E enjte, 16.07.2020, 06:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Anjeza

E hene, 01.06.2020, 10:15 PM


ANJEZA

TREGIM NGA QAZIM  D. SHEHU

Ata për pak nisen.Fatmiri thoshte se ishte e sigurt se vjedhësi i ishte atje dhe se quhej Kasem.Kishte marrë informata se ndodhej në një hotel të Strugës;një tjetër në sediljen e pasme rrinte i heshtur.

-Po ky ç`është? Na e prezanto!

-Vjen me mua deri në Librazhd,-tha Fatmiri.

Avniu nxori një kartmonedhë dhe ia zgjati tjetrit.

-Merre ti djalë, dhe shko gjej taksi!…Ne vonohemi edhe ca.

Fatmiri ia bëri me kokë dhe tjetri zbriti.

-Ishte një miku im,-i tha Avniut më vonë.

-Ti e kupton se askush nuk duhet t`i dëgjojë bisedat tona,-tha Avniu.

-Deri në Librazhd do të vinte…

Ata kaluan Elbasanin dhe po hynin në Xibrakë e Mirakë;lugina e Shkumbinit hapej dhe mbyllej sipas relievit.

-Sa kohë kam që nuk kam qenë këtej,-psherëtiu Avniu…

-Edhe unë kam kohë,-tha Fatmiri.

-Vend fantastik

-Po…

-Ku do ta hamë mëngjesin?

-Te lokal” Gjahtari”…

-Është ndonjëfarë lokali, paguaj unë…

-Lokal i mirë…

-Gjynah gjithë kjo natyrë,-psherëtiu Avniu…

Lumi Shkumbin tulatej rrëzë maleve të lartë dhe u lagte këmbët .Kudo jeshilonte, fshatrat dukeshin të përhumbur, sikur, në to, nuk kishte asnjë lëvizje,asnjë gjallëri jete…Gjithçka i nënshtrohej një dremitje të lehtë, të këndshme dhe mjaft ndjellëse.Avniu e kishte harruar jetën.I mbyllur në dyqanin e tij,ai kishte menduar se e vetmja që i jepte kuptim jetës ishte ai dyqan dhe ato mallra,disa prej tyre të vjedhur tashmë.Por kjo natyrë ishte flori mbi florinjtë…Duhej ta falenderonte Fatmirin që e kishte shkëputur nga ajo rutinë ditësh plot ankth.Ja tek dukeshin atje lart një tufë zogjsh që fluturonin në qiell, duke bërë forma të ndryshme sipas fluturimit;dhe më tutje, një kreshtë mali ,sikur e ndërpriste qiellin,po, pas një kthese, vendi hapej dhe dukej një mal tjetër jo aq i lartë,që e shikonte me zili malin anash .Dhe qielli shfaqej madhështor, i njomur me rrezet e buta të diellit pranveror;një kënaqësi e vërtetë…

Befas makina frenoi,dhe Avniu sikur doli nga ajo kllapi e lehtë ëndërruese , në të cilën e kishte mbërthyer magjia e natyrës.Avniu u shkund.Ai kishte harruar se ku ishte ,aq shumë ishte përthithur nga natyra.

-Je zhytur në të thella,-tha Fatmiri…

-Eh,e vërtetë,më impresionoi natyra,-psherëtiu Avniu..

Ata u futën për të ngrënë mëngjes..Lokali rrinte ngjitur me rrugën dhe poshtë tij rridhte Shkumbini…

-Këtu qenka bukur,-tha Avniu.

-Jo vetëm,por edhe gatuhet mirë,-foli Fatmiri.

Pasi hëngrën një mëngjes të shijshëm me ushqim –bio, ata u nisën.Duhej të arrinin sa më shpejt në Qafë Thanë e, prej andej, në Strugë,ta kapnin atë maskara e ta denonconin tek autoritetet maqedonase.

-Unë them të mos e denoncojmë, por i fus unë një thikë!-tha Fatmiri…

Avniu e pa me habi.Sa shkurt që priste!

-Nëse ti i fut një thikë, ne nuk fitojmë gjë,-tha ai,-por duhet të tregojë edhe shokët e vet,ai mallrat nuk i ka vjedhë vetëm,kjo merret me mend, dhe nuk është vështirë ta kuptosh…

-Ti Avni je i zgjuar,-tha Fatmiri,-unë nxitohem nganjëherë…

-Jo aq,-tha Avniu,-por këto që thashë janë gjëra të thjeshta dhe kuptohen lehtë…

Ata kapërcyen Hotolishtin,Xhyrën.Po arrinin në Qukës.Ngado hovte një gjelbërim i paparë,poshtë të cilit, herë humbte, herë shfaqej lumi Shkumbin.Në Qukës, ndaluan,s`dihet pse,ndoshta se Fatmirit i ishin mbaruar cigaret…

-Kur më arrestuan atëherë,fillimisht më nisën për në burgun e Korçës,-tha Avniu ;-ishte natë, dhe unë e dija se po udhëtoja në këtë rrugë,por isha mbyllur në karrocerinë-burg;rruga nuk ishte kjo që është sot,makina kërciste rrag-zhdrag…Ne na hidhej koka në tavanin e karros –burg…

Fatmiri nuk foli,ai nuk deshi që ta shtonte më tej ethen e kësaj plage të vjetër me pyetjet e tij.Kuriozitetet rëndom janë të dëmshme dhe nuk sjellin gjë prej gjëje, veçse rëndojnë situatën,ndërsa nganjëherë ato janë lehtësuese.

-E arritëm Prrenjësin?-pyeti Avniu…

-Afër jemi…

Pas një kthese, u dha Prrenjësi që kalohej për dy minuta me makinë…Tutje shtrihej fushë e Domosdovës ,jo shumë e madhe, po gjithësesi të jepte idenë e një fushe ;në perëndim të saj, dukeshin kodrat e Rrashtanit ,që Avniu i njihte mirë,atje kishte një mik,shok burgu.

Kthesave të Qafë Thanës,iu ngjitën me lehtësi dhe, pas pak, u gjendën në doganë;e kaluan atë dhe, kur po i afroheshin Strugës, Avniu pyeti:

-E di mirë vendndodhjen e atij maskarai?

-I kam informatat të sakta,-tha Fatmiri.

U regjistruan në hotel “Drin”,secili në dhoma veç e veç.Kjo ishte ide e Avniut,për ta kontrolluar më mirë hotelin,madje jo të dy në të njëjtin kat.Pasi pushuan nja një orë ,dolën dhe bënë një xhiro përgjatë lumit Drin që buronte nga liqeni.Fatmiri ecte ngadalë dhe vështronte nga të gjithë anët,ndërsa Avniu shikonte drejt.Njerëzit shkonin e vinin në punë të tyre,ishin të heshtur dhe dita po afrohej nga dreka.

-Si mund të pyesim për atë maskaranë?–tha Avniu..

-E di të saktë se ka bujtur në hotel Drin,-tha Fatmiri,-të dhënat e mia nuk gabojnë…

-Kë duhet të pyesim?

-Recepsionistin…

-E pyes unë,-tha Fatmiri..

-Jo, ti nxitohesh, unë…

-Mirë,-tha Fatmiri.

U kthyen në hotel .Fatmiri u ngjit lart,ndërsa Avniu iu afrua recepsionistit.

-Mirëdita,tha…

-Mirëdita,-ia ktheu ai, një burrë me moshë mesatare.

-Jam Avniu…

-E di, ju jeni në dhomën nr…Mungon ndonjë gjë në dhomë?

-Jo,por desha të pyes për një mikun tim, që është akomoduar në këtë hotel, një farë Kasem V…

-Zotëri,ne nuk mund të japim të dhëna…Rregulli nuk na i lejon informatat!

-Më besoni,-tha Avniu ,-këtu nuk ka agjë të keqe,ai është miku im(ai u përcoll) dhe …

-Më vjen keq,sot ka mënyra të ndryshme komunikimi,telefon,fb,uatsap,mesenxher…Ju mund ta merrni atë në telefon,nëse e keni mik…

Avniu nxori një monedhë qindëshe dhe ia zgjati.

-Më vjen keq,-tha-nuk di ta përdor mirë elektronikën…

Recepsionisti vështroi një herë përqark dhe vuri re se kamerat ishin të fikura.Pse mos ia jepte atë të dhënë nëse ky person ishte regjistruar aty?Ai hapi regjistrin dhe filloi të lexonte në heshtje:Kasem V,Kosta Vukiç,jo,ishte shqiptar,Kastriot, jo,kinezë,ah,qenka emër i mbiemërzuar,Kostandin Nikiliç,jo, serb,ah po Kasem V.

-e gjeta,tha recepsionisti dhe sytë i ndritën.Po, Kasem V. ,banues në Rrogozhinë-Albania,tregtar sapuni…dhe marmalate…Ka dy ditë që ka fjetur në hotelin tonë dhe ka ikur,më duket drejt Shkupit ose në Bullgari,nuk e di mirë…

-Falemnderit,-tha Eduardi…

Eduardi ishte bërë pikë e vrer,ai e merrte me mend se ai tjetri,vjedhësi i mundshëm , duhej të ishte një njeri i sprovuar,mos këtë informacion e kishte përhapur vetë, duke llogaritur intinerarin e lëvizjeve të tij sipas kësaj kohe?Pastaj ai ishte tregtar sapuni,tregtar marmalate ose kështu duhej të ishte regjistruar,kjo nuk përbënte identitet, por thjesht profesion.Avniut i shkonte ndërmend se çfarë donte një tregtar të kryente një vjedhje ordinere?Kjo i sillte një farë dyshimi.Po sikur ai të krijonte një gënjeshtër të sajuar për profesionin e tij dhe të ishte thjesht një kriminel apo hajdut ordiner?…Duhej ta bisedonte një herë me Fatmirin.U ulën diku në një lokal për të ngrënë drekë…Ishte një lokal i thjeshtë,por i frekuentuar.Avniu i e shtroi tavolinën plot dhe atij iu afruan me mirësjellje dy kamarierë,njëri për të ndërruar sendet në tavolinë dhe tjetri për të marrë porosinë…

Pak më tutje, dy gra rrinin, dhe, njëra,me një pamje të bukur, shikonte drejt Avniut…Ajo bënte kujdes që ai ta shihte, kur Fatmiri shikonte nga liqeni që valëzonte dhe shushurinte lehtë…

Avniu ia tha të gjitha Fatmirit,dhe ai po e dëgjonte me vëmendje,tundte kokën dhe miratonte.Kasem V.nuk ishte tregtar,por thjesht një hajdut ordiner që lëvizte nëpër shtetet përreth dhe fshihte identitetin ose profesionin e tij,në Strugë, me që vinte për herë të parë,ai nuk kishte pasë nevojë ta fshihte emrin…Duhej gjurmuar në Shkup…

-Sot pasdite nisemi për atje,-tha Fatmiri…

-Unë nuk mund të vij,shko ti,-i tha AvniuJam i lodhur dhe kam nevojë të pushoj.

Ai ktheu kokën dhe vuri re se gruaja po i buzëqeshte,gruaja tjetër rrinte me një profil indiferent dhe shikonte shelgjet e varura.I bëri përshtypje ajo grua,nuk ishte e keqe,si llokum ishte…Ngriti gotën me verë dhe i bëri shenjë në heshtje duke e përshëndetur ,dhe ajo ngriti gotën me ujë,shenjë varfërie…

Kamarieri erdhi, sikur ai ta kishte porositur…

-Kamarier,ço një shishe verë te dy zonjat dhe një racion peshk nga ana ime!

Kamarieri u largua me shpejtësi, gjithë respekt, para këtij klienti të pasur…

-Kur mund të kthehesh nga Shkupi?-pyeti Avniu.

-Them që dy ditë më duhen të rri atje,në mos tri…

-E rëndësishme është të biem në gjurmë të atij maskarai dhe ta denoncojmë tek autoritetet…

-Ashtu them edhe unë,-tha Fatmiri…

-U mykëm në Tiranë,-tha Avniu,që kur më humbën ato mallra, nuk bëj pushime,dhe jam i pushtuar nga një stres që përzihet me një inat çmenduarak.

-Ke të drejtë,humbim diçka të thjeshtë dhe na dhëmb,jo gjithë atë mall ,hajt gëzuar!..

-Gëzuar,-tha Avniu,-sa ditë e bukur,por që, nuk mund ta ndiesh kur je kaq i stresuar!…

Fatmiri u ngrit dhe tha se duhej të nisej për në Shkup,koha nuk priste.Avniu i dha një sasi parash.

-Merri këto,-i tha-të duhen!...

-Kam,-foli Fatmiri,-më ke dhënë.

-Merri merri!...

Gruaja që shihte gjithnjë andej ,vuri re paratë ,dhe i xixëllun sytë,ndërsa Avniu nuk e kishte mendjen.Ai ishte vetëm;shoqja e asaj gruas u ngrit dhe iku.Mbeti vetëm ajo.Avniu i bëri shenjë të vinte aty dhe ajo erdhi…

-Anjeza,-tha ajo, duke i zgjatur dorën.Ai lëvizi nga vendi.

-Uluni zonjë,-tha ai.

-Ku të kam parë unë ty?-foli ajo…

-Asgjëkundi,-tha Avniu,-ku të më kesh parë?

-Jo jo,të kam parë, qenkeni burrë simpatik…

Atij u iu duk se një valë liqeni u shkëput nga rrjedha e saj e zakonshme dhe ia përplasi pahun e vet në fytyrë…Jo,ajo grua ishte shumë e guximshme,por teksa ky emër i kujtoi lypësen me emrin Anjeza, nuk i erdhi mirë…Megjithatë ,ç`rëndësi kishte emri…

-Një si ju po kërkoj,- tha ajo,-ka kohë që më ka ikur burri në Maqedoni dhe nuk është kthyer tash tre muaj,as është kujtuar,as…

Duhej të ishte ndonjëra nga ato gratë e fshatrave kufitare, ose…Por ajo tha se ishte nga Korça…

-Për Korçën kam dobësi, kam qenë në…Deshi t`i thoshte se kishte qenë në burg,por kjo fjalë iu duk e vrazhdë dhe ajo do ta merrte për ordiner…

-Dua të them, se a mund të më ndihmoni të gjej burrin tim,kam pyetur në këtë qytet ,po njerëzit ngrënë supet dhe më marrin për të lajthitur…

Avniu qeshi.

-Zonjë, ju po të rrini edhe ca kohë në këtë qytet, me siguri do ta gjeni burrin tuaj, po gjer atëherë…

-Gjer atëherë më duhen para…

Ai nuk po kuptonte nëse kjo grua bënte lojë apo fliste seriozisht.Por edhe loja e saj kishte elementë serioziteti;po i pëlqente,ishte një grua e këndshme dhe kishte dalë në kërkim të burrit të humbur ,ose burri donte ta humbte atë, duke mos i dhënë asnjë shenjë ,ose nuk kishte asgjë të vërtetë nga këto pandehma…Gruaja kishte pirë pak verë.Ajo nuk kërkoi të dinte për të.Ai i hodhi verë nga shishja e tij.

-Pi,-i tha,-nëse të pihet natyrisht.

-Edhe pak,-murmuriti ajo.

Tavolina ishte ende e shtruar me plot të mira,ishte çasti të ngrihej ,po nuk duhej ta linte atë grua aty,ajo edhe mund të rrinte gjatë,por i ngjante se njerëzit që i kishin pikasur, dhe nuk ishin pak ,me siguri e njihnin gruan dhe do të mendonin keq për Avniun.

-Ti duhet të ikësh,-i tha Avniu…

-Ku të shkoj,s`kam ku iki…Hoteli ku kam fjetur do para,ose po vij në dhomën tënde…

-Mirë, hajde në dhomën time! Dhe ai i tha numrin e dhomës,por, në këtë çast, duhej të ikte…

-Ti duhet të më kuptosh,-sikur iu lut Avniu.

Gruaja u çua dhe iku pa i dhënë dorën,por nuk po i thoshte lamtumirë…

Avniu ndenji edhe ca, ndezi një puro dhe u çua.Kishte dëshirë të bënte një shëtitje buzë liqenit i cili ishte mizë me njerëz;ashtu me puro, herë midis gishtave e herë në buzë, ai shëtiste me hapin e rënduar nga ndënja gjatë në karrige dhe shihte pasqyrën e ujit që vezullonte në diellin e mbasdites me një shndritje të largët…Mendimet iu përzien e iu bënë lëmsh…Ajo grua po ia zgjonte furishëm instiktet e mashkullit,fundja, pse të kalonte disa çaste me të, nuk ishte ndonjë hata,do t`i jepte diçka dhe do ta përzinte…Në mbrëmje, ai po lexonte diçka dhe ndieu një të trokitur në derë,u ngrit dhe e hapi.Ishte ajo,Anjeza…

-Ejani, ejani!-tha Avniu.

Anjeza erdh dhe u ul në cep të krevatit të tij…

-Më parë bëj një dush,-tha ai,-duhet…

Ajo nuk kundërshtoi,për të hequr lodhjen e pranoi këtë, dhe u zhvesh në sy të tij…Ai shihte një trup të hirshëm,tipare dhe forma që rrezëllinin mugullueshëm edhe nga drita e dhomës,se Avniu nuk i kishte ndezur të gjitha llambat, vetëm atë të etazherit.Çfarë duhej të ishte kjo grua,një sirenë liqeni?Sikur kishte dalë enkas nga liqeni i Ohrit për ta ndezur atë. U përmallua,ai dëgjonte pllaquritjet e ujit në tualet dhe përfytyronte sesi lahej sirena në ujërat e liqenit…Edhe nëse liqeni nuk kishte sirena, ai duhej të kishte…U ngrit dhe i sistemoi rrobat e saj…Gruaja erdh, u fshi me peshqir dhe nuk u vesh, ajo ishte gati dhe Avniu nuk përtoi.Mbas dy orësh ,ajo tha se nuk kishte ku të flinte, por do të flinte aty.

-Jo,- tha ai -,shko dhe zër hotel!

Ai i zgjati monedhat…

-Pse mos flëmë bashkë, vetëm për kaq më deshe?

-Ju nuk më njihni mua,-tha Avniu,-unë jam njeri i rrangut të lartë,ju duhet ta kuptoni këtë…

-Po,-tha ajo,-po iki…

Kur ajo shkoi ,Avniu mendoi se bëri gabim,por befas u bë esëll,ai kishte para dhe ajo,në gjumë, mund t`ia merrte duke e lënë çipllak…Mirë kishte bërë.Hapi dritaren dhe pa se mbi syprinën e liqenit binin rrezet e hënës që ndriçonin më shumë nga gadishulli i Linit…Hëna ishte në lindje,një hënë e plotë me rrezet melaknkolike që hidheshin përtueshëm mbi këto ujëra të palëvizshme dhe ujërat mundoheshin ta çonin gjer në thellësi këtë ngjyrë bakri të ftohtë dhe s`e çonin dot..Mbasi u u dizefektua me alkool që e mbante me vete,mbylli derën dhe mori sërish një libër dhe u shtri…;menjëherë e zuri gjumi…

Të nesërmen, Avniu doli në lokal dhe hëngri mëngjes shpejt e shpejt,kamarierët i ndenjën pipëz ,ai u la bakshishin më tepër se ata ç`e mendonin dhe doli të bënte një xhiro përgjatë ecjes së Drinit.Liqeni dukej sikur e kishte zhveshur lëkurën e tij dhe kishte marrë një ngjyrë të zbërdhulët…Ishte i gëzuar se ajo gruaja nuk ishte aty;do ta kishte bezdisur,por ajo erdhi sërish në darkë…Tha se kishte shëtitur shumë atë ditë, kishte qenë gjer në Kërçovë, në gjurmë të burrit të saj.Sërish ato gjurmë ishin zhdukur dhe ishin afruar gjer në një fshat të Strugës,por ai ishte një fshat maqedonas dhe ajo nuk e dinte atë gjuhë…Po atij nuk kishte pse i duheshin këto informacione që e dinte mirë se ishin të gjitha të sajuara,nëse ajo kërkonte burrin ,përse duhej të shkonte me një burrë tjetër?Edhe atë mbrëmje, ai u kënaq me të,kreu të njëjtat veprime,bëri të njëjtat porosi.Dhe ditën tjetër po kështu, por Fatmiri e mori në telefon:Ai duhej të kthehej,se Kasem V.,me ç`kishte dëgjuar, ia kishte mbathur për në Gjermani…

-Jo,-tha Avniu,-mos u kthe,ai duhet të jetë në Kosovë…;ky informacion nuk është gjë tjetër, veçse një lajm i rremë…

-Si të thuash ti,-tha Fatmiri,-atëherë unë po nisem për në Kosovë…

-Patjetër, bridh në të gjitha qytetet e saj dhe , pas një jave ,ose eja në Strugë, ose takohemi në Tiranë…

-Si urdhëron shef!

Ditën tjetër gruaja erdhi përsëri,por ,më pas ,ditën e pestë a të gjashtë,ai nuk i mbante mend,ajo nuk erdh më.Siç dukej,e kishte gjetur burrin e saj,ku ta dish?...Ajo nuk erdh as ditën tjetër, kur e priti ,as…Çfarë djalli ishte ajo grua…Dhe ai po mërzitej.Sa gabim bëri që i tha Fatmirit që të shkonte në Kosovë…Kush do ta çonte në Tiranë?Ndërmendi se mund të merrte taksi…

Erdhi në shtëpi si paq qejf.Por ndërsa duhej të dilte sërish jashtë, për të parë,vuri re lypësen e tetë ose nëntë ditëve më parë.Ajo po vinte drejt tij…Iu fanit gruaja e Strugës,sa ngjanin!!...”Vajta për vetulla,por nxora sytë”,mendoi..



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora