E hene, 25.05.2020, 06:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Rradha e qumështit

E merkure, 18.03.2020, 07:56 PM


RADHA E QUMËSHTIT

TREGIM NGA QAZIM SHEHU

Në atë kohë,  që ju e njihni,  qumështi ishte një problem, si çdo gjë që mezi sigurohet. Njerëzit çoheshin që më dy të natës dhe zinin radhë, dikush vinte në radhë një copë tullë, gur apo send tjetër,  dhe ikte për të ardhë sërish;shishe jo,  se kishte frikë se mos ia vidhnin. Njerëzit,  të topitur,  ishin mësuar me këtë tmerr dhe askush nuk guxonte të thoshte gjysmë fjale. Ndodhte që qumështi mbarohej shpejt dhe kishte,  gjithmonë, nga gjysma e gjer në fund të rreshtit,  që mallkonin veten pse nuk ishin zgjuar më herët.

Arjani, shkrimtar i provincës, i njohur si poet, më së shumti prozator,  dhe me një dramë të re, çohej si gjithmonë herët, kur , në rrugë,  nuk kishte njeri. Por të tjerë ishin zgjuar para tij, veçse, sidoqoftë ai arrinte të zinte një radhë aq sa për të llogaritur se mund ta merrte qumështin dhe gjithnjë shkonte i gëzuar në shtëpi , duke mbajtur në duar ato dy shishe qumështi që më shumë i donte për dy fëmijët dhe të shoqen sesa për vete. E linte gruan në gjumë dhe po në gjumë e gjente. Në radhën e qumështit,  vinin burra kryesisht, po kishte edhe gra, të cilat për arsye të ndryshme nuk i nxirrnin burrat në radhë, ose ishin me shërbim dhe larg , ose ato preferonin vetë ta kryenin këtë. Qyteti flinte, diku dëgjohej ndonjë zhurmë ose ndonjë hap i vetmuar prej patrullës së policisë që i binte kryq e tërthor qytetit të vogël,  duke ruajtur objektet e rëndësisë së veçantë dhe dyqanet nga keqbërësit. Edhe ajo pasmesnatë, disi e ftohtë, nuk ishte ndryshe nga të tjerat, kur,  në radhën që rrinte e heshtur për të pritur karrocën e furnizimit të fermës,  u duk një grua. Ajo vuri një tullë pas radhës së Arjanit dhe i tha atij nëse mund t`ia merrte  qumështin, kishte fëmijën e vogël dhe nuk mund të rrinte gjatë aty. I zgjati lekët, duke i lënë shishen në dorë. Pa pritur që Arjani t`i thoshte po ose jo, ajo iku,  dhe ai mendoi se kishte rënë në një bela të madhe, shitësja nuk jepte më shumë se dy shishe, ajo e dinte se ai merrte gjithmonë kaq;i vinte zor të zgjaste fjalët ose të lutej për këtë;megjithatë do ta provonte. Atë grua nuk e njihte. Vetëm se i tha se shtëpinë e kishte në katin e dytë të pallatit, poshtë të cilit ishte dyqani i qumështit. -Mos u mërzit, kështu e bën sa herë, -tha dikush pas tij dhe nënqeshi. Si t`ia kuptonte vështirësinë në të cilin u ndodh Arjani , tjetri e përsëriti përsëri fjalën mos u mërzit, por Arjani nuk i ktheu aspak përgjigje, pse duhej të mërzitej?Nëse nuk arrinte t`i merrte qumësht, madje do të ishte mirë , se ajo grua nuk do ta mërziste më. Kur erdhi karroca e qumështit u ndie një tentim për t`u shtyrë, por njerëzit e kuptuan instiktivisht se nuk kishte pse, përderisa secili kishte radhën e vet, kjo ishte e kotë. Kur i erdhi radha Arjanit, ai e mori qumështin. Shitësja nuk i bëri fjalë për dy shishet shtesë, as tjetri që ishte mbrapa , se kjo ishte më se logjike. Si mori qumështin e vet,  dy shishet e saj i futi në një rrjetë dhe po priste që tani të vinte ajo gruaja që e kishte shtëpinë në katin e dytë. Njerëzit merrnin qumështin dhe largoheshin të heshtur. Ai priti gjersa mori qumësht edhe i fundit, pa sesi mbetën pa të tre katër të tjerë , të cilët ikën duke murmuritur nëpër dhëmbë, si të shanin dikë ose veten e tyre që ishin treguar gjumashë,  shitësja e mbylli kanatën e sportelit të ngushtë dhe u bë qetësi. Por gruaja nuk po dukej. Ç`të bënte?Të ngjitej lart, nuk kishte rrugë tjetër. Por ajo i kishte thënë se banonte vetëm në katin e dytë, pa i shpjeguar se cila hyrje ishte shtëpi e saj. Dhe ai nuk mund të trokiste kot, ishte natë dhe nëse trokiste gabim do ta merrnin për të krisur, pastaj qyteti ishte aq i vogël sa një pëshpërimë e merrte era e thashethemeve dhe e çonte në çdo vesh. Megjithatë do të provonte. Ai u ngjit në katin e dytë duke ecur ngadalë si të shkonte para një prove të rëndësishme. Në sheshin e katit, aty ku tri hyrjet heshtin me dyert e mbyllura,   qëndroi dhe po mendonte se cila mund të ishte dera e shtëpisë së saj. Duke shikuar me kujdes , vuri re se njëra nga dyert ishte e paputhitur mirë. ”Kjo duhet të jetë”, mendoi dhe trokiti lehtas gjithnjë me kujdesin për të mos bërë zhurmë se , një lëvizje sado e vogël në atë qetësi , ndihej e çohej larg prej heshtjes së thellë. Trokiti sërish, dhe,  pas të trokiturës së tretë,  si zbatonte një kod, u duk gruaja. Ajo e hapi derën ngadalë. Ai u befasua, kjo grua nuk kishte kujdesin minimal të veshjes, trupin e saj e fshihte një fustan i hollë nate, rripat e të çilit mbulonin gjinjtë e mëdhenj,  pothuajse lakuriq. -E solla qumështin, -tha Arjani, dhe i zgjati lekët si kusur. -Falemnderit, -tha gruaja dhe mori shishet, i vuri përdhe, diku në cep të derës nga Brenda,  dhe iu drejtua atij:-Hyni brenda, sa të gjej paratë për të kthyer një pjesë të tyre se më ke dhënë shumë. Arjani po rrinte si hu, por ajo ia kapi dorën dhe e tërhoqi miqësisht në sallonin e vogël, dhe , që të mos i krijonte atij ndonjë keqkuptim,  derën e la gjysmë hapur. Shkoi diku në dhomën tjetër dhe u kthye me një sasi të hollash të cilat i takonin Arjanit. -T`ju bëj një kafe?Po afron mëngjesi, -tha gruaja. -Jo, tha ai, më duhet të iki, -Pa pirë diçka nuk ikën,  -tha gruaja. Ajo hyri në dhomën tjetër sërish , dhe solli një tabaka me një gotë raki.  Arjani e mori gotën dhe e uroi.

-Falemnderit, -tha gruaja e bërë lulëkuq. Shkrimtari po habitej, edhe se u fut brenda , ajo nuk kishte tentuar të hidhte rrobe tjetër supeve, ishte aq e paturpshme dhe e shpenguar. Ç`donte kjo grua nga ai?Mos po përgatiste ndonjë kurth, dhe kërkonte ta vononte pakëz kohën,  gjersa të puqeshin rrethanat për realizimin e tij?A nuk ishte dënuar gjashtë muaj në prodhim për një poezi të errët dashurie dhe libri i radhës i ishte bërë karton?I shkuan të rrëqethura, sa, i ndodhur para asaj bukurie hutuese , nuk mendonte tjetër veçse të ikte, por me një farë takti. Nuk i shkonte të ikte brutalisht, ishte poet…Edhe mund të ndodhte kjo, po fundja çfarë arsye kishte për ta bërë këtë, a nuk i shërbeu duke i kursyer kohën dhe i solli qumështin, ndërsa ajo flinte.  Edhe mund të mos ishte kurth, por thjesht një idil i ndezur pranë këtij mëngjesi të freskët, por si mund ta besonte këtë, para një gruaje të panjohur që burrin mund ta kishte me shërbim. E dinte se po tregohej guak, por kur kujtontre galeritë e thella të minierës së kromit,  vështronte duart e tij të buta prej shkrimtari, tani ende me kallo,  dhe nuk i hynte në sy asgjë. Pas dënimit , në poezinë e tij,  tani zinin vend kromi, furrënaltat, vajzat kooperativiste, rendimentet e larta, minatori hero, oxhaqet e fabrikave  dhe porositë e partisë…Gruaja vej e vinte sa nga dhoma në kuzhinë. Në hapin e saj sikur fëshfërinte një ankth i lehtë. Ajo mbase nuk po kuptonte pse ai nuk po i hidhte ndonjë fjalë afrimi dhe Arjani nuk kishte ndërmend, nëse do të binte në grackën e saj dhe,  nëse do të merrej vesh kjo,  atëherë çfarë fjalësh do të gjente për të justifikuar emrin e tij të mirë si familjar i rregullt? Dhe do ta akuzonin për imoralitet;pas kryerjes së dënimit të parë,  nuk mund të kishte dënim tjetër veçse burgu. Ndër mend i erdhën fëmijët e vëgjël dhe gruaja e re, edhe ajo, kur të shkonte ai në burg,  do porosiste dikë për shishe qumështi…Habitej sesi po mendonte kaq gjatë në këto çaste,  kur duhej të ikte , qoftë edhe pa një farë takti.

Më mirë të iki, tha , dhe u bë gati,  kur u dëgjua një e qarë e fortë fëmije. Gruaja kishte shkuar dhe kishte pickuar fëmijën. Të paktën kështu mendoi Arjani. Por, s`duhej të mendonte kaq keq, mbase fëmija qau vetë, ngaqë  kishte uri. Pastaj ajo u kthye me fëmijën në krah. Nxori gjirin e saj të madh dhe ia afroi te goja , por fëmija nuk e qaste. Siç duket,  e kishte pickuar fort dhe dhimbja ishte më e madhe sesa dëshira për të pirë. Gruaja orvatej ta kandiste, ndërsa fëmija ende qante…-Pije, shpirt, -murmuriste ajo, -kape, se ta kap ky xhaxhi…Fëmija ende bënte naze.

-Sa fëmijë i prapë, kape se ta kap xhaxhi, -murmuriste ajo…-Rri pak, -iu drejtua ajo Arjanit, kur gruaja,  me bishtin e syrit,  vuri re Arjanin që po bëhej gati të lëvizte(o zot, çfarë syri, iu fanepas atij një përndezje fantaziste, nuk ka metaforë që mund ta arrijë, dridhen metaforat para këtij syri)- se mbase të ka hatër ty…Gruaja sikur lutej, për hir të fëmijës, jo për hir të vetes, dhe ai ndjeu një pështirosje për ligësinë e saj që vinte gruan para nënës. Ishte e para pështirosje që provonte si nuancë gri në ndjesinë e vet për gratë. Përherë, ato zinin një vend të merituar me shkëndijime mahnitjesh në poezinë e tij. Dhe Arjanit po i pëlqente kjo lojë,  ndonëse i dukej jo e mirë. Ai po priste gjersa fëmija ta kapte thithkën e së ëmës, pastaj të dilte, por fëmija,  si për inat të tij,  ende nuk po donte ta bënte këtë. Dikur ai e kapi thithkën e gjirit të së ëmës.

-E kapi!-tha Arjani gjithë gëzim. Në të vërtetë ai nuk ishte i gëzuar, por duhej të shprehte këtë. -Po, -tha gruaja gjithë trishtim, -e kapi…. -Tani, po dal…Ajo nuk lëvizi nga vendi, as u ngrit në këmbë,  të paktën për respekt, vetëm u përkul edhe më mbi fëmijën i cili pushoi,  sapo poeti doli, gati si me magji. Gruaja mbështolli me duar gjinjtë e saj si dy sfera të buta dhe i ujdisi poshtë rripit të fustanit. Nga thithkat, ende kullonte qumështi që fëmija s`e kishte pirë.

-Thefsh qafën, -murmuriti ajo-, dhe, … përshkruan gjithë atë dashuri në romanin tënd…

Shkrrau…sikur dëgjoi Ajrani, dhe brenda këtë fjalë si onomatope a si sajim i saj,  ai më vonë do ta konspektonte në shënimet e veta të fshehta kritike,  sikur të ishte thyer një degë e njomë nga një pemë e lulëzuar me aromë të këndshme. Dhe këtë degë e kishte thyer ai. Por, ç`të bënte?. . . Pothuajse kishte gdhirë. Shiheshin njerëzit që po dilnin nga apartamentet e mpira. Ai po mendonte se çfarë do t`i thoshte gruas, fundja asgjë, nëse ajo nuk kërkonte shpjegim. Nëse po, do ta gënjente…Por halli nuk ishte këtu…Ç`do të bënte të nesërmen,  kur të shkonte në të njëjtin orar te dyqani i qumështit?Gruaja sërish do të vinte aty…Vështrimet e tyre do të kryqëzoheshin plot mëni, ajo e fyer nga refuzimi që , kush nuk e beson,  dhe ai i bezdisur nga vetvetja, që, i ndodhur në një pozicion të tillë, nuk kishte treguar as shenjën minimale joshëse ndaj një bukurie të rrallë, të cilën mundohej ta arrinte në vargjet e tij plot nerv dhe intesitet ndjesish…Sa i dobët ishte treguar…Dhe iu kujtuan pleqtë trojanë që u ngritën në këmbë para Helenës,  duke murmuritur se duheshin justifikuar dhjetë vjet luftë për hir të  bukurisë së saj. . Gjithë atë ditë,  ai , pasi piu kafe me një poet tjetër që vinte nga fshati dhe kërkonte ndihmën e tij në redaktimin e poezive të veta, pasi shkoi në një mbledhje të Degës së Lidhjes të Shkrimtarëve , ku do të diskutohej mbi disa aspekte të krijimtarisë së krijuesve të rrethit dhe sesi ata i kishin reflektuar në krijimtari vendimet e Pleniumit të Partisë për pasyrimin e luftës së klasave në letërsi, ai, mbasdite,  u kujtua sërish se çfarë do të bënte të nesërmen te radha e qumështit…Dhe nuk i jepte zgjidhje, kishte një nxitim në vetvete, sikur donte ta shtynte kohën me zor që të vinte mëngjesi i thellë për ta provuar këtë dilemë…Ishte si i trullosur, këtë e vuri re edhe e shoqja, por nuk i tha gjë, ajo e dinte, kishte ndodhur edhe herë të tjera kështu, kur në zemrën e tij,  hynte limfa e frymëzimit,  ai mbyllej në vetvete, hutohej, s`donte të afronte njeri, futej e rrinte në dhomë veçan dhe shkruante. Mallkim,  të martohesh me një poet, mendonte shpesh ajo, ndërsa  merrej me fëmijët…Ndërsa,  çuditërisht atë mbasdite, ndryshe nga herët e tjera , ai nuk po vetëmbyllej që të shkruante…Por ajo s`kishte kohë të mendonte aq gjatë…Si praktike që ishte,  e kuptonte se, sado të mundohesh,  në botën e poetëve nuk hyn dot. . . ndaj, është kot të sfilitesh për këtë…”Arjan D. , poet i realizmit socialist, poet i ritmeve të hekurta, që këndon pareshtur për ditët e lumtura të komunizmit, ti trembesh nga një flirt i zakonshëm. Pika që s`të bie!”Por nuk ishte kështu…”Arjan D, poet që u këndove dashurisë dhe dashuriçkave, me aludime dhe dykuptimësi, a e harrove si vajte gjashtë muaj në minierë?…Arjan D. ti po na prish moralin socialist, shkrimtari duhet të ketë moral të pastër, ai është ndihmës i partisë”…Me këto pyetje dhe kundërpyetje që i bënte ndërgjegjes së vet të ngulftatur , ai nuk e kuptoi si iku koha , se nuk ishte marrë kurrë me nocionin e saj atë ditë, vetëm kur pa orën,  ajo ishte tre e natës…U ngrit nga shtrati, mori çantën me dy shishe të zbrazëta dhe u nis për te radha e qumështit…Para tij ishin tre –katër vetë…Zuri radhë…Nuk vonoi shumë dhe ajo u shfaq…Arjani bëri sikur nuk e pa, ndërsa ajo i hodhi një vështrim të qetë, po ku ndihej trazimi. Nuk ishte vështirë ta kuptoje…I binte që të qëndronte pas tij…Ajo sërish vuri një tullë aty dhe i zgjati shishet…Në veprimin e saj nuk shfaqej asnjë hezitim se ai do t`i merrte. Dhe ai i mori…Ditët më vonë,  do të gjykonte se kishte vepruar drejt…Kot ishte shqetësuar. Partia , si zemërgjerë që ishte, pas një tëndosje drejt hovit revolucionar, e bënte një sy qorr dhe një vesh shurdh, kur kërkohej të mendohej se njerëzit duheshin lejuar në një argëtim intim, por me kusht, që ai të mos dilte në sipërfaqe, ndryshe,  kurrë s`mund të mbuloheshe me rroben e grisur të pastërtisë morale….



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora