E enjte, 28.05.2020, 09:50 AM (GMT+1)

Intervista » Entela

Entela Binjaku: Ari Rex - E mrekullueshmja botë e yjeve në sytë e fotografit shqiptar

E shtune, 09.05.2020, 05:36 PM


Ari REX: E mrekullueshmja botë e yjeve në sytë e fotografit shqiptar

Ekskluzive nga Entela Binjaku

Fotografitë e tij janë thjesht...të pabesueshme. Yjet, galaksia, “Rruga e qumështit”, që për shumë prej nesh duken si realitete të largëta filmash, vijnë magjepsëse dhe të prekshme të fotografuara ky artist si të jenë një dhuratë qiellore për ne njerëzit në tokë.

Ari Rex është një fotograf shqiptar që jeton në Kanberra të Australisë, vend ku u vendos më shumë se dy dekada më parë. I lindur në qytetin bregdetar të Vlorës, që i vogël ai shfaqi natyrën e tij sfiduese duke u marrë me sportin e futbollin, si pjestar i ekipit legjendar të “Flamurtarit”. Arlind Rexhepaj, sot Ari Rex, zgjodhi megjithatë një kontinent të largët si shtëpinë e tij të dytë. Edhe pse karriera e tij në fushën e fotografisë është realitivisht e re, sot ai është një nga fotografët më të njohur ndërkombëtarisht.

Fitues i shumëfishtë çmimesh në konkurse të ndryshme të fotografisë, artisti që sot përdor emrin e tij të vegjëlisë si firmë në punët e veta, është duke zhvilluar karrierën e tij të pasur në mënyrë aktive. Këto ditë ai po merr pjesë në një nga ekspozitat më të mëdha jo vetëm në Australi por edhe në botë. Kjo ekspozitë zgjat dyjavë.

Ari Rex pritej të paraqitej në Sidnej në Festivalin “Headon” të Fotografisë Ndëryjore. Për shkak të pandemisë ky aktivitet tashmë do të mbahet vetëm online gjë e cila u jep mundësinë njerëzve kudo ku ndodhen ta ndjekin atë.  Më 16 maj Ari do të jetë pjesë e një referimi, ku do të flasë për të gjithë ata që janë rregjistruar në një platformë online të bisedave artistike. Të gjithë të interesuarit mund ta ndjekin referimin e tij drejtëpërdrejtë në orën 1 të mëngjesit.

Arkivat Kombëtare të Australisë kanë për zgjedhur një ndër fotografitë e artistit shqiptar dhe e kanë përdorur në një nga ekspozitat më të mëdha të historisë së Australisë. Ekspozita pritej të hapej një muaj më parë por pandemia e kovidit e ka shtyrë edhe këtë aktivitet. Ekspozita është e përhershme, ajo ka në qendër historinë e Australisë dhe është me vlera të mëdha politike e shoqërore: kjo është e para herë që qeveria i kërkon ndjesë popullit të lashtë aborigjen.

Fotografia e Ari Reksit me përmasa të mëdha, është me diametër 6 metra dhe është vendosur në tavan, në mes të ekspozitës dhe do të qëndrojë aty për 12 vjet. Kjo është edhe koha kur Arkivat Kombëtare të Australisë kanë të drejtën e licencës së përdorimit të fotografisë.

Për të mësuar më shumë për këtë artist të përmasave ndërkombëtar tashmë, mund të vizitoni faqen e tij (www.arirex.com.au) si dhe të ndiqni në vijim bashkëbisedimin tonë.

Le të nisim pak rreth jush. Pse Australia dhe pse pikërisht fotografia? Si nisi kjo rrugë?

REX: Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën Entela! Shkurt rrethmeje: Unë jam lindur më 1974 në lagjen„Muradie“të Vlorës. Në Vlorë u rrita ku dhe luaja futboll me ekipin e „Flamurtarit“ deri në moshën 17 vjeç kur emigrova në Itali me një peshkarexhë si shumë nga bashkatdhetarët e mi.

Në vitin1998 vendosa të kthehesha në Shqipëri, por ndërkohë që po përgatitesha, filluan trazirat që shkaktuan skemat piramidale.

Më kujtohet që mbas një vizite 2 javëshe vëllai i madh më zgjoi nga krevati dhe më tha „të merrja tragetin urgjentisht dhe të largohesha se në Vlorë plasi lufta“ (çasti kur populli u ngrit dhe morën peng duke goditur me gurë forcat e shpejta të „Berberana“ e stacjonit te Sheshit të „Flamurit“).

Në të njëjtën kohë falë një miqësie që kisha me një shoqe që punonte në ambasadën australjane mu bë e mundur të merrja një vizë turistike për të vizituar këtë vend. Erdha në Melburn në 8 gusht të 1998-ës.

Dita-ditës që vizitoja vende të ndryshme të Australisë mahnitesha nga natyrat spektakolare por edhe nga mënyra e jetesës shumë të lartë në krahasim me Italinë.

Kështu që vendosa të kthehesha përsëri me mendimin për të qëndruar. Pas 2 muajsh shkova sërish në Itali dhe Shqipëri dhe ju tregova familjes dhe miqve se do shpërngulesha në Australi për gjithmonë.

Dhe ashtu ndodhi, në nëntor të 1998-ës erdha përsëri këtu dhe u vendosa të jetoj në Melburn.

Fotografia ka qenë gjithmonë një hoby për mua por në vitin 2010 kur u transferova këtu në Kanberra, ngaqë nuk njihja shumë njerëz këtu, përveç gruas sime dhe familjes se saj mu dha mundësia të merresha më shumë me fotografinë. Nga një kërkim paraprak mora vesh se këtu ndodhej një nga shkollat më me emër në Australi për fotografinë (në CIT Canberra Institute of Technology) ku prej saj kanë dalë fotograf shumë të njohur që prej 40 vjetësh. Kjo shkollë në atë kohë ofronte nga çertifikata IV deri te diploma e avancuar.

Kështu pas një interviste me profesorët e kësaj shkolle fitova të drejtën e studimit. Ideja ime në fillim kishte si qëllim përvetësimin e disa pikave që unë mendoja se çaloja në fotografi,  por në fakt mora më shumë sesa mendoja të merrja nga kjo shkollë. Sa më shumë mësoja, aq më shumë kërkoja dhe mbas tre vjetësh u diplomova me diplomën e avancuar.

Cilat janë temat që keni më përzemër në fushën e fotografisë?

A. REX: Më tërheq shumë fotografia në përgjithësi si nga ana teknike dhe ajo kreativo-artistike, prandaj dhe jam i interesuar në shumë tema të ndryshme të fotografisë.

Ky interes i lartë ka ndikuar shumë në ecurinë time si fotograf sepse duke shtruar shumë teknika të ndryshme fiton dituri, çdo stil komplimenton një stil tjetër dhe kështu qe puna përvetesohet dhe zhvillohesh si fotograf.

Më pëlqen të fotografoj njerëzit kështu që portretet janë fusha që jam më shumë i përqëndruar edhe me punën time ditore, gjithashtu edhe ajo e stilit komercjal.

Këto dy tema janë pjesa më e madhe e biznesit tim të fotografisë së përditshme.

Por kur kam kohë të lirë ndjej kënaqësi edhe në temat e tjerasi makro, infra të kuqe dheastro-fotografi. Merrem me disa projekte personale lidhur me këto tema, sidomos me astro-fotografi ku ka mbi 5 vjet që mësoj të tjerët duke dhënë workshop-e në fotografi atyre që duan të përvetësojnë teknikën e të fotografuarit natën.

Mund të na përshkruani disa nga pikat kryesore të karrierës suaj: më të lartat, më të papriturat, më të lumturat, më të vështirat?

A. REX: Jam me fat që në karrierën time profesionale relativisht të shkurtër (8- vjeçare) ka pasur mjaft çaste të bukura. Është gjithmonë kënaqësi kur të njihet puna duke fituar medalje të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe të botohesh në gazeta e revista të njohura australiane, si ajo e “Capture Magazine”, “Australian Photography”, “Sydney Morning Herald”, “Melbourne Herald Sun””, Canberra Times”, “The Age”dhe shumë të tjera por medaljet dhe çmimet e para janë ato më të ëmblat.

Për t’u theksuar janë medaljet e fillimit që mora në “APPA”, “AIPP” dhe çmimin e parë Ndërkombëtar të IPA 2019 Photo Awards në kategorinë “Profesional astro-photography” ku morën pjesë 16 mijë fotografë nga e gjithë bota.

Theksoj edhe një nga kënaqësitë më të mëdha kur mbarova shkollën sepse nga 46 veta që e filluam, vetëm 6 nga ne e përfunduan atë.

Unë isha nga dy studentët me notat me të larta ku dhe fitova vendin e parë duke marrë dhe dhuratën e ofruar nga “Canon Australia”, një printer professional që e përdor dhe sot.

Nëse publiku shqiptar do të donte të dinte më shumë për ju, cfarë konkretisht mendoni se do të duhej të dinte? Cili është Ari Rex?

A. REX: Nuk jam mësuar të flas shumë për veten, unë jam një njeri i thjeshtë që ka passion fotografinë dhe jam me fat që këtë e kam dhe punën time.

Cilat janë ambiciet apo objektivat tuaja në punën që bëni?

A. REX: Nuk jam tip që bëj shumë plane, e preferoj ta jetoj jetën ashtu si më vjen. Mund të theksoj se më pëlqen të marr rrugët e vështira në jetë, ato më japin me shumë kënaqësi.

Shqipëria dhe fotografia, - në dijeninë tuaj ku janë fotografët shqiptarë në panoramën e sotme?

A. REX: Shqipëria sot ka fotografë më shumë se kurrë më parë, prej tyre ka dhe shumë të talentuar, në fakt disa prej tyre i ndjek me kënaqësi në Instagram dhe Facebook.

Besoj se po të kishte shkollë të kushtuar fotografisë në Shqipëri si në vendet më të zhvilluara atëherë do të kishte më shumë fotografë të stërvitur nga ana teknike.

Shpresoj që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt!

Nëse do të donit të përcillnit një mesazh për të rinjtë e apasionuar pas fotografisë, cili mund të ishte?

A. REX: Pasioni nuk është i mjaftueshëm në këtë art. Puna e palodhshme është ajo që të çon përpara. Si fillim përqëndrohu me një stil, atë që të pëlqen më shumë, përvetësoje atë sa here që e shtyp aparatin!

Si është të fotografosh qiellin, hapësirën, cfarë ndjesie provon dikush që i dhuron botës pamjen e një realiteti që syri vështirë ta shohë?

A. REX: Për fat të mire Australia ka stolat e para në ekranin magjepsës të qiellit hyjnor të natës. Shumë njerëz, sidomos ata që jetojnë në qytete të dendura nuk e besojnë që mund ta shikosh qendrën e galaksisë sonë me sy. Në fakt këtu ku jetoj unë është një qytet i hapur dhe më pak ndotje drite.  Janë këtë çast qendra e galaksisë sonë ndodhet sipër në mes të qiellit dhe unë po shkoj ta shikoj tani ngaqë duhet të vendos një aparat që të fotografoj një timelapse të shiut meteor të Aquaridit.

“Rruga e qumështit”duket qartë me sy edhe pse është hëna e plotë.

Syri shikon më pastër se aparati por falëteknikës së long exposure parati e tregon “Rrugën e qumështit” më paster dhe qartë sepse kur është në tripod ai rregjistron me shumë dritë se syri për gjatë kohës.

Nata me frymëzon shumë dhe mund të flas pambarim për këtë pyetje por veç them që nuk ka gjë më të bukur se te fotografosh “Rrugën e qumështit”.

Vetëm natën e kupton se ne jemi një pjesë e diçkaje shumë më të  madhe sepse natën shikon yjet, nebula dhe galaktika që ndodhen me mijëra vjet dritë larg dhe kjo gjë të bën të reflektosh në perspektivë. Kjo është edhe arsyeja më e madhe që më ushqen fizikisht dhe shpritërisht kur dal natën për të fotografuar yjet.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora