Kulturë
Ndue Lazri: Kulla e Dedë Vorfit
E diele, 31.05.2020, 07:14 PM
KULLA E DEDË VORFIT
Shkas nga humbja e një bashkëfshatari të mirë
-Përshkrim-
NGA NDUE LAZRI
Kanë kaluar mbi 60 vjet, por akoma e mbaj në
mendje portretin e atij burri të urtë.Dedë Vorfi ishte një burrë me shtat
mesatar, vishej gjithnjë me veshje kombëtare, xhamadanin e bardhë qëndisur me
gajtana të zez e kësulën e bardhë rrafshatake mbi kohë.Mbante një shkop druri
me dorezën prej fildishi.Në fytyrë binte në sy një nishan i dukshëm.Meqenëse
livadhet i kishim afër e afër, ai vinte tek livadhi që kishin pronë të familjes
në mes të të cilit ishte një lis i madh që lëshonte një hije të bollshme.Ulej
aty, mbështeste shkopin tek trungu i lisit, nxirrte kutinë metalike dhe bënte
një duhan.Ishte i pakët në fjalë, por me ne fëmijët shumë i dashur. Shkonin
shumë mirë me gjyshërit e mi dhe shpesh uleshin bashkërisht nën hijen e atij
lisi e pinin duhan, herë – herë edhe ndonjë gotë raki, që e sillte gjyshja ime,
meqenëse shtëpinë e kishim aty pranë livadhit, kurse shtëpia e tyre ishte më larg,
në kodër, në atë kodër që të gjithë e quanim me emrin Suka e Brozajve, meqenëse
aty jetonin familjet me mbiemrin Brozi.
Edhe sot habitem se si ishin përzierë pronat
ashtu.Livadhi i madh ishte i ndarë midis 4 familjeve, madje një pjesë e tij i
përkiste kishës. E megjithatë midis pjesëve të familjeve të ndryshme nuk kishte
një kufi të prerë,sepse të gjithë e respektonim pronën e njëri-tjetrit. Madje
kur kositeshin livadhet, burrat e familjeve bashkoheshin dhe i kositnin
bashkërisht, një ditë tek njëri e një ditë tek tjetri e nuk ndodhte të kishte
grindje për një kosë barë më pak apo më shumë.Edhe zabeli i Dedë Vorfit ishte
ngjitur me shtëpinë tonë e hijet e lisave mëngjeseve binin deri në oborrin
tonë.Por nuk ndodhte ndonjëherë që të prisnim ndonjë lis për dru kur bënte
dimër, meqenëse zabeli i shtëpisë sonë ishte më larg. Edhe pse Dedë Vorfi i
kishte thënë gjyshit: Kur bën akull, mos shkoni deri tek zabeli juaj se rruga
është e rrezikshme. Ja ku i keni drutë. Nuk bëhet nami për dy lisa.
I përmenda këto dy detaje të vogla për të
treguar atë mirëkuptim e harmoni që ekzistonte në fshat, jo vetëm midis dy
familjeve në fjalë, por me gjithë lagjen e qendrës të fshatit Gëziq në Mirditë.
Në dasma e ceremoni mortore nuk kishte kurrë nevojë për ftesa apo të çonin fjalë,
por merrnin pjesë të gjithë banorët, që nga pleqtë e deri tek fëmijët e vegjël.
Rruga për në shkollë na binte përmes shtëpive të fshatit. Shpesh herë nënat e
familjeve të ndryshme na ndalnin në rrugë kur ktheheshim nga shkolla e na
zgjasnin një copë bukë se e dinin që ishim të uritur, ndonjë mollë apo ftua e
çfarë t'u gjendej. Ishim të gjithë si një familje e madhe.
Por le të kthehemi sërish tek ai plak i
mençur me emrin Dedë Vorfi.Në Sukën e Brozajve kulla dykatëshe e Dedë Vorfit
ishte e para. E mbajmë mend edhe ngritjen e asaj kulle. U ngritën pak a shumë
në një kohë kulla e Brozajve, kulla e Dedë Vorfit dhe kulla jonë në faqe të
sukës përballë, që quhet sot e kësaj dite Suka e Gështenjës. Ishin vitet
'60-'61 të shekullit të kaluar.
Duhet të kem qenë tepër i vogël, mbase 3-4
vjeç, kur nëna na çonte tek shtëpia e Dedë Vorfit në rastet kur kishim ndonjë
problem shëndetësor. Aty ishte një plakë, që neve na dukej si e dalë nga
përrallat, Prena e Vorf Gjokës. Ndoshta na dukej ashtu nga që ajo kishte aftësi
të shëronte njerëzit me barna popullore. Por mua më ngulitej më shumë kjo ide
kur e shikoja të punonte në disa makineri të drunjta me vegjë e me tllarë, ku
ajo thurte pëlhura apo punonte shajakë. Më dukeshin aq të koklavitura ato punë
sa ajo më dukej si magjistare, ndonëse herë-herë punë të tilla i bënte edhe
gjyshja ime.
Dedë Vorfi iku shpejt nga jeta. Erdhën vitet
e kolektivizimit, kooperativa u krijua me një dramacitet të paparë, me një
ngjarje tragjike që nuk na është shuar asnjëherë nga kujtesa. Pasi e detyruan
të futej në kooperativë, bashkëfshatari ynë Gjin Vorfi (babai i këngëtarit të
famshëm të ansamblit “Mirdita”, Fran Vorfi), gjatë natës u vetëvar në lisin që
kishte në oborr të shtëpisë.Më duket sikur e shikoj edhe tani trupin e tij që e
tundte era në oborr, pasi autoritetet e lanë të varur deri vonë, duke tmerruar
njerëzit që e shikonin, sidomos ne fëmijëve.
Dedë Vorfi kishte tre djem, Gjinin, Nduen e
Frrokun, si dhe dy vajza, Martinen e Rutën. Frroku, më i vogli ndër djemtë dhe
dy vajzat ishin moshatarë me motrat e mia, që ishin më të mëdha se unë.
Gjini iku shpejt nga fshati dhe u vendos në
Rrëshen me familjen e tij.Ai ishte teknik pyjesh. Shumë i aftë në profesion,
bridhte pyjeve të Mirditës me uniformën e blertë të teknikut të pyjeve, kujdesej
për ruajtjen e mirëmbajtjen e tyre, na jepte shpesh punë edhe ne fëmijëve gjatë
periudhës së pushimeve verore për pastrimin e pyjeve, aq sa kishim krijuar një
park të vërtetë që pëfshinte zonën e Gëziqit, Ndërfanës e Ndërfushës. Ishte një
burrë shumë popullor, me një ngjashmëri të çuditshme fizike me Stalinin,
sidomos nga mustaqet dhe të gjithë e quanin Stalini i Gëziqit.Por ai ishte
tepër i dashur e babaxhan e si natyrë nuk kishte asgjë të përbashkët me
diktatorin sovjetik. Më kujtohet që kur studioja për gazetari,pata shkruar për
të në gazetën “Bashkimi” një shkrim me titull “Dashamirësi i pyjeve”.
Vëllai tjetër, Ndue Dedë Vorfi, për shumë
vite kryetar i këshillit popullor të fshatit, ishte njeri i drejtë dhe e donin
të gjithë.
Frroku ishte më i vogli ndër vëllezërit.Në
rini ishte çoban i dalluar dhe i binte fyellit.Ishte shumë i dashur me ne më të
vegjëlit.Gjithnjë i pari për t'iu gjendur familjeve në rast nevoje. Mbaj mend
që kur mori zjarr kasollja jonë e bagëtive, ai arriti i pari me vrap me një bucelë
me ujë që të ndihmonte në shuarjen e zjarrit dhe në shpëtimin e bagëtive nga
djegia. Pasi kreu shërbimin ushtarak, u bë shofer. Për ne fëmijët ishte një
kënaqësi e veçantë,sepse shpesh hipnim në makinën e tij. Po nëse për ne të
vegjëlit ishte një zbavitje e çastit, për prindërit e ata që kishin punë larg
fshatit,ai ishte një ndihmë e madhe, pasi me skodën e tij në njëfarë mënyre
bënte edhe punën e autobuzit, duke mos lënë kurrë njeri në tokë. Frroku punonte
në Reps e në Spaç e transportonte mineral. Shumë korekt në punë, ai dallohej
nga viti në vit, aq sa më vonë iu dha besimi të punonte me kamionë që
transportonin mallra jashtë Shqipërisë në shtete të ndryshme të Europës. Ai
ish-çobani i dhive arriti të bëhej një nga shoferët më të mirë të vendit dhe u shqua
për korektesën e figurën e tij në të gjitha udhëtimet jashtë vendit për shumë e
shumë vite me radhë.
Mbrëmë, nga një shkrim i gazetarit mirditor
Gjergj Marku, mësova për ndarjen e tij nga jeta.Nuk e di, për një çast m'u duk
sikur shikoja fëmijërinë e rininë time të ikte.E mendja më shkoi atje tek kulla
e Dedë Vorfit në Gëziq. Tani që tre vëllezërit nuk jetojnë më, që shumë nga
fëmijët e tyre janë shpërndarë nëpër botë,në Itali, Greqi e deri në Amerikë,
kush ka mbetur tek ajo kullë e vjetër?
Koha ecën, vitet rrjedhin e ato kulla,
gjithnjë e më shumë të vetmuara, mbeten si bastione të heshtura, që ruajnë
histori e jetë familjesh, që nuk u shkruan kurrë.
Pushofsh në paqe, bashkëfshatari im i mirë,
Frrok Deda. Ti e ke shkruar vetë historinë tënde e ajo transmetohet tek të
gjithë ata që të njohën e që ti iu gjende pranë gjatë viteve te jetës.