Editorial » Entela
Entela Binjaku: “Dy botë” dhuratë ne lexuesve nga Elvi Sidheri
E premte, 19.07.2019, 07:33 PM
“Dy botë” dhuratë ne lexuesve nga Elvi Sidheri
Nga
Entela Binjaku
Romani
“Dy botë” i autorit Elvi Sidheri na u paraqit për lexim në këtë prag vere të
vitit 2019 si një ftesë për të hedhur vështrimin pas në kohë.
Që
në fillim më duhet të them se duke qenë lexuese e rregullt e publicistikës së
autorit dhe një admiruese e pasurisë së madhe të gjuhëve që ai zotëron, drejt
romanit “Dy botë” shkova me shumë kuriozitet. Këtë e ndihmoi edhe fakti se edhe
unë bëj pjesë në mesin e atyre që i
ndjekin fare pak autorët romancierët shqiptarë. Kjo ka krijuar një boshllëk në drejtim të njohjes
së letërsisë sonë bashkëkohore, gjë e
cila nuk më lejon të vlerësoj me kompetencën që kërkohet, ose më shtyn drejt
paragjykimit. Por pikërisht edhe për
këto arsye e mirëprita këtë roman.
Që
në faqet e para spikati viti kur zhvillohen ngjarjet. Për një rastësi të bukur viti 1999 më duket sa
afër, po aq edhe larg. Për shumë
prej nesh lexuesve ai përbën një kufi
kohor të veçantë. Përkon me vitet e vrullshme të hapjes së vendit, rininë
shqiptare në kushtet e reja, me aspiratat e shumë vajzave dhe djemve për të vënë në lëvizje impulset e moshës, me
pasiguritë dhe të papriturat, me besimin e palëkundur tek parimet e
edukuara. Përkimet me personazhin i
pashë me nostalgji dhe për këtë merita është e autorit që arrin të zgjojë tek
ne disa emocione që flenë.
Mënyra
se si përshkruhet atmosfera e Tiranës, gjuha e pasur dhe mjaft tërheqëse,
situatat e papritura që kalon Livia, personazhi kryesor, zgjoi sa kërshërinë, po aq edhe një lloj
miratimi në heshtje për atë që shkruhej.
Autori ka përzgjedhur në këtë roman një personazh qendror femëror e cila në vetëvete përfaqëson tiparet e vajzës shqiptare. E etur për të njohur sa më shumë, e edukuar, e kalitur me vështirësitë, plot aspirata dhe dëshira kjo vajzë i qaset botës së madhe me të vetmen pasuri të saj: personalitetin. Siç edhe në libër lexohet situatat e vështira nëpër të cilat ajo kalon, mbështeten pikërisht në ato cilësi që nuk e lënë në baltë. Karakteristike për shumë vajza shqiptare, njohja e sa më shumë gjuhëve të huaja përbënte në vetëvete dëshirën për sa më shumë dritare, mjetet për të njohur sa më shumë nga bota një nxitje për të dalë jashtë kufijve të vendit. Tek përpjekjet e Livias janë përpjekjet e shumë vajzave të tjera shqiptare, që të varfëra njohën në ato vite me shumë të panjohura, mashtrimin, nëpërkëmbjen, abuzimin, shfrytëzimin. Si një njohës i mirë i raporteve ndërnjerëzore autori e ka vendosur personazhin edhe mes dramës familjare duke nisur që nga raportet e vështira me të atin, boshllëku dhe nevoja e paplotësuar që lë humbja e nënës, raportet me njerkën, por pa lënë mënjanë edhe shoqërinë, që si në çdo kohë, dhe në atë moshë, ka një rol të rëndësishëm në jetën e secilit prej nesh.
Në
prillin e vitit 1999 kur ndodhin ngjarjet e romanit, Lufta e Kosovës ishte ende pranë dhe e prekur
prej saj ishte i gjithë vendi. Ndjeshmëria tek Livia për këtë situatën
dramatike që po kalonte komb, i nuk mund të mos ndjehej. Vështirësitë që kalon
ajo që nga çasti kur vendos të largohet vënë në sprovë një jetë të mbushur me
vështirësi e të panjohura. Nuk kishte si të mungonte tek ky roman i Elvi
Sidherit ajo anë e tij si autor e lidhur
me historinë, apo me kulturat e
huaja, zotësinë në njohjen e të
cilave ai e ka treguar prej kohësh dhe e
dëshmon në shkrimet e tij.
Arbëreshët
janë një tjetër element me rëndësi në këtë roman. Raportet e Livias me ta sjellin edhe njëherë
në qendër pikërisht tiparet e kulturës së arbëresshve, rezistencën dhe
vendosmërinë për të ruajtur thelbin e tyre: gjuhën dhe identitetin. Nga një
individ i vetëm si Livia tek një komunitet i tërë sic janë arbëreshët, dalin në
pah të përbashkëtat: përpjekjet për ruajtjen e thelbit tek vetevetja dhe rezistenca ndaj shuarjes.
Në
romanin “Dy botë” bie në sy shqipja e
pasur, e bollshme dhe plot shprehi që të befasojnë dhë te krijojnë më
shumë respekt për këtë autor që është
vetëm në sprovën e tij të dytë si romancier.
Duke
u nisur nga kjo pasuri e gjuhës dhe e mendimit, natyrshëm ty si lexues të duket vetja i paplotë dhe vetë ky krijim
të nxit të reflektosh mbi këtë. Romani duke ruajtur unitetin e tij pavarësisht
ngjarjeve, të fton të shuash atë
kërshëri mendore dhe shpirtërore që e kupton vetëm kur ndodhesh përballë saj.
Livia
është një personazh që ndërthur shumë të tjerë. Pas historisë personale që
autori ka thurur për të, për të
qëndrojnë jetë të panumërta vajzash shqiptare që në këto vite ndryshimesh u
ndodhën përballë sfidave të panjohura dhe të pamenduara. Sic edhe ka ndodhur në
një shumicë të historive jetësore, edhe
në këtë roman dinjiteti, krenaria, edukata mbijetojnë përballë gjithë
vështirësve që kalon personazhi. Optimizmi për jetën tek personazhi nuk rresht
dhe kjo e bën atë të ndjehet më pranë lexuesve, të cilët përditë jetojnë me
sfidën mes dy botëve: ajo që njeriu
aspiron dhe ajo që detyrohet të përballojë.