhe kujtimet, por kur vjen puna për t’i përshkruar, nuk mund të
realizojnë as gjysmën e atyre që kanë treguar me gojë. Kona, një njohës i mirë
i dokeve dhe zakoneve, jo vetëm të vendit të vet, por dhe të vendeve fqinjë,
arrin të tregojë me një mënyrë të thjeshtë, që nuk të krijon lodhje, por
përkundrazi të lumturon dhe të ngjall shpresa për të ardhmen. Leximi i librit
“Yje mbi Bosfor”, të jep kënaqësi dhe të pajis me njohuri jo vetëm historike,
arkeologjike, por të njeh dhe me kulturat e përbashkëta që ekzistojnë midis
popujve të Ballkanit,që marrin dhe japin me njëri-tjetrin.. A nuk ju duket një
gjest human shprehja e njerzillëkut, dhurata që Vironi i bënë Hasanit dhe kënaqësia
që ndjen Hasani për mallin që kishte për Shqipërinë dhe shqiptarët.
- E di, se çfarë më ndodhi mbrëmë me paketën e cigareve që më dhurove, - më
tregoi të nesërmen në mëngjes Hasani.
- Jo, nga ta di, na e trego.
Dhe Hasani tregon për lutjen e fëmijëve që ai ta linte cigaren.
- Ky duhan, nuk të bën keq, - u
thashë, - sepse vjen prej Nënës
Shqipëri.
Në roman autori
shfaqet shfaqen njohës i mirë i kulturës dhe i artit turk, teksa shpalos bukur
lidhjet që ekzistojnë midis dy popujve. Libri shndërrohet, kështu, në një
“shkollëz” për lexuesin e vëmendshëm, i cili fragmentet dhe mesazhet e tij, i
pasuron me fantazi, duke marrë informacion të bollshëm cilësor e domethënës për
arritjet e popullit punëtor e liridashës turk, të arritura nga koha kur në Turqinë
moderne drejtonte Kemal Ataturku, i cili mundësoi që të arsimohet e gjithë
popullsia dhe, siç mësojmë nga libri,
sot në Turqi ka më shumë gra me titull “Profesor” sesa në Gjermani.
Njohja me Aladinin, një poet i ri por vizionar, përhapës i imazheve të mira për
Shqipërinë dhe shqiptarët, na tregon se, midis popullit turk dhe atij shqiptar
ekzistojnë lidhje të ngushta shpirtërore. Marrja mbi supe e përgjegjësive dhe
ngjarja e kalimit të një mbrëmjeje me bashkatdhetarët në familjet e bursianëve,
të cilën Viron “bej” e tregon me një penë shumë të hollë, duke mos harruar të
përdorë dhe sarkazmën për njeriun fantazmë( apo Syqelqin, siç e quan ai), i
cili e përgjon pareshtur e nuk u shqitej asnjë çast.
Në libër gjen
faqe me përshkrime dhe deduksione mjeshtërore, si në ato pjesë ku bëhet fjalë
për ecurinë dhe arritjet e Ansamblit, ashtu dhe në përshkrimet historike të
Perandorisë Bizantine me jetëgjatësi 1000-vjeçare dhe të Perandorisë Osmane,
veçanërisht momentin e rënies së të parës dhe triumfit të së dytës:
Vetëm pas tri ditësh Mehmeti (Fatihu), frenoi valën e shkatërrimeve. Qysh nga ajo datë e 29 majit
të vitit 1453, Kostandinopoja u quajt Stamboll dhe u shpall kryeqyteti i
Perandorisë Osmane...Të gjitha këto përfytyrime, më kalojnë si në paradë
përpara syve tek shoh në një nga kolonat e Shën Sofisë një gropëz në formën e
patkoit të kalit. Dëgjoj të thuhet se, ajo është gjurma e kalit të sulltan
Mehmetit kur hyri në Shën Sofi. Sot, ajo gjurmë konsiderohet e shenjtë. E,
megjithatë, edhe atëherë kur u ndërtua nga Justiniani, edhe sot, katedralja e
famshme ruan të paprekur emrin e saj të vajzërisë, Shën Sofi.
Të lexosh librin
do të thotë të hapësh një minierë ku rrezatojnë shkëlqimin e tyre grimcat e
diamantit, të cilat, kur i nxjerr në sipërfaqe, bashkohen dhe grumbullojnë
dritën në një prizëm, i cili rrezaton ngjyrat e ylberit dhe të krijon një
ndjesi çlodhëse.
-Kam lexuar se, në kohën e reformave, Mustafa Kemali, thoshte se, vajzat
dhe gratë duhet t`i arsimojmë, sepse, mësimi i fëmijëve bëhet në radhë të parë
nga nënat…
-Të falënderoj shumë për fjalët që the, Viron bej. Mustafa Kemali, ishte
njeri i madh.
Autori, di t’u
fitojë zemrën bashkëbiseduesve.
Të përshkruash
bukuritë e natyrës nuk është aq kollaj, por Vironi me stilin e tij të tregimit
dhe të dialogut, na sjell me një penë të artë bukuritë e Bursës, ku ai dhe
Ansambli ngjiten në malin Uludag me teleferik dhe, së bashku, shijojnë pamjet
mahnitëse të pyjeve me pisha, por nuk harron që të sjellë përpara lexuesit edhe
bukuritë e tokës shqiptare e, sidomos, Parkun e Llogorasë, perlës së vendit
tonë. Takimi me Valiun e Bursës, zëvendësvaliun, kryetarin e bashkisë dhe me
autoritete të tjera të qytetit, flasin për imazhin e mirë që gëzonte populli
ynë kudo në botë.
-“Ju duam si vëllezër dhe si motra
dhe, dëshirojmë që ta ndjeni veten si në shtëpinë tuaj, - tha ai dhe shtoi se,
i kishte bërë shumë përshtypje serioziteti dhe përgatitja e lartë artistike e
Ansamblit tonë.
Përshkrimi me
një gjuhë të thjeshtë dhe tërheqëse që i bën Vironi takimit me nënën turke, e
cila kishte humbur djalin dhe nusen me origjinë shqiptare, është mjeshtëria e
tij që rrallëkush mund ta përshkruajë aq bukur, të cilën e krahason me nënën e
tij dhe shprehet se në të gjithë botën “nënat janë njëlloj”.
- Ime mbesë, ka gjakun tuaj. Nëna e saj ishte shqiptare.
- Ishte?! Po tani, nuk …? ……
Dhe, më tej:
- Pse, shqiptaret janë shumë të bukura?
- Po, shumë të bukura. Janë si turkeshat. Ngjasin me hënën dhe yjet.
Të përshkruash
njerëzit dhe zakonet e vendeve fqinjë, duhet të jesh një njohës shumë i mirë i
zakoneve të vendit tënd, cilësi, të cilën Viron Kona e ka akumuluar në vite
dhe, kur flet për to, zhytet i gjithë si në një minierë ari dhe, nuk të lë të
dalësh prej andej.
- Për pak desh harruam më kryesoren, - tha befas nëna turke dhe, dhe duke
më parë drejt e në sy, shfaqi dëshirën që, së bashku me mbesën, t’i qeraste të
gjithë valltarët dhe këngëtarët tanë me fruta nga kopshti i saj. Ndërkaq, ajo
hapi shportën dhe, duke shkuar te gjithsecili, u jepte sipas dëshirës, kujt një
kokërr ftua e kujt një kokërr shegë, teksa e mbesa u dhuronte nga një degë
borziloku dhe karafila të kuq, të bardhë, blu, të verdhë….
Mjeshtëria e
Vironit arrin deri atje që, me mjaft art, se si paraja e nxit njeriun
shpirtvogël që të bëjë “të pa mundurën” që të kënaqë të tjerët.
- Bjeri Reni, se nuk të ka vënë njeri jataganin te koka, - i thirri Haxhiu,
por klarinetisti vijonte në të vetën. Befas, njëri prej miqve, një burrë i
shëndoshë, mustaqelli dhe qejfli, iu afrua Renit dhe, “frap” i ngjiti mbi ballë
një kartëmonedhë njëmijëlirëshe. Klarineta sikur u gjallërua disi. Vallja
vazhdonte. Një ushtarak i lartë, i veshur me uniformën e gjeneralit, i vajti
Renit dhe i ngjiti edhe ai në ballë një mijëshe tjetër. Klarineta u gjallërua
akoma më shumë..
Zotësia e
Vironit është se, me një stil të një shkrimtari që zotëron mjeshtëri në
tregimin e veseve të njerëzve të paskrupullt, që mendja u punonte veç për keq
dhe nuk shikonin arritjet dhe sukseset e Ansamblit. Ligësia e Syqelqit, arrin
deri atje sa të harrojë dhe të ndërhyjë në kompetencat e njeriut, të cilit i
ishte caktuar detyra e përfaqësimit të vendit në një aktivitet ndërkombëtar.
Syqelqi m`u
afrua dhe më tha:
- Ju e patë se, Reni mblodhi një shumë të madhe parash... Besoj se, ju, do
merrni masat e duhura që Reni t’i kthejë paratë që mblodhi.
- E ç’e bënë kaq të madhe! - i
thashë në intimitet, - Ato para, do t’i duhen Renit për të mjekuar buzët që iu
bënë keq gjatë rënies së klarinetës…
Apo:
- Ç’borgjez more, ç’po më thua! Reni është vetëm një qytetar …i varfër! -
gati sa nuk shpërtheva, duke e parë me një vështrim nervoz Syqelqin, nofkë që
ia ngjiti një nga pjesëtarët e Ansamblit.
Mesazhet për të
luftuar vesin, si një plagë që shoqëria e urren në heshtje dhe në rrethe të
ngushta, ku shprehin mllefin në formën e anekdotave apo dhe të tregimeve,
brenda të cilave fshihet ironia dhe sarkazma, Vironi i stilizon bukur dhe të
jep kënaqësi kur e lexon. Më ka mbetur në mendje anekdota e stilizuar me aq
mjeshtëri nga autori, gjatë shëtitjes me anije në detin Marmara.
Autori tregon: “Një
djalë, si nja 13 vjeç, na afronte një kanistër me copa të vogla buke dhe ne
nisëm t`ua hidhnim pulëbardhave që t’i kapnin në ajër…Ishte një lojë mjaft
argëtuese dhe e këndshme, që shkaktonte te të gjithë kënaqësi, gaz dhe të qeshura.
Por, befas, Syqelqi hodhi më fort nga ç’ duhej një kore buke, e cila, për fat
të keq, goditi në kokë një pulëbardhë të vogël. Nga goditja, pulëbardha humbi
ekuilibrin dhe nisi të binte në ujë…..Por, në çastin që do prekte sipërfaqen
dhe do të zhytej, tufa e pulëbardhave të rritura arritën ta kapin dhe, si e rrëmbyen me
kthetrat dhe sqepat e tyre, e ngritën
lart në ajër… Skena me pulëbardhat më mbeti në mendje, derisa më rrëmbeu
bukuria e një plazhi që u shfaq befas, disa qindra metra përpara anijes…..
Përshkrimi që i
bën Vironi figurës së Gjergjit, njërit prej kërcimtarëve të talentuar të
ansambili, tregon se dhe në atë kohë
kishte njerëz që guxonin të shprehnin ndjenjat e tyre, duke marrë në sy
rrezikun.
Faqet e librit i
përshkon fryma e humanizmit, e dashurisë njerëzore, jo vetëm mes njerëzve të
një gjaku, por edhe mes mikpritësve turq e më gjerë. Dhe, kur gjen rast, fare
natyrshëm, autori ngrihet mbi paragjykimet dhe mentalitetet e kohës që e
ashpërsojnë marrëdhënien gjithë njerëzore. Ai vë në dukje dhe afirmon mendime
të bukura dhe me vlera të thella humane që të bëjnë të mendosh dhe t’i shohësh
botën, njerëzit dhe jetën nga këndvështrime origjinale dhe interesante:
“ Më dukej vetja sikur isha në një ëndërr të dëshiruar prej kohësh dhe, në
ato çaste, mendja dhe zemra ime pushtohej nga dëshira për të vrapuar pas asaj
ëndrre të bukur, të magjishme, që, mbi të gjitha mëkonte dhe ushqente shpirtrat
njerëzorë me më shumë dashuri për jetën, për paqen, bashkimin dhe vëllazërimin
e të gjithë popujve të...rruzullit tokësor. Një ëndërr? Mbase, por gjithsesi,
një ëndërr e bukur dhe e magjishme”!
Jo pak
domethënës është gjesti i djaloshit turk që gjen valixhen brenda të cilës
gjendeshin dollarë dhe pasaporta të pjesëtarëve të Ansamblit.
-Gentiani ka harruar valixhen atje ku bëri fotografitë, përpara
konsullatës…E kisha dhuratë nga një konkurs Kombëtar i Letërsisë, ku kisha
fituar çmimin e dytë me një tregim. Qenkej e shkruar që ajo valixhe të humbiste
në Stamboll…. Hë, më bëhej sikur më thoshte ai, - ty të përfshiu mendjemadhësia
dhe euforia e disa sukseseve të Ansamblit dhe ia vare fare punës dhe detyrës që
të ishte ngarkuar. Epo, nuk thonë kotë se, “Macja e ngopur, nuk gjuan minj.”
Dhe, në
përfundim:
S’po u besoja syve dhe veshëve. Valixhja ishte gjetur…
- Jemi me fat. Sot është ditë Bajrami, sendet e gjetura dorëzohen.
Libri është i
mbushur me plot episode që të tërheqin si me magnet, ku spikat një gjuhë e
pastër dhe fjalor plot kolor, ku gjen zbatim gjuha jonë e bukur e shkruar me
mjeshtëri nga Kona. Si lexues i rregullt i letërsisë për fëmijë, të rinj dhe të
rritur, mendoj se librat e Viron Konës, do ishin një thesar për t`u përdorur në
leximet jashtë klase në shkollat tona, jo vetën në ciklin 9-vjeçar, por dhe në
atë të mesëm, sepse ai ruan të pastër
gjuhën tonë, të cilën nuk e ngarkon me huazime dhe mbështetet plotësisht në
tabanin kombëtar.